Saturday, March 25, 2023

Prend BUZHALA: MBI SASINË DHE CILËSINË NË LETËRSI


(Kundrime eseistike)

Të lexosh një tregim të shkurtër apo një roman?
Kur lexuesi i sotëm lexon një roman, ai e formon një paragjykim: leximi i një romani, pa marrë parasysh se sa faqe i ka, na qenka një punë tejet e madhe në krahasim me leximin e një tregimi që t’i merr dy ose tre minuta, dhe pa marrë parasysh vlerën e jashtëzakonshme artistike apo joartistike!
A është kështu?
Jo.
Nuk është kështu për arsyen e thjeshtë se në letërsi nuk ka hierarki zhanresh.
Sasia dhe cilësia?

1.

Dhe kur tërheqim shenjën e sasisë në raport me cilësinë, atëherë edhe vlerësimet që jepen do të fokusoheshin: sasia (nëse shkruan pak apo shumë) nuk përbën domosdoshmërisht edhe cilësi; se cilësia nuk përcaktohet nga sasia...
Do të thotë: te një krijim artistik cilësia vjen në radhë të parë.
E njëjta gjë vlen edhe për sasinë apo cilësinë e titujve të shumtë të një letërsie apo brenda veprimtarisë krijuese të një autori.
Është i njohur edhe fakti se letërsisë së një kombi i duhet edhe një fond i pasur botimesh, krijimesh, autorësh, për ta nxjerrë rrënjën katrore të cilësisë si drejtpeshim vlerash. Një sasi, pra, duhet t’i çojë më lart vlerat e cilësisë e jo t’i ulë ato. Sasia duhet të synojë të rëndësishmen, të veçantën, origjinalen, e jo të shndërrohet në prodhim të parëndësishëm, apo në zbehje; sasia duhet ta arsyetojë vetveten te bota e pasur dhe e pafund e frymëzimeve, ideve, motiveve, mjeshtërisë artistike, të qëmtojë të pathënën, të zbulojë hapësira të reja të shprehjes, sidomos të përsosmërisë artistike. E pra, sasia e cilësia duhet të përfshihen reciprokisht në aktin e shkrimit. Hegel do të reflektonte:
“Në fillim, atëherë, sasia si e tillë shfaqet në kundërshtim me cilësinë; por sasia është në vetvete një cilësi, një përcaktueshmëri thjesht e lidhur me vetveten, e dallueshme nga përcaktueshmëria e anës tjetër të saj, nga cilësia si e tillë. Por sasia nuk është vetëm cilësi; është vetë e vërteta e cilësisë, kjo e fundit ka shfaqur kalimin e vet në sasi. Sasia, nga ana tjetër...është...cilësia në vetvete në atë mënyrë që përveç këtij përcaktimi nuk do të kishte më asnjë cilësi si e tillë.”
Kategoria e kësaj dysheje, cilësi-sasi, ekziston në të gjitha fushat e jetës. Njerëzimi synon cilësinë, vlerën, që arrihen me inteligjencë krijuese. Së këndejmi, edhe te dija si masë merret cilësia e më pak volumi i tyre. Përkitazi për këtë fushë Steve Jobs shprehet: “Bëhuni një matës i cilësisë. Disa njerëz nuk janë mësuar me një mjedis ku pritet përsosmëri.”

2.

Në letërsi, si në jetën, ekziston ai drejtpeshimi midis nevojave dhe dëshirave; do të thotë, po qe se shkruajmë thjesht sa për ta përmbushur një numër, një kërkesë shkarkimi emocional apo mendor, atëherë edhe librit ia përcaktojmë që në fillim ekzistencën e tij: si libër çasti, nga i cili më nuk i kthejmë sytë! Ndërkaq, po qe se duam që ta shquajmë kërkesën për t’i dhënë më shumë domethënie, për të derdhur më shumë mund, në mënyrë që ky krijim të jetojë nëpër kohë e në kohë, pikërisht falë përsosmërisë artistike që arrihet me mjeshtëri e përkushtim të madh e jo si diçka e lehtë, pa mund, pa dije e pa frymëzim. Edhe bota emocionale i do ripërtëritjet e veta, ashtu siç i do edhe shkrimi, i do balancimet midis sasisë e cilësisë. “Përsosmëria vjen kur balancojmë cilësinë me sasinë” thotë Amit Ray, një autor indian. Ndryshe, sasis duhet të qëndrojë si vlerë, si vlerë që nuk zhduket... Si sasi e pathyeshme, do të thoshte një autore. Një sasi që kalon në cilësi. Në bollëkun e thesarit të muzës së zemrës...
E rëndësishme është që një punë, a një libër, një poezi a këngë, të bëhet mirë. Dhe ndodh që kërkimi pas risisë, risisë si cilësi, të na rrëshqasë në gabime edhe më të shumta...

