Friday, October 29, 2021

Kujtim STOJKU: NETËT E VJESHTËS

 

NJË KRITIKË PËR POEZINË


Më duket se i njëjti shi bie dhe degët janë të zemruara,

Dallgët e detit rrokullisen në gërmadha,

Më sipër në mënyrë t`kryqëzuar është shkruar,

Se ky det harkohet duke u endur sa në një vend në tjetrin,

E vazhdimisht rrënjos zakone,

Që janë përdorur në një mijë poezi më parë.


 Kurvë e infektuar, poezi e zgjebosur,

Tendesoje qesharake e neurozës,

Çmimin që paguajnë disa,

Për atë që s`dinë se pse jetojnë,

Poezi e ëmbël, e përjetshme dhe madhështore.

Ndoshta nuk është çasti i duhur,

Që aq shumë shpresuam në këtë shekull,

Se kjo epokë që e quajmë epoka jonë,

Që çuditërisht ajo do t`na linte kështu si qyqe,

Duke folur me veten…


NETËT E VJESHTËS


Mësa duket netët e vjeshtës,

Janë të gjata vetëm nga mendimet,

Sëbashku ne takoheshim rrallë

kur zbardhi agu i parë i mëngjesit,

Ne ikëm e lamë pa thënë gjithçka.

 

Këto netë m`duket se janë t`gjata,

Vetëm në vargje dhe në këngë,

Sepse sapo kishim filluar ta shihnim

 njëri - tjetrin në sy,

Kur agimi filloi të digjte qiellin,

Çuditërisht retë dukeshin si tym,

Shkëndijat nuk i shihte asnjë…


ATA FLASIN


…përshkak se realiteti sa vjen e gjithnjë zvoglohet,

Më në fund duke bërë shenja shqiptohet vetëm një fjalë,

Duken sikur nga gjumi sapo çohen,

E fillojnë e tregojnë ëndrrat që kanë parë.

 

Dikush buzëqesh duke rrëkëllyer një gotë,

Në mesditë shikon n`qiell se si kalojnë retë,

Lulet i sheh t`shqetësuara që kanë ulur kokën,

Ku çdo petale flet me rrokje me ngjyra dhe aromë,

Pranë një kopshti me gjuhë të pashtershme.


NGA DORA IME

 

Ajo,

Si një ëngjëll mori mollën nga dora ime,

Të cilën padyshim unë ja bëra dhuratë,

Por ajo që është më e bukra kuptohet dhe dihet,

Herë unë e herë ajo e kafshonim me radhë,

Ne të dy e shijuam përsëri mollën bashkë…


LIBRI IM

Më në fund jam duke e mbyllur librin tim,

Shikoj në mur se akrepat e orës lëvizin ngadalë,

Ata gjithnjë e hanë kohën pamëshirë,

Dhe as që pendohen se ajo ikën shumë larg.


KA NDODHUR

 

Ka ndodhur, prandaj po jua them dhe njëherë,

Se n`pranverën që lulëzon prej gëzimit,

Shpirti vrapon si i tërbuar,

Përzihet me erën e gjurmë askund nuk lenë.

 

Më pas për çudi thyhet menjëherë,

Këputet e bie mbi thembrat e veta t`gjakosura,

Se çfarë është lumturia s`e beson as vetë,

Dhe me të madhe fillon e leh…


NË KËTË VJESHTË


 Më quajtën të prishur nga mendët kur thashë,

Se kjo vjeshtë për çudi s`ishte si vjeshtët e tjera,

Ajo që pashë më nuk dua ta shoh,

Ndoshta fajin e kishte pranvera,

Kur pash se plakeshin retë dhe zogjtë.


QETËSI E RREME


Në vërën e nxhtë ku dielli si saç të djeg,

Ju ngjita përpjetë malit,

Frynte një fllad i lehtë.

Oh! Ç`qetësi,

Vetëm gjethet pëshpërisnin nëpër degë,

Por zëri i një gjinkalle,

Në shkam depërtonte shumë thellë.


RRUGA IME


Rruga ime kalon nëpër rërën që përmbytet,

Përmes guralecëve të zallit që rrjedh vazhdimisht,

Shiut të verës që bie mbi jetën time,

E jeta vrapon duke më ngacmuar,

Nga fillimi i saj deri në fund.


 Qetësia ime është në mjegullën që largohet,

Kur mund të pushoj në këto pragje që gjithmonë ndryshojnë,

Nën hijen e lisave nëpër zabele ku kënga e zogjëve dëgjohet,

Në majën e shkrepave ku skifterët ulen e pushojnë,

Duke jetuar në hapësirën e një dere që hapet e mbyllet,

Gërvima e menteshave të vjetra më duket si melodi kur i dëgjoj.


