Monday, July 31, 2017

Arqile Gjata: ËSHTË KAPITALIZËM O I DASHUR IDIOT!


"Një shoqëri e "Deleve", krijon njëherazi një qeveri të Ujqërve".
Bertrad De Iuvenel
Kam vite që e jetoj kapitalizmin!...
Ai gëzohet mbi shpatullat e frymorëve,
nën themelet e tij
përkëdhelur nga sëmundjet shpirtërore
të gjithë qajnë pa bërë zë…
është kapitalizëm o i dashur idiot!
Sa shumë zhurmë që ka,
deri në qiell kërcejnë gjëmimet e armëve!
Ne ende jetojmë në forma të zbrazëta,
jemi vdekja dhe statujat e kapitalit
nën shiun shumë rrokësh të mjerimit,
besoje...
është kapitalizëm o i dashur idiot!
Legjendën “rrevolucion” ende e mbajmë të varur,
nëpër plantancionet e luftrave ritet i shëndetshëm
bima antike e kapitalizmit
dhe pse kufomë...
duanë ta rrëmbejnë, ta mbyllin
në dhomën e akullt ...
ai po jeton me trimëri dhe në dimër o i dashur idiot!
Kur turmat me fytyrë idioti do zgjedhin nga shtëpia e mendimeve
një vendbanim të ri midis jetës dhe vdekjes
dhe në se,
në botën e mardhur të paras, të gjallët do këndojnë për heronjtë…
vetëm atëherë njeriu do kaloj në mbretërinë e “Lirisë”
o i dashur idiot!

Mentor Thaçi: PAJ, MË THA DE


E kërrusur jam ... më tha
e ti bashkëmbijetuesi im
hyp n'shpinë timen ... të luajm me Erën

Atje ... diku aty ... nën ne të dy
dallgëzët luajn lojen detçe
puthin njëra tjetren ... lahen e fërkohen
pa druajtje ... në ruajtje

E ne dy ... sy më sy, i miri im
ne lisa ... unë Pishë
e ti, ta di'shë
se s'bëhesh dot ai aë s'je
sivjet as n'mot ... ashtu si dje

Eh pra ... më tha ...
rri i kthjelltë
n'k'të Tokë të Diell'të 

Namik Selmani: Kokat e Omer Kaleshit


Kokat e Omer Kaleshit
Kushtuar piktorit me origjinë shqiptare Omer Kaleshit me origjinë nga Kërçova
Kanë zbritur nga pëlhura
E kanë bërë fole në duart e Mjeshtrit
Kanë zbritur nga kënga
E janë shkrirë në përqafimin hyjnor
Flokët e kërleshura të Omerit
Kërkojnë flladin e vendlindjes me dufin e kurbetit
Uskana ilire
Ia paska nisur një skeptër mbreti në sy e në dorë.

Kanë zbritur nga amfiteatrot
A thua se duan vend për skulpturat e vjedhura?
Të rreshtuara
Në Romë, Athinë, Paris e në Londrën me mjegull.
Kokat e Omer Kaleshit
Bajnë kuvend shqiptarie me vështrimin e tretur
Një copë vetvete e vrarë

Kokat e Omer Kaleshit
Urtatake në ditënetët stambollite e pariziene
Kërkojnë një Kryekokë
Ku Mjeshtri të bëjë kontratë me të ardhmen
E dorë e tij
Mban penelat ngjyer në harqet e mijëra ylbereve
Në kërkim të një kumbari
Për t’i vënë një emër çdo koke, me e pa mustaqe!!

Musa Jupolli:Shqipëria nuk njeh tjerë kufijë...


-I-
Shqipëria nuk njeh tjerë kufijë...
as nuk është e madhe 
as nuk është e vogël
Shqipëria nuk njeh kufijë tjerë
nga Mesiana në Çamëri
ndryshe nuk mund të quhet
vetëm se SHQIPËR !
*
-II-
Ethem Qerimajt
merre atë violinë me nota Ethem Qerimaj
mbushna shpirtin me notë Arbërie
t’i lajmë me lot mëkatët e jetës
që nga dita kur lindëm dhe nuk i dualëm zot Atdheut !
jep frymë klarinetit zë i ardhur nga pellazgia
që nga lindja e diellit e deri n’orët e buta të natës
ora e dashurisë të jetë historia e Ilirisë
Ethem Qerimaj violoinë e klarinet
nga Mesiana në Çamëri
emër në hartë ARBËRI !

Sinan Kërpaçi: SI NA NDODH


Te përroi që merrte gardhin e nënës
dhe hante pritat e babait,
vjedhurazi në hënë
dy të florinjtat me aroma
t`i lakmova shumë:
lageshim ato kohë, dallgëzoheshim,
ktheheshim në shkumë
si na ndodh gjithnjë
në atë çastin
kur bëhemi lumë
dhe dalim nga shtrati
me “huqe” Muguçali.
Hëna e plotë vazhdon e lëshon dritë,
na vesh që lart
me argjendin e saj,
s`pendohet pse na la me “vese”
që s`hiqen kurrë
në Muguçal.

Thursday, July 27, 2017

Grigor Jovani: cikli poetik Njerzit e frikshëm


GJON KASTRIOTI (I RIU)
E mori me vete, për një udhëtim përtej detit,
me një anije prej druri Kurbini, të cilës
një shqipe e gdhendur dykrerëshe
tek bashi i rri.
Këtu e pesëqind vjet që kanë ikur. Akoma
nuk është kthyer,
Arbëri në Shqipëri.

NEPER SHKALLE
Hap dhe mbyll dritaret çdo pasdite,
se mos vijnë pëllumba mbi bordur.
Përtej xhamash shfaqen perëndimet,
malli yt perëndoi qyshkur.
Heq dhe vë veshin tek baxhuret,
mos dëgjohen hapa nëpër shkallë.
Përditë shfaqet dielli ndër agime,
vetëm ardhja jote ngjan përrallë.
U lodha duke pritur mjegullimin
nëpër xhame, që të shkruaj ftesë.
S’nxjerr më avuj shpirti im i tharë,
në Saharë dhe një kaktus vdes.
Hoqa dorë më nga shpresa e marrë,
se mos shoh pëllumba mbi bordur.
Bie të fle dhe nëpër shkallë dëgjohen
hapat që do të ndiheshin dikur…

NUK KA TE BEJE
ME ELEKTRONIKEN
Si të të bëj të kuptosh,
që në fillim të marsit buisin,
në tetor vyshken
dhe vdesin ndjenjat
aty nga fundi i janarit…
Këtë nuk mund ta lexosh,
tek ekrani yt i celularit.

KUQ DHE BLU
E kuqja
është ngjyra e njohur e dashurisë,
është edhe njëra
nga dy simbolet e mia
kombëtare.
Bluja
është ngjyra e detit të thellë të lirisë,
bota që shikoj,
kur hap një dritare.
Një natë Krishtlindjesh,
shpërthyen nga shpirti im,
si fishekzjarre.

SEICILI TE VETAT
Unë, e dashur, nuk trashëgova nga im atë
një kopësht,
të mbillja domate të freskëta,
të të bëja sallatën e drekës
me “prodhimet tona”.
Shtegtova në një qytet punëtorësh
qysh i vogël,
domatet mësuam t’i blenim me tollona.
Pra, nuk u bërra kurrë pronar i një kopshti fshati,
s’e donte fati,
u bëra ama pronar i një ballkoni në një faqe mali
përballë detit,
ku prej bukurisë mund të vdesësh.
Në mëngjes, prej andej, mund të shikosh Odisenë
tek niset për në Trojë,
kurse në mbrëmje kur kthehet,
pas njëzet vjetësh.

