Friday, October 29, 2021

Kujtim STOJKU: NETËT E VJESHTËS

 

NJË KRITIKË PËR POEZINË


Më duket se i njëjti shi bie dhe degët janë të zemruara,

Dallgët e detit rrokullisen në gërmadha,

Më sipër në mënyrë t`kryqëzuar është shkruar,

Se ky det harkohet duke u endur sa në një vend në tjetrin,

E vazhdimisht rrënjos zakone,

Që janë përdorur në një mijë poezi më parë.


 Kurvë e infektuar, poezi e zgjebosur,

Tendesoje qesharake e neurozës,

Çmimin që paguajnë disa,

Për atë që s`dinë se pse jetojnë,

Poezi e ëmbël, e përjetshme dhe madhështore.

Ndoshta nuk është çasti i duhur,

Që aq shumë shpresuam në këtë shekull,

Se kjo epokë që e quajmë epoka jonë,

Që çuditërisht ajo do t`na linte kështu si qyqe,

Duke folur me veten…


NETËT E VJESHTËS


Mësa duket netët e vjeshtës,

Janë të gjata vetëm nga mendimet,

Sëbashku ne takoheshim rrallë

kur zbardhi agu i parë i mëngjesit,

Ne ikëm e lamë pa thënë gjithçka.

 

Këto netë m`duket se janë t`gjata,

Vetëm në vargje dhe në këngë,

Sepse sapo kishim filluar ta shihnim

 njëri - tjetrin në sy,

Kur agimi filloi të digjte qiellin,

Çuditërisht retë dukeshin si tym,

Shkëndijat nuk i shihte asnjë…


ATA FLASIN


…përshkak se realiteti sa vjen e gjithnjë zvoglohet,

Më në fund duke bërë shenja shqiptohet vetëm një fjalë,

Duken sikur nga gjumi sapo çohen,

E fillojnë e tregojnë ëndrrat që kanë parë.

 

Dikush buzëqesh duke rrëkëllyer një gotë,

Në mesditë shikon n`qiell se si kalojnë retë,

Lulet i sheh t`shqetësuara që kanë ulur kokën,

Ku çdo petale flet me rrokje me ngjyra dhe aromë,

Pranë një kopshti me gjuhë të pashtershme.


NGA DORA IME

 

Ajo,

Si një ëngjëll mori mollën nga dora ime,

Të cilën padyshim unë ja bëra dhuratë,

Por ajo që është më e bukra kuptohet dhe dihet,

Herë unë e herë ajo e kafshonim me radhë,

Ne të dy e shijuam përsëri mollën bashkë…


LIBRI IM

Më në fund jam duke e mbyllur librin tim,

Shikoj në mur se akrepat e orës lëvizin ngadalë,

Ata gjithnjë e hanë kohën pamëshirë,

Dhe as që pendohen se ajo ikën shumë larg.


KA NDODHUR

 

Ka ndodhur, prandaj po jua them dhe njëherë,

Se n`pranverën që lulëzon prej gëzimit,

Shpirti vrapon si i tërbuar,

Përzihet me erën e gjurmë askund nuk lenë.

 

Më pas për çudi thyhet menjëherë,

Këputet e bie mbi thembrat e veta t`gjakosura,

Se çfarë është lumturia s`e beson as vetë,

Dhe me të madhe fillon e leh…


NË KËTË VJESHTË


 Më quajtën të prishur nga mendët kur thashë,

Se kjo vjeshtë për çudi s`ishte si vjeshtët e tjera,

Ajo që pashë më nuk dua ta shoh,

Ndoshta fajin e kishte pranvera,

Kur pash se plakeshin retë dhe zogjtë.


QETËSI E RREME


Në vërën e nxhtë ku dielli si saç të djeg,

Ju ngjita përpjetë malit,

Frynte një fllad i lehtë.

Oh! Ç`qetësi,

Vetëm gjethet pëshpërisnin nëpër degë,

Por zëri i një gjinkalle,

Në shkam depërtonte shumë thellë.


RRUGA IME


Rruga ime kalon nëpër rërën që përmbytet,

Përmes guralecëve të zallit që rrjedh vazhdimisht,

Shiut të verës që bie mbi jetën time,

E jeta vrapon duke më ngacmuar,

Nga fillimi i saj deri në fund.


 Qetësia ime është në mjegullën që largohet,

Kur mund të pushoj në këto pragje që gjithmonë ndryshojnë,

Nën hijen e lisave nëpër zabele ku kënga e zogjëve dëgjohet,

Në majën e shkrepave ku skifterët ulen e pushojnë,

Duke jetuar në hapësirën e një dere që hapet e mbyllet,

Gërvima e menteshave të vjetra më duket si melodi kur i dëgjoj.


MIZA 


Midis hapsirës dhe meje,

Ndodhet një xham i zbrazët,

Një mizë mbi të ecën krejt serbes,

Poshtë barkut është e lidhur

me zorrët e saj të zeza,

Brirthat lidhen me krahët

Këmbët i përkulen deri tek goja

e cila në zbrastësirë thith më kot.

Një pjesë e coptuar e së kaltrës

Rrokulliset drejt së padukshmes,

Gremisen nën gishtin tim të madh të pafuqishëm,

Deti dhe qielli i qetë…


 BOSH

 

Unë nuk jam bosh,

Sepse mbaj një tufë lulesh me erë,

Që mbahet nga zemërimi i rrjetës së merimangës.


Përreth natyrës joreale,

Mbështillem nga vjedhje psherëtimash,

Frymë marr në fytyrën e hapsirës,

Ku gëlojnë në një kopësht,

Që lind një tokë të padukshme,

Ku trupi im mbushet me polen,

E ajo më mbulon deri në fyt.

 

Sepse kur marr frymë unë nuk jam bosh,

Por e kam një kopësht në mushkëritë e mia.

 

Kjo bukuri nuk shtiret të jetë e mermertë,

Ajo më shumë është një flutur që s`ka qenë kurrë një larvë,

Ndërsa ajo ecën, lotët e saj hijen e lëshojnë kundër gurëve,

Për të zhdukur një gropë,

Duhet të përshkruajmë se si larva del nga bërthama,

Bukuroshja që dëshiron të zvarritet,

Megjithëse e paaritshme.

 PAVDEKËSIA ROZË


Miku im i vjetër pesë vjeçar Anton,

Më mësoi që të shkel krimbat në shi,

Fytyra të mos kishin e kurrë të mos ua shoh,

Megjithëse ndonjëherë ata dukeshin se fytyra bebesh kishin.

 

Disa ishin të rrallë, por në fund u çliruan,

Këta me të vërtetë ishin me fat të madh,

Mendoja se ata akoma janë duke jetuar,

Këta janë rozë, dhe akoma njerëz pothuaj janë…


VENDNDODHJA E PESHKUT


Unë tashmë kam mësuar se si të shtegtoj shpirtërisht,

Me sy të mbyllur, me trupin tim t` lehtë tërhiqem drejt të tretit,

Kurora e kafkës sime hapet si lule dielli në mesditë,

Tmerrohem kur mendoj grepin, prej rrjetës dridhem unë i shkreti.

 

Unë tashmë kam mësuar si ta harkoj gjoksin si fizarmonikë,

Kryet e kthej prapa në pozicionin e peshkut,

Si në një aparat fotografik bota u kthye përmbys,

Kësaj i thonë diplomaci me të luajtur tepeleku.

 

Jam i vetdijshëm se gjithçka është e ndërvarur,

Jam gjysmë i zgjuar në këtë mënyrë,

Gjysmë në gjumë jam po ëndrra s`kam pasur,

Grepi dhe rrjeta m`i trembin, prej meje janë arratisë.

 

E pra, unë jam ai që po ua them të gjitha këto,

As i zgjuar dhe as në gjumë,

Si të bëjmë të shohim në t`njëjtën kohë,

Veten time e njoh mirë unë,

Të rrëshqas me lehtësi vetëm këtë shoh.

 

Ata që janë më kryesorët unë i njoh shumë mirë,

Kam mësuar ta zbraz shpirtin e të ngjaj me një pemë,

Unë ekzistoj brenda gjethes gjelbërt plotësisht,

Që të thith çdo gjë që është e mirë,

E të shfryj tërsisht të keqen që më ka zënë.

 

Kur qentë fillojnë e lehin,

Me zë vajtues duke ulërirë,

Unë me mundim qepallat i hap,

Për t`parë sa i thellë është gjumi im.

 

Zemra ime është në errësirë të plotë,

Me ankth të madh filloj e lexoj poezinë,

Gërmat me njëra - tjetrën nxitojnë t`bisedojnë,

E unë kam mësuar mirë të zhytem në thellësi,

I shoh sorrat kur fluturojnë,

Kur ia marrin këngës flasin për diplomaci…


MASË DISIPLINORE


Militanti i partisë,

I karfosur mbi të tjerë,

Kujtonte se yjet

vetëm prej tij lëshonin dritë,

Ulëriu si shtazë,

Me një zë të çjerrë

që ta dëgjonin të gjithë.

 

-Ti, - ju drejtua vartësit harbutërisht,

- Edhe këtë herë po të jap masë të rëndë,

Se po dole prej këtu nuk e sheh më këtë derë.

Ai pa iu dridh qerpiku e pa partiakun në sy,

Dhe me zë metalik i tha:

- E keni gabim zotëri, mos vallë sytë iu kanë lënë!

Si nuk e vutë re më parë,

Se stilolapsi im në errësirë nuk shkruan më…

 

 


Monday, September 27, 2021

Kujtim STOJKU: ËNDRRA

 

 Tregim

Në fakt, kjo ëndërr është krejt e rastësishme si të gjithë ëndrrat e tjera që shihen kur të zë gjumi. Thanasi, këtë ëndërr e kujtonte më shpesh se ëndrrat e tjera sepse ai e dinte se nuk kishte shumë kohë për t’u marrë me ëndrrat që kishte parë natën kur ishte duke fjetur gjumë, bile po ta shohësh me një sy kritik askush nuk ka kohë që ta çojë kohën kot. Aq më tepër për t’u marrë me tregimin e ëndrrave dhe njëkohësisht të rrish e t’i dëgjosh ato nga ai që i ka parë. Disa do të qeshnin duke të quajtur të luajtur nga vidat për çfarë po u tregon kur je i zhytur në gjumin e thellë të natës. Edhe Frojdi që është një nga studiuesit më të mëdhenj të kësaj sfere nuk mundi që të arrinte plotësisht të zbulonte sekretin sepse njerzit i shohin ëndrrat kur i këput gjumi. Megjithatë ai gjente kohën dhe dëgjonte ëndrrat që kishin parë të tjerët, dhe ai i vlersonte seriozisht ato. Ne shpesh në ëndërr shohim sikur ndodh një ngjarje  katastrofike, dhe të mbuluar nga djersët zgjohemi në mesin e natës të kapërthyer nga një makth që na bën që ta mendojmë disa sekonda. Mirëpo sot ne nuk kemi një Frojd që mund të ia tregojmë këtë ëndërr që pamë. Kështu shtrihemi përsëri duke u munduar që të na marrë përsëri gjumi, por para syve na shfaqen imazhet e ëndrrës së tmerrshme që pamë. E mirë pra, edhe Thanasi vendosi që të mos ia tregonte kujt ëndrrën që kishte parë. Ai kishte parë një ëndërr të çuditshme sa logjika njerzore as që mund ta imagjinonte dot atë. Ai kishte parë sikur në dhomën e tij të gjumit ku ishte duke fjetur kishte shumë objekte të vogla. Ai ishte i habitur me këto shumëllojshmëri objektesh që i kishte para syve por nuk mund të kujtonte se kush i kishte sjellë ato. Por ai nuk mund të kujtonte të gjitha objektet që i kishte parë i cili ishte mahnitur me ëndërrën e tij. Ai mund të kujtonte vetëm dy objekte. Një nga objektet që ai kujtonte ishte se kishte akoma para syve një çelës të vogël ngjyrë ari që reflektonte me rreze të ndritshme ku ai mundohej që ta merrte dhe ta vendoste në xhepin e tij këtë çelës që po i merrte sytë me shkëlqimin e tij, por nuk po mundëte. E vriste mendjen se çfarë donte të thoshte ky vegim që kishte parë me këtë objekt, por ishte e kotë. Ai nuk mund t’i jepte asnjë përgjigje. Objekti tjetër që ai kujtonte më së miri ishte ai i një ore të vogël dore. Si ato orat që dikur i mbanin vetëm gratë. Mirëpo kjo orë ishte edhe busull që punonte për mrekulli. Me thënë të drejtën me këto dy objekte që kujtonte ai nuk kishte pse trembej, sepse me sa shihte nuk tregonin ndojë fatkeqësi të madhe. Fundja ato ishin një orë dhe një çelës…Por ndoshta trupi nuk kishte qenë në gjendje të mirë që ai i kishte parë këto. Ndoshta ishin reflekse të pandërgjegjshme të trurit që lidheshin me lodhjet dhe shqetësimet e ditës…Pra ai nuk e ndjente veten hiç të frikësuar sepse ai kishte parë ëndrra sikur kishte qenë në disa vende të panjohura…por ato ai tani ia kishte lënë harresës.

Ngandonjëherë ai shihte turma njerzish të pafund. Shihte disa ndërtesa të çuditshme që nuk mund të ishin ndërtesa. Po të kishte qenë dikush tjetër në vendin e tij atje ku ai po shihte këto, patjetër që do të ndjehej i humbur. Njerzit në të shumtën e rasteve ai i shihte të veshur me të zeza ku që të gjithë i largoheshin dhe asnjëri nuk i fliste. Ai këto dy objekte i mabnte në xhep dhe nuk e di sepse ruhej që të mos ia shihte njeri. Kur arrinte në këtë pikë, gjërat i bëheshin konfuze dhe ai përfundonte në një areoplan që fluturonte mbi re, dhe pastaj papritur ecte mbi tokë duke lëshuar një zhurmë të madhe. Ndoshta ai ishte duke udhëtuar në një botë tjetër dhe trupin e kishte në këtë botë ku jetojnë qeniet me frymë. Kishte dëgjuar se kishte edhe botra të tjera por nuk e dinte nëse atje jetohej duke marrë frymë. Ja, që ngeci përsëri me arsytetimet e tij. Sa qesharake, trupi në këtë botë dhe mendja në botën tjetër. E ndërsa mendja ishte në një botë tjetër trupin e kishte lënë në harresë. Por si nëpër mjegull më kujtohet se trupi im ishte shtrirë pranë një muri dhe në faqen e këtij muri ishte pikturuar trupi im duke fjetur. Ngjyrat e pikturës ishin të ndezura dhe të larmishme. Piktura në faqen e murit dukej sikur merrte frymë. Unë ulesha atje me ato objektet që i mbaja gjithmonë në xhepin tim. Kujtoj se mundohesha që të ngrihesha nga ajo gjendje që isha, por kaloja përsëri në harresë. Kjo më kishte ndodhur shpesh edhe pse në vetvete isha përpjekur se si ta braktisja këtë vend të harresës.

Ndoshta, ndoshta, shpirti e humbte rrugën e tij dhe harronte që të kthehej përsëri. Ose ose, ky vend ishte për ato shpirtra që nuk duhej ta vizitonin asnjëherë. Ndoshta edhe për shpirtrat ka burgje ku mund t’i burgosin dhe t’i dënojnë. Po nëse ata rebelohen dhe kërkojnë lirinë? Ja edhe mua pikërisht më takuan atje. Po se çfarë desha unë në këtë vend sinqerisht nuk mund ta shpjegoj. Unë jam në një lloj pozicioni që e shikoj ndërtesën përpara meje. Më pas e shoh që të shkërrmoqet e tëra me një zhurmë të madhe duke rënë në tokë, dhe përreth ngrihen shtjella të mëdha pluhuri. Unë duhet të kisha marrë trupin tim që ishte pikturuar në faqen e murit, unë akoma ëndrroja se trupi më kishte mbetur i pikturuar në mur, por, njëkohësisht nuk e dija se do të zgjohesha me të vërtetë. Deri këtu mendoj se jam i ndërgjegjshëm për ç’ka iu rrëfej sepse për ato që kam parë jam plotësisht i vetëdijshëm, por as nuk shkela në ato vende, dhe ato objekte realisht nuk i kam prekur me dorë. Në fillim jam ndjerë i tronditur, por më pas nuk i kam dhënë rëndësi. Megjithëse herë pas herë e kujtoj dhe nuk mund ta fshij nga kujtesa. Megjithatë ëndrra më e çuditshme që kam parë ka qenë ajo e para disa muajve. Ja, edhe atë nuk mund ta harroj.

