Wednesday, October 30, 2019

Vasil TABAKU: EDHE QIEJTË GJUNJËZOHEN…


Image may contain: 1 person …sepse zëri im
Udhëton
Mbi shpinën e rrufeve
Nëpër rrugët e muzgjeve
Ku qajnë dashuritë…
Bota
Është ndertuar
Prej gurëve të zjarrtë të yjeve
Dhe puthjet tona
Rendin këmbëzbathur
Mbi drithërimat e vetetimave
Me përqafime zjarri
Ku pak nga pak
Digjet heshtja e virgjër
Mes mijëra dashurive
Unë
Njoha buzët e tua të trandafilta
Që prisnin aty
Ndoshta që nga përtejeta
Nga përtejdashuria
Dhe zgjonin stuhitë e puthjeve…
Ne nuk e denim
Dashuria jonë
Ishtë djepvarri ynë
Dhimbjeëndërra jonë
Dhe dëshpërimi
I ngritur në një vargmal vuajtjesh
Përtej durimit dhe forcës
Përtej shpresës
Nën ylberët e shëndritëshëm
Të pasioneve të përflakura…
Nuk e denim
Se jeta jonë
Liria e shpirtit rrebel
dhe guximi barbar
përgjoheshin
nga sytë zezanëve
të veshur me pushtet
perandorë të pakurorzuar
O Zot!
Përse e gjithë kjo…
Ne vinim
Nga fushat e pafund të lirisë
Ku kuajt e hazdisur të puthjeve
Pushtonin hapsirat e pafund
Të pasioneve të marra
Dhimbje krenarë
Që nuk njohin asnjë pushtet
Dhe perandori…
Ne jemi dashuria
Jemi liria
Dhe qiejt madhështor
Ku zgjohen gjithë mrekullitë…
Jemi triumfi I të kaltëres
Magjia e të kuqes së trandafilit
Dhe perëndia e përqafimit….

Monday, October 21, 2019

Xhelal Zejneli: ODISEU I KOHËS MODERNE - XHEJMS XHOJSI


Kam frikë prej fjalëve të mëdha të cilat të gjithëve na bëjnë kaq të dëshpëruar – Xhojs
Xhejms Xhojsi (James Augustine Aloysius Joyce, 2.2.1882-13.1.1941) është shkrimtar irlandez. Lindi në Ratgard afër Dublinit, vdiq në Cyrih. Babai Xhon kishte dymbëdhjetë fëmijë. Dy djem i vdiqën nga tifoja. Pos tyre, Xhojsi kishte gjashtë motra dhe tre vëllezër. Xhojsi ishte më i madhi. U edukua në një familje nën frymën rigoroze katolike. Nëna dëshironte që i biri të bëhej klerik. Në moshën 16-vjeçare u shkëput, si nga religjioni, ashtu edhe nga familja. Ishte dëshmitar i rënies së prijësit irlandez Çarls Stjuart Parnelit (Charles Stewart Parnell). Irlandezët, nën ndikimin e një pjese të klerit, u kthyen kundër prijësit të tyre. Më 1891 shkroi poemën për vdekjen e Parnelit.
Si hero dhe si prijës shpirtëror të vetin, Xhojsi zgjodhi Odisenë. Një pjesë të madhe të jetës e kaloi nën ndikimin e theksuar të filozofisë së Toma Akuinit. Më 1898 u regjistrua në University College Dublin. Diplomoi për gjuhët moderne – angleze, frënge dhe italiane. Në vitin 1900 shkroi një ese për dramën e Henrik Ibsenit, e cila ishte një program poetik që ngre lart “lëshimin e ajrit të freskët” në konventat letrare të amullta. Në vitin 1901 shkroi artikullin “Teatri letrar irlandez”. Shkrimi nuk iu botua, d.m.th. iu censurua. Në vitin 1902 la Irlandën përgjithmonë. U kthye vetëm dy herë për të qëndruar për pak kohë. Itakën e vet e kërkoi në Trieste, në Paris dhe në Cyrih. Pas diplomimit, më 1902 vajti në Paris për të studiuar mjekësinë. I ndërpreu studimet për t’u kthyer në vendlindje ku i kishte vdekur e ëma nga kanceri.