DEBIMI
Pashë dje një ëndërr të marrë,
sikur flinim bashkë përsëri,
sikur trupat tanë nuk qenë ndarë,
shkrinte puthja ndër buzë si qiri.
Gdhija netët pranë flokëve të tua,
më dehnin,
mbanin erë ftua.
Ëndërrova sikur s’ndodhi hataja,
nata ish sërisht det i qetë,
gjinjtë e tu, anije të mëdhaja,
më lundronin, si yjet mbi retë.
Të lidhja spirancën tek sytë,
porti im,
që s’kishte të dytë.
Pashë mbrëmë një ëndërr të marrë,
sytë e tu përpara shtrëngatës,
krahënjomët si zogjtë shtegtarë,
u nisën për udhë gjatë mesnatës.
Zotit tim i thirra përgjumshëm:
“Mos na zbo nga Parajsa,
kaq dhunshëm!”

TE MOHOJ!
Nuk dua më të bëjmë dashuri,
ndonëse do të nisë të vajtojë përsëri
kraharori im i shkretuar.
Nuk dua të djersitesh brenda krahëve të mi,
edhe pse aromën e djersës tënde ndër gjinj
o zot, e kam dashuruar!
Nuk dua të zbresësh yjet nga qielli i zi
për t’i vendosur lente zmadhuese në sy,
të një dashurie gjithsesi aq mitike.
Dua të ikësh - më dëgjon? - të mohoj,
duke marrë me vete turbullirën
e orgazmave të tua vullkanike.
Dua të më bëhesh e huaj,
të shkosh e të strukesh sërisht
tek mitra e nënës që të lindi.
E imja nuk të lind dot përsëri.
Të donte kaq shumë, sa nuk të duroi,
të jashtëqiti.
Unë nuk jam një nënë storgjike, ta kam thënë,
jam ajër i lirë, bredh livadh më livadh,
kreh çdo pishë.
Prandaj hajde më bëj të fundit herë dashuri,
çmendurisht! Të të mbetem ikonë
në një kishë.

NJEREZ TE FRIKSHEM
U ndodha edhe unë në festën e poetëve.
Gjithë të njohur. Rrethuar nga lexues,
që veprat ua njihnin akoma pa i shkruar...
Hijerëndë, tërë kopetencë, zbraznin njera pas tjetrës
gotat që mbanin në duar.
Ngjanin kaq të sigurtë për ç’ka thoshin atje,
sa nuk e panë të arsyeshme të ftonin kritikë.
- Si t’u duk? - më pyetën. - Do të na vish përsëri?
- Nuk e besoj! Ngjaj nga tjetër planet dhe...
ju kam frikë.

BAR “ÇMENDINA”
Në mëngjes më dërgoi nipçen e vet të çmendur, Diellin,
të më ftonte të pinim bashkë tek shtëpia mbi retë
një kafe a një çaj.
Në mbrëmje nisi krushkën e tij mëndjelehtë, Hënën,
me ftesë të njëllojtë,
këtë herë në konakët e saj.
Çudi me Zotin, pronarin tonë atje lart! Domosdo,
të pijë një kafe a një çaj me zotërinë time!
Ç’të them! Nuk ia bën këto ftesa një njeriu që s’do...
Siç duket, në preferenca
as Zoti nuk bën përjashtime.
Por unë s’i kam qejf fluturimet e gjata,
lëvizjet kot së koti.
Frekuentoj barin me kashtë në bregdet, ku
rehatoj shpirtin dhe shpinën.
Kur dal jashtë të bëj ujin e hollë në një cep,
i kthehem t’im Zoti:
“Më bëre që më bëre të marrë, tani më lë
të shijoj në qejfin tim Bar “Çmendinën”!”

FJALET E DASHURISE
Tani pas kaq kohësh,
vetëpyetem mos qe shurdhmemece.
S’i mbaj mend asnjë fjalë, 
konkretisht.
Sytë ia kishin nxjerrë zërin
jashtë përdorimit,
me to më fliste,
si Krisht.

Prend BUZHALA: JEHONA E DYERVE


(Tregim me pak fjalë, për një fabul moderne), 27
E hetoi: kur hynte nëpër dyer të mëdha, ato kërcëllinin. Dëgjonte zhurmën e thatë, dyert lëshonin një krismë sikur do të thyhej ndonjë xham. Në të vërtetë, ai përpiqej të hynte a të dilte diku, pikërisht aty ku kishte dyer të mëdha. I therte në ijë, kur ai nuk shihej fare nga të tjerët, nuk vërehej fare. Ai e përfytyronte hyrjen a daljen nëpër to, sikur zhurma do të ngrihej kastile për parakalimin e tij triumfal; se ushtima e buçima do të dëgjohen për shëmbëlltyrën e tij. E përfytyronte veten sikur po kalonte nëpër ato dyer ku kishin kaluar, bie fjala, perandorët ilirë, apo Aristoteli, Skënderbeu apo Napoleoni, Gëte apo Jeronim de Rada.
Dhe kudo e kahdo që shkonte nëpër botë, hynte e dilte nëpër dyer. Dyer nëpër ndërtesa, rrugë, udhëkryqe, autobusë, vetura, aeroplanë; nëpër oborre shtëpish, kopshte dhe portikë; nëpër kështjella, muze dhe shtëpi me rëndësi të veçantë muzeore; nëpër shkolla, universitete e akademi ... deri te panteonët antikë e modernë.
Kur ia rrëfeu shqetësimin vetjak një të afërmi të tij (për kërcitjen e dyerve, dhe pse në hyrje-daljet e tij ishte i pavërejtur); dhe kur ia përmendi emrat e mësipërm të historisë, i njohuri i tij i tha:
- O mik i dashur, gjithë ata njerëz kanë hyrë së pari nëpër dyer tejet të ngushta, ku unë e ti nuk mund të depërtojmë. Ato dyer, gjatë jetës së tyre, i kanë zgjeruar e bërë të mëdha. Prandaj, kur kanë shkuar në amshim, ata kanë kapërcyer nëpër dyer të mëdha.
Kur u ndanë, vetëm personazhi i këtij tregimi e dëgjoi përsëri një kërcëllimë therëse të derës...

Ramiz Kuqi: Shpuzë korriku cikël poetik



TE KODRA E DIELLIT

(Bedri Hysës)
S'e takoj më poetin e Sharrit
Dhimbja mbi varg bie
Si ky shi
Që mbush udhët
Si me lot
I Urti i Fjalës ka vajtur
Te Përroi i Cucës
Mes yjesh është lartësuar
Në qiellin e kuqrremtë
Me Sharrin flet
Te Kodra e Diellit...

NJË NATË
E bukura natë me shumë sy
E sogjova qiellin yjet me dashuri
Cdo tingull që vinte si jehonë nga larg
Unë shkruaja vargun më të bukur në poezi
Shtrirë mbi laurë shtrunga mbushur plot
Vallen e një stine ëndërr nëpër net
Vallë sa shpejt ikin orët e lirikës me shi
Një kujtim në ballinë libri heshtjes i flet
E bukura natë me shumë sy !

SA HERË DESHTA
Të kapërcej lumin e mallit
Dallgët
Ma hoqën vigun
Matanë bregut
U derdh
Një lot nëpër fjalë
Sa herë deshta...

SHARRIT
Mos ia vidhni vargjet e bukura
Atë kurorë mbi male si pikturë
Shpirtin
Mos ia lëndoni me ato gurthyes
Në cdo lis
Është një gjurmë zhgune me gjak
Mburojë e lirisë dje
Kohën e vrasin uzurpatorët
Plangprishët e ujëvarës
Lumit të shekujve
Ia marrin freskinë luleve
C'është kjo farë e njerëzve
Që nuk ngjajnë në njerëz?!

TË MOS ISHTE
Zogu
Çfarë do të bënte pranvera
Ç'aromë do të kishte lulja
Në kopshtin e trëndafilave
Te mos ishe ti mallë
Nata do të rrinte në gjumē
Tē pafund
Shiu
S'do bëhej kurrë metaforë
Ç'kuptim
Do të kishte fjala
Mes rreshtave pa frymē
Të mos ishte...

SHËNGJIN
Do vij sërish do vij
Ta sjell poemën e re për Ty
Të ulem mbi gurët e shkëmbinjve
Natën vonë
Të flas me qiellin hënën
Udhëve të bredh me një gotë verë
Buzëqeshur të më zë gjumi
Mbi sytë tu rreze dielli
Të këndoj
Për stuhitë e detit dallgët
Dashuritë tinëzare puthjet e valëve
Ëndërrimet e pafund
Të detit me shumë sy
Zjarrin e pashuar mallin
Nëpër vargje lirike
Shëngjin...

Mentor Thaçi: KRISMA KULUFESH

Moj esmere, ah moj betere,
n´pikë të dimnit si lule vere,
sikur n´prralla të k´tynehere,
kopilia t´mbetën n´prag dere!
*
Rri rehat, mos ban gjymrysh,
ku s´e çet barra qeranë,
budallakia me aq yrysh,
t´shtjen me e marrë ngryk belanë!
*
Rrushja e Rexh´s n´kolibë me tallë,
po ia thot zhurmë e piskamë,
0re Zekë, tek kjemë budallë,
keq e nisem, ma keq e lam´!
*
Pika e dit´s e qeni i l´shuem,
kush e z´gidhi nuk po e lidhë,
nusja si vjehrra, kamben s´e luen,
dreqi telin lahut´s ia dridhë!
*
Ah, marrshim n´thue në kambët tona,
qysh nuk ecem një herë si duhet,
as në mjes, tash, e as tevona,
s´ruhet kryet kur by..a t´kruhet!!
*
Dreqi i kuq kur kalli dynjanë,
tri herë rresht te ne e dhezi,
ai me Zotin s´mund t´nisë belanë,
po na shkeli me soj MELEZ
I!

Wednesday, July 26, 2017

Prend BUZHALA: SHPEJTËSIA E PLUMBIT OSE DASHURIA NDAJ FLURUDHËS



(Tregim me pak fjalë në tri partitura të dhimbjes), 26 

I pëlqenin fluturimet e mendjes. Mendjen e krahasonte me fluturimin e plumbit, me flurudhën. Në këso çastesh, i kujtohej Mira, e dashura e tij. Mendja fluturonte më shpejt se plumbi... Mandej mendimi i zhvendosej kah urrejtja që kishte për armikun, që po i bëhej gjithnjë e më i padukshëm. Lëshonte një sharje. Një sharje që i dukej se ishte plumb. Mendimi dhe sharja, plumbi dhe fluturimi i tij... Mendime, plumba, fjalë-sharje, flurudha... vajza, armiku i padukshëm.
1.
I dukej se ende dëgjonte britmën e vajzës, të dashurës së tij, kur e kishin dhunuar paramilitarët. Kur e kishin gjetur Mirën të vdekur, afër kishte pasur një thikë: nuk dihej, në pamundësi që ta godiste paramilitarin, kishte prerë venat e dorës së saj të djathtë...
Në ato çaste ai, nga zemërimi i papërmbajtur, kishte shkrepur plumba, kishte mësyrë krejt i hallakatur drejt pozicioneve armike... E kishin ndaluar shokët...
Që në vegjëli merrej me armët. Tashmë, në moshën e luftëtarit, i interesonte shpejtësia e plumbit. Po i studion plumbat që kanë shpejtësinë mbi 1200 metra në sekondë. Por assesi ta largojë vëmendjen nga plumbi magjik... Kishte lexuar histori për trima që kanë vrarë burra të tjerë me një plumb. Kishte dëgjuar këngë për shkrepjen e armës kundër gjakësit; këngë për djalin që mori gjakun e babës së vet, duke vrarë kriminelin e një shteti të huaj në hotel. Kishte parë mjaft filma se si agjentët vrasin gjakftohtë kundërshtarin e tyre. Plumba që vrasin armiq, por edhe plumba që prodhonin armiq të rinj.
Në pauzat midis dy betejash, edhe ai ndjente qetësim e kënaqësi kur vidhte çaste meditimi. I pëlqente sidomos ai meditimi midis asaj minipauzës milisekondare a sekondare: çka ndodh në distancën kohore e hapësinore midis shpërthimit të plumbit nga arma e deri kur qëllon cakun: mishin njerëzor, kokën e ndonjë njeriu apo diçka tjetër. E shtëna dëgjohet, zëri mbetet prapa, plumbi fluturon më shumë se zëri... shikimi normal nuk mund ta zë atë çast... Flurudha, ajo rruga që bën plumbi... Kjo gjakftohtësi, si në filmat me agjentë, i pëlqente, sidomos kur futej natën në kampin armik, plumbin nuk e lejonte të shkonte huç dhe përvidhej sjhtegut që e kishte studiuar me gjakftohtësi...

2.
Por atë armikun, të vërtetin, ende nuk po e gjente as në kohë paqeje...
Prapë mendimi i zhvendosej nga urrejtja që kishte për armikun e djeshëm, që po i bëhej gjithnjë e më i padukshëm, gjithnjë e më i largët, më i mjegullt, më i vagullt.. Tashmë ai po shumëzohej... Mendimet e sharjet po shumëzoheshin. Në heshtje. Prapë sharjet, si plumba. Prapë mendime e sharje, plumba dhe fluturimet e tyre, flurudha të panumërta, të padukshme... fjalë-sharje, flurudha... vajza, armiku i padukshëm, armiqtë e padukshëm... Nuk po e hetonte se një plumb bredhacak, një plumb që vret shpirtin, po e godet gjithnjë e më shumë.

3.
Mira po shndërrohej në flurudhë. Po e dashuronte flurudhën. Për herë të parë në jetën e tij arrinte ta kontrollonte flurudhën. Flurudha po i ligjëronte: "Kufomë e pavarrosur është armiku yt e imi. Ai endet si kufomë nëpër botë..." Mirën zuri ta quante Flurudhë. Kjo dashuri flurudhe, ishte shpëtimtare, që shmangte plumbin bredhacak...
E kishte gjetur Plumbin Magjik.

Musa Jupolli: 2017 viti Mbret me katër vazal


Ky me "titull" të lartë e vulosi shkatrrimin e një partie që kishte emër!
Ky i larë në milonshin e pa pikë djerse çirret për glorifikme tjera të një shteti në ramje të lirë, theqafëshe e pa imagjinuar ...atje ku nuk debatohet për zhvillim të shtetit, atje ku RINIA ka mbetur në harresë, atje ku fuqizohën tempujt e otomanizmit, pushtuesit më të tmerrshëm të trojeve arbërore, dhe marrin peshë e sulltanizohën në Dardaninë e njomësisë së gjakut që u derdhë për liri , atje ku mos kulturë politike që është dhe që pretendon të jetë e përjetshme në tron, atje…
Ky mbret dështak me katër vazal !
*
Eu, eu, eu ...
2015 viti
****************
Një më i “madhi” i Qeverisë tha se është tepër i “brengosur” nga se po i prishej “rehat'llëku stambolliançe”, dhe se paska hargjuar milionat për “zbukurimin” e Prishtinës!!!
Eu, thash!
Vallë po ai veq sa e ka rjepur buxhetin e Dardanisë, edhe atëhrë kur ishte i pa ndjekur e i “madh” në Qeverinë fantome, e kundër Rugovës, bashkë me mikun e tij që në dy “kampe” zbrazën “arkën” e shtetit ende të pa themeluar, dhe na u këthyen në “hero” të stërvuajtur, të një urtësie minake, ujqë të pa-ngopur që s'u ngopën asnjëherë, nga fajësi edhe “gërryen” me gishta çdo post që “përbironin” se ishin të mveshur me petkun e Euros dhe bënin dritë edhe kur nuk kishte rrymë në Dradninë e vujatjeve !
Eu ,thash : Plas zemër në pikë të ditës ! Po, po, jam dëshmitar se ishte kundër Rugovës dhe thonte se “Rugova shpenzon pa masë”, “fajësia” Presidentit tonë! Çudi, të gjithë e dinë dhe nuk flasin, apo mos vallë ishin fjetur dhe nuk e kanë dëgjuar ???
Uau !
Po i njejti ishte sherbëtor i një sistemi që luftonte “irridentizmin” shqiptar, po i njejti ishte ai që u bë edhe i këndshëm i një Qeverie të ndaluar t'autonomisë së “lagjës” së “Kosovës e Metohisë”, na e quanin Dardaninë armiku ynë, jo vetëm i djeshëm, po shekullori që s'ndalet edhe sot !
Po i njejti pas çdo humbjeje dual dhe del “fitues”!!!!!!
Dikush më tha, “ky personazh e ka emrin”:....
Mos të lutëm shpejtësova me penë në dorë!
Ky që nuk ishte asnjëherë mik i Rugovës dhe po ky emrin e të cilit e harroftë historia mjeli tërë mërgatën tonë që dha tërë buxhetin nga pagat e marra me njëmijë munde , emrin mos m'ia thuaj ?!!!! —

