Monday, September 11, 2023

Kujtim STOJKU: Idealisti

   (Pjesë e shkëputur nga libri në proces)

Dhimbsuria nuk i bën njerëzit përtacë të përlotur, me moral të dobët ose spektatorë pasivë; por indvidë që do të marrin përsipër dhimbjen e të tjerëve, edhe kur t`u jepet mundësia për të kaluar një veprim shumë të vështirë, duhet ta bëjnë atë në gjendjen e anonimitetit.

Dacher Keltner

Ishte një ditë e vranët pranvere që pritej të binte një re shi, dhe më pas do të dilte dielli nga pas reve të zbrazura të cilat do të ndryshonin ngjyrën nga gri në të bardhë. Ergysi, sapo kishte dalë nga drejtoria e policisë, dhe po ecte i menduar në trotuar, pa ombrellë në dorë, me vështrim mbi pllakat e trotuarit ishte zhytur në botën e vet, dhe nuk po i ndjente pikat e qelibarta të shiut që filluan të pikonin prej reve. Transferimi në një sektor tjetër e kishte bërë më të mendueshëm se më parë, por kjo ishte një gjendje e tillë shpirtërore që pas disa ditësh ndryshon kur ambientohesh me vendin e ri të punës. Në mendje po bluante mendimet, duke i krahasuar me mendimet e njerëzve të penës që ai kishte lexuar, dhe tani që po ecte në këmbë për t`u paraqitur në detyrën e re, ju kujtua Dacher Keltner me këtë thënie që ai e kishte ngulitur mirë në mendje, si ato vjershat që mësuesi t`i jepte t`i mësoje përmendësh në shkollë. Me këtë thënie që po e bluante me mendjen e tij, po bënte anologji për të arritur në një konkluzion më të saktë. E nëse ai do të mendonte se kjo ishte më e mira, nuk do të habitej se kishte arritur më të gabuarën. Pra, mendja i kishte bluar bosh si mulliri pa kokrra. Duke qenë se ishte një nëpunës i zbatimit të ligjit, kishte arritur në disa konkluzione që i bluante në trurin e tij, dhe rrallë shprehej në biseda midis kolegësh, të cilët edhe nga padija, por edhe për ta bërë të shprehej, e pyesnin qëllimisht.

Meqenëse ishte pjesë e strukturës së oficerëve të zbatimit të ligjit, më shumë kishte të bënte me anën e keqe të shoqërisë njerëzore, që të ndëshkoje njerëz që shkelnin ligjin, në radhë të parë duhej të ishe mbi nivelin mesatar të shoqërisë. Mirëpo këtu ishte edhe ngërçi më i madh i zbatimit të ligjeve që buronin nga kushtetuta. Në fund të fundit, që kur shoqëria njerëzore zbriti nga degët e pemëve duke u grumbulluar nëpër shpella, krijoi edhe filozofinë e ndëshkimit për ata që shkelnin zakonet dhe rregullat e komunitetit. Gjatë rrjedhave të shekujve, ky ndëshkim mori një emërtim që arriti deri në ditët e sotme: mund ta quajmë me plot gojën, filozofia e ndëshkimit penal.

Kjo lloj filozofie, i referohet shqyrtimit rigoroz të origjinës, shtrirjes dhe vlefshmërisë së dënimit në dimensione të ndryshme. Filozofia e ndëshkimit përfshin përcaktimin e konceptit të dënimit dhe të vlerave, qëndrimeve dhe besimeve të përfshira në të, si dhe justifikimin e imponimit të një barre të dhimbshme mbi dikë, që ka shkelur këto rregulla dhe zakone të vendosura nga një komunitet që banojnë në një territor të caktuar. Pra, e thënë me pak fjalë kur dikush kryen një faj, ai duhet të ndëshkohet për atë që ka bërë. Ligji është mëshërimi i çdo gjëje që shteti të funksionojë në mënyrë të përkryer, dhe një njeri i zbatimit të ligjit duhet t`i mëshirohet vetëm Zotit dhe ligjit.