Thanasi ra përsëri në gjumë dhe ai pa një ëndërr tjetër. Kjo ëndërr që ai pa nuk ishte si ato që kishte parë më parë por ishte krejt tjetër. Ai pa sikur ishte duke kaluar një lumë malor me ujë të ftohtë the të kaltër si kristali. Lumi kishte shumë gurë. Ai rridhte duke gurgëlluar në mes dy maleve alpine duke lënë pas një oshëtimë që përhapej grykave. Jo, ai nuk kishte shkuar atje për të zënë peshk, por e dinte mirë dhe e kujtonte mjaft qartë se ishte duke e kaluar këtë lumë me ujë të ftohtë që të priste si brisk. Pasi e kaloi, ai iu ngjit faqes së malit që ishte plot me ferra dhe gjemba. Më pas ai ulej për t’u çlodhur sipër tyre. Por për çudinë e tij kur ai ishte ulur për të pushuar, sipër tyre pa një burrë me moshë mesatare i veshur me një kostum të zi dhe me kravatë me ngjyrë lejla. Ai i ishte duke kaluar përmes ferrave dhe gjembave. Pasi u mendua disa çaste se ku e kishte parë këtë njeri sepse i dukej fytyrë e njohur, u kujtua. Ai ishte ministri i brendshëm që po maste me hap të gjithë vendin dhe tani ishte ulur dhe po pushonte nën hijen e ferrave dhe të gjembave. Thanasi u zgjua, hapi gojën e tij dhe desh të flinte përsëri. Gjumi e zuri menjëherë dhe ai pa një ëndërr tjetër sikur ishte duke ecur përmbi disa ferra, dhe ky burri me kostum të zi dhe kravatë lejla tani ishte fshehur brenda tyre dhe qëndronte ulur.

Kur u zgjua, ktheu jastëkun në anën tjetër sepse i ishte qullur nga kullimet e gojës dhe u kthye në krahun tjetër që të flinte përsëri. Por ai pa përsëri të njëjtën ëndërr që kishte parë pak më parë dhe i ishte ndërprerë nga zgjimi i papritur. Në vazhdimin e ëndërrësm, ai pa sikur ishte ulur në disa ferra dhe një hije ishte duke ecur nëpër to. Për çudinë e tij ai megjithëse ishte ulur në majë të ferrave nuk po ndjente ndonjë dhimbje nga shpimet që ata po i bënin. Por po ndodhte e kundërta, atij i dukej se ishte ulur mbi një kolltuk me ajër dhe ngrihej e ulej sipas lëvizjeve të tij. Ja kjo ishte një mrekulli që kishte shpikur mendja njerzore, dhe atij i dukej sikur qëndronte pezull si një pupël pëllumbi. Ai u zgjua, ktheu jastëkun në krahun tjetër dhe ia këputi përsëri gjumit. Ai ra në gjumë dhe pa një ëndërr tjetër sikur ai vetë ishte duke ecur nëpër ferra kurse një hije ishte ulur në to. Në këtë pikë të ëndrrës që po shihte, ai u zgjua dhe vendosi të mos flinte më as dhe një minutë. Por papritur atë e zuri gjumi dhe pa një ëndërr sikur ishte ulur pas një hijeje, kurse ferrat dhe gjembat ishin duke ecur pas tyre. Ai vazhdonte të ecte pas hijes, hija ecte pas ferrave dhe gjembave dhe ai mundohej që t’i arrinte por e kishte të pamundur. E përpjeta që po përshkonin atij po i  merrte frymën, kurse hijes dhe ferrave jo. Ata lëviznin pa u ndalur dhe pazhurmë. Ndërsa ai dëgjonte hapat e tij që kërcisnin nëpë guriçkat dhe ndonjë gurë që rrukullisej nga hapat e tij. Djersët e kishin mbuluar të tërin dhe ai i fshinte me trinën e dorës. Ishte i qullur i tëri nga djersët. Ai filloi të çirrej dhe të bërtiste. Dhe menjëherë u hodh jashtë krevatit ku po flinte por nuk po zgjohej.

Ai fjeti në rregull për katër ditë dhe për katër net, dhe në ditën e pestë ai u zgjua i dobësuar aq shumë sa këpucët e tij i ishin lidhur pas këmbëve me lidhëset e tyre, kështu që ata nuk i binin më nga këmbët. Kur ishte duke pirë kafenë në klubin e zakonshëm, asnjë prej tyre nuk e njohu. Edhe bufetieri sëbashku me kamarierin që i sllte gjithmonë kafenë u soll me të sikur të ia sillte një klienti të ri e të porasardhur. Disa ia hidhnin sytë dhe më pas i hiqnin menjëherë nga ai sikur ishin duke parë një krijesë të veçantë. Ai e kuptoi se ata nuk po e njihnin, pra diçka duhet të kishte ndodhur por ai nuk po e kuptonte se çfarë. Ai nuk po e kuptonte sa shumë kishte ndryshuar. Ai ishte transformuar i tëri sa asnjë nuk po e njihte. Kur mori filxhanin me kafe që i solli kamarieri pa se kafeja ishte një lëng i kafët dhe vetëm kafe nuk ishte. Megjithatë e rrufiti atë lëng të shpifur, la filxhanin mbi tryezë, pastaj futi dorën në xhepin e pantallonave dhe nxorri një monedhë pesëdhjetë lekëshe dhe e lëshoi me një tringëllimë të mprehtë mbi tryezë.Të gjithë kthyen kokat nga ai. Atëherë ai u ngrit nga tryeza dhe me hapa të mëdhenj doli jashtë pa i lënë kamarierit asnjë bakshish. Kur po dilte, klientëve që ishin ulur aty u hodhi një vështrim. Ata iu dukën se ishin të gjymtuar, dikush ishte gërbul, tjetër me një dorë, një tjetër me një sy, tjetri pa këmbë dhe me paterica që herë pas here trokiste truk - truk mbi pllakat e bardha të kafenesë. Fytyrat ua shihte sikur të ishin të ngrira dhe të zbehta dhe me sy prej qelqi. Ata dukeshin sikur kishin veshur që të gjithë maska si në festën e hallwinit. Atij i dukej se këto trupa ishin kthyer në hije dhe hijet në trupa. Pra ata ishin shkrirë në një qenie të vetme ku vështrimi i tij kapte deformimet që vinin duke u zgjatur dhe pastaj shtrembëroheshin, shkrtoheshin, bëheshin gungaçe dhe për një moment zhdukeshin krejtësisht. Më pas ata sa vinin dhe zgjateshin e zgjateshin pa mbarim derisa më pas përthyheshin në dyshë…zvogëloheshin derisa ktheheshin në një njollë të errët sa i dredhonin edhe dritës së diellit.