3.

Ekziston, si praktikë krijuese, në letërsitë botërore edhe poezia minimaliste, si formë e shkurtër e vargut,a shtu sikundër kziston edhe tregimi me pak fjalë, rrëfejza apo very short story, siç e quajnë anglezët. Është fjala për ato krijime artistike që karakzerizohen nga një kursim maksimal i të shkruarit. Si nga pikëpamja e kohëhapësirës, si nga vetë titujt metaforikë e provokues semantikë, krijuesit dëshirojnë të zgjojnë tek lexuesi fenomenin e çudisë, apo sikundër shprehet Bahtin, të çrëndomtësimit, tek realizohen në kuadrin e konturave ende të paqarta, apo nëpërmes rrjedhës së asociacioneve, retrospekcioneve, anticipimeve, vëzhgimit simultan, fanitjeve dhe ëndrrave. Tekstet shpesh jepen me fjali maksimalisht ekspresioniste, të dendura. Ngjarja që zhvillohet, duke e mbajtur tensionin deri në fund, nuk i ofron lexuesit zgjidhje të lehta apo çlirim emocional. Shpesh, përfundimi i tregimit, bëhet me qëllimin që të paraqiten pasojat e personazhit të izoluar, të cilit i kanë dështuar përpjekjet që të kyçet a integrohet në realitetin social. Akuzë, kjo, edhe kundër realitetit çintegrues, tjetërsues.
Vërtet, shumë krijues e shkruajnë tekstin e thuktë, e përdorin procedimorin e dendësisë së thënies, e poetikës së thuknisë. Zaten, poezia apo tregimi i shkurtër si dikur fabula apo anekdota), që në zanafillat e saj, e ka pikësynuar mjeshtërinë e fjalës. Letërsia pikësynon ta bëjë një hap më afër qenies. Na bie të lexojmë format e shkurta letrare, të cilat, në leximet tona, shpesh e shpesh, i quajmë poetikë e thuknisë, në të cilën përqendrohen e kristalizohen prirjet krijuese të shkrimtarit. Të krijohet përshtypja sikur ato thënie përafrohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me mund krijues. E, në këtë kërkim të së bukurës, krijuesi nuk do të mund ta shkruajë as ta përjetojë atë pa etikën e saj; pra, poetika e ka si estetikën, ashtu edhe etikën e fjalës.
Të mos harrojmë: jo pak autorë të prozës mof-derne botërore janë fitues të çmimit Nobel e që kanë shkruar romane të shkurtër, siç janë “Plaku dhe deti” hemguejit” apo romanet e nobelistes së fundit Annie Ernaux

4.

Po i rikthehemi përqasjeve në fillim të këtij shkrimi. Një tregim i shkurtër nuk është aspak si zhanër më i ulët, më i dobët apo inferior në krahasim me një roman apo dramë, bie fjala, për sa i përket cilësisë. Ndryshojnë në sasi, por në cilësi aspak. Cilësia është një tjetër kategori, pra. Nëse një roman epik ka një tjetër procedim letrar në formimin e personazheve, në mbarlshtrimin e tematikës, në ndërtim-formimin e ideve dhe t rrëfimit, ndryshe nga një tregim që është tejet më konciz, më i thukët, më goditës. Krejtësisht varet se çfarë mbresash e çfarë depërtimesh në thellësi e në gjerësi krijon njëri zhanër si romani, apo tjetri, si tregimi me pak fjalë.
Në dendësinë e tillë të burimit krijues gjuhësor, poetit i ndodh, mu ashtu si ligjëron poeti japonez Çuangçe: "A jam unë ajo qenie njerëzore që ëndërron se është flutur, apo mos qenkam flutur që ëndërron se është njeri.?" Letërsia gjithnjë pikësynon të evoluojë kah procedimet krijuese, prandaj evoluojnë edhe stilet dhe poetikat, me koncepte të reja, fjala merr potencë të shumësisë kuptimore e shënjuese, ndërkëmbëhen paradokset e thënies oksimorike me fenomenet e metakomunikimit të lirikës vizuale, i poezisë konkrete e sinjaliste me metaforizimet e vargut, hyjnë në strukturën e këndimit elemente të lojës tekstuale-ligjërimore...