Filluan të pikonin nga retë disa pika shiu dhe ai nuk nxitoi për t`u strehuar nën një strehëz, apo të ulej në një lokal që të mbrohej nga shiu. Megjithëse pikat e shiut ishin të rralla, ngriti kokën dhe vështroi nga qielli, retë ishin ngjyrë gri dhe sipas mendjes së tij mendoi se ato shumë shpejt do të zbraznin barkun e tyre, e shiu do të binte rrëke mbi pemët e sapo çelura dhe barin e njomë, që si një fustan i gjelbërt me lule të shumëllojshme kishte zbukuruar vendin. Vazhdoi të ecte pa u merakosur nga pikat e shiut që po binin, por iu duk sikur ato e përkdhelnin. Mendimet i vinin njëra pas tjetrës duke u munduar që t`i kuptonte më thellë kushtet e pasqyrimit historik të kësaj  filozofie, e cila shumë pak njihej nga të tjerët, për arsye se as që e kishin vrarë mendjen që ta njihnin këtë filozofi, por ishin mjaftuar me aq sa kishin mësuar, dhe me ato njohuri të cekëta vazhdonin të punonin. Pak ishin ata që akoma vazhdonin të qëndronin akoma mbi libra, por dhe ata as që i shkonte kujt ndërmend që t`i dëgjonte.

I rendiste me radhë tre shkollat e njohura bazë të ndëshkimit ligjor, që nga ajo që njihej paraklasike, shkolla klasike dhe pozitive. Kjo filozofi, është studimi i konceptit të ndëshkimit, dhe përkufizimet e saj të zbatimit burojnë sipas arsyetimit praktik. Diskutimet filozofike për këtë çeshtje kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe sot për të kuptuar ndëshkimin ligjor, dhe në thelb shtrohej pyetja se çfarë është ky ndëshkim, dhe cili është justifikimi i tij?

 I përmblodhi edhe njëherë me mendët e veta shkurtimisht këto tre shkolla pa u ndalur gjatë në secilën prej tyre. Ato ishin më tërheqëse se tjetra.

Nxorri paketën nga xhepi dhe ndezi një cigare. Mendimet si ato bletët që mbledhin nektarin në çdo lule po harbonin të çakërdisura, duke humbur nën oshëtimën e hapave mbi pllakat e trotuarit.

Ka shumë vepra akademike në lidhje me këtë lloj filozofie. Para së gjithash, Durkheimi, babai themelues i sociologjisë, këto i sheh të lidhura ndërmjet formave të shoqërisë dhe formave të ndëshkimit. Mbi bazën e Durkheimit, mendohet se Speirernbergu dhe Garlandi fokusohen midis metodave të trajtimit të kriminalitetit dhe aspekteve të tjera të kulturës. Në anën tjetër, Karl Marksi, filozof dhe ekonomist i madh politik, zhvilloi një ide në marrëdhëniet për natyrën e ndëshkimit, e cila bazohej në tezën e tij kryesore mbi strukturat shoqërore kapitaliste. Ai mendonte se, institucionet e ligjit janë formuar për të paralelizuar marrëdhëniet e prodhimit, për të mirëmbajtur sistemin kapitalist. Për më tepër, penologët marksistë e kanë argumentuar këtë dënim se rregullon ofertën e punës; kjo pikëpamje u parashtrua në vitin 1939 nga Rusche dhe Kirchheimer në “Ndëshkimin dhe Strukturën Sociale”. Në diskutimin e Historisë së ndëshkimit në Evropë nga shekulli i 13-të deri në zhvillimin e kapitalizmit, autorët e perceptojnë ashpërsinë e dënimit si të lidhur drejtpërdrejt me vlerën e punës. Kështu që, për ashpërsinë e dënimit, argumentojnë ata, është relativisht e butë kur puna është e pakët dhe vlera e saj lartë, ndërsa kur puna është e bollshme, ndëshkimet bëhen më intensive (Hudson, 1996). Por vetvetiu i drejtonte vetes pyetjen se a mund të ndreqet një njeri duke e burgosur? Nga mendimet e shkëputi një përshëndetje nga ana tjetër e trotuarit:

- Tungjatjeta Ergys. Paske rënë në të thella or burrë sikur ke gjithë hallet e botës.

- Ç`kemi Sidrit? Si je? Nga shtëpia a janë mirë? - Sidriti ishte një shok i fëmijërisë.

- Mirë, mirë janë, - u përgjigj ai. - Si thua, ta kthejmë nga një gotë birrë?

- Herë tjetër se po nxitoj për në punë.

- Atëherë mirëupafshim, - e përshëndeti Sidriti duke ngritur dorën.

- Mirëupafshim - ia ktheu ai, dhe vazhdoi të ecte duke bluar mendimet e veta.

Për më tepër, tradita marksiste kishte të bënte me pyetjen bazë ‘pse burg?’ Në të kundërt për këtë, “Disiplina dhe ndëshkimi” i Michel Foucault: “Lindja e burgut” (1977) ofroi një analizë më të thellë të raportit ndërmjet formave të dënimit dhe shoqërisë në të cilën ato gjenden. Ai identifikoi një “racionalitet penal” emergjent; që e përshkroi një jo, të thjeshtë si dukuri e ndëshkimit por e dënimit. Pra, kemi një kompleks teorish, institucionesh, praktikash, ligjesh dhe pozicionesh profesionale, të cilat kanë për objekt sanksionimin e shkelësve. Solli ndërmend kriminologun e njohur dhe studiuesin Hudson (1996), i cili, prezanton debatet thelbësore në fushën e “penologjisë së studimit të teorive të ndëshkimit”.