Nga ministria e shëndetësisë ishte ngritur një ekip kontrolli që po kontrollonte përreth apartamenteve dhe ata kapën vështrimin e Thanasit që po i vëzhgonte pa ua ndarë sytë. Ky guxim i tepruar i tij e bëri këtë komision që të dyshonte tek ky qytetar që po i shihte në mnëyrë të paturpshme dhe me fodullëk. Ata pasi biseduan pak me zë të ulët me njëri - tjetrin  arritën në konkluzionin se ai, pra Thanasi, mund të ishte ndonjë pacient i arratisur nga pavioni i të çmendurve sepse nuk kishte arsye që e justifikonte paturpësinë e tij ndaj komisionit me bluza të bardha.Tjetër gjë që vendosën ata, ishte se ai  ishte anthigjenik dhe mund të ishte shkaku i përhapjes së ndonjë epidemie. Në këto moment u dëgjua një zhurmë kamioni që sa vinte dhe po afrohej sa më shumë. Komisioni ktheu kokat dhe pa se në drejtim të tyre po vinte makina e mbledhjes së plehrave. Pak metra larg tyre ishin katër kazanë plehrash prej llamarine. Atëherë ata biseduan edhe pak sekonda me njëri - tjetrin dhe pastaj iu afruan Thanasit të cilit menjëherë i mbyllën gojën me leukoplast. Duart dhe këmbët ia lidhën me fasho dhe menjherë e hodhën në kazanin e mesit të plehrave që ishte bosh. Kështu ai përfundoi në kazanin e plehrave. Ndërkohë makina po afrohej për të zbrazur kazanët e plehrave ndërsa komisioni u largua i qetë duke vazhduar të kryente detyrën e tij.

(Shkëputur nga fletorja e shënimeve)

Saturday, September 25, 2021

Prend BUZHALA: RRËFIMI PUBLIK I SHQETËSIMIT


(Çast lirik), 76
Edhe sot, depërtojnë nga muret e errëta, ushtarët e Herodit për të vrarë fëmijë. Të strukur nga grushti vdekjeprurës i skllevërve të lirë, ata përgjojnë. Ata edhe sot te secili fëmijë shohin rrezikun e pushtetit të vet. Prandaj, në vend të vrasjes së fëmijëve, shpikën të tjera mbytje, më të sofistikuara: abortimin e dhunshëm, vullnetar, ose mbytjen e foshnjës në bark me ilaçe speciale. Ende Rakelat moderne vajtojnë për fëmijët e tyre. Rakela çmeritet edhe më shumë: si paska nëna që duan vrasjen e fëmijës së tyre?!
Dhe vajtojnë.
Kurse Herodi vret edhe Salomën, edhe sot... dhe merret në tepsi edhe Koka e Pagëzorit të Ri, si Kokë e Kundërshtarit.
Gratë i vrasin sipas masës së lirisë me armën e demokracisë.
Të ligun, satanain e maskuar, arrijnë ta shohin vetëm fëmijët, ashtu si e shohin edhe Dorën e Shpuar tërë plagë të Shpëtimtarit.
Dora qëndron e hapur.
Në mos, gjithçka ishte një Lojë nga Betlehemi. Por Loja përtallëse e Historisë me fatin tonë ekzistencial, a nuk është provë e drejtpërdrejtë e së vërtetës, për të sulmuar gjithçka të mirë te njerëzimi?!
Dikush e tha se ky është rrëfimi publik i shqetësimit dhe ankthit.
(24 shtator 2021)

Wednesday, September 1, 2021

Xhelal ZEJNELI: KIÇI DHE SHUNDI


Kiçi është krijimtaria e nivelit të ulët. Ka për qëllim të jetë i pëlqyer nga një numër sa më madh i njerëzve dhe të shitet sa më shumë. Është një formë e degradimit të artit. Sot është shumë i përhapur, kështu që nuk është lehtë ta dallojmë. Çdokush ka qenë në kontakt me të. S’ka dyshim se edhe shtëpitë tona janë përplot me kiç. Krijimet kiç, d.m.th. krijimet pa vlera artistike, lindin si kopje të veprave artistike origjinale e që janë të pranuara nga kritikët letrarë artistikë kompetentë.