2018 viti ….????

Tuesday, July 25, 2017

Abdullah Mehmeti: AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE NË KRAHINËN E POLLOGUT

PRANIA E JETËS DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE NË KRAHINËN E POLLOGUT, MBI 8 MIJË VJET E LASHTË

Përmes gjetjeve arkeologjike në disa lokalitete të rajonit të Pollogut, dëshmohet jeta e banorëve të kësaj ane dhe vazhdimësia e qytetërimit të lashtë pellazgo-ilir, së paku 6000 mijë vjet para erës sonë. Kuptimi i plotë i emrave të vendbanimeve dhe figurave që lidhen me kultin e perëndeshës Nëna e Madhe mund të shpjegohen qartë vetëm përmes gjuhës shqipe.
Meqë ekspeditat arkeologjike janë organizuar, në disa periudha të ndryshme kohore, nga arkeologë joshqiptarë, kryesisht serbë, pas pushtimeve të vonshme serbe në fillimshekullin XX, këto gjetje arkeologjike janë keqpërdorur dhe keqinterpretuar sipas interesit të tyre.
Kryesisht studiuesit sllavë nga Maqedonia, një periudhë të gjatë janë mburrur para botës me këto vlera arkeologjike, sidomos me statujën e perëndeshës Nëna e Madhe, që më së paku ka argumente shkencore t’u takojë atyre.
Statuja e perëndeshës Nëna e Madhe është gjetur në lokalitetin ,,Tumba" në katundin Pallçisht i Poshtëm, rrethina e Tetovës (edhe pse thuhet se njëra prej këtyre statujave është gjetur në një lokalitet tjetër po në rrethinën e Pollogut, ku sot banohet me popullatë sllave), është konstatuar se i takon periudhës së neolitit, afër 6100 vjet p.e.s, ndërsa statuja të ngjashme me këtë janë gjetur dhe në disa lokalitete të tjera në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së sotme, në lagjen Maxhari të Shkupit, në Kumanovë dhe disa lokalitete të tjera në rajonin e Pellagonisë.
Perëndesha Nëna e Madhe njihet si simbol i pjellorisë, nëna e tokës, e lindjes dhe përtritjes së jetës dhe botës, nga edhe burojnë emërtimet e disa qyteteve, rajoneve dhe krahinave të tjera, të cilat sipas rrënjës së fjalës kanë kuptim të plotë vetëm në gjuhën shqipe: Pellë (pjellë), Pellagoni, Pellagon, Pellagia-Pollog (emri i qytetit të lashtë dhe i rajonit të sotëm të Pollogut) etj.
Studiusit sllavë të Maqedonisë, gjatë viteve të fundit, duke ditur faktin se rajoni i Pollogut në vazhdimësi, që nga periudha antike, mesjeta e deri në kohën e sotme, është dominuar nga fiset ilire dhe më vonë nga psardhësit e tyre shqiptarët, rëndësi të veçantë i kanë kushtuar vetëm statujës së gjetur në lagjen Maxhari të Shkupit, sigurisht me pretendime të qarta poltike, duke i dhënë kuptim të ri edhe vetë emrit të statujës, si Nëna e Madhe nga Maxhari!
Këta studiues, vetëm një të vërtetë e konstatojnë, sigurisht pa dashje, që statuja e gjetur në lagjen Maxhari të Shkupit është shumë më e vonshme se statujat e gjetura në lokalitetin e Pollogut, me çka edhe e dëshmojnë se cilat janë pretendimet e tyre që i japin rëndësi të veçantë vetëm statujës Nëna e Madhe nga Maxhari!
Këta studiues, periudhën nga kur daton statuja e perëndeshës Nëna e Madhe, e cila është gjetur në lokalitetet ku kanë banuar në vaazhdimësi ilirët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët, e kanë trilluar idenë se bëhet fjalë për praninë në këto hapësira të brigëve, ose frigëve (phrygians), duke pasur parasysh që shkenca ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për këtë popull të lashtë, ose dy fiset me prejardhje të njëjtë, frigët dhe brigët, për të cilët dihet vetëm se kanë depërtuar nga jugperëndimi i Azisë së Vogël (Anadolli i sotëm, gjithashtu emërvendi në gjuhën shqipe), në hapësirat e Gadishullit Ilirik, që sipas disa studiuesve me renome ndërkombëtare, këto fise u dyndën në kohën e bronzit, jo në priudhat e mëhershme, që pas një periudhe të kthehen sërish andej nga kishin ardhur, pa lënë ndonjë gjurmë të veçantë.
Me praninë e brigëve, studiuesit sllavë të Maqedonisë pretendojnë ta lidhin praninë e elementit maqedonas antik në këto territore, pa mbajtur llogari se Maqedonia antike asnjëherë nuk është shtrirë deri në qytetin e Shkupit, e aq më pak në rajonin e Pollogut.
Brigët, ose Frigët, si një grupfis i madh midis fiseve ilire dhe thrakase, njihen që në lashtësi si ndër fiset e rëndësishme, për të cilët edhe rilindësit tanë kanë dhënë mendime se kanë qenë një ndër tri popujt e lashtë prej nga rrjedhin shqiptarët e sotëm. Një dëshmi që e ka forcuar këtë ide është qeleshja karakteristike frigase, e cila haset edhe në periudhat e mëvonshme ndër fiset ilire, si edhe tek shqiptarët e sotëm në disa krahina.
Një referencë e shëndoshë për studiuesit shqiptarë të shkencave të pellazgologjisë, ilirologjisë dhe albanologjisë, duhet të jenë edhe emrat e krahinave dhe qyteteteve të lashta, me rrënjë të fjalës në gjuhën pellazge-ilire-shqipe, si qyteti Pella në Greqi; qyteti Pella në Jordaninë e sotme (i themeluar pas pushtimeve nga Leka i Madh); gadishulli Peloponez, i banuar kryesisht nga arvanitasit (shqiptarët); Krahina, fisi dhe qyteti i dikurshëm ilir, Pellagon-Pellagonia, si dhe fusha me të njëjtin emër në Maqedonisë e sotme; krahina e lashtë dhe qyteti Pellagia-Pollog (qyteti i Tetovës përmendet vetëm pas shek.XIII), si dhe fusha е Pollogut në Maqedoninë e sotme veriperëndimore, ku përmes gjetjeve arkeologjike është dëshmuar prania e një qytetërimi të lashtë së paku 6100 vjet p.e.s. (në lokalitetin ,,Tumba" (tumbat e njohura ilire) afër katundit Pallçisht i Poshtëm, Tetovë (edhe ky toponim e përbëhet nga rrënja e fjalës Palla-Pella).
Statuja të ngjashme të perëndeshës Nëna e Madhe janë gjetur edhe në disa lokalitete arkeologjike ,,tumba" të tjera, në Shkup, Kumanovë dhe në rajonin e Pellagonisë, që edhe më tepër e përforcojnë tezën tonë.
Një gjë është e rëndësishme se, këto statuja dhe simbole të tjera që lidhen me kultin e perëndeshës Nëna e Madhe nuk hasen në asnjë kulturë tjetër të popujve të lashtë, përveç në truallin pellazgo-ilir, përkatësisht në Gadishullit Ilirik, pjesa veriperëndimore e krahinës së sotme shqiptare e Maqedonisë.
Figura e Nënës, si perëndeshë e tokës dhe pjellorisë, përmendet si pjesë e mitologjisë gati tek të gjithë popujt e lashtë, por tek asnjëri prej tyre nuk është dëshmuar si tek pellazgo-ilirët me dëshmi materiale, statuja ose forma të tjera figurative.