Më 16 qershor të vitit 1904 njoftohet me Nora Barnakl, gruan e tij të ardhme. Ajo luajti rol të rëndësishëm në jetën dhe në krijimtarinë e Xhojsit. Këtë e dëshmojnë letrat e shumta që ia kishte dërguar. E dëshmojnë edhe veprat e tij. E lanë Dublinin, vajtën në Cyrih. Duke u shpërngulur nëpër qytete të ndryshme të Evropës, jetoi ndaras nga gruaja dhe nga dy fëmijët e tyre. Në çaste dëshpërimi i shkruante asaj letra me shumë dashuri dhe sinqeritet, me pasion dhe erotikë. “Ti më ke bërë njeri” i thotë Xhojsi Norës. Ajo e pranoi rolin e zonjës së pashkolluar në shërbim të gjeniut. Martesën e zyrtarizuan në vitin 1931, d.m.th. 27 vjet pasi ishin njoftuar. Tani Xhojsi kishte fituar famë botërore. Përkundër faktit se shpeshherë jetonin të ndarë dhe ballafaqoheshin me rrethana jetësore të vështira, dashuria e tyre ishte një prej më të mëdhave që mbahen në mend në botën letrare.
Më 1904-1905 punoi si profesor i anglishtes në Pullë. Si profesor anglishtes punoi 10 vjet edhe në Trieste. Më 1905 i lindi djali Xhorxh, ndërsa pas dy vjetëve – vajza Lucia. Më 1909 u kthye në Dublin për ta botuar përmbledhjen me tregime “Dublinasit”, por nuk ia doli. Vepra mbeti e pabotuar. Më 1915 vajti në Cyrih ku gjeti mbështetjen financiare të Viverit (Harriet Shaw Weaver). Më 1920 shkon në Paris ku qëndron njëzet vjet. Semjuel Beketin e kishte sekretar joformal. Qëllonte që me orë të tëra të qëndronin bashkë në studion e Xhojsit, pa këmbyer ndër vete as edhe një fjalë të vetme. Vajza e Xhojsit – Lucia e adhuronte autorin e Godosë, por Beketi e refuzoi.
Vajza e Xhojsit, Lucia u vendos në një klinikë neuropsikiatrike. Pas vdekjes së babait, atë e vizitoi vetëm një herë i vëllai, ndërsa nëna – asnjëherë. Me kalimin e kohës, Xhojsi iu paraqitën probleme me sytë. Pas disa operacioneve u verbua plotësisht. Më 11 janar 1941 u operua dhe ra në komë. Pas dy ditëve u zgjua dhe i kërkoi fëmijët e vet. Vdiq pa i parë. U varros në varrezat Fluntern të Cyrihut. Pranë tij u varrosën edhe gruaja Nora e cila ndërroi jetë më 1951. Aty pranë u varros edhe i biri Xhorxhi.
* * *
Në aspektin letrar, Xhojsi u formua nën ndikimin e Homerit (shek. VIII para K.), të poetit italian Dante Aligier (Dante Alighieri, 1265-1321), të filozofit dhe teologut dominikan italian të traditës skolastike Toma Akuin (Tommaso d’Aquino, rreth 1225-1274), të babait të tragjedisë moderne Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), të dramaturgut norvegjez - realistit dhe natyralistit Henrik Ibsen (Henrik Ibsen, 1828-1906), të filozofit, astronomit dhe okulistit italian që e dogjën si heretik - Gjoradno Bruno (Giordano Bruno, 1548-166), të filozofit dhe shkrimtarit italian Gjanbatista Viko (Giambatistta Vico, 1668-1744), të novelistit dhe dramaturgut rus Anton Pavlloviç Çehov (1860-1904), të prozatorit, dramaturgut dhe publicistit rus Llav Nikollaeviç Tolstoj (1828-1910) dhe të poetit e dramaturgut irlandez Uilliam Batler Jejts (William Butler Yeats, 1865-1939).
* * *
Jeta e Xhojsit dhe vepra letrare e tij determinohen:
- nga lidhja obsesive me Irlandën, e cila, përkundër mërgimit vullnetar në të cilin jetoi që nga fillimi i lidhjes së tij me Nora Barnakle, ka qenë temë e përhershme e veprave të tij;
- nga protesta kundër provincializmit dhe ngushtësisë shpirtërore të mjedisit të vet; si dhe
- nga rezistenca që i bëhej për ta legalizuar lidhjen e vet me Norën, që është pjesë e kësaj revolte.
Lidhur me krijimtarinë letrare të Xhojsit ka pasur polemika të ashpra. Megjithëkëtë, ai ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e prozës letrare të shekullit XX. Me eksperimentet në teknikën narrative dhe në strukturën e romanit si dhe në përdorimin e përroit të ndërgjegjes i dha një drejtim të ri letërsisë moderne.