Ndëshkimi ligjor është një komponent themelor dhe thelbësor i jetës sonë të përditshme. Sjellja sociale është formësuar nga përdorimi i ndëshkimit si dhe reagimi i shoqërisë ndaj tij (Carlsmith, 2006:437). Por Sherlok Holmësi kishte thënë: “Rreziku është bashkëudhëtar i profesionit tim… Ky nuk është rrezik por asgjesim i plotë. Ju i keni zënë rrugën jo një njeriu, por një organizate të madhe mafioze të cilën nuk jeni në gjendje ta ndalni. Nëse nuk hapni rrugë, do t`ju shtypin me këmbë”.

Ky personazh, i krijuar me mjeshtëri nga pena e Artur Konan Dojlit, ishte aq domethënse dhe e vërtetë, tamam sikur ta kishte shkruajtur sot. Iu kujtua një ngjarje nga puna e tij e përditshme që tashmë i ishte kthyer në një mërzi që me zor po e duronte, e kjo vetëm e vetëm se donte të njihte më thellë karakterin e individit social që abuzon duke shkelur ligjin, dhe në vënd që të ishte para drejtësisë, këtij individi jo vetëm shpirti, por edhe shpina i ishin kërrusur nga mëkatet, nuk ishte i deformuar vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht. Para këtij personazhi neveritës përuleshin të gjithë, qeveritarë, deputetë dhe ministra, dhe kur vinte puna për zbatimin e ligjit, ligj më s`kishte, atij i kishte mbetur vetëm emri. Dhe gjithë ato që ai kishte bluar me mendjen e vet deri më tani ishin dokrra në erë sepse s`donte t`ia dinte askush.

Hyri në një bar - kafe që ishte në anën e sipërme të trotuarit për të pirë një kafe se gojën e kishte helm nga duhani. Sa hyri brenda, një muzikë e ëmbël i ndryshoi menjëherë gjendjen shpirtërore. Tingujt e magjishëm të Vivaldit iu dukën se e përkdhelnin. U ul në tavolinë dhe porositi një kafe dhe një shishe ujë. Tingujt e katër stinëve përhapeshin me embëlsi, dhe ai u mundua të gjente se cila pjesë ishte kjo që po luhej tani. Patjetër që duhet të jetë “Vera” - tha me vete. Përmes tingujve shpalosej një stinë që të përvëlonte dielli. Bariu me kopenë e tij janë nën hije, dhe befas fillon e fryn një puhizë e lehtë.

Kamarieri, solli kafenë dhe ujin, dhe pasi i vendosi mbi tavolinë, u largua. Në të vërtetë kjo muzikë ishte e mrekullueshme, dhe iu kujtua një thënie e Darvinit që kishte thënë për muzikën: “Ai thoshte se njerzimi mësoi ta krijonte muzikën dhe të kënaqej prej saj shumë më parë se të zhvillohej aftësia e të folurit. Ndoshta, prandaj na prek aq thellë muzika. Në shpirtrat tanë është ruajtur kujtesa e turbullt e atyre epokave të mjegullta, kur bota përjetonte fëmijërinë e saj të hershme”.

Nndezi një cigare dhe sodiste pikat e shiut që binin. Si i vinte njëri mendim nuk i vinte tjetri. Ndoshta kishte bërë zgjedhjen e gabuar në këtë profesion të vështirë dhe nuk e bënte dot. Të gjitha fjalët e bukura që u ishin thënë në fillim i kishte marrë era, kurse tashmë ishte zhgënjyese me ralitetin që po përballej. Çfarë e shtyri atë që të bëhej pjesë e organizatës policore? Moa vallë Idealizmi i nxitur nga librat që kishte lexuar? Apo dëshira për të shërbyer? Por më e pakta ndoshta ishte motivi altruist. Kush mund ta dijë, ndoshta kishte më shumë motive personale. Kjo ishte ëndrra që arriti të zgjedhë këtë rrugë të vështirë që në fillim i ishte dukur se kundërmonte erë lulesh, por në të vërtetë ajo kishte me shumë kurthe, ndoshta humbja e pafajsisë ishte e madhe, dhe jeta reale i kishte të largëta idealet dhe ndryshimet romantike...


0 comments:

Post a Comment