Monday, April 17, 2023

Musa JUPOLLI: (Na iku një vit...)

“Arnauti” do dru

Hamami për ty,
Meshkujt “zotëra”, femrat “shërbëtore”
Ne të pafajshmit mbushur me mëkate
Atë ditë që heshtëm para “Babës Mbret”
N ‘emërtim të rrënimit të kulturës arbërore
Tituj me « myhur » ! Padishah se jo mahi
I etur, i pangopshëm për gjak arrnauti
Na thanë : Lutjet i keni për shpëtim
Hiç s’është i rëndësishëm shqiptimi
Ndaj se këtë “guhë” nuk e kuptoni
Jemi këtu roje e dijës për të mirën tuaj
Për libër, shkrim e lexim s’keni nevojë
Tash e tutje do t’ më thirrni “Baba Mbret”
Shih Sulltani i dijshëm sa i mirë që është
Sall n ‘hamam me vasha cullake rrinë
Padishah me mishra në dehje
Përmendësh i mësuam lutjet që s’i kuptonim
U gëzuam, u siguruam për parajsën dhuratë
Në shërbim sejmenët, bejlerë e agallarë
Fort u kujdesën për fatin e motrave tona
Me të bukurave u gjetën vend në saraje
Të hyjnueshmeve shtojzovalle nëpër hareme
Topolakeve t' bardha si bora nëpër hamame
Nënave dhe gjithë të tjerave u solli peshqeshe
12 metra dimi, sargi e thes të kuq në krye
Nga se dielli me një sy n’ atë të pëlcitmëni bukuri
Që të ruhet morali thanë, thanë besimtarët e djallit
Femrat janë “shërbëtore” tjetër titull nuk kanë
Mbret e agallarë me dy e tri e pesë gra t’ reja
Nuk ka dert, njeriu dhe kafsha kanë të njëjtin apetit
E përjetoi motër Hevesimitja e martuar vetë e treta
Filiza me shpirt pa asnjë mëkat, 15 fëmijë n ‘pelena
Furkë e shat, magje, kosë e drapër, barkun « kosh »
Gjysmën ia mori vdekja, lot e dhimbje në përqafim
E blemë e shitmë si në pazar, Padishahu mëkate falë
Lozni, pini e hani, Sulltan e Baba Mbret mëkate falin
Lutjet bëni para perëndimit, nata t’ua marrë të ligat
Në hamam të Prishtinës të dëfrehen predikuesit
Në hamam të Prizrenit do t’ na vij një Mbret i Ri
Qe të kujdeset e të flet n’ emër të arnautëve
Fol me tha shpirti im
Sa shekuj me plagë, sa vdekje për së gjalli n’ emër të Babës Mbret
Veç një ré po mungon ta mbysim poetin që përmend emrin ARBËRI!
Veç një shpatë po mungon ta mbysim poetin që merret me kulturën shqiptare.
17.04.2021

Kujtim STOJKU: NDËRTOVA NJË BOTË

 

Ndërtova një botë sipas ëndrrave të mia,

Se mendova kurrë se ajo do t`më shpërfytyronte krejt,

Por lutem t`i flak tutje brengat dhe mundimet,

Që askurrkujt kurrë t`mos i bierë për pjesë.

U mundova të hedh tej hidhërimet dhe brengat të gjitha,

Kurse mbi faqet e mia vragat e lotëve do t`mbeteshin vetëm n`kujtesë,

E unë si Zhyl Verni shëtisja andej e këtej,

Duke i rënë botës rreth e përqark se n`fund të botës do të dilja.

       

Kur isha në ëndërr, dëgjova se dikush më thërriste,

Sytë nën qepalla përpëliteshin kredhur në një gjumë të thellë,

Për të dalë nga kjo gjendje nuk po gjeja asnjë zgjidhje,

Duke shtegtuar nëpër botë me imagjinatën time,

Kur hapa sytë, s`desha ta besoj se ishte krejt një njeri tjetër.

 

Duke menduar, kisha udhëtuar në një botë ëndrrash,

M`dukej se hijet i shihja t`përthyera dysh duke u zhdukur n`hapsirë,

Nga realiteti shpirtin dhe mendimet t`i pastroja,

Por, s`e kuptova se pse prej shpirtit nxorra një klithmë.

Vetëm kur isha në zhgjëndërr jetën e kaplova,

Që si lak për fyti më ishte lidh,

e mua m`dukej se me zor mbushesha me frymë.

 

Filluan t`më vinin ndërmend shumë këngë,

Këngë kreshnikësh, dëshmorësh e dashurie,

E tek unë si e çmendur çiftelia brenda meje kishte lëshuar rrënjë.

N`këtë pranverë në çdo syth që çel mprehtësia e tingujve,

Edhe në ëndërr më mbush me një frymë magjie,

Mos qofsha unë që në ëndërr kisha qenë,

Se një melodi të tillë kurrë s`do ta kisha ndie.

 

Udhëtoja përmes këtyre tingujsh,

Që për çudi kisha mbet pa mend,

Duke i përkundur edhe ata n`gjumë i kisha vënë,

N`ëndërr, si luftëtare t`pa trembura i shihja n`fushën e luftës,

E më pas si heronj mbuluar me flamurin kuq e zi të gjithë një për një bien.

Ata që shpëtuan gjallë, njëri me tjetrin për turp i shoh të kacafyten,

Duke u mburrur se n`këtë luftë më shumë luftova unë,

E njëri - tjetrin mundoheshin ta zhduknin me shumë mënyra t`pa besë,

E kur t`vriteshin, ëndërronin në ekstazë që t`u këndoja me lahutë.

 

T`gjitha këto janë krejt kot, mua më zhgrehin e ma prishin gjumin,

Shpirtin ta tallazitin, e mendimet kurrë s`mundesh me i mbledh,

Kur t` më mbërthejë qetësia, si era do të pres diku,

E n`botën time që ndërtova, përmes ëndrrash do të eci krejt serbes…