Wednesday, October 11, 2023

Kujtim STOJKU: Cikël poetik i vjeshtës

JU MUND TË MË QUANI
Ju mund t`më quani si të doni,
Edhe tradhëtar, sot kjo fjalë s`bën përshtypje,
Mund t`më thoni se amanetin e shenjtë e tradhëtoi,
Përtej kësaj hidhem tutje me dhimbje.
T`gjitha këto do t`i kundërshtoj sikur më lëvdoni,
Sepse askush s`mund të ma ndalojë këngën kurrë,
E di se melodinë time të gjithë e dëgjoni,
Që këndon përtej njeriut në çdo rrugë.
Asnjë mendje ngushtë s`ma pakëson hidhërimin,
Dhimbja nuk është patriotizëm,
Dhe kur gjethen e saj të mjerë e palos pikëllimi,
Për t`gjithë gënjeshtrat që askush s`i beson,
Në çdo derë mbillem i kuq si karafili.
Me delet e verbëra që ecin kuturu duke kullotur,
Duke kërkuar çdo ditë një banderolë të re,
Ashtu siç dridhet zemra e bariut,
Kur sheh se delja i pjellë një qengj me ngjyrë të zezë…

KUR UNË S`JAM

Kur vjen pranvera s`e di se pse zbehem,
Gjithë lulet, gjethet nëpër degë kanë shpirt,
Mundohem nga grumbulli i njerëzve t`mos ngjeshem,
As në ndonjë pellg që ndonjëherë është blu, e ti s`e ke dit`
S`ka kuptim t`më kërkosh se ku jam,
Në çdo gjë që merr frymë unë do t`jem,
S`ka kuptim t`ua thuash të gjithëve sesa i çmendur jam,
Kap gjurmët e hijeve të tua, mundohem t`mos më ikë asnjë…

 JETOJ

Jetoj në një copë tokë,
Që përshkohet nga rrugë t`pagabueshme,
Veçmas, bari e ka shkruar duke e thënë copë,
Me hijen e kërcellit janë shkruar gurët e bardhë,
Gërmat thonë e janë të dallueshme,
Kushdo mund t`i lexojë:
- Ndaloni e lexoni, por shikoni!
Ndaloni së kërkuari por shkoni!
Shikoje orën që ke në dorë,
Të tashmen e grryen duke e brejtur me ëmbëlsi,
Ty s`të ka shkuar ndërmend se ajo s`ka motër,
Pavarësisht se ti mund të rrish në shtëpi.
Ajo gjithmonë rrotullohet nga vetja,
Kur flet fillon e ngjitet ngadalë,
E pashë t`ngjitet përmes një fushe të zezë e s`mund heshta,
Ku s`kishte nevojë për yje në këtë natë,
Dhe ju për askund po pyesni më pas…

HELMI I NJERIUT
Një zë i brendshëm më tha
se mua do t`më shohësh n`mes yjesh,
Atëherë me t`vërtetë do të më tregoni për njerëzit e tokës,
Ata janë më të ulët se kafshët, kjo shihet,
Kryejnë gjëra t`neveritshme, mbylli sytë të mos i shohësh.
Ata edhe gjarpërit që prej Zotit është dënuar t`zvarritet,
E gjithë jetën e vet do të ushqehet me pluhur,
vetëm një dënim do t'ketë për të n'kët' botë,
Njeriu do t'ia shtypë kryet,
Pa pasur për të mëshirë kurrë.
Por kur njeriu mbi sojin e tij do të ketë pushtet,
Do të jetë më i tmerrshëm se djalli,
Do t`iu rrjepë për së gjalli me përdhunë,
E mbi ju si një hyjnor do t` ngrihet.
Për çudi, ju do të përuleni para kësaj krijese t`neveritshme,
Me pushtetin që i dhatë do t`iu shkelë me gëzim,
Me lojra të ndyra u`a mbush mendjen,
Se vetëm ai e ka këtë bekim…
Një ditë në pikun e vapës,
Gjarpëri prej etjes drejt burimit u zvarrit,
Një njeri i gjunjëzuar pasi piu ujë freskoi fytyrën dhe qafën,
Gjarpëri s`e harroi armikun e vjetër, pa u ndjerë i dha një kafshim.
Për çudi, atë që do t`u tregoj askush s`do ta besojë,
Kur njeriu u kthye t`shikoi se kush e pickoi në këtë vapë,
Prej helmit t`njeriut gjarpëri s`mundi të jetojë,
E përdrodh kular - kular e frymën e fundit dha…

VËSHTRIM KRIMINAL

Burrit nuk i kanë hije lotët thoshte një fjalë e vjetër, Ato duhet t`ngrijnë ose të avullojnë pa dalë nga qepalla e syrit, Edhe nëse t`vjen për të qarë kurrë të mos t`i shohë masakarai, Si i lig, atëherë më fort do ta shtrëngojë lakun për fyti.   Mirëpo kur lotët rrokullisen nëpër faqe si matrgaritarë, Unë sot s`shoh dobësi, por një aftësi njerëzore t`mahnitshme, E kur lotët me nxehtësinë e tyre faqet i lajnë, Kur t`iu shohin kështu, do t`u vjerë keq për ju, kjo është
e habitshme.   Kjo fjalë e urtë për çudi sot mësa duket ka zënë vend ndër mite, A me t`vërtetë kuptimi është se si puthemi në këtë kohë kurvë? Prej shekujve një shtrigë e etur gjakun na thithte, E sot përsëri n`shekullin XXI fajin e kam po unë.

Si rebel i mendimit, mendja nga s`më bridhte, Kafshët, shtëpitë dhe makinat a dinë t`qajnë vallë? Përveç zhurmës së shurdhët që mua të mjerit gjithë fajin ma hidhte, Kurvat e pushtetit prej mëkateve i mbështillte, dhe një pluhur ngrihej lart,   Dikush mund t`më thotë se edhe ata qajnë por s`e kanë
nga dhimbja, Nga kjo dashuri e çmendur kisha vënë duart në kokë, Shikimin e dritës së syve të ngrirë ua shihja, Ritmin e trokitjeve të zemrës ua numëroja në gjoks.   Oh! Mos m`keqkuptoni kur me ju kështu flas, S`është një mizë e rastësishme n`syrin tuaj, as një grimcë pluhuri, Por është verbëria që s`të le t`shikosh asnjë çast, E prandaj n`këtë lloj halli sot ka ra burri, Lotët i fshin tinëz e s`do ta shohin se është duke qar`…   Për këto t`qara ndër ne unë një fjalë tjetër s`ua thashë, Se nga këto dhimbje i gjithë gadishulli dridhet, Shkrihet duke u bashkuar në një klithmë t`thellë gjithçka, E kjo është një pëshpërimë që tërhiqet thellë, por deri n`asht ndihet…  






0 comments:

Post a Comment