Thursday, July 13, 2023

Kujtim STOJKU: Hakeri etik

( Nga libri në proces)

Pas gjysë ore, Ergys Stenja u bind se Bergimi për një kohë të gjatë kishte qenë me këmbë në varr. Të rejat e tjera ishin se, ai prandaj kishe këmbëngulur aq shumë të afrohej me të.

Pasi thithi edhe njëherë cigaren e fryu tymin mbi monitorin e labtopit. Iu shfaq tabloja e një klubi të bardhë, dhe atj iu duk se mbi tastierë u bë një grumbull i madh dhe më pas u përhap në të gjithë tavolinën.

Njohuritë e Ergysit në teknologjinë kompjuterike nuk ishin kushedi se çfarë, ishin ato njohuri bazë për përdorimin e tij.  Ai dinte ta ndizte e ta fikte kompjuterin duke përdorur tastierën, të ruante dokumentat, por nuk dinte se kur kompjuterin e sulmomin hakerat dhe hynin në skedarët e trurit të tij. Ishte e çuditshme se si Bergimi nuk shqetësohej që të mbrohej nga këto hakera duke vendosur një kod të ri.

- Dikush është budalla ose nuk është budalla, është budalla ose nuk është budalla, - murmëriti ai.

Por, e shihte se diçka nuk shkonte në kompjuterin e tij dhe kjo e shqetësonte. Dikush, kishte hyrë në kompjuterin e tij për të marrë informacione, por se si kishte ndodhur ai s`mund të thoshte asnjë fjalë.

Hakera me emra të ndryshëm në shumë lloj mënyrash kontaktojnë me ju dhe iu hakojnë. Ky lloj hakeri nuk është asgjë tjetër vetëm se një haker etik. Detyra e këtij hakeri është t`iu provojë se sa lehtë e ka të hyjë në llogarinë tuaj. Pra ai provon, dhe nëse s'ka ndonjë pengesë serioze, atëherë tenton të hyjë në sistemeni tuaj kompjuterik për të marrë informacionet që ruhen në trurin e tij.

Nëse një labtop e vendosim para hetuesit në zyrën e prokurorit, atëherë ai duhet të mendojë si kompjuteri. Do të kishim të njëjtën gjë nëse një oficer i sigurisë nga tavolina përmes monitorëve kontrollon sigurinë e tij. Është më se e saktë se sulmi i organizuar, kushdo që e sheh në monitor do të binte lehtë në mendime duke kaluar më pas në një depresion të thellë.

Bergimi, më vonë mbante llogaritë dhe dokumentacionin për të cilën edhe u pagua. Por sa u pagua, dhe të kujt ishin ato dokumenta nuk e dimë.

Përshembull, Valtid Brezhdani paguhej pesëqind mijë lekë në muaj, plus edhe dy qind të tjera që i merrte nga puna jashtë orarit bëheshin shtatëqind. Në dekleratë përmendej edhe hetues Lavdrimi i cili paguhej pesëqind euro në muaj, të gjitha këto i përmendëm me që ra fjala. Për shembull në maj të vitit që kaloi ai kishte marrë edhe një mijë euro në muaj për disa shërbime shtesë. Kolona e shërbimit ishte vetëm me shifra, që padyshim ishin kode e hajde ta merrje vesh se çfarë shërbimesh kishin qenë, por nuk ishte e vështirë t`i vërtetoje ato se ishin skedarë të një drejtorie tjetër. Bergimi për kohën që punoi aty, me atë humorin e hollë që e karakterizonte u bëri një përshkrim të hollësishëm shërbimeve të kësaj drejtorie duke e quajtur: “Camorra”.

Ergysi, i pa me vëmëndje përgjatë kolonës mbiemrat dhe pseudonimet. Doli se të shumtët ishin të afërm dhe ortakë të biznesit Be&CO. Ndoshta gërmat e para kapitale kishin të bënin me emrin e tij, ose me diçka tjetër. Kurse të tjerët ishin policë dhe prokurorë. Bergimi për të arritur në pozicionin që kishte si një nga oficerët e lartë të Ministrisë së Brendshme kishte ndjekur rrugën duke kaluar nëpër gjirizet e qytetit.

Nëse Bergimi kishte arritur si drejtues i lartë në tregun e zi të shërbimeve policore, ai fshehtësinë e mendonte të panevojshme. Natyrisht që ishte budallëk që të mbaje të fshehta kur vetë ishte i lidhur me biznesin. Këto tashmë ishin të provuara. Me të tilla prova të mbledhura kundrejt tij, edhe burgjet nuk du të kishin më frikë. Mirëpo ata nuk do ta kishin këtë luks që të shkonin në burg e të dilnin prej andej, sepse gjatë rrugës një nga një do të zhduknin njëri - tjetrin...



Monday, July 10, 2023

Përflakje mendimesh nga Prend BUZHALA


KODI I NDERIMIT DHE SERVILIZMI NDAJ TË HUAJIT

(Replikë me realitetin)
Nderimi ndaj të huajit është Kod i Nderit te shqiptarët. Të gjitha kombet mburren me këtë kod, porse ndër shqiptarë ai merr një vlerë të veçantë jetike, ekzistenciale e esenciale, duke i identifikuar aty të vërtetën, sinqeritetin, dhe, mbi të gjitha, atë që mund të quhet e mira e përbashkët dhe më e madhja, që nga antika aristoteliane te vepra e tij “Etika e Nikomahut".
1.
Se Kodi i nderit është rrënjosur thellë në jetën shqiptare, i gurëzuar ndër shekuj; se këtij kodi ai i ka kushtuar rëndësi e vëmendje të veçantë, dëshmon edhe "Kanuni i Lekë Dukagjinit", ku libri i tij i tetë quhet "Ndera". E kanë çmuar shumë edhe të huajt këtë kod, sidomos nderimin ndaj të jashtmit, të largëtit, siç është J. G. von Hahn (libri "Nëpër viset e Drinit" f. 129, Tiranë 2001). Shqiptarët janë të kujdesshëm ndaj të huajve, pa asnjë interes, sepse ky është kod i tyre etnik dhe etik.... deri e ajo thënia proverbiale kanunore, si personifikim për mikpritjen: “Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Shqiptari nuk është ksenofob, por as ksenofil. Mirëpo, ka ndër këta të huaj, që, kur shkruajnë për shqiptarët, duke e vërejtur se janë tejet të sjellshëm ndaj të tjerëve, ata janë grindavecë m të vetët, se bëjnë çmos kundër njëri-tjetrit, se e kanë në gjene për të mos shkuar mirë njëri me tjetrin (Clarisa de Waal: “Shqipëria pas rënies së komunizmit”, botuesi AIIS - Tirana Times, 2009, Tiranë).
2.
Ndryshe, nga ky kod, ka krejtësisht tjetër përmbajtje nderimi i politikanëve shqiptarë ndaj politikanëve të huaj, të cilët e bëjnë për interesa vetjake. Madje, te shqiptari, profilizohet në dy lloje politikanësh: refuzues dhe servilë. Politikanët kërkojnë besnikëri servile ndaj pushtetit, dhe traditat negative të servilizmit tashmë janë ngurosur ndër ne. Kësisoj, nderimi i biznesmenëve ndaj politikanëve e ndaj të huajve, për t'u bërë të pasur, merr karakter servil, dhe nuk e thonë vetë ata më kot, siç e thotë Epikuri i moçëm: "Në jetën tënde të lirë nuk mund të fitosh shumë pasuri, sepse kjo nuk është e lehtë të bëhet pa servilizëm ndaj turmave apo monarkëve."
Në fakt, është përpjekje e secilit prej nesh veç e veç, po edhe e tërë shoqërisë, në përgjithësi, që përpiqemi për të qenë njerëz të shkëlqyer, të mirë, njerëz të ndershëm. Janë edhe dy aspekte që ndërlidhen me këtë kod: a) raportet në mes atyre që kanë dhe të të varfërve” dhe b) a duhet të jesh i ndershëm vetëm për shkak të frikës për t’u përmbajtur nga veprimet kriminale apo të dënueshme, apo do ta përqafosh ndershmërinë për shkak të ndërgjegjes së formuar si njeri? Gjatë shekujve njeriu ka shfaqur prirjet e tij lakmitare, dhe, sigurisht, që edhe librat e shenjtë, edhe kanunet a ligjet kushtetuese, ndër shekuj, formulojnë kërkesa të rrepta, për ta frenuar këtë lakmi me anë sanksionesh dhe për ta formuar njeriun si personalitet i lirë e i ndërgjegjshëm. Nëse te jo pak libra të shenjët lexojmë versete frikësuese (siç është bjerrja e parajsës apo e xhenetit); Kanuni e shikon praktikën etike në kuadër të ndërgjegjes shoqërore. Ja si e formulon te nja dy paragrafë:
§.598. "Ndera e mârrun nuk shperblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht (permbas ndermjetsis së dashamirve të mirë).
§.599. I korituni kà deren çilë perkah ndera: peng s'shtron, pleq smêrr, gjygj slypë; giobë s'mêrr. Burri i fôrt mêrr gioben vetë.”
3.
Nënshtrimi përulës dhe nderimi si kod e modestia, dallojnë. Politikanët servilë nuk janë të besushëm, sepse janë të pabesë jo vetëm ndaj të vetit, po edhe ndaj të huajit.
Nuk është e habitshme pse, në situatat që mbizotërojnë në shoqëri të tilla, si kjo jona, të ketë sjellje ekstreme: servilizëm dhe refuzim, urrejtje ndaj të vegjëlve dhe revoltë tek ata që janë të shtypur, luks (i politikane dhe të pasurve) dhe varfëri, përulje deri në nënshtrim (tek të parët ndaj padronëve) dhe krenari të ligjshme, tek të dytët, krenari dhe ngathtësi ek të parët dhe gjallëri veprimi e krijim besimi tek të dytët, injorancë dhe besëtytni tek të parët dhe mendje e lirë dhe e hapur tek të dytët, fanatizëm e përhapje të armiqësisë dhe përçarjes, tek të parët dhe afrim, solidaritet njerëzor e përkushtim ndaj vlerave shoqërore tek të dytët, shpirti i korruptuar (tek të parët) dhe cipa e nderit tek të dytët. Qeveritë tilla servile e të korruptuara, dhe strukturat e brendshme i kanë të kalbura e pa dinjitet: ata i mban të bashkuar nj autoritet abuziv. I neveritur nga sjelljet e tilla, Shekspir klith te një vepër e tij: "O zuzarë, gjarpërinj, qenë, që fitoni aq lehtë për t'i bërë lajka çdo njeriu!"
4.
Ata që ndjekin shkallët e hierarkisë politike apo biznesore, nuk është e habitshme pse sillen aq butë e "me nderim" ndaj përgjegjësve të tyre dhe me arrogancë e tërbim ndaj vartësve të tyre. Këtë e kishte vërejtur Theodore Roosevelt, president amerikan: “Një politikan shpirtvogël, me kapacitet të ulët dhe në një mjedis të kalbëzuar, është krenar që vepron si një mjet servil ndaj njerëzve më të këqij se ai, por që janë më të fuqishëm e më të aftë se ai”.
Në kushtet e tilla, të djeshme e të sotme, ku servilizmi maskohet si nderim, nuk është e habitshme pse gënjeshtarët marrin poste drejtuese, pse ata çmohen më shumë ndaj të huajve të fuqishëm, me parime e pa parime, pse ata që duan ta ruajnë parimin dhe nderin, etiketohen me epitetet më të paprincipta e me tërbim të papërmbajtur nga ajo lagje e servilësh dhe gënjeshtarësh. Satiriku dhe humoristi anglez, Henri Fielding, kështu karakterizon situatën shtypëse të një hierarkie të mendësisë së tillë: “Ashtu siç është natyra e një dragoi të gllabërojë zogjtë e vegjël, ashtu është natyra e disa mendjeve që të shajnë dhe tiranizojnë njerëzit e vegjël; ky është mjeti që ata përdorin për të shpërblyer veten për servilizmin e tyre ekstrem dhe përbuzjen ndaj eprorëve të tyre; sepse asgjë nuk mund të jetë më e arsyeshme sesa që skllevërit dhe lajkatarët duhet të vendosin të njëjtat taksa për të gjithë ata që janë poshtë tyre, e, nga ana tjetër, ata vetë ua paguajnë të gjithë atyre që janë mbi ta.”
Për të parët, servilët, nuk vlen etika e fortë. Servilizmi shfaqet në trajta të ndryshme (bindje deri në adhurim të verbër, shërbim me përulje ndaj padronit e jo ndaj popullit), dhe, sjellja e tillë shoqërore, gjithmonë prodhon autokraci. Autokracia nuk ushtron format demokratike të ndërgj4egjes vepruese, por format e edukimit të stërkequr të përuljes, të cilat prodhojnë, madje, banda kriminale, turma të dëshpëruarish që jepen pas sjelljeve asociale, alkoolizmit, drogës etj. Qëllimi kryesor i një regjimi të tillë, është sundimi me format më perfide mbi turmat, për t'i zhveshur nga nder, për t'i shtyrë ata që të mos mendojnë për politikat e padrejta, por për gjëra triviale të turbullirave të ndërgjegjes.
Ende fjala servilizëm i ruan rrënjët nga etimologjia e saj (nga latinishtja: skllav, nënshtrim pa asnjë dinjitet e pa krenari). Mu ashtu si e përkufizon edhe Fjalori i shqipes:
“Njeri pa karakter që u përulet orë e çast e u bën lajka më të fuqishmëve për t'u hyrë në qejf e për të pasur përfitime vetjake; puthador.”
Për fat, në jetën tonë të përditshme, në atë shoqërore dhe politike, i njohim ata që kanë dinjitet, kod të fortë të nderit dhe sjelljes shembullore e me edukatë.
(9 korrik 2023)



LUTJE KUNDËR KOHËS SË LIGË

(Poezi e përshpirtshme), 1
Zot, si na e mundojnë këtë kohë
ëndrrat e liga,
mbetet pa ndjesi,
i zihet fryma.
Koha përpiqet të bërtasë të madhe,
por zëri i mungon.
Këtë kohë e sulmon shpirti i lig
për ta përmbysur për tokë.
Frymë çmendurie
e fut jetën në një rreth të hekurt.
Kjo kohë i humb fëmijët e vet,
si perënditë antike i ha foshnjat që i lind.
Dhe pret Lavdinë Tënde
kur të shfaqet
me një kurorë drite.
O Hyj i Tejetlartë,
mallkoji këta demonë ëndrrash të liga,
ti e ke dashurinë të pafund,
për ta derdhur zemërimin tënd
mbi ligësinë,
le të na shfaqet ai vegim prej shpirtdielli.
Bëj që e keqja të mos ketë pushtet
mbi linjën tonë të gjakut,
të shembet ajo Besëlidhje e të Keqes,
le të na bësh aradhe engjëjsh
për të na dërguar drejt Besëlidhjes së Dritës.
Shpalle këtë çast kundër kolonave të dështimit.
Shpalle këtë kohë, të lirë nga zinxhirtë e skllavërisë.
Amen!
(8 korrik 2023)


KANUNET TRIBALE TË LËÇITJES NDËRKOMBËTARE

(Replikë me realitetin, ose propaganda gebelsiane kundër Kosovës)
Të gjithë flasin për (sh)tensionimin e gjendjes në Kosovë, më saktësisht, në Veriun e Kosovës.
Janë vënë në veprim: Bashkësia Ndërkombëtare (BE, SHBA) me emisarët e tyre specialë; ekipet negociatore, qeveritë e Serbisë e të Kosovës, dhe, natyrisht, edhe ajo e Shqipërisë.
Secili në mënyrën e vet. Aty janë Eulex, KFOR, përtej, në Serbi, ushtria në gjendje gatishmërie dhe xhandarët serbë. Mandej shfaqet një kamion me armë që e zë policia e Kosovës, vijnë lajmet për autoambulanca me armë serbe për t’i vendosur nëpër republikat kishtare serbe nëpër “Kosovo i Mtohija”: për ta mbrojtur popullin “e rrezikuar serb”.
Vepron, pra, edhe policia e Kosovës. por ndërkombëtarët nuk duan ligj modern për t’i ndjekur kriminelët, se dënimi i tyre “është masë e njëanshme”! Nuk do as kryeministri shqiptar, duke u përtallur edhe me një figurë legjendare nga historia shqiptare, siç është Oso Kuka. Atëherë, pse kaq shumë frikë nga një njeri i vetëm pa armë e pa municion, siç qenka ai “Oso Kukë” i rrethuar me KFOR, polici e banda serbe?!
1.
Duket sikur të gjithë këta duan të angazhohen për ta stabilizuar situatën (siç thuhej dikur), por, në të vërtetë, po i ndezin fitilat dhe më shumë.
Edhe ky (sh) tensionim i ka kanunet e veta, në daç primitive në daç moderne.
Përse, ç ‘hyn Kanuni këtu, mund të pyesë dikush.
E, po, kryeministri shqiptar na e kujtoi.
Madje, na e kujtoi Kanunin e Lëçitjes: izolimin nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Veç sa nuk e tha se Kosova jeton në bazë të Kanunit, d.m.th., në bazë të ligjeve primitive, sepse shqiptarët e Kosovës nuk dinë të bëjnë shtet, prandaj duhet t’i sundojë dikush tjetër: nuk ka rëndësi në është ai serb, apo “bashkësi ndërkombëtare...”, veç jo “kosovarët”. E kemi dëgjuar këtë propagandë për një shekull rresht nga Serbia: shqiptarët janë “njerëz me bisht” e ata duhet “t’i qytetërojë Serbia”!
2.
Bashkësia Ndërkombëtare e vuri në zbatim Kanunin primitiv të sanksioneve ndaj Kosovës: ose bëni si të themi ne, ose do të dënoheni! Në komenet telvizive dëgjohen edhe kjo fjali apokaliptike: “Ose bëni çka thotë Armerika, ose do të zhdukeni nga harta e dheut”!
Dhe, “natyrisht”, erdhën dënimet e para të një Bashkësie tribale që shitet si Bashkësi Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Serbinë dhe Shqipërinë. Që ky Kanun të jetë “më efikas”, edhe kryeministri shqiptar zbatoi sanksionet lëçitëse: jo mbledhje me qeverinë e Kosovës. U lëçit vëllau “i vogël”.
E, po, në izolim lëçitës primitiv evropian, po jetojmë që prej pas luftës.
Madje, vetë SHBA kanë këso sanksionesh edhe më drastike: me sa jam në dijeni, ata nuk i njohin bankat e Kosovës atje! Edhe epoka digjitale e “internetit botëror”, për t’i kënaqur apetitet e Serbisë, Kosovën e qytetet e saj i shënon si “hapësirë serbe” a në daç si “botë serbe”! Vetë Bashkësia Ndërkombëtare po i fryn këtij zjarri linçues e lëçitës primitiv: e si u dashka Kosova të jetë e barabartë me botën?!
Ruana Zot!
3.
A nuk ishte kështu edhe gjatë viteve '80, pas demonstratave shqiptare të vitit 1981? Gjeneratave të vjetra do t'iu kujtohet ajo propagandë histerike e tipit gebelsian për shpifjet më monstruoze për dhunime, thyerje varrezash, frikësime nga shqiptarët (apo “šiptari”, siç thonë me një emërtim pezhorativ serbët). Këtë propagandë e bënin në emër të “komunizmit internacionalist”, si vazhdimësi e çubriloviqëve të Mbretit Aleksandër. Gjatë atyre viteve i frikësonin serbët edhe më shumë me anë të shpërnguljes ”së dhunshme” nga “terroristët shqiptarë”. I frikësonte vetë Serbia serbët se “Kosovo i Metohija është ferr”: ose shpërnguluni e, nëse doni të jetoni aty, duhet t’i merrni armët apo të vendosni pushtetin e plotë mbi sh(q)i(f)ptarët. Dhe jo pak ndër këta serbë, të frikësuar nga ajo propagandë e gënjeshtërt në ato vite (e dinin se e tëra ishte rrenë), po josheshin të jetonin më mirë në Serbinë shumëfish më të zhvilluar. "Srpska kolevka" ("djepi serb") i Kosovës nuk i tërhiqte më. E vërteta ishte se përndiqeshin me burgje shqiptarët, që dënoheshin deri në 15 vite për "veprimtari armiqësore"; dhuna e përndjekjeve ishte ngritur në sistem, shumë të rinj iknin në perëndim, për të kërkuar azil politik. Ishin mbi 35 mijë shqiptarë burgjeve pse donin Kosovën Republikë.