MIZA 


Midis hapsirës dhe meje,

Ndodhet një xham i zbrazët,

Një mizë mbi të ecën krejt serbes,

Poshtë barkut është e lidhur

me zorrët e saj të zeza,

Brirthat lidhen me krahët

Këmbët i përkulen deri tek goja

e cila në zbrastësirë thith më kot.

Një pjesë e coptuar e së kaltrës

Rrokulliset drejt së padukshmes,

Gremisen nën gishtin tim të madh të pafuqishëm,

Deti dhe qielli i qetë…


 BOSH

 

Unë nuk jam bosh,

Sepse mbaj një tufë lulesh me erë,

Që mbahet nga zemërimi i rrjetës së merimangës.


Përreth natyrës joreale,

Mbështillem nga vjedhje psherëtimash,

Frymë marr në fytyrën e hapsirës,

Ku gëlojnë në një kopësht,

Që lind një tokë të padukshme,

Ku trupi im mbushet me polen,

E ajo më mbulon deri në fyt.

 

Sepse kur marr frymë unë nuk jam bosh,

Por e kam një kopësht në mushkëritë e mia.

 

Kjo bukuri nuk shtiret të jetë e mermertë,

Ajo më shumë është një flutur që s`ka qenë kurrë një larvë,

Ndërsa ajo ecën, lotët e saj hijen e lëshojnë kundër gurëve,

Për të zhdukur një gropë,

Duhet të përshkruajmë se si larva del nga bërthama,

Bukuroshja që dëshiron të zvarritet,

Megjithëse e paaritshme.

 PAVDEKËSIA ROZË


Miku im i vjetër pesë vjeçar Anton,

Më mësoi që të shkel krimbat në shi,

Fytyra të mos kishin e kurrë të mos ua shoh,

Megjithëse ndonjëherë ata dukeshin se fytyra bebesh kishin.

 

Disa ishin të rrallë, por në fund u çliruan,

Këta me të vërtetë ishin me fat të madh,

Mendoja se ata akoma janë duke jetuar,

Këta janë rozë, dhe akoma njerëz pothuaj janë…


VENDNDODHJA E PESHKUT


Unë tashmë kam mësuar se si të shtegtoj shpirtërisht,

Me sy të mbyllur, me trupin tim t` lehtë tërhiqem drejt të tretit,

Kurora e kafkës sime hapet si lule dielli në mesditë,

Tmerrohem kur mendoj grepin, prej rrjetës dridhem unë i shkreti.

 

Unë tashmë kam mësuar si ta harkoj gjoksin si fizarmonikë,

Kryet e kthej prapa në pozicionin e peshkut,

Si në një aparat fotografik bota u kthye përmbys,

Kësaj i thonë diplomaci me të luajtur tepeleku.

 

Jam i vetdijshëm se gjithçka është e ndërvarur,

Jam gjysmë i zgjuar në këtë mënyrë,

Gjysmë në gjumë jam po ëndrra s`kam pasur,

Grepi dhe rrjeta m`i trembin, prej meje janë arratisë.

 

E pra, unë jam ai që po ua them të gjitha këto,

As i zgjuar dhe as në gjumë,

Si të bëjmë të shohim në t`njëjtën kohë,

Veten time e njoh mirë unë,

Të rrëshqas me lehtësi vetëm këtë shoh.

 

Ata që janë më kryesorët unë i njoh shumë mirë,

Kam mësuar ta zbraz shpirtin e të ngjaj me një pemë,

Unë ekzistoj brenda gjethes gjelbërt plotësisht,

Që të thith çdo gjë që është e mirë,

E të shfryj tërsisht të keqen që më ka zënë.

 

Kur qentë fillojnë e lehin,

Me zë vajtues duke ulërirë,

Unë me mundim qepallat i hap,

Për t`parë sa i thellë është gjumi im.

 

Zemra ime është në errësirë të plotë,

Me ankth të madh filloj e lexoj poezinë,

Gërmat me njëra - tjetrën nxitojnë t`bisedojnë,

E unë kam mësuar mirë të zhytem në thellësi,

I shoh sorrat kur fluturojnë,

Kur ia marrin këngës flasin për diplomaci…


MASË DISIPLINORE


Militanti i partisë,

I karfosur mbi të tjerë,

Kujtonte se yjet

vetëm prej tij lëshonin dritë,

Ulëriu si shtazë,

Me një zë të çjerrë

që ta dëgjonin të gjithë.

 

-Ti, - ju drejtua vartësit harbutërisht,

- Edhe këtë herë po të jap masë të rëndë,

Se po dole prej këtu nuk e sheh më këtë derë.

Ai pa iu dridh qerpiku e pa partiakun në sy,

Dhe me zë metalik i tha:

- E keni gabim zotëri, mos vallë sytë iu kanë lënë!

Si nuk e vutë re më parë,

Se stilolapsi im në errësirë nuk shkruan më…