(Mars 2023) 

Wednesday, March 22, 2023

AKUARELE METRIKE: Poezi nga Durim ÇAÇA


AKUAREL, 1
jam n`harmoni me rrjedhën time të qenies
e jeta shket e mahnitshme
çërçëlitja e mëllenjës, dhembja që gdhend
dhembjen e thell` e deti si një kushtim
dashurie për poezinë e yjet
ah, se gjithçka ndodh ësht` kalimtare
për kuptimin, rëndësin’ e shprehjes
buzëqeshja e fundit me freski gruaje
derdhur mbi lulet e mëngjesit
puthja e ndrojtur si të dëgjuarit
e vërshimit të vesës
mbi lëndinën e agut n`korrik
ji n`harmoni me rrjedhën e qenies tënde
e jeta bëhet e mahnitshme
qiejt qumështorë dimërorë të netëve
politika, muzika, feja, nacionalizmi
seksi, - si opiume për popujt e njerëzit
melankolia e thellë e qëndresës
fushat me grurë të praruar
shtëpitë e vogla prej guri
trilli i brishtë shpotitës e përkëdhelës
të dashuruarit me pasion pa besuar
për çdo ditë
jam n`harmoni me rrjedhën time të qenies
e jeta shket e mahnitshme
kalliri që ndahet m`dysh prej tingullit të lehtë
të një kantate ardhur nga larg
e lumturia pafundësisht e dëlirë
e bartjes mbi supe kaliqafë
të një fëmije…

AKUAREL, 2
kjo zemra jon` e fortë,- thyer sa herë
e që jeton sërish
trimëria, dashuria që ushqehen me shpresë
pranvera e thatë e përcëllimtë
me stuhi polenësh e fieresh
tmerrimi prej fytyrës s`armikut nga që i ngjan
fytyrës tënde të re
Deti i Kuq i ngroht` melankolik
e qeshura e hijenës s`Abisinisë
trishtimi që kaplon të burgosurin kur zbret mbrëmja
e s`ësht’ në gjendje të qeshë
historia seç fluturake gjithnjë
si një përshëndetje në stacione
s`ka më të fort` se zemra jon`- sa her` thyer
e sërish seç jeton
tundimi për t`humbur rrugëve, për t`u përtërirë
n`përtëritjen e njerëzve e peisazheve
heroizmi si fitorja e shpirtit mbi trupin e ri
arti që kap realitetin përmes stilit të vet
të dashuruarit që i shkruajn` premtimet e tyre
paj, mbi brirët e drerit
jeta tek nis nga e para
kur gremiset në dimër
kjo zemra jon` e fortë,- thyer sa herë
e seç jeton sërish
vështrimi mbi bijtë n`ujin e nostalgjisë shtegut
të rrejshëm të arratisjes
ngrohtësia e trupit të të voglit
si gjurma e mistershme
që ka magjia fëmijërore
për të lënë pas vetes…

AKUAREL, 3
ka veç një heroizëm, - ta shohësh botën
e ta duash ashtu siç është
brilantet që feksin nga hëna e plotë
aroma delikate e mentes, aroma e ashpër e elbit
një lumë i lumtur që hidhet të përjetësojë
shkëlqimin e vet t`rrëmbyer prej lumi, - te deti
moda e mizorisë dhe tmerrit që ndryshon
bre, sipas kohës e vendit
t`soditurit e një tufe pallojsh tek gufmojnë
me ritme të qetë t`ëmbël valsi
fjalët që s`jan` veçse lotët e atyre që deshën
ah, aq shumë të qanin
e që s`mundën
veç një heroizëm ka, - botën ta shohësh
ashtu siç është e ta duash
entusiazmi i fshehur thellë që digjet
me zjarr të qetë dridhmërojës
trëndafilët pa aromë të varreve në çukë
asgjëja eterike e fjetjes me lëndën e squllur t`epshit
paj, jetohet ajo që tashmë ësht` jetuar
t`guxuarit për të luajtur me Universin
mes lemerisë së pafundësisë e frikës
së bindjes ndaj fesë
ka veç një heroizëm, - ta shohësh botën
e ta duash ashtu siç është
ekstaza e kuptimit t`misterit, poezisë, agsholit
bisha e egër e urrejtjes me guximin pa ndërgjegje
ermimi i zgjimit fëmijëror t`faqeve, t’`yve vesëllitës
të zbutur nga gjumi e dëshira për t`i puthur
në mëngjeset e ftohtë të dimrit…