Është shumë lehtë të rrëzohet teza e studiuesve sllavë të Maqedonisë, se kjo figurë nuk ka asnjë lidhje me brigët, as frigët, kur dihet me siguri fakti që ky grupfisesh ka depërtuar në Gadishullin Ilirik nga Azia e Vogël. Atëherë, cilat janë gjurmët e pranisë së kultit të perëndeshës Nëna e Madhe në truallin e mëhershëm amë të brigëve? Pse dëshmohet prania e kultit të saj me dëshmi materiale vetëm në një rajon të caktuar, përkatësisht në rajonin e Pollogut, nga ku është përhapur edhe në viset tjera më në jug, jo më larg se lugina e epërme e lumit Vardar (shqip. Bardhar, lat. Aksius), në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, si dhe në rajonin e Pellagonisë, të banuar historikisht nga: dardanët, pajonët, pellagonët dhe fise të tjera ilire?!
Referenca të tjera të rëndësishme për thellimin e kërkimeve dhe studimeve në fushën e shkencave të pellazgologjisë, ilirologjisë dhe albanologjisë:
1.,,Grekët nuk kanë ekzistuar para shekullit VIII (p.e.s), ata erdhën pas kësaj periudhe dhe morën perenditë, mitet dhe alfabetin e tyre nga Pellazgët. I ashtuquajturi qytetërim Mikenian (1200-800 p.e.s) nuk ishte grek por pjesë e civilizimit Pellazg. Gjuha, veshjet dhe civilizimi i Greqisë së lashtë janë të përafërt me gjuhën, veshjet dhe kulturën e veriut të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi, pasaardhës të Pellazgëve-Ilirëve.” - Mathieu Aref (Arif Mati)
2. Për këtë çështje, ndikimin e kulturës, filozofisë dhe letërsisë së ashtuquajtur ,,antike greke”, nga kultura e lashtë pellazge-ilire, duke i vënë asaj përballë argumente të fuqishme, sidomos nga epika popullore e veriut të Shqipërisë, të trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, mund t'i referoheni veprës ,,Eskili, ky humbës i madh” e Ismail Kadaresë.
(25.VII.2017)

Prend BUZHALA: EDHE NE JEMI KOMB KULTUROR



Kur para disa vjetësh thosha se Evropa i jep miliarda e miliarda euro dhe nuk e lëshon Greqinë të dalë nga Bashkimi Evropian; jo pak MIQ (dhe oponentë të natyrshëm të mendimit), më thoshin se Greqia do të dalë... se "kapitalizmi evropian gjendet në kalbje" e blofe të ngjashme ideologjike, akrepat e të cilëve kanë mbetur në shek. 19. Por ka diçka që qëndron përtej Bashkimit Monetar, Bankar a Bashkimit Financiar Evropian e që është BASHKIMI KULTUROR I EVROPËS. Dhe Evropa nuk bën pa Greqinë, pa traditën e trashëgiminë e saj historike e kulturore, pikërisht për shkak të Evropës Kulturore (Greqia është trashëgimtare e antikës, demokracisë athinase të Perikliut, Platonit, Aristotelit, Homerit, Eskilit, Safos, Akropolit, miteve...). Prandaj, ajo e shfrytëzoi këtë rrethanë në favor të sajin... ndërkohë që Italia është ama e trashëgimisë së tri shtyllave tjera...
1.
2.
A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë, janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë te këto shtylla...

3.
Nëse ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?! Me çka "i imponohemi" Evropës?! Me cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?! Ne kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka "ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar!? As vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët... Por shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh, shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë Perandorisë Otomane (si ledh kundër sheriatizimit të shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej... në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.
Është ai MODEL që kushtetutat moderne e njohin si LIRI BESIMI. Te kjo LIRI EUROPERËNDIMORE BESIMI, shqiptarët e ndiejnë veten mirë, ndryshe, bie fjala, nga ato zona ku myslimanët nuk e ndiejnë veten mirë (problemet që kanë me religjionet bahai, hebre, të krishterë, shintos, me ateistët, dhe ndërmjet veti, si në Gaza, Egjipt, Libi, Marok, Iran, Irak, Jemen, Afganistan, Pakistan, Siri, Liban, Nigeria, kenia, Sudan...). Por e ndiejnë veten mirë "jashtë botës islamike" në Evropë, Australi e Amerikë, por edhe në Indi)... Ndryshe, shqiptarët nuk janë ata që imponojnë a themelojnë organizata terroriste kundër këtyre vendeve “joislamike”, "për t'i akuzuar europerëndimorët dhe për t’ë luftuar kundër tyre” a për t'ua ndryshuar konfigurimin kulturor! Jo! Pikërisht, pse jemi pjesë e këtij IDENTITETI KULTUROR EUROPERËNIMOR, shqiptarët nuk janë pjesë e organizatave terroriste të Lindjes... dhe as i përkrahin ato kombëtarisht, kulturalisht, politikisht apo fetarisht... Prandaj edhe ne JEMI KOMB KULTUROR EUROPERËNDIMOR... dhe kemi se çka të shpalosim nga kjo trashëgimi, pikërisht ato thesare të hedhura, të mbuluara, të mënjanuara apo të përbuzura...

Monday, July 24, 2017

Ismail Rexhepi: Malli i dashnisë së vjetër

Në t’merr malli dashnis t’vjetër
Mos e prit zemrën me t’ther
Veç dy fjalë mi nis me letër
Zog ma i bukur të vi n'derë!


Në t’ba zemra tak për mua
Edhe shpirti të ka mall
Mos e lë për pa m’dëftua
Një haber nisma për t’gjallë.


Në mos gjetsh t'i pëllumb postier
Syrit tënd që fort ta dua
Këput qerpikun e hedhe n’erë
Amanet nise për mua.

Friday, July 21, 2017

Enver Bytyçi: Një kujtesë për Kimete Berishën!