Në fillim, Xhojsi i përkiste grupit të imazhinistëve, me poetin dhe kritikun amerikan Ezra Paund (Ezra Pound, 1885-1972) dhe me poetin, kritikun e dramaturgun amerikan, laureat i Çmimit Nobel - Elliët (Tomas Stearns Eliot, 1888-1965).
Katolik, i cili me non serviam të vet e flaku religjionin, por pa e shlyer nga vetëdija e vet, me veprat e veta dëshmoi synimin që me çfarëdo kushti të arrijë lirinë, duke u ngritur mbi çdo gjë – mbi familjen, mbi shoqërinë dhe mbi religjionin – të cilat e pengonin që në veprat e mëvonshme, vlerën më të madhe ta gjente në vitalitetin e njeriut të vogël të rëndomtë.
Por ajo që e bën të veçantë dhe të pakrahasueshëm, është aftësia e tij që katarzën t’ia kalojë gjuhës, duke luajtur me të, në rrafshin e strukturës së veprës, të renditjes së fjalëve në fjali, e në fund me zgjedhjen dhe me renditjen e shkronjave në fjalë.
* * *
Veprat kryesore të Xhojsit janë:
Përmbledhja me 15 tregime “Dublinasit” (Dubliners,1914) është shkruar në manirin natyralist-simbolist. Vepra bazohet në ngjarjet nga jeta e Norës, gruas së Xhojsit. Këtu flet për format e ndryshme “të paralizës shpirtërore” të njeriut të vogël irlandez. Ka përdorur teknikën e epifanisë (përshkrim i ndonjë tabloje apo situate që në shikim të parë duket trivial, që simbolikisht përmbledh thelbin e frymës së kohës apo të psikës së personazhit). Për ta botuar përmbledhjen, i duheshin tetë vjet. Botuesit kërkonin nga autori që një pjesë të tekstit, ose ta ndryshojë, ose ta heqë plotësisht. Fjala “bloody” (e përgjakshme), kryeredaktorëve u dukej e papërshtatshme. Flakja e kësaj fjale ishte kusht për botimin e veprës. Në këtë përmbledhje tregimesh pasqyron përditshmërinë dhe gjendjet shpirtërore të ndryshme të heronjve të vet.
Romani “Portreti i artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young Man, 1916) është një autobiografi shpirtërore tipike në të cilën përshkruan procesin e rritjes dhe të çlirimit shpirtëror të artistit në një mjedis konvencional, që në aspektin religjioz dhe kombëtar është i hipersensibilizuar. Në këtë vepër Xhojsi për herë të parë e përdor teknikën e monologut të brendshëm.
“Uliksi” (Ulysses, 1922) është një ndër romanet më të rëndësishme të shekullit XX. Veprën filloi ta shkruajë që në vitin 1914. E shkroi për tetë vjet. Bëri përpjekje të mëdha për të gjetur botues. Duke e konsideruar veprën si kontraverse, botuesit nuk pranonin ta botojnë. Më në fund, më 1922 romani u botua. Edhe pas botimit, vepra hasi në vështirësi të mëdha. Pesëqind kopjet që më 1922 u dërguan në ShBA, u dogjën ose u asgjësuan. Index librorum prohibitorum i mesjetës, vazhdonte të ishte gjallë edhe në shekullin XX.
Romani shënoi kthesë në letërsi për arsye se autori përdor stil të ri të pasur me teknika letrare siç është “përroi i ndërgjegjes” (stream of consciousness). Vepra ka edhe parodi dhe humor. Karakteristika themelore e romanit është të shkruarit kaleodoskopik dhe struktura e formës. Libri përbëhet prej 18 kapitujve. Çdonjëri prej tyre përshkruan nga një orë të 16 qershorit dhe çdonjëri është i ngjyrosur me ngjyra të ndryshme. Përpos kësaj, ato përputhen me nga një episod të “Odisesë” së Homerit.
Në të flet për njeriun e rëndomtë dhe për përpjekjen e tij për ta tejkaluar banalitetin e jetës dhe për t’i dhënë kuptim asaj. Mënyra tradicionale e të rrëfyerit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që imiton teknika të ndryshme të rrëfimit, që nga ato realiste deri te përroi i ndërgjegjes. Ky roman është një prej kërcimeve më të mëdha në teknikën romaneske, por edhe sintezë e synimeve moderniste. “Uliksi” konsiderohet bibla e modernizmit evropian në prozë.