Edhe sot, në kushte e rrethana krejt tjera, Beogradi e bën këtë propagandë për "djepin serb". Por ja që "djepi serb" i thikave në Beograd nuk kërkon qetësinë, por ripërtëritjen e dhunës gjenocidale. Propaganda e tillë jo vetëm që nuk i josh serbët të jetojnë në Kosovë, por sikur iu thotë atyre: ikni nga ky ferr i quajtur Kosovo. Ç ‘kërkoni edhe ju të tjerët që jetoni në këtë ferr të quajtur Kosovo? Nëse doni të jetoni, atëherë duhet me luftë, sepse nuk ju lënë të qetë “šiftarët”!
Serbia nuk ka hequr dorë nga shprehitë e vjetra. As nga propaganda gebelsiane e vjetër. Nuk duan ta bëjnë tërheqëse Kosovën për të jetuar në të: përpos serbëve, as vetë bashkësia ndërkombëtare, as Shqipëria, dhe as disa qarqe opozitare brenda Kosovës. As disa fenomene çoroditëse shoqërore brenda nesh, me frymëzim nga orienti...
4.
Po i lëmë të qetë serbët, por po ndalojmë te një propagandë enkas e mediave nga Shqipëria gjatë këtyre ditëve; duke filluar që nga kryeministri shqiptar që flet për Kanun. Dhe, priti ti, jo pak televizione, që, me histeri tipike sllave, me sojsorollopësh opinionistë e pseudo-opinionistë, të shprehen si të ishin në Beograd: kosovarët janë primitivë, kryeministrin e kanë primitiv, ende ata jetojnë me ligje primitive të Kanunit. Madje, hiq më larg se dje (7 korrik), tërë ditën televizionet shqiptare alarmuan: hakmarrja e Kurtit po bie mbi kamionët shqiptarë që po kontrollohen në kufi! Hakmarrja, me demek, një relikt kanunor, (ani se në Kanun nuk ka hakmarrje, por “gjakmarrje” dhe Kosova këtë e la në koshin e historisë më 1990 me Lëvizjen civilizuese të pajtimit të Gjaqeve për t’i treguar edhe botës: se është për paqe e civilizim e jo për gjak).
Mirëpo, tribalizmin politik e do edhe Bashkësia Ndërkombëtare, madje e do edhe qeveria shqiptare me draftet e veta lëçitëse. Vetë kërkesa për asociacion përbën një tribalizëm politik më vete; nëse tribalizmi politik sot nënkupton burimet e fenomenit (sipas enciklopedive botërore) si “gjendje e organizimit nga fiset ose stilet e jetesës fisnore ose mbrojtja e tyre... Me një konotacion negativ dhe në një kontekst politik, tribalizmi mund të nënkuptojë gjithashtu sjellje ose qëndrime diskriminuese ndaj grupeve jashtë, bazuar në besnikërinë brenda grupit, sipas gjakut, truallit etj... Ontologjikisht, tribalizmi është i orientuar rreth valencave të analogjisë, gjenealogjisë dhe mitologjisë. Kjo do të thotë se fiset zakonore kanë bazat e tyre shoqërore në disa variacione të këtyre orientimeve fisnore”; atëherë këtë gjendje tribale nuk po e kërkon Kosova, por të tjerët po e kërkojnë këtë tribalizim të serbëve nga Kosova dhe izolim nga vetë qytetërimi serb e nga ai botëror. Askush me asnjë germë nuk u ka mohuar serbëve në Kosovë asnjë të drejtë; madje më shumë të drejta këta serbë gëzojnë në Kosovë se sa në vetë Serbinë!
5.
E, kanunet lëçitëse ndërkombëtare, së bashku me ato serbe, po dhe të vetë disa qarqeve të Shqipërisë, thonë: jo, serbët qenkan “të shtypur”, sepse nuk po u lejuakan ta marrin gjysmën e Kosovës me vete, siç propagandonte dikur më 1968 Dobrica Qosiq: se shqiptarët e serbët nuk mund të jetojnë bashkë; prandaj duhet ndarë Kosovën përgjysmë me Shqipërinë!!! Dhe siç propagandojnë edhe këto ditë në Beograd! Përgjysmë, sepse Serbia nuk mund të jetojë pa mitin serb mbi Kosovën e pa “djepin serb”. Në emër të këtij djepi ndodhën shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi, ndodhën gjenocidet që s’kishin fund... në formën e spastrimit etnik.
Dhe, merre me mend, Bashkësia Ndërkombëtar me Shqipërinë “mëmë” i fryjnë këtij miri me draftet lëçitëse tribaliste të kanuneve primitive, duke e prezantuar gjendjen sa më alarmuese, sa më apokaliptike: ikni nga Kosova. Shih, përpos serbëve, me shumicë ikin sidomos të rinjtë shqiptarë, sepse “në Kosovë nuk jetohet”. Në Kosovën “primitive”! Këtë pamje të errët apokaliptike të Kosovës e përshkruajnë të gjithë, edhe opozita jonë: n Kosovë nuk jetohet, ikni jashtë!
E si u rregulluaka gjendja në Kosovë? Me ligjet tribaliste të lëçitjeve (sanksioneve)?
Përse u dashka të ringjallen fantazmat mitike që kanë lëndën e gjenocidit në lëvozhgën e vet?!
Nëse duan të dinë se ç’ është lëçitja shqiptar, atëherë le ta lexojnë Kanunin, pra!
Lëçitjet ndodhën, pra, nuk dihet se ku e kanë fundin!
(8 korrik 2023)