E nderueme zonja gazetare,
I lexoj shkrimet e tua. Janë të guximshme e kumbojnë deri n’kup t’ qiellit! Në shkrimin e fundit pashë se je zhgënjye keq nga fyemja që shqiptart e Shqypnisë i bajnë shqiptarëve të Kosovës. E shkrimet e tua të bajnë me mendue, me kujtue, me kqyr mbas!
Ktheva kryet mbrapa e u ndala që prej fillimit të viteve ’90-ta. Në çdo stacion ku u ndala pashë se këta që ju fyejnë dhe ju marrin ju nëpër kambë i keni prodhue, financue, mbështet, ngrit, reklamue e i keni ba me emen ju në Prishtinë. Për ni ditë ja keni dhanë n’dorë njenit prej tyne 250 mijë dollar, n’fillim me jua thanë do fjalë t’mira e ma vonë me jua kajt nanën. Nuk po i numroj sa e sa raste tjera, kur keni marrë strajcën e pareve e ua keni pru në Rogner e vilave tjera në Tiranë e në Durrës! Për çka? Me u pasunue me paret e tre përqindshit a të Vendlindja Thrret! Tash ti po thue si u bane këta të pasun?! Po më çudit Kimete! Ti je aty ku gjanat kanë rrjedhë kësisoj.
Kur Kosova u çlirue, erdha menjëherë në Prishtinë. E çfarë pashë? E kishin pushtue Grandin gjithë sigurimsat e atij xhaxhit që ti e përmendë në shkrimin tand! Vuna durt n’krye e thashë me veti: “Kosova nuk asht çlirue”! Ata që thojshin “Kosova ka për kryeqytet Beogradin”, kur u krye puna u turrën me e placket sa t’mujshin. E me ndihmën tuej!
Njanin prej ktyne e kam ndigjue në dhjetorin e atij viti në panairin e parë të librit që u hap në Prishtinë, aty ku hala atëher i thojshin “Boro e Ramiz”, (ish pa u djegë) t’ju thojke ju se “A mos u çliruat nga një pushtues e ratë në një pushtim tjetër”?! E ky pushtimi tjetër për atë ishte prezenca amerikane n’Kosovë, KFOR-i e NATO! Nuk ishin ata të Grandit! Eh çka bajke vaki?! Ky që amerikanin e quajke “pushtues” rrike në ballë të oxhakut, krejt ju që e kishit emnin botues, gazetarë, punonjës televizioni, intelektualë i bajshit temena nji njeriu që u ba deputet, por nuk u ba kurrë intelektual n’Shqipni!
Po ta jap edhe nji rast tjetër: - Në vitin 2012 patën ardhë nja katër-pesë shkrimtarë prej Shqipnije me u nderue në panairin e librit të atij viti. Ishin disa, nuk po i shkruj emnat. Po kush u respektue prej jush, nja dy që kurrë nuk kanë shkrue për Kosovën. E nja dy tjerë që kanë shkrue dhjetë e dymbdhjetë libra për Kosovën i lanë menjianë. Ata dy që s’kishin dhanë asnji kontribut për Kosovën i zunë krejt ekranet e televioneve. Këta dy tjert gjetën ndonji mik tyne, ndonji kushri a dajë e kaluen ato tri ditë me ta. Krejt gazetart e TV Kosovës e medies n’prehen të atyne “idhujve” tuej u ulën. E këta s’paku janë miqtë e atyne që sot e lëndojnë Kosovën. Nuk ju lanë nder pa ju ba.
Ma përpara më pat rastis të vij me delegacion n’Kosovë! E çka ndodhi? Kryeministri e priti vetëm njenin prej anëtarve të delegacionit që në vitet ’90-ta pat udhëheq fushatën kundër kosovarëve n’Tiranë! Tjerve nuk na begenisi!
Janë edhe dhjetra e qindra shembuj tjerë, por unë nuk jam i landuem për këto që kanë ndodhë. Se nuk m’ka ndodh mue personalisht asnji gja! Po duhet ju me nxjerrë mësim e me qenë ma mirënjohës për ata shqiptarë të Shqipnisë që me gjithë zemër kanë punue për Kosovën e ju respektojnë ju, pavarësisht mosrespektit tuej. Duhet me ditë ju se kend po e ndihmoni n’Shqipni. Mos ndihmoni ata që ju dhunojnë, ju rrejnë, ju poshtnojnë, ju injorojnë, ju bajnë qejfin nër sy e ju fusin thikën mbas shpine, njësoj si shkijet!
Thjesht Kimete për me t’kujtue t’i shkrova këto rrjeshta! Se ju e dini vetë çka bani!
Me respekt,

Prend BUZHALA: GRINDJE ME LIRINË


(Çast antilirik)
 
Liri, ç'na bëre, gati të gjallë po na ha.
Liri, gojën e paske krejt si të Ujkut, më të madhe se të orangutanit.
Liri, ti kënaqesh kur ndërton tempuj-varr, që varrosin vetveten
për t'u vetë-harruar përgjithmonshëm.
Oh, kjo harresë, aq gjatë e shikuam greminën
e në greminë u shndërruam ne.
Aty gjen vetëm Humbjen e Shpirtit Tënd.
Liri, Leximi yt më hyjnor qenka Libri-bombë, Libri-greminë.
E ç'të shohësh në greminë, pos asgjasimit të vetvetes,
Bëju ti pengesa, hyr thellë në humnerën vetjake,
aty do të ndeshesh me Minotaurin tënd, me vetasgjasimin.
Ky është Guximi më i Madh, Kryevepra jote e kohës.

Wednesday, July 19, 2017

Musa Jupolli : Filozofi e kulturë politike


Dashuria, ndjenja dhe arsya janë freski e Atdheut, krenar të jemi ata që duhet të jemi: Moral e etikë, komb bashkëkohorë, ku jeta bëhet e këndshme në një shtet laik, me rregulla juridike.
Republika:
Filozofi e histori e një kombi, ruajtja e identitetit, shëndetësia, arsimimi dhe ekonomia e një shteti në thelb të mendimit, aty ku Drejtësia ka pamvarësinë e vet dhe nuk ndikohet nga politika, aty qytetrim e shkencë përcaktojnë filozofinë e një kombi, aty ku demokracia ka rregulla dhe respektohet e drejta civile dhe civike
Qytetrimi dhe Politika:
Qytetrimi në filozofi është edukatë, mirësjellje, etikë e moral .
Politika ka një semantikë tjetër, ajo ka për “detyrë” të veneroj në rregulla të jurispondencës, pra në të drejtën ligjore, në respect me votën që iu ka besuar .
Vallë…
A thua përkasin këto me partitë politike sot n’Atdheun tone ?
Ti rikthehemi freskisë n’Atdhe:
Liria, ndjenja dhe arsya pra janë bukuria shpirtërore e njeriut, të ndihesh i lirë n’Atdhe është knaqësi, është frymëzim , aty ku fjala respektohet, aty ku e mira i kundërvihet të ligës , pastaj thelbësore në jetën e njeriut është ruajtja e ambientit, pastërtia , rregulla që i parashtron natyra, siq:
-Malet,
-Lumenjtë ,
-Fushat pejellore, që kërkojnë shërim të vazhdueshëm !
Në rastin tone:
-Malet dëmtohën pa mëshirë .
-Lumenjëve u është zërë fryma, ndotjet janë të përditshme .
-Fushat pjellore janë të mbushura me ndertime të egra dhe mbeturina .
E gjithë kjo tregon mungesën e qytetrimit, mungesën e partive politike n’Atdhe, mos kujdesin e një filozofie të njeriut tonë, mos kulturën politike .
Bëjmë pytje kur ZGJIMI, qe më theks RINIA mos të shëndrrohet në IKJE nga Atdheu ynë i bukur , aty ku pasuria nuk mungon nëse parandalohen të ligat ! 

Grigor Jovani: DESHMORET DUAN TE FLEJNE cikël poetik

FJALET E DASHURISE
Tani pas kaq kohësh,
vetëpyetem mos qe shurdhmemece.
S’i mbaj mend asnjë fjalë, 
konkretisht.
Sytë ia kishin nxjerrë zërin
jashtë përdorimit,
me to më fliste,
si Krisht.

ISHA I VOGEL
Një mëngjes marsi dola në portë dhe u tremba,
u ktheva pas me vrap dhe bërtita gjithë tmerr:
“Digjet fusha poshtë! Kuqëlon anemban!”
Asgjë e tillë nuk ndodhi. Gjyshja ime qeshte:
“Fustan lulëkuqesh ka veshur fusha, mor xhan!”