Gjashtëmbëdhjetë qershori është dita kur zhvillohet veprimi te “Uliksi”. Ndër ithtarët e Xhojsit të shtrirë në mbarë botën, kjo ditë njihet si Bloomsday, dita e Blumit. Në mbarë botën, në Irlandë e sidomos në Dublin, për nder të “Uliksit” organizohen manifestime të shumta. Dublinasit dhe turistët shëtisin nëpër rrugët nëpër të cilat ka ecur Leopold Blumi, hanë e pinë nëpër kafeteritë në të cilat ka qëndruar ai më 16 qershor 1904. Është dita kur Odiseu i kohës moderne takoi Penelopën e tij – Norën, ditë që mbeti në përjetësi. Asociacionet xhojsiste në mbarë botën organizojnë edhe leximin publik të “Uliksit”.
Romani “Zgjimi i Fineganit” (Finnegans Wake, 1939) që e shkroi për 15 vjet, është vepra më intriguese e Xhojsit. Veprimi në roman zhvillohet natën dhe pjesërisht është vazhdim i “Uliksit”. Të gjitha teknikat e sapokrijuara të Xhojsit janë përdorur skajshmërisht. Janë braktisur të gjitha konventat për rrjedhën e veprimit, për ndërtimin e personazheve, madje edhe për përdorimin e gjuhës së paramenduar. Vepra bazohet në lojën e thellë të fjalëve. Libri përfundon me fillimin e fjalisë së parë, ndërsa fillon me fundin e saj. Libri në të vërtetë ka një rrjedhë rrethore. Xhojsi thotë se lexuesi ideal do të duhej të vuante nga “pagjumësia ideale” dhe kur ta lexonte librin do të kthehej përsëri në fillimin e tij, për ta lexuar sërish, duke u futur kësisoj në një rreth ideal. Në këtë roman autori arrin kulmin në përdorimin e teknikave narrative si dhe në shtresimin polisemik të gjuhës në boshtin sintagmatik dhe paradigmatik, madje që në rrafshin e fjalës. Me titullin aludon për vazhdimësinë e traditës irlandeze, ndaj kjo mund të interpretohet si: Irlandezët zgjohen përsëri. (Fini ka qenë prijës i ushtrisë së lashtë irlandeze, Fianna).
Sipas Gjanbatista Vikos, titulli “Zgjimi i Fineganit” mund të sugjerojë edhe vështrimin mitik të historisë si rrotullim qarkor. Në roman ndërthuren e larta dhe e ulëta, seriozja dhe komikja. Me këtë roman Xhojsi arrin kulmin e gjenialitetit krijues të vet. Sapo u botua, romani u shpall si një ndër veprat më të mira në Evropë dhe në Amerikë.
* * *
Me teknikën narrative, Xhojsi ushtroi ndikim mbi modernistët, sidomos mbi autorët e romanit të përroi të ndërgjegjes, sikundër janë prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Vulf (Virginia Woolf, 1882-1941, përfundoi me vetëvrasje) dhe prozatori amerikan, laureat i Çmimit Nobel - Fokner (William Faulkner, 1897-1962).
Duke e paraqitur ritmin e mjedisit urban, Xhojsi frymëzoi shkrimtarin dhe eseistin gjerman Deblin (Bruno Alfred Döblinin, 1878-1957) dhe shkrimtarin amerikan Pasos (John Dos Passos, 1896-1970).
Me temën e ekzilit dhe të subversitetit ndaj idiomës së gjuhës angleze, ushtroi ndikim mbi shkrimtarët irlandez, sidomos mbi dramaturgun dhe romancierin Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989).
Xhojsi ushtroi ndikim edhe mbi romancierin dhe eseistin anglo-indian Selman Ruzhdi (Sir Ahmed Selman Ruchdie, 1947-), tregimtarin, poetin dhe eseistin argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986), prozatorin meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1929-2012), tregimtarin dhe eseistin peruan, laureat i Çmimit Nobel Mario Vargas Losa (1936-), teoricienin, kritikun dhe romancierin italian Umberto Eko (Umberto Eco, 1936-2016), shkrimtarin amerikan Filip Rot (Philip Roth, 1933-2018), poetin, dramaturgun dhe kritikun letrar të Karaibeve, laureat i Çmimit Nobel - Derek Volkot (1930-2017), shkrimtarin dhe mendimtarin anglez Entoni Barxhis (Anthony Burgess, 1917-1993) dhe shkrimtarin amerikan Filip K. Dik (Philip Kindred Dick, 1928-1982).