PAK SHKRONJA SHQIP PËR SHQIPONJËN

(Parafrazë lirike gege)
Shqiponja fluturon në qiell,
po çerdhen e bán në tokë.
Ajo i ka dy folé: nji në Qiell e nji në Dhé.
Nji Atdhe në Mbretninë e Kaltër,
nji tjetër që quhet Mëmëdhe.
Nji Shqipni e krijon nëpër dhé e nji nëpër rruzullim.
Nji nëpër kohna të moçme e nji për amshim.:
Vetëm Epokat i dinë, e, e mbajnë në mênd lashtësinë e saj.
E gjeni në shoqni me shêjtën e me luftarë.
Rueju guximit të saj kur fluturon nalt mbi ré.
Rueju shpejtësisë së saj prej rrféje e réje.
Rueju këtij Mbreti të Qiellit.
Dy krena i ka, si dyfishim fuqie e force,
për me u êndë në dy botna,
me hy në nji botë e me dalë në tjetrën,
te të gjallët e te të dekunit
dhe i drejton shpirtnat në tjetër përmasë përjetësie.
Askush si ajo nuk mundet me u grindë
e me u tallë me kohën,
Ajo e ka edhe nji fluturim final
mbi humnera motesh e mbi hije dielli.
(Ripublikim)


PAK FJALË PËR LIRINË
(Çast lirik)
Liria nuk qenka mall tregu
paguhet me monedha e lot gjaku.
Ja, vjen një vashë me pishtarin e historisë në dorë,
ndërton urën më të gjatë në botë
nëpër ajër, shpirtra e kombe.
Vjen një shqiponjë nga qielli
për t'u shoqëruar me atë vashë
e, ajo, nga thellësitë e gjirit
e zbërthen një rrufe të ngujuar nëpër shekuj.
Epokat mbyten në ëndërrim
dikur zgjohen në një agim
e gjejnë çelësin e heqjes së zinxhirëve në këmbë
E tha I Tejet-lashti:
aty ku është shpirti i Zotit, aty është liria.
Skllavëruesit modernë
hartojnë një pako-kushtetutë
me zinxhirë të fshehur nëpër nene
E, mandej, dalin edhe guximtarët,
i zbulojnë lajthitjet që i bën liria e mashtruar.
Mos u matni me lirinë e Kosovës.
Është si ajo liria e Fjalës së Fundit
e dëshmorit që po jepte jetën për të, kur tha:
po e mbështjelli krejt Atdheun
me madhësinë e zemrës sime.


PAK VARGJE KOSOVE

(Çast lirik)
Kosovë, nga ti ikin vetëm armiqtë,
kushedi pse i verbon bukuria jote.
Edhe kur të shajnë a sulmojnë,
sofra është gjithmonë aty, për miqtë
si tabernakull i Hyjit.
Tragjeditë tua janë të pakapshme
për librat e botës.
Provojnë ta matin trimërinë tënde, guximin tënd,
e ajo masë nuk gjendet askund në këtë planetë,
mund ta gjejnë vetëm në përmasat e zemrave.
Po të mos ishe ti, e tillë,
Litari do të zgjatej mbi qafën e lirisë së kombeve.
(3 korrik 2023)

NJERIU I PAFUQISHËM, III
(Kundrime eseistike)
Mund ta përfytyrojmë njeriun në vorbullat e luftës, duke qëndruar diku anash, i fshehur, duke i shikuar fëmijët a anëtarët familjes para pushkatimit dhe ai s’ka asgjë në dorë që t’i ndihmojë. Thjesht, ai është i pafuqishëm për të ndërmarrë çka do qoftë, përveçse të sakrifikohet edhe vet, për t’u rreshtuar me të pushkatuarit. Janë çastet më të padurueshme të jetës. Fjalët nuk kanë asnjë fuqi. S lutjet drejtuar Hyjit suprem. Sepse edhe ai pushkatohet së bashku me të pafajshmit dhe të pafuqishmit. Pranë e ka një nip të vogël. I mbulon fytyrën të mos e shohë tmerrin.
Dëshmitari i fshehur, vetëm mund të pëshpëritë në aso çastesh: Më fal, O Zot, se jam i pafuqishëm! Më falni, o ju të dashurit e mi, se jam njeriu më i pafuqishëm në botë!
Dhe mund t’i mbyll sytë me duar, ose ta ulë kokën të mos e shohë plojën. S’ka as fuqi të dorëzohet. Me atë pikëllim të pamatshëm ai vazhdon tutje.
Vjen liria. Dhe ai vetëm lule mund të dërgojë te varret e tyre. T’i përkujtojë së bashku me nipin e tij që ka lëshuar shtat e me miq a me popullin e tij. Është përsëri në dilemë: si të jetojë me këtë traumë të dëshmisë së tij? Përsëri jeta e individit vihet në zgrip. Një zë i brendshëm i thotë: jeto për hir të atyre që kanë rënë! Kjo është e mundshme. Jeto që masakrat tilla të mos përsëriten. Jeto për hir të jetës së atyre që e jetuan deri në ato çaste. Përsëri fjalët, edhe në pasluftë, edhe në liri, mungojnë. Janë të pafuqishme, mu ashtu siç janë të pafuqishme edhe urtësia, psikologjia terapeutike apo çfarëdo dije tjetër.
Nipi i ka kryer studimet me sukses, ka ikur në botën e jashtme. Natyrisht, me bekimin e gjyshit.
“Përse të jetoj”, mund të dëgjohet zëri i tij i brendshëm.
Janë edhe rrethanat e rënduara sociale. E keqja e pasluftës shumëfishohet, ulet këmbëkryq në shtëpi, në oborr, në rrugë, në sheshe, nëpër institucione.
Ec e bëj diçka tani?!
E çka?
Më mirë hiq dorë nga gjithçka?!
Gjithçka është e padobishme, pa asnjë përfundim të mirë. Gjërat nuk po ndryshojnë.
Përse u dashka të përpiqem, do të thoshte përsëri ky i zhgënjyer. F. Scott Fitzgerald do të thoshte: “Momenti më i vetmuar në jetën e dikujt është kur ata shikojnë se e gjithë bota e tij po shkatërrohet, dhe gjithçka që mund të bëjnë është të shikojnë bosh.”
S’je ti që i ndryshon rrethanat, as të keqen, as shpërnguljen ti nuk do ta ndalësh dot.
Lëre këtë punë krejt!
Mbylli në vetminë tënde.
E si të ndërtosh në epokën e zhgënjimit dhe pikëllimit të pafund?
E çka të bëjë njeriu i pafuqishëm?
E kaplojnë edhe frustrimi, dhe të gjitha përpiqet, së paku, t’i mënjanojë me lutje, me punën në kopsht, me ndonjë bisedë me miqtë e dikurshëm. Edhe ata po rrallohen. Shumica kanë shkuar në përjetësi.
Ia nis diçka të vërë në vijë dhe përsëri gjithçka e merr teposhtëzen. Përsëri nga fillimi, si puna mbi gërmadhat e pasluftës. Gjithçka nga fillimi, përsëri! Si ndlrti mi biblik i shtëpisë mbi shkëmbinj: të qëndrojë e fortë përballë furtunave të reja.
Ia nis diçka të vërë në vijë dhe përsëri gjithçka e merr teposhtëzen. Përsëri nga fillimi, si puna mbi gërmadhat e pasluftës. Gjithçka nga fillimi, përsëri! Si ndërtimi biblik i shtëpisë mbi shkëmbinj: të qëndrojë e fortë përballë furtunave të reja.
(Ripublikim, 1 prill 2023)