DESHMORET DUAN TE FLEJNE
Tani duam të flejmë. Kaq kohë ndejtëm zgjuar,
duke pritur prej jush të paktën një pendesë...
Por ju vini si murgjit, që mbyllen për t’u shenjtëruar,
duke derdhur netëve ca lotë të gënjeshtërt,
që thahen mëngjeseve si vesë.
Na lini të qetë! Të thahen lotët e krypur nga sytë
e prindërve tanë harruar, që i lamë pa iu kërkuar ndjesë.
Njohim edhe ca prej jush. Dorën nuk na e zgjatët
për të na mbajtur, ndërsa treni
hepohej tragjikshëm në kthesë.
Nuk keni ç’gjë tjetër të bëni?! Na mbini të paftuar
si egjër e keqe, kur ne kaq shumë duam të flejmë...
Kur do të mbarojnë fjalimet që për ne mësuat të thoni,
mbase zgjohemi nga gjumi,
t’ju gjejmë.

MESAZHE NE SHISHE
Këto letra të bardha, mbushur me gërma të zeza,
që ndjekin njera-tjetrën, si deve beduinësh në shkretëtirë,
nuk i kam për shitje. Dua t’i mbyll nëpër shishe,
t’i hedh në det të humbasin,
si karavet e mbytura në humbëtirë.
Janë mesazhe të mendjes dhe zemrës. I nxorra
nga thellësitë brenda meje. Me njerëzit s'i ndaj. Ngaqë
nuk m’i kuptojnë.
Do t’i hedh në ujëra, të zhduken si pulëbardha në fund
të horizontit. Mbase
i gjejnë të mbyturit e “Titanikut” në fund të detit
dhe...
i lexojnë.

LETER PENDESE TE DASHURES SIME
Mos m’u mërzit, që disa herë të braktis,
siç ndodhi, për një zonjë të ndryshme nga ty, kësaj here...
Besnikëria është një rrobë që nuk mund të zhvishet, e di,
por thashë të bëj edhe të fundin mëkat kësaj vere.
Prejardhur nga kafshët si lloj, ndjeu nevojë trupi im,
përveç bukës dhe ujit, për bimët e egra të malit.
Shita shpirtin tim tek shtazët e pabesa në pyll,
shndërrova sytë e sorkadhes, për hijen e zezë të djallit.
Kur zbrita gjysëm i egër nga malet, më zvarritën në gjyq,
i paditur një herë si i pafe, tjetrën herë me kryqin në ball.
Për njëqind e një vjet më kallën si abatin Faria në burg,
kockat nuk m’u kalbën, ngaqë jam përveç të tjerash dhe djall.
Dhe nëse herë pas here, si gjatë kësaj kohe, nuk t’u solla mirë,
të themi atë që është: ke gjynahet e tua, po të bëj me dije!
Më hape brazda tek balli, nga mungesa e një fjale të mirë ,
më zbardhe mjekër dhe flokë, me kapriçot si të një fëmije.
Nuk duhet të dyshosh për dashurinë time nga të gjitha këto
- ti më njeh më mirë se kushdo, brenda këtij Tempulli të Zi -
Nëse iu dhashë rivales tënde me emrin e çuditshëm Prozë,
ndodhi veç kësaj vere, këtej e mandej jam skllavi yt, Poezi.

FTESE
... ju, xixëllonja, që ju ndiqja kopshteve me sandale gome
dhe me pantallonat e babait, që gjer në gju i shkurtoja,
me dritëzat në grushtin tim, e mbani mend, më lumturonit,
pastaj, më vinte keq për qershijat në errësirë
dhe ju lëshoja.
... ju fluturat pendëngjyrosura, me fustane të buta mëndafshi,
që ju ndoqa pa dashur,
vetëm që të bëja detyrat e shtëpisë në një mësim biologjie,
ju lëshoja, ngaqë nuk mund t’ju dënoja me burgim të përjetshëm
në kuti bosh shkrepsesh, si brenda një qelije.
... ju milingonat e heshtura, që gjithmonë punën tuaj shikonit,
përfshirë në atë punën gjigande që bënë kinezët e largët
për Murin e Madh të historisë,
mund t’ju shkelja kur të doja me këmbën time si liliputët,
por nuk iu ngaja, ishit ustallarë të shtëpisë.
... ju pemë të oborrit tim dhe atyre të fqinjve të hershëm,
që ju kam hypur sa herë kam dashur, shumë më tepër
se gomarit tonë dhe mushkës xanxare,
nuk iu rropa me biçak lëkurën si këmishën e hollë,
nuk iu theja si krahët e njomë bisqet fillestare...
... ua kam nevojën tani pas kaq e kaq vitesh,
të më dilni për zot në ca çaste të vështira:
afron gjyqi im, ndaj ju lutem, dëshmoni
se përveç prapësive, kam bërë edhe gjëra të mira.

ME MBAN INAT DETI

Akoma edhe sot më mban inat prej vërteti.
“”Mos e dëgjo! - i tha një ditë në vesh të dashurës sime. -
Poet është, vetëm mashtron dhe gënjen!”
Vetëm dhe vetëm ngaqë supozova një herë, unë i shkreti,
se sytë ia ka borxh qiellit deti.
Fton netëve yjet për një banjo tek pishina e Circes,
pastaj nuk ia kthen.

GJON KASTRIOTI (I RIU)
E mori me vete, për një udhëtim përtej detit,
me një anije prej druri Kurbini, të cilës
një shqipe e gdhendur dykrerëshe
tek bashi i rri.
Këtu e pesëqind vjet që kanë ikur. Akoma
nuk është kthyer,
Arbëri në Shqipëri.


Namik Selmani: Ma ndez zemrën arbërishtja


Arbëria matanë detit na kujton
Se na të huaj jemi te ky dhe
Zef Serembe
Ndë kangjel të vargut-diell
Sulem, zbres e ngrihem prapë
Me purtekë e prek një qiell
Që të zbres yjet e bardhë
Kërkoj gluhë mëmëdheu
Dhe kur goja zë të meket
Si ta kisha forcë Anteu
Marr nga toka amanetet
Marr nga shqipja flatrim ëndrre
Ndë katund të ndez kandilat
Portë më portë mes tinguj kënge
Trokëllijnë pa fund lirikat
Ndë Strigar jehon këmbana
Këmbanon nëpër agime
Dorë më dorë përcillet vallja
Nëpër troje shqiptarie
Gojë më gojë vjen ARBËRISHTJA
Sjell në brigje tre pranvera
Ma ndez fjalën përtëritja
Ma bën det me luleshqerrra
Më përcjell një shpirt Serembje
Dallandyshja nga Strigari
Me të zgjohem, sulem detesh
Ku mbi valë mundet tufani
Me të zgjoj gjithë dashuritë
Nga Brazili gjer në Jon
Flas me malet, Perënditë
Për poetin zemërngrohtë
Shkërmoq dheun nëpër duar
Dhe në sy përlotem prapë
Zgjohet varg i ëmbëltuar
Ndë kangjele, në Strigar

Musa Jupolli: Çun Lajçit


(Gëzuar Mjeshtër i Madh)
N' Sy ideali i dramës shqiptare
... Ikonë e teatrit Shekspirian
Lajçi n' poemë zgjon ndjenjë
polifoni-homofoni
gegë -toskë
shqiptimi i tij
Lajçi, hecje poetike
n' Rugovë personazh delikat
pranveror n' bukurinë e ngjyrave
shetitje n' aromë të luleve
i lindur nga natyra e lirë
Imitues i shqiponjave
që bashkon male
me theks të fuqishëm në folje
Albanais
i Ilirisë,
Pellazgë n' origjinë
aktrimi i tij
gjuhë Arbërie
MADHËSHTI