Monday, October 14, 2019

Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI: AT GJERGJ FISHTA Fishta ÇOHI TË DEKUN


Image may contain: 1 person, smiling ...Ktu, ktu shqiptarë!...A ndiet?...Ku e kam...Ku?...
Mos leni burra!...M’armë!...Mbaroi Kosova!...
Janina humbi!...e ndoshta Tepelena
Shkoi Manastiri, Dibra dhe Gjakova!...
Vendet ma t’mira ne na i mori shkjau,
E shka asht ma zi, ne vlla me vlla na ndau.
...Sot armët duen rrokë, taganat sot duen prehun,
Asht turp, për Zotin, shurdhë me hup Shqipnia,
Mos leni burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
Gjergj Fishta
Ndërsa shekulli XIX po i afrohej çerekut të fundit, me konfliktet dhe pabesitë e tij, katundi i vogël Fishtë, mes baltrave dhe mjegullës së Zadrimës, lindi një nga ligjvënësit letrarë, Gjergj Fishtën.
Kur shqiptarët i dolën përpara madhërisht pabesisë evropiane me Lidhjen e famëshme Shqiptare të Prizrenit, poeti ishte vetëm shtatë vjeç. Megjithatë, ndjesia se ai ka qenë aty në kuvend është aq e fortë sa s’don t’u besosh as viteve, as vetë historisë. Dhe jo vetëm në Prizren. Çuditërisht, edhe pse ende i palindur, ke përshtypjen sikur ai ka qenë edhe diku atje pranë depove të barotit me Oso Kukën. Të ngjan se poeti i ka parë me sytë e tij të mprehtë tek i hedh duhma “shi n’breg t’Virit/ krahë e krena e gjymtyrë nirit”. Vetëm të palindurit e mëdhenj, siç ishte Fishta, mund ta kenë të tillë aftësinë e të parit thellë në vite. Kur ke lexuar Fishtën, në mënyrë krejt të beftë brenda vetvetes, pa e ndjerë, të ndodh një rropamë, një çvendosje e çuditëshme vitesh e vendesh. Askurrë nuk mund ta imagjinosh poetin në një gjysëm errësirë kuvendi françeskan, apo në një qelë të vetmuar fshati. Çuditërisht gjithmonë i shmangesh realitetit dhe e përfytyron gjetkë. Në Kuvendin e Berlinit, duke u përpjekur të ndalë duart gjakatare që copëtojnë Shqipërinë, në kështjellën e Lofçenit të Cetinës, ku Knjaz Nikolla e Mark Milani bëjnë planin e luftës për pushtimin e trojeve shqiptare, duke ngjitur shkallët me parmakët e kristaltë në pallatin e Sulltanëve e duke dëgjuar se si sulltani u jep udhëzime gjeneralëve gjakatarë, Dervish Pasha, Mehmet Ali Pashë Maxhari e Turgut Pasha.
Jo, nuk e përfytyron dot në një kënd oborri duke biseduar qetë me plakun Marash Uci e duke i dhuruar ky i fundit atë çka kishte, dy hudhra. Krejt ndryshe të del përpara gjithmonë. E sheh në Kuvendin e burrave te Kisha e Shnjonit, ku trimat e Hotit betohen se nuk do ta lëshojnë Shqipërinë pa e la në gjak pëllëmbë për pëllëmbë. Të ngjan se gjithnjë është i hipur diku atje mbi një shkëmb tek përleshen për jetë a vdekje dy ushtritë te Ura e Rrzhanicës. Po kështu figurën vigane të tij e vendos me mend në një cep të Sutjeskës, në krye të shpateve të Nikshiqit. Kudo ku janë shqiptarët me fatin e tyre tragjik të mbështetur në grykën e hollë të pushkës është edhe ai. Hero i pandarë nga heronjtë, burrë i pandarë nga burrat, diplomat i pandarë nga diplomatët, mjeshtër jatagani i pandarë nga mjeshtrat e famshëm të jataganit, shqiptar. Vetëm kështu mund ta shohësh kurdoherë Fishtën, ndryshe jo. Ai u prin vallet zanave netëve, ditën i vë në ballë të ushtrive shqiptare, dragonjtë i nis përmes rrufeve në përleshje të mëdha. Ai e sundon si një sovran gjithë botën mitologjike shqiptare. Fronin e tij madhështor të poetit ai e ka ngritur mjeshtërisht në pallatin prej ëndërrave të kësaj mitologjie të shkëlqyer.