Krijime dhe sende kiç mund të jenë zbukurimet e ndryshme, suveniret, rrobat, pikturat, seritë televizive, librat etj.
Shundi është pjesë e kuçit që ka të bëjë me letërsinë.
Këto dy nocione konsiderohen produkte kryesore të kulturës masive. Kiç e ka prejardhjen qysh nga periudha e revolucionit industrial në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Për shkak të industrializimit të hovshëm, një numër i madh i njerëzve të fshatit, vijnë në qytete. Ata kanë krijuar një shtresë të re të shoqërisë apo klasën punëtore. Me ardhjen në qytet u është krijuar mundësia të shkollohen dhe të pajisen me dituri. Por, për shkak të mungesës së kohës së lirë, një pjesë e madhe e arsimimit të tyre, nuk është realizuar. Si pasojë, kjo shtresë e popullsisë nuk ka mundur të njihet me kulturën dhe nuk e ka të përkufizuar vlerën. Është shfaqur nevoja për një art të ri që do t’i përshtatej shtresës së sapoformuar. Ky lloj arti duhej të ishte i kapshëm dhe i kuptueshëm për klasën punëtore. Me fjalë të tjera, me një art të tillë janë kënaqur të paarsimuarit të cilët edhe janë krenuar me të. Për shkak të rritjes së kërkesës, ky lloj arti është shndërruar në kulturë. Ky lloj arti është i lehtë për konsumim dhe nuk kërkon kurrfarë mundi intelektual apo shpirtëror.
Në përkthimin e fjalëpërfjalshëm nga gjuha gjermane, kiç do të thotë të bashkosh, të lidhësh, të krijosh diçka, ndërsa shund do të thotë hedhurinë, tezgjere apo karrocë për hedhjen e mbeturinave.
Për shkak të punës së rëndë dhe kaotike, ndër njerëz paraqitet nevoja për gjëra të thjeshta. Tanimë nuk u ka mbetur forcë për të menduar më thellë dhe për të kërkuar domethënien e gjërave. Për këtë arsye lind kiçi si diçka në të cilën njeriu gjen ngushëllim apo prehje dhe në të cilën i zbut ndjenjat e veta.
Të gjithë e dinë domethënien e vërtetë të artit. Ndoshta nuk e kuptojnë të gjithë, por dihet se roli i tij është ta paraqesë rëndësinë e vet tërthorazi dhe disi në mënyrë misterioze. Për t’u kuptuar, nevojiten interpretime dhe gjykime të shumta. Kur lexuesi has në një kryevepër, po qe se nuk është një fanatik i artit apo i letërsisë, rëndësinë dhe vlerën e saj s’ka për ta kuptuar shpejt. Për shumë njerëz, veprat artistike më të mëdha të botës, janë të paqarta. Me një fjalë, ata nuk mund ta kuptojnë përse një vepër e tillë është aq i rëndësishëm. Duke qenë se numri i atyre që nuk e kuptojnë këtë është më i madh se i atyre që e kuptojnë, lind nevoja e paraqitjes apo e zhvillimit të kiçit. Tani edhe këta që nuk e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e artit të madh, do të kenë me se të zbaviten, të argëtohen apo të kënaqen.
Çdokush mund të jetë krijues i kiçit, si ata që janë artistë, ashtu edhe ata që nuk janë.
Edhe kiçi mund të konsiderohet art për arsye se është i kapshëm prej shqisave, por e meta e tij qëndron në faktin se ai është kopje apo falsifikim i veprave burimore. Kur një gjë është burimore, kjo do të thotë se ajo vjen nga pjesa më e thellë e shpirtit të njeriut. Vetëm ai e di vlerën e vërtetë të saj. Kur artisti krijimin e vet artistik e ndan me të tjerë, ndoshta ata do ta kenë vështirë për ta kuptuar, por pikërisht këtu qëndron qëllimi - vepra të mbetet si një intimitet i artistit dhe me të, të identifikohen vetëm ata të cilit në shpirt janë të ngjashëm me autorin apo ata të cilët përjetojnë situata të njëjta si ai.
Sendet kiç prodhohen në mënyrë masive. Qëllimi i autorit apo i prodhuesit është që atë të shiten sa më shumë, të arrijnë në duart e një numri sa më të madh njerëzish. Por, në këtë mënyrë përhapet edhe një shije e ulët, e nivelit të ulët. Një gjë e tillë shkakton efekt negativ ndaj kulturës dhe njerëzve ua topit shqisat apo ndijimet saqë një ditë ata nuk janë në gjendje t’i dallojnë vlerat e mirëfillta të veprave legjitime. Për këtë arsye, në vende të caktuara është rritur tatimi mbi prodhimin dhe shitjen e kiçit, ndërsa në do vende madje është ndaluar shpërndarja dhe përhapja e tij.
Njerëzit sot gjithnjë e më tepër janë materialistë, e kjo është rrjedhojë e përhapjes dhe e shtrirjes së kiçit. Duke qenë tërheqës dhe lehtë i kuptueshëm dhe duke u gjendur kudo dhe në çdo kënd, njerëzit kanë nevojë për ta grumbulluar edhe nëpër shtëpitë e veta. Kur njerëzit shkojnë nëpër udhëtime të caktuara, blejnë suvenire, pa e ditur se ato farë suveniresh nuk janë asgjë tjetër përpos se kiç. Shpeshherë, këto suvenire reprezantojnë ndonjë përmendore, si për shembull magnetet me fotografinë e Kullës së Ajfelit apo figurat e Statujës të Lirisë, që në të vërtetë janë vetëm pjesëza të vogla të origjinalit. Ato u shërbejnë turistëve që një pjesë të veprës artistike ta marrin me vete dhe ta çojnë në shtëpi. Por ato nuk kanë vlerë. Ato duken si gjëra të vlefshme, megjithëkëtë nuk i ka krijuar dora e artistit. Ato janë falsifikime që i ka krijuar ndonjë zejtar që ka për synim sa më shumë të përfitojë. S’ka dyshim se çdo gjë që e krijon njeriu vetëm e vetëm për të përfituar, e humb vlerën e vet. Mu për këtë disa artistë refuzojnë t’i shesin veprat e veta, ngase me t’i nxjerrë në shitje, veprat e tilla do ta humbnin vlerën dhe rëndësinë parësore të tyre.
