Thursday, February 25, 2021

Prend BUZHALA: JETA SI LOJË DHE EKZISTENCË


(Çaste eseistike: me poezinë "Fati" të Ali Podrimjes)

Ka disa vepra që trajtojnë temën ekzistencialiste, dmth vepra që trajtojnë probleme të ekzistencës njerëzore. Në jetën e tij njeriu ka frikë nga fati që e ndjek apo frika për pasigurinë e nesërme. Hasim njerëz të vetmuar, të lënë në stihinë e fatit; ata njerëz fatzi janë të goditur nga jeta për shkak të vuajtjeve të pafund; dhe jeta e tyre përfundon tragjikisht. Pasiguria dhe ankthi ndërlidhen me problemet ekzistenciale, kurse personazhi është ai që e kërkon kuptimin e jetës. Për ta njohur më mirë këtë domethënie të jetës dhe të ekzistencës së tij, gjithsesi që në shtigjet e tij jetësore personazhi has në pengesa e vështirësi të shumta, mu si ata heronjtë e përrallave që kapërcejnë pengesa të paimagjinueshme dhe në fund gjithçka përfundon me një fund të gëzuar a hepiend.
1.
Ndryshe nga shkrimi përrallor, çështjet ekzistenciale të një vepre shpesh ngrihen në shkallë të përgjithshme, nacionale, siç janë, bie fjala, veprat poetike të Ali Podrimjes. Te vepra e tij poetike "Fund i gëzuar" (1988), gjendet edhe poezia "Fati", e shkruar dhe e botuar diku më 1980, që paralajmëronte furinë ekzistenciale kundër një kombi:
FATI
Ai që humb në fushëbetejë
Kur ti luan
me vetveten
është shenjë e mirë
do të thotë ti ekziston
Ai që të ndjek vazhdimisht
të ther e të vret
kur ti udhëton në jetë
është shenjë e mirë
do të thotë ti megjithatë ekziston
Ai që nuk të dëgjon
as nuk të sheh
kur ti kