Monday, June 12, 2023

Arif MOLLIQI: N`ATË TETOVË PO THËRRET TELALLI

(Fragment nga libri satirik “Kreshnikët e Boksh Barutit”, botoi ShB “Beqir Musliu”, Gjilan,
2023)


N´atë Tetovë po thërret telalli
ngrihuni djem se u hap pazari
ngrihuni djem se shkoi trimnia,
deputet janë ba dhe fëmija.
Shkoj trimnia n´haxhillëk,
Parlamenti me deputet.
N´Gostivar e në Kërçovë,
Dibër Shkup e n´Tetovë,
n´kafehane dhe xhamia
politikë bajnë edhe fëmija.
N´politikë kush po na prinë?
xha Abazi si vetëtimë,
n´Kapital ka dhanë betim:
Pasha Xhaxhin, e n´krye të Stalinit,
Mao Ce Dunin... e latinin,
për të gjallë s’e ndërroj drejtimin.
S´jap dorëzim pa hangër bar
kështu me mësoi nëna e parë.
Kështu e mësoj Nënë Parti,
mos m´u prish as më kojshi.
Fjalët e saj kur i harroj
vjen ky Tosi m`i kujton,
vjen ky Tosi vjen Hysni-a...
ma kujtojnë çka ashte burrnia;
se n´Tetovë ka ardhë liria
me bordel e me sharkia.

***

Kush na vjen pas kësaj trimnisë,
Mendi trimi, fika e shtëpisë.
Për biznes e njeh Tetova,
pak ma larg edhe Kosova.
E njeh greku, e njeh bullgari,
shkau e romi dhe maxhari...
Se çka hynte brenda n´doganë
ai gjithmonë jepte imzanë.
Se çka flet nëpër mbledhi,
n´konferenca e medie,
nëpër kafe e n´qeveri...,
ia shkruan Xhafa me kalem të ti,
ia shkruan Xhafa me lezet,
gjysma e popullit s´e merre vesh...

****

Për këta trima ju dëftova,
Rrahman abejin nuk e harrova.
E di vetë, kujtoj zotnia
se sa e rëndë është atdhedashuria...
Ndoshta vetë e di Rrahmani
sa vështirë është punë vatani
me Georgevskin e Aleksandrin.
Ky Rrahmani n´parlament,
i kap punët me siklet
më të gjithë na lidh ujdi:
-Rroftë Tetova, qeveria,
rroftë bullgari, rroftë Turqia
na rroftë serbi, Maqedonia...













( “Ngucakeqi”, 2000 dhe, “Java Shqiptare”, 2001) 

Sunday, June 4, 2023

Prend BUZHALA: KUVÊNDI


(Parafrazë lirike gege)

Si âsht vêndi bahet kuvendi.
Me pleqnue punë me mênd.
Pleq thirren edhe burrat ma në zâ për urti.
Fjalën tande e thue në Kuvênd si të ka hije,
për mbasardhësit tu,
Si Zot i Vendit tand. Si në Mbledhjen ma të Shejtë,
Si në Kuvêndin ma Madhështor. Si në Festën e Zotit.
Ke përlimjen tande, tagrin tand e zânin tand aty.
E ke ti edhe amanetin tand:
si me rritë djem trima e kuvendarë.
Si me u bâ burrë i Fjalës, si me e pre fjalën në atë log.
Si me i dalë zot familjes, drejtësisë,
Si me punue për të mirën e vendit.
Si mos me i bâ lak Fjalës e Të Vërtetës.
Si me u zgjedhun ndër burrat ma në shêj.
Si me u bashkue me krenë e t’Parë t’ Vendit.
Si me kuvendun fjalë burrnie
e si me e çue peshë nji fis e nji krahinë.
Si mos me i lânë marre as shpisë e as Shqipnisë.
Si gjithmonë nëpër histori,
si me ngrehun Kuvêndin e Lirisë.
Ka me të ndodhë që në Kuvêndin e Të Drejtëve
flasin, shpërflasin e vendosin mëkatarët e të ligjtë.
Ashtu si kanë thirrë kuvênde kundër teje,
si me të shtypë e shnjerëzue.
Nën zgjedhë të huej rrin në krye të vendit ma i keqi,
Të ban gjyqe jashtë drejtësisë e jashtë Fjalës së Drejtësisë.
E ban me ty gjithçka i teket. Të len pa shpi e pa Atdhe.
Nuk ka si me shkue drejt rruga e të pabesëve.
Hyji i njeh rrugët e të drejtëve,
ashtu si i njeh zemra e Njeriut.
Ti ke bekimin tand për Atmen.
Ti e ke Kuvêndin Tand të Bekuem
për Atme e për Punë të peshueme.
Si nëpër tubime orësh e shejtnorësh,
kur i ke kremtue krejt mrekullitë.
E Plaku ka thânë:
zâ të madh për ty kam ndie, si burrë e kuvendar.
Aty, faqe botës,
dinë si me i shpallë zotimet tua e drejtësinë tânde.
I rrethuem me anmiq që shartojnë zî e prozhmojnë pa nda.
Lidh Besë shqiptare si dikur nëpër zjarme luftnash.
E sot: nëpër dengjet e paqes.
Si me nxanë vend në Atë Këshill të Të Drejtëve.
E tash e thue Fjalën e Peshueme për Të Vërtetën Tande,
në Kuvende Kombesh.
(25 maj 2016)