Si një figurë gjigande hyri ai në çdo zemër, në çdo vatër e në çdo shtëpi. Udhëton me tren dhe është e pamundur që në një vagon të mos jenë tre-katër apo dhjetë vetë që e dinë Fishtën përmendësh. Kështu ndodh edhe në një autobus, edhe në një veturë. Gjithmonë dikush do të citojë diçka nga ai. Kjo do të thotë se ai nuk mund të harrohej çfarëdo të ndodhte. Do të ruhej patjetër edhe i zhdukur nga letrat, ashtu siç u ruajt për shumë shekuj edhe Homeri me epopenë e Trojës në duar.
Shumë përpjekje u bënë që emri i Fishtës të shuhej nga kujtesa e kombit. Por, a kishte bërë luftra shekullore shqiptari? Po. Atëhere duhej të rrënohej më parë kujtimi i këtyre luftrave zëmëdha që të përmbysej edhe titani i tyre. Padyshim një rrënim i tillë i pashembullt i mureve të kujtesës së brezave është paraprakisht i pamundur. A mund të shëmbej një burrë i tillë, pas të cilit vinin burra të tjerë si: Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Marash Uci, Dedë Gjo’ Luli, Prengë Bibë Doda, Ali Pashë Gucia e shumë të tjerë? A ndahej ai nga shpirti i popullit, ndërsa rronin të gjitha pazarlleqet tragjike të fuqive të mëdha, djallëzitë e perandorisë pesëqindvjeçare osmane?
Pesëdhjetë vjet u bënë përpjekje ta vrasin emrin e nderuar të Fishtës. Po ai ishte i pavrashëm. Para tij sprapsej pushka, sprapsej jatagani, sprapsej fjala. Froni i tij letrar ishte i patundur.
Ai mbeti mbret në mbretërinë e letrave shqipe. Liliputët nuk mundën as ta gërdhishtin bustin e tij në zemrën e popullit. Ai ishte gdhendur në një aliazh të pacënueshëm të nxjerrë nga miniera e pasur e shpirtit shqiptar. Ku janë bustet prej parafine të armiqve të tij? Ato i shkriu shpejt një rreze drite e vetme që hodhi mbi to dielli i lirisë së fjalës.
Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI


Prend BUZHALA: IDEALISTI I GJYTETNISË


(At Shtjefën Gjeçovi, në 90-vjetorin e rënies - ripublikim))
Ashtu sikundër thotë filozofja Hana Arendt:”baza logjike e politikës është liria”,do të thoshim se këso thelbesh, të reflektuara tek angazhimi i Gjeçovit në lëmin e arsimit e të edukimit do ta kishte po atë bazë logjike, sipas parimit françeskan për një arsim qytetar e për një shoqëri qytetare.
1.
Nëse lagja e përkushtuar e idealistëve françeskanë, nisej nga parimi se Ideali është udhërrëfyes e rregullativ i jetës, i shtetit, i rendit shoqëror, i rendit në familje e i çfarëdo rendi tjetër; atëherë nuk është e habitshme pse modelin e përsosmërisë së Jezusit ata përpiqeshin ta praktikonin në jetën e përditshme, si ideal të Lirisë, të Demokracisë, të Drejtësisë, të Barazisë dhe, gjithsesi, të Qytetërimit e që do të arriheshin me anë të arsimimit e të edukimit. Nëse pikënisje e këtij idealizmi është vetësakrifikimi për hir të realizimit të synimeve të larta morale, atdhetare, religjioze; nuk është, po ashtu, aspak e habitshme pse françeskanët shqiptarë, e ndër ta edhe Gjeçovi, u angazhuan aq përkushtueshëm në shumë lëmi të kulturës, të jetës sociale e politike, të jetës arsimore etj, për hir të triumfit të këtyre idealeve, kurse si Gjeçovi që e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të këtyre synimeve lartësore, do të përfundojnë edhe dhjetëra françeskanë të tjerë, ashtu sikundër këso sakrifice sublime bënë të gjithë françeskanët e burgosur, të përndjekur, të dëbuar a të pushkatuar nën regjimin komunist...
2.