Përpos sendeve dhe rrobave të ndryshme, përkatësisht gjërave materiale kiç, d.m.th. pa vlerë artistike, këtu bëjnë pjesë filma të ndryshëm, seritë televizive dhe reality programet. Njerëzit për çdo ditë shohin dhe ndjekin do seri që janë përplot drama. Seritë e tilla i joshin shikuesit t’i ndjekin episodet njërin pas tjetrit. Me këtë mënyrë të përcjellës së serive ka të bëjë termi “binge watching”. Seritë e tilla nuk kërkojnë kurrfarë gjykimi, nuk kanë shumë situata të ndërthurura apo të ngatërruara. Çdo gjë në to është e thjeshtë, e rëndomtë. Ngjarja sillet rreth një personazhi dhe jetës së tij. Në to vërtet ka dramë por kjo nuk do të thotë se ajo është e rëndë për ta kuptuar. Kur shikuesi i shikon programet e tilla mendja e tij është plotësisht e paangazhuar. Këtu shikuesi nuk sheh asgjë të keqe për arsye se atij i bëhet mirë që pas një dite pune, të gjatë dhe të mundimshme, të qetësojë pak shpirtin. Por, po qe se njeriu vazhdimisht shikon seri të tilla, mendja e tij dalëngadalë do të pasivizohet, ai më me vështirësi do t’i perceptojë gjerat, ndërsa funksionet logjike të tij mund edhe të shuhen. Nga kjo rezulton se seritë e tilla nuk duhet përcjellë pandërprerë, nuk duhet bërë rob i tyre. Ato duhet shikuar në mënyrë të kontrolluar.
Për hir të serive të tilla, njeriu i lë pas dore filmat artistikë, nuk lexon vepra letrare, nuk lexon literaturë shkencore, literaturë filozofike, literaturë nga lëmi i psikanalizës. Ky lloj i veprave atij i duken të rënda dhe lodhëse. Madje, veprat e tilla dhe këtë lloj literature ai edhe fare s’e kupton. Sa më larg të qëndrojë nga veprat e mëdha, aq më të largëta bëhen edhe ato për të. Kjo lë pasoja te njeriu. Ia ul atij nivelin e kulturës dhe e shndërron në mediokër. Ai mund të jetë edhe i arsimuar, intelektual, por i shndërruar në rob të serive televizive apo i realiti programeve, ai shndërrohet në mediokër. Veprat artistike kapitale që kanë shënuar epokë dhe që kanë synuar për ta ndryshuar botën, për ta bërë atë më humane, kjo kategori e njerëzve as i ka lexuar as dëshiron t’i lexojë. Ato s’i kupton dhe i duke të rënda. Ka rrezik që nesër rrugës së nënave të ecin edhe fëmijët. Një ditë edhe ato mund të bëhen shikues të rregullt të programeve argëtuese që nuk i përçojnë shoqërisë kurrfarë mesazhi. Përkundrazi, në shumë raste ato përçojnë edhe mesazhe negative, johumane, për të mos thënë edhe amorale.
Pikërisht për shkak të efekteve të këtilla ndaj njeriut, ka të tillë që e injorojnë kiçin. Të tillët përpiqen me të gjitha forcat që kiçin ta flakin nga jeta e tyre, por kjo nuk është aq e lehtë kur të kihet parasysh fakti se me të, njeriu është i rrethuar nga të katër anët.
Kiçin mund ta gjejë njeriu edhe në fotografitë e bëra gjatë udhëtimeve apo shëtitjeve të tij, në fotografitë apo në fotografimet e bëra në raste të ndryshme. Duke qenë se ato fotografi paraqesin një çast të ngrirë të ndonjë ngjarjeje, ato s’ka sesi të jenë origjinale. Edhe pse ai vetë e ka bërë fotografimin, nga një kënd i caktuar, në një vend të caktuar, në një kohë të caktuar dhe askush tjetër në botë nuk mund të fotografojë një skenë të ngjashme, kjo fotografi mbetet kiç, kopje e asaj që kanë parë në atë çast sytë e të fotografuarve. Kryevepër e vërtetë është të vështrosh natyrën dhe mjedisin me sytë e tu dhe jo nëpërmjet objektivit të kamerës. Zhan-Pol Sartri thotë: “Njeriu, çdo rrëfim e fillon nga mbarimi”.
Provincialisti, snobi dhe mediokri shpesh dëshiron të fotografohet me ndonjë person të njohur të lëmit të artit, të politikës, të biznesit, të sportit. Me një fjalë, të fotografohet me persona apo personalitete të njohura dhe me ndikim. Sapo e realizon një fotografi të tillë, ai e publikon diku për t’ia bërë me dije publikut se edhe ky është dikush.
Shundi është pjesë e kiçit dhe ka të bëjë me krijimtarinë letrare. Për nga domethënia, shundi është hedhurinë, vepër pa vlerë. Ashtu sikundër ekzistojnë seritë televizive kiç, po kështu ekzistojnë edhe libra kiç, përkatësisht vepra shund. Veprat e tilla i shkruan ndokush pa kurrfarë qëllimi madhor. Ai s’ka dot qëllim tjetër, përpos t’i nxjerrë ndjenjat dhe mendimet e veta në letër, të bëjë ndoshta njëfarë drame apo diçka që duan të lexojnë njerëzit, të shkruajë histori dashurie, romane kriminalistike, me synimin për të përfituar diçka.
Shembull i shundit mund të jenë edhe magazinat e ndryshëm apo revistat e ndryshme me të cilat përhapen thashethemet dhe problemet nga jeta e ndonjë personi të njohur. Kjo zgjon kërshërinë e shumë njerëzve, të cilët për tekstet e tilla hedhin para. Nga shitja e magazinave apo e revistave të tilla, pronari apo botuesi përfiton. Lexuesit e tillë, në vend që të përqendrohen dhe të preokupohen me problemet e veta, ata merren me problemet e të tjerëve dhe e shikojnë jetën e të tjerëve. Kiçi dhe shundi u shërben atyre për të ikur nga realiteti. Më lehtë është ta jetosh jetën e dikujt tjetër sesa jetën tënde.
Përpos të metave të shumta që i kanë kiçi dhe shundi, ata kanë edhe ndonjë veti të mirë. Për shembull, po qe se shikojmë remake-n (rimejkun) e ndonjë vepre artistike, kjo mund ta motivojë njeriun ta shikojë filmin burimor apo ta lexojë veprën burimore në të cilën bazohet filmi. Apo kur dikush lexon ndonjë artikull të një amatori lidhur me ndonjë temë, ai mund të tregojë interesim më të madh për këtë dhe si rrjedhojë, lidhur me atë temë të lexojë diçka më serioze.
Shënim: Remake (rimejk) është film, seri televizive, lojë videoje ose formë e ngjashme argëtimi që bazohet apo ritregon historinë e një produksioni të mëparshëm; version i ri i një filmi ekzistues.
* * *
Në këtë mënyrë, kiçi mund të ndikojë në përhapjen e kulturës. Kiçi mund të transformohet në ndonjë objekt më të rëndësishëm. Po qe se ndonjë person i admiruar të dhuron ndonjë kiç, ti me sendin e dhuruar do të krijosh një lidhje sentimentale dhe kjo do të ta përkujtonte personin e admiruar. Kjo tanimë assesi nuk mund të jetë kopje për arsye se tani, në atë send apo objekt ndodhen ndjenjat që ti i ke ndaj atij personi. Vetëm ajo kopje, ai ekzemplar e ka atë vlerë të çmueshme dhe kjo e veçon nga grumbulli.