Sunday, July 9, 2023

Fehmi AJVAZI: “TRADHËTIA E SHUMËFISHTË”



Botohet libri i autorit Fehmi Ajvazi (ish gazetar, politolog dhe shkrimtar), me titull: “TRADHËTIA E SHUMËFISHTË” (Dosja Haki L & Kapllan R). Në përmbajtjen e këtij libri në volum prej 312 faqesh, ndër të tjera mund të lexoni: Kush ishte “shkrimtari i shpifur jugosllav” Kapllan Resulbegoviqi ? Si u kamuflua (nga një figurë kontradiktore për nga prejardhja, formësimi ideologjik dhe arsimor), në një figurë me mbulesën e “shkrimtarit shqiptarë” e që në të vërtetë, s’dinte të shkruante shqip ? Si u kamuflua pastaj, edhe në një “aktivist politik” që thoshte se, po luftonte për kauzën e drejtë të Kosovës dhe, dhe të shqiptarëve ? Si u përgatitë Kapllani në cilësinë e agjentit ushtarak të vepronte në fushat kulturo-arsimore, kur dhe pse Kapllani kaloi nga Beogradi, në Shkup? Cila është ana e errët e Kapllanit mes viteve: 1956-2022: Si e aktroi lojën e “patriotit shqiptarë”, Kapllan Resulbegoviqi në Shkup? Kush ishte Xhevdet Resulbegoviqi - kolonel i KOS-it i cili, shërbente në kazermën ushtarake të APJ-së në Shkup ? Kur Kapllani u vendos në Shkup më 1956 pse sektori i UDB-së federale në Shkup, ia hapi Kapllanit “dy dosje” si armik i Jugosllavisë”? Në kontekst, pastaj, qysh veproi Kapllan Resuli (me katër mbiemra) dhe si e kaloi: gjysmën e jetës e jetoi “si shqiptar” i kamufluar, dhe gjysmën tjetër si “serbo- malazez” i lindur ? Ç’bëri Kapllani kur kaloi në Shkup, me se u mor, ku punoi si mësues, me kënd u martua – nëse ishte martuar fare, pse u burgos në vitin 1959? Si e aktroi “rolin e patriotit të madh shqiptarë” në burgun e Idrizovës ? Kur kaloi ilegalisht në Shqipëri...? Ç’bëri Kapllani kur kaloi në Shqipëri, dhe si e aktroi rolin e “shkrimtarit” në kampin e Çermës në cilësinë e “agjentit të fjetur” ? Cila është historia e një romani që u botua nën emrin dhe mbiemrin e tij, më 1965? Si përfundoi romani me titull “Tradhëtia” ( një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe me motiv politik dhe historik) nën autorësinë e Kapllanit? Mbasi që u botua ky roman në Tiranë, ç’farë ndodhi në Prishtinë gjashtë muaj pas botimit të romanit ? Kush ishte profesori dhe intelektuali i jashtëzakonshëm Haki Limani nga Tërnava e Preshevës, i cili u aksidentua për vdekje më 26 dhjetor të vitit 1965? Pse u aksidentua për vdekje Hakiu nga dy civil serbë, e që nuk ishin civil...? Cili ishte rrjeti agjenturorë që e likuidoi Hakiun ? Pse e likuidoi shërbimi i fshehtë ushtarak KOS (në bashkëpunim me UDB-në) profesorin e letërsisë dhe të gjuhës shqipe Haki Limanin? Çka fshihej pas eliminimit të Hakiut, vdekja e të cilit zyrtarisht u përkufizua s’i “aksident” komunikacioni? A shkruante Haki Limani? Apo, cila është e vërteta (historia) e autorësisë së romanit “Tradhëtia”? Ku, dhe në bashkëpunim me kënd Haki Limani e përgatiti “dorëshkrimin”? Si i grumbulloi të dhënat, faktet, dëshmitë dhe kështu, cila është tematika, përmbajtja, narracioni i këtij romani...? S’i ra në lajthitje Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, në të vërtetë Komiteti Qendror i PPSHsë në relacion me botimin e romanit, ndonëse sjelljet dhe propaganda që zhvillonte Kapllani aso kohe në Shqipëri, logjikisht shkaktonte dilema dhe dyshime publike lidhur me personalitetin e tij...? Pas botimit të romanit ( 1965), si e shfrytëzoi Kapllan Resulbegoviqi “famën” që i solli romani ? Pse iu shtuan romanit në botimin e dytë (1967) me institimin e Kapllanit edhe 133 faqe ? Ku u përgatitë, si u plotësua, dhe si u redaktua më tej përmbajtja e romanit të botimit të dytë ? Pse me urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së, botimi i dytë i romanit u shtyp në 20 000 kopje: “5000” kopje ( ekskluzivisht), u destinuan që të futeshin ilegalisht në mesin e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera në Jugosllavi ? Pas botimit të dytë të romanit më 1967, Kapllani u bë një nga shkrimtarët më të njohur në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë në mesin e shqiptarëve: Si dhe, pse kaloi Kapllani nga roli i “agjentit të fjetur”, në rolin e “agjentit aktiv”? Ç’farë bëri Kapllani pastaj në rolin e agjentit aktiv, dhe a e kishte krijuar një rrjet të fshehtë subverziv të bashkëpunëtorëve Kapllani në Tiranë ? Pse e shkroi “Programin dhe Statutin e Frontit Nacional - Çlirimtar të Kosovës” që, kishte për qëllim organizimin e një kryengritje në vitet e 70-ta në Kosovë ? Si u përgatitë dhe si e bëri planin ( me kend) Kapllani për tu arratisur nga Shqipëria dhe për t’u kthyer në Jugosllavi? Kur u arrestua Kapllani, dhe pse u arrestua ? Cila është “përmbajtja e letrës” që përgjatë burgut hetues, në të vërtetë, para se të fillonte gjykimi i tij, Kapllani ia drejtoi Enver Hoxhës? Me sa vite burg u dënua Kapllan Resulbegoviqi ? Si u shndërrua Kapllani në një “figurë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare”, dhe cili ishte presioni politik dhe mediatik për lirimin e Kapllanit nga burgu ? Cili ishte “Kapllani i vërtetë” pasi doli nga burgu i Burrelit në vitin 1990? Si u shndërrua Kapllani në një “mandelë” shqiptarë, ndërsa që ai, thjeshtë, ishte një agjent sekret i zbulimit ushtarak jugosllav? Pse Kapllani u largua nga Shqipëria pasi që doli nga burgu dhe zgjodhi Zvicrën, në të vërtetë Gjenevën ku, edhe mori azil politik ? Pse Kapllani u kthye në Shkup – Çegran në vitin 1993 ? Pse erdhi në Prishtinë, dhe me kënd u takua? Ku shkoi pastaj, dhe ku u deklarua publikisht se “nuk ishte shqiptarë por një serbo-malazias”...? Cila ishte jeta private e Kapllanit dhe cila jeta publike mbasi që Kapllani në vjeshtë të vitit 1993, deklaroi hapur në Ulqin, pastaj edhe në një intervistë në gazetën “Pobjeda” të Podgoricës se, ai thjeshtë nuk ishte një shqiptarë, veçse një serbo-malazias? Ç’farë emra serb u la djalit dhe vajzës së tij: “Arbanit dhe Arbanës” ? Si i përçau e hasmoi mes vete shqiptarët Kapllani ? Si i manipuloi rrethet kulturo-latare për dekada me radhë: në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë ? Çka tha, çka shkroi, çka botoi kundër shqiptarëve Kapllani për mbi 30 vite pas daljes së tij nga burgu i Burrelit ? Ndër të tjera, çfarë libra shkroi Kapllani në serbisht dhe, ku i botoi ? Si e ka mohuar Kapllani kombin shqiptarë në shkrimet e tij, dhe cilat janë “tezat” e tij mohuese ? Cila është teza e tij më e rrezikshmja e derisotme nga të gjithë ideologët dhe pinjollët e nacionalizmit dhe hegjemonizmit serbomadh...? Çka do të thotë teza e tij ”Diaspora”, e që është teza e fundit me pikëpamje raciste, asimiluese dhe shpërbërëse e kombit shqiptarë nga doktrina hegjemoniste dhe ekspansioniste serbomadhe ? A, është sot duke u zbatuar në terren kjo “tezë”, kuptohet, krahas tezave të mëparshme, si: mohimi, dëbimi, konvertimi, fetarizimi, asimilimi etj. ? Si e shkatërroi Kapllani përmbajtjen e romanit “Tradhëtia” (pahetueshëm) pas vitit 1999 ? Kur vdiq dhe, a vdiq Kapllani si serb? Kush e organizoi ceremoninë mortore, dhe ku u varros Kapllani...? Në krejt këtë histori, pse figura e Haki Limanit është e madhe, e pazëvendësueshme, pavarësisht fatit të tij tragjik? Pse duhet t’i merret autorësia e romanit “Tradhëtia” Kapllani Resulbegoviqit (Buroviqit), dhe t’i kthehet Haki Limanit...?