Kur më 1899 Gjeçovi qëndronte në Laç, do të bënte një përshkrim gjeografik të këtij vendi, për ta njohur sa më mirë. Por duke e parë gjendjen e rëndë të banorëve përreth, ai bën thirrje për dituri, unitet, mirëkuptim e bashkim kombëtar: “Myslimanë e të krishtenë jemi vllazën, nji gjak, nji rrugë e nji gjuhë kemi. Të jetojmë për Atdheun e të vdesim për të”. Kështu fliste frati françeskan në ato vite të rënda të pushtimit turk. Ai kërkonte bashkimin e të gjithëve rreth një “ideali të ngulët” në luftën kundër Turqisë. Këto ide do të shtegtojnë gjatë gjithë rrugëtimit jetësor të Gjeçovit dhe do të jehojnë në gjithë veprimtarinë e tij të gjithanshme. “Për t’u ngjallur dashurinë ndaj Atdheut, Gjeçovi u tregonte fshatarëve ngjarje nga historia e hershme e popullit, si të Lekës, Pirros e Kastriotit”. (sipas Ruzhdi Matës: Shtjefën Gjeçovi – jeta dhe vepra). Dhe kur më 1922 kthehet në Shkodër për herë të dytë, i emëruar nga Provinca françeskane, duke qenë në korrent të ngjarjeve politike të kohës, si dhe të revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924, ai shkruan: “Oxhakët duan ta mbajnë popullin në robëri si kurdoherë, kurse nacionalistët duan ta shpëtojnë popullin nga thonjtë e oxhakëve për kurdoherë”. Dhe ky është thelbi i tij social-edukues për rendin dhe shtetin e ri shqiptar.
3.
Sikundër dihet, në krishterizëm ka shumë rende, rregulla etj dhe emërues i përbashkët i tyre është realizimi i idealit të përsosmërisë ungjillore në jetën personale. Ndërkaq, themelues i rendit françeskan ka qenë Shën Fraçesku i Asizit, kur më 1208 ai hartoi Testamentin për Vëllezërit e Vegjël, si i quante përkrahësit e tij. E ndër këto rregulla, ai kërkonte figurën e një Idealisti të Përkushtuar: përkujdesjen vetëmohuese ndaj njerëzve, përvujtërinë (të mos dukesh a të mos dalësh në plan të parë), urdhri për të mos përvetësuar a trashëguar asgjë për vete: as shtëpi, as para, as pronë, as poste fetare apo politike etj. Françeskanët, ndër shekuj kudo, do të jenë segment i fuqishëm si në arsim, në themelimin e universiteteve etj. Ata nxitën shumë lëvizje gjatë shekujve dhe vepruan sipas rrethanave historike. Ata dhanë ndihmesë jashtëzakonisht të madhe në letërsi, arte, kulturë, dije e në shumë fusha tjera të jetës. I tillë ishte edhe Atë Shtjefën Gjeçovi. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 të tjera (F. Kristaj). Ishte figurë poliedrike. Ai nuk ishte vetëm i përkushtuari i krishterimit, por edhe arsimdashës, arkeolog, etnolog, folklorist e historian, e, mbi të gjitha, atdhetar.
4.
Image may contain: 1 personAtë Shtjefën Gjeçovi konceptin e tij për Atdheun e kishte ndërtuar mbi bazat e Rilindjes kombëtare, po edhe mbi bazat e formimit të tij klasik. Në artikullin e tij “Çka asht Atdheu”, ai do të kërkojë “jetën bashkimtare”, por aty ai do ta shtrojë edhe platformën e tij personale për rrugëtimin e mëtejshëm të Idealit Jetësor, ashtu sikundër edhe të të gjithë idealistëve shqiptarë: “Atdhetari i mirë e i ndershëm asht në detyrë me dashtë atdheun e vet, e djersët e ballit me i derdhë për dobi të tij; me i qindrue në kambë çdo urdhëni të tij; me ju ngjit dorën të lanunve e nevojtarëve; me ju ndejtë të parëve në ndigjesë; me këshillue ate që ka mendjen ndërdyzash e me qenë krejt i atdheut e i kombit… Atdhetar i mirë ka me qenë: qeverisës i ndëgjueshëm, ushtar trim, prijës zemrak, babë i dashtun, zotni i njerëzishëm, rrogtar besnik, dashamir i pabishta e shok i mirë .” Në një artikull tjetër “Atdhetarët e vërtetë” ai iu ngre hymn atdhesie Gjeto Cokut, Dedë Cokut e Dedë Gjo Lulit, karakterin, burrërinë e besën e Toskëve e të Kosovës, por aty ai demaskon edhe “tradhtimet gjithnduersh”. Kodifikues idealist i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, idealist i gërmimeve arkeologjike, ai këtë përkushtime shfaq edhe si meshtar, edhe si publicist e veprimazr.