Monday, August 30, 2021

Kujtim STOJKU: GRIMCA POETIKE


JO DHE PIKË

E thashë pra,

Doni që t`ua përsëris dhe njëherë,

Në këtë kohë nuk duhet revolucion,

Sepse ka internet…


NATË

Çdo natë,

Si shkak për lodhjen ndez llullën,

Fjollat e kaltërta të tymi ngrihen hava,

Mendja ime sillet e përdridhet,

E mendimet askërrkund s`ngulen,

Në dritaret e shtëpisë përballë,

Filloj të shoh film pa zë…


REALITET

Është realitet,

Se ne i harojmë të gjitha ëndrrat,

Dhe të gjithë i kujtojmë në një ëndërr,

Ata të gjitha janë të mrekullushme,

Por një na ka shpëtuar patreguar,

Me të vërtetë…


MOS FOL SHUMË

Mos fol shumë,

Ishte këshilla e të parëve,

Sepse atë që do të thuash,

Duhet pak kohë ta mendosh,

Apo jo?

 

E shoh se ti ballin me gisht kruan,

Është e pamundur që të kesh dy mendime

Në të njëjtën kohë…


EDHE NJËHERË

Edhe nëse do të kthehesh mbrapsht,

Për ta rilexuar nga e para librin,

Do të kuptosh se na e shkelmuat të ardhmen,

Dhe britma jote do t`i mbushë ditët,

Kurse laku juaj do të më puthte qafën.

Ëndrra ime më solli në faqen tjetër,

Dhe atëherë pa mbyllur sytë,

Librin e lexova deri në fund.


UDHËTIMI I NATËS


Të vdekurit jetojnë nën qepallat tona,

Por unë nuk e di se ata kanë vdekur,

Ata udhëtojnë me ne nëpër një rrugë

që ne kemi kaluar një natë si askush tjetër,

Sepse edhe nata udhëton përmes nesh duke çaluar.

Fjalët që kemi thënë janë përmes nesh,

Dhe kur më thatë se unë vij për të ardhmen tuaj,

Ne jetojmë qafë për qafëdhe ashtu siç e sheh,

 pamëshirë njëri -tjetrit i derdhim helm…


FJALËT E SHPIRTIT


 Megjithëse jam i lidhur,

Unë prapë se prapë jam i lirë,

E në lirinë time jam krejt i pavarur,

Jam i qetë por si një luan ulërij.

E pra, unë jam mbret,

Kur flas kështu shpirti im këndon,

Prandaj në asnjë çast shpirti s`mund të heshtë,

Akordet e shpirtit si mbret më flasin gjithmonë…


KUR U ZGJUAN ZOGJTË


Kur u zgjuan zogjtë,

Krejt të çuditur panë,

Njerëzit ishin kokë poshtë,

Duke ecur në tavan…


 URDHËR POLICESK

Të zbatohet pikë e presje nga të gjithë,

Për çdo shkelës ka masa të rrepta ndëshkimore,

Ndalohet notimi i rosave dhe pikë,

Por një rosë nuk u bind dhe filloi të notonte…


    PËRSE SHKRUAJ


Përse shkruaj përse shkruaj,

Më kanë bërë shumë pyetje,

Do të përgjigjem ti mos vuaj,

As unë nuk di të bëj ndryshe.

Prandaj s`mundem dhe sikur të dua,

Se unë ndryshe s`mund të shkruaj.


MË FALNI


Më falni,

Se ndoshta iu kam bezdisur shumë,

Sa ka aq shumë nga ju këtu,

E prandaj ja ku jam dhe unë.


TEK DOKTORI


Nuk ndjehesha mirë,

Dhe u vizitova tek doktori,

Si më pyeti e më këshilloi,

Më tha: - shtrihu e mos merr frymë.

Sa mirë do të ishte për të gjithë kështu,

Por kur dola prej tij, nuk iu gënjej,

Me të vërtetë nuk ndjehesha mirë.


GJUHË

Përtej lumit,

Përtej gjërave,

Që janë të dukshme,

Gjuha na prishet,

Nga përmbytjet e fëmijërisë,

Ato që kam rujatur prej trupit,

Janë,

Fjalët dhe frika.