Sabit avdyli: KURNACI


“Lavdin e ka rritur e ëma me shumë mundime. Lavd, kurdoherë Lavd e ka thirrur e ëma, se ai Lavdërim e ka pasur emrin”. – i thoshte Ardi bashkudhëtarit të tij bullafiq, ndërsa pjesëmarrësit e funeralit kokulur tërhiqnin këmbët duke ecur mërzitshëm rrugës me gropa pas arkivolit të Lavdërimit. “ Ne shokët e tij - vazhdoi ai, emrit ia shtuam edhe epitetin Kurnaci, se vërtet kurnac ishte. U shkollua... arriti goxha shumë, bile do të thosha më shumë se të gjithë ne, shokët e tij. Prej një dinari i bënte dy. Kishte zakon të fliste me përbuzje të thellë për njerëzit dhe për çdo gjë tjetër që nuk i pëlqente. Me inate i ngjante së ëmës: kokëshkëmb, kurse nga pamja babait: muskuloz, fytyrë buçkane, trup mesatar të ngjeshur e shikim të ftoftë. Në ndeja, në ambiente publike ishte i lezetshëm, me humor e elegant, por vetëm atëherë, kur nuk kish nevojë, ta fuste dorën në xhep. Punonte shumë... Mbrëmjeve mbyllej dhe sapo sigurohej se nuk e shihte njeri, Llapushin, qenushin e tij besnik e nxirrte jashtë, duke e mashtruar me një kore buke të mbetur në sepete dhe lëshohej në dy gjunjë, me gojën vesh më vesh; numëronte e rinumëronte kursimet. Si frikacak e tinëzar, kursimet i ndante në disa vende: në bankë, brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Kursimet në bankë i përlau “Jugokbanka”, ato brenda shtëpisë, të fshehura në një çorape të vjetër, pas një kohe ia gjejnë minjtë dhe çorapen bashkë me kursimet i bluajnë, grimcojnë, i bartin, i fusin në vrimat e tyre, kurse një pjesë tjetër të bankënotave të mbetura era i shpërndan gjithandej nëpër tavanin e shtëpisë prej ku sorrat i kanë bartur e kanë ndërtuar çerdhe me to. Kam dëgjuar se ai buzaçi i mëhallës së Rrahishtave, duke krasitur plepat te mulliri i Nezës, në degët e tyre gjen bankënota të padëmtuara dhe me ato ka bërë qejf tërë asaj vere në Durrës, Sarandë e Vlorë. Ato jashtë shtëpisë i kishte futur tre tehe lopate llagëmi në tokë. Kur deshi t’i shihte se mos ndoshta i ka kapur lagështia, edhe pse ishte i sigurt se i kishte izoluar mirë në kavanoz, nuk i gjeti dot. Tre vjet rresht e rrëmihu kopshtin tre tehe lopate thellë, tre vjet gërmoi me bel e kazmë, vende – vende edhe një bojë njeriu thellë, por kot, nuk i gjeti dhe nuk i gjeti. Shkoi te fallxhesha me shpresë se mos po e ndihmon. Sa e pa fallxhesha, ia hapi derën, Lavdi u pushtua nga vështrimi i saj i ngrohtë, nga gjinjtë e fryrë, krelat e flokëve ngjyrosur me kanë, që ia mbulonin ballin deri te sytë dhe linjat e trupit ende të mbajtura mirë. Shkoi për hall e fall e mbeti për darkë. Kaloi natën gjithë qejf. Në dalje, kah dera e prapme e shtëpisë, zonja e përcolli me dashamirësi: “Kur ke mërzi, kur nuk të ecin punët, kthehu te unë!”. Që të nesërmen - vazhdoi Ardi - Lavdi filloi një jetë ndryshe, vishej me elegancë të tepruar, stolisej me unaza të mëdha, embleme, medaljone, kravata flutur e shalle me ngjyra të ndezura, që nuk përputheshin me moshën e tij. U dha pas pijes, pas qejfeve. Fliste shumë, qeshte për hiçasgjë. Kthehej gjithnjë e më shpesh te fallxhesha me qerpikë të zi. Veturën e ngiste shpejt. Krejt qyteza fliste se Lavdit paratë e groposura ia gjeti fallxhesha me magji, me magji e robëroi, ia ndërroi mendjen dhe bënte me të çka i tekej asaj, kurse vetë pushoi së ushtruari zanatin. Mjaft qemë robër të parasë! Mjaft punuam, kursyem, numëruam, rinumëruam, groposëm para, i paska thënë Lavdit, na ka lodhur beqaria si ty edhe mua, në këtë moshë që jemi, s’na ka mbetur edhe shumë jetë për të jetuar. Ja, edhe kursimet e mia, merri, t’i bëjmë rrush e kumbulla se s’kemi kujt t’ia lëmë. Kjo jetë “ndryshe” ishte ekstreme si ajo e para. Dhe, derisa po e ngiste veturën me shpejtësi...” “-Me atë veturën që e ka pas blerë në ankand”, - ndërhyri Bullafiqi. -“Jo, jo me këtë të renë”,- u përgjigj Ardi dhe po bëhej gati për t’i vazhduar llafet, kur krejt afër dëgjoi një qortim të pezmatuar të njërit me çehre të zymtë: - “Lëreni të ndjerin të qetë, bile tash, kur po e varrosim!”

Prend Buzhala: FREDREIK RRESHPJA, NË VEND TË HOMAZHIT NË 77-VJETORIN E LINDJES TË DËBUEMIT


Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe!
Si era e madhe, si zogjtë shtegtarë,
Endemi kaltërsive
Mes ujnave të hueja, pa shpi, pa shpresë, pa cak
(E megjithatë na thonë që vemi ndër shpijat tona)
Heu! Po atje s’na pret askush. Nuk kemi
As të gjallë, as të vdekun atje
Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe
Rrotullohen valët e detit. Pulëbardhat e vonueme
Si andrra të hueja, zbresin mbi direkë
Hesht nata e Mesdheut!
O! Po ku do të sosemi ne të mjerët pa atdhe?
Qytetet turke ja ku po duken larg
Askush s’na prêt atje;
Askush s’na njeh atje,
Vec në një gur të ftohtë, Ali Pasha që fle
Dhe na kujton plaku që s’jemi pa atdhe
Ne kemi qiellin tonë,
Dheun tonë,
Malet, kangët dhe të vdekunit tanë
Ani se zemrat tona mbetën gërmadhë
Dhe mes gërmadhave vete e vjen pikëllimi
Një ditë do të jenë tonat
Kasollet, përmendoret
Heronjt’ që anmiku na i ka rivra
Ne na dëbuen nga vatrat tona, po nuk na i marrin dot
As këngët, as të nesërmen
As të vdekurit tanë
O Ali Pasha!

(...)
"Nëpër portat e partive rrinë komunistët e djeshëm.
Më mësojnë mua kush është Marksi.
Nëpër emblema aty-këtu,
bronxi i thyer i Enverit shfaqet.
Komunistët e djeshëm,
me tituj të fituar në luftën e klasave,
më mësojnë mua ç’do të thotë disidencë
më mësojnë mua ç’janë prangat.”

DEKLARATË SHTYPI
Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,
Dhe më keni quajtur mua skandaloz
Për fjalën time të lirë.
Enveri lëshonte urdhër-vdekje
Por prangat m'i keni vënë ju
Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta
Dhe i varni si prangat nëpër mure
Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë
Kope hipokritësh servilë,
Unë muret dhe prangat ii pështyj,
unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.
****************
****************
(Frederik Rreshpja (i lindur në Shkodër më 19 korrik 1940 – 17 shkurt 2006)), nën regjimin komunist shqiptar, vuajti 17 vite burg politik. Më 1967 botoi librin e parë poetik „Rapsodi shqiptare“. Pasi doli nga burgu, botoj vëllimet “Erdhi ora të vdes përseri“ - 1994, „Lirika të zgjedhura“ - 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi“ që u botua në vitin 2004, i cili ia solli titullin –poet i vitit 2004. Poezi për të dëbuarit nga Kosova shkroi që në vitet '60. Më 1975 në Prishtinë u botua libri poetik "Enise, Enise" nga Ndёrmarrja gazetare, botuese e grafike “Rilindja”.