5.
Gjeçovi, Idealisti i Ri i vitit 1908, kur plasi revolucioni i xhonturqve, shprehu mendimin se kishte ardhur koha për luftë të armatosur kundër pushtuesit shumëshekullor. Ditarët e Gjeçovit të kësaj kohe janë një kontribut me vlerë për historinë”. Kurse gjatë viteve 1910-11 ai nuk do të ngurrojë të futet në radhët e çetave luftarake. Stacioni i ardhshëm i jetës së tij do të jetë emërimi i tij në famullinë e Vlorës, në prill 1920. “Vlonjatët janë atdhetarë të flaktë …Me ju rrëfye të drejtën, unë nuk kisha besuar kurrë se do të gjeja këtu një element aq të ndershëm e aq zelltar për përparim. Këtu asnjëfarë fanatizmi nuk ka…edhe lagjja tjetër e luftëtarëve, do të priten me madhështi, sidomos prej zonjave myslimane”. Ai propagandoi ditët e zjarrta të Vlorës kundër pushtimit italian. Më 1926, i mërzitur nga hipja e Zogut në pushtet, kthehet në Kosovë, me kërkesën e tij, po edhe të urdhrit françeskan, sepse mungonte kuadri që dinte shqip. Ai nuk u pajtua me një gjendje të tillë PA ARSIMIN SHQIP, prandaj e rihapi shkollën në Zym. Veprimtaria e tij, përfshirë edhe mbajtjen e katekizmit në gjuhën shqipe, shkaktuan pakënaqësinë e zyrtarëve lokalë serbë, kështu që, më 1929 atë e vranë. Vrasja bëri jehonë kudo. Në meshën e celebruar mortore për vrasjen e Gjeçovit, në Tiranë, marrin pjesë edhe shumë kosovarë, ish nxënës të tij, funksionarë shqiptarë, kurse fjalimin e rastit e mbajti Gjergj Fishta. Vrasja e tij u diskutua edhe në parlamentin shqiptar. Për vrasjen e Gjeçovit shkroi edhe shtypi botëror. I tillë ishte Idealisti i Mendjendriçimit. Dhe i tillë, mbeti në kujtesën e brezave shqiptarë: Figurë-simbol i Monumenteve të Kulturës.
(Prend Buzhala, shkëptuje, ripublikim)

Wednesday, October 9, 2019

Ragip Dragusha: Hiqeni Ismailbeun nga zyra o zullumqarë!


Mbas Skanderbegut
me mjekerr të gjatë
Vjen Ismailbeu
nji burrë i matë.

Ai nuk përdori
dyfek e shpat'
po mendja i polli
për Shqipnin' e ngratë.
Me patriotët e tjerë
shpalli mvehtesinë.
Pastaj derë më derë
bani pleqërinë.
Ai nuk kishte
pare për aviona.
kishte qeveri
që s'njihte poltrona..
Nuk ishte zullumqarë
as profet i vertete.
Por ishte atëdhetar
Shqipnisë i dha jetë.
Po sot Ismailbeu
ku je more burrë?
Fati të mbertheu
i varun në murë.
Simboli i pamvarsisë
varur në çdo zyrë.
Peng i marrëzisë
te shtetarëve t'paftyrë!
Oh jo, kurr Ismailbeu
s'asht mburoj e pushtetit!
Por Atë i memëdheut
meshirë për t'vobektit.
Hiqeni Ismailbeun
nga zyrat o zullumqarë!
Ai asht i popullit
I njerëzve bujarë.
Ai nuk pat fron
as vila përrallore
Por shpirti ende i vlon
Për token arbnore.
Ju nuk fshiheni dot'
pas hijes së Tij
Me xhepa përplot
nuk ju beson njeri!
Mos ja hiqni titullin
o pushtetar të mjerë!
Asht marr' me djersë
prandaj quhet Bej.
Ndaj hiqeni Ismailbeun
pash Zotin e vertete!
Asht Atë i memëdheut
pushtetari ma i drejtë!
Vendosni tjetër foto
s'ka randesi se kujtë
Sepse Ismailbeun
e njohin të hujtë
Të rrij' Ismailbeu bashkë me ju në zyrë
me shtetarë të korruptuar e t'pa vlerë?
Jo, kurrë s'do të mundet kjo kohë e ndyrë
të marrë peng nji popull të tërë !
Dragusha.@
09/10/2019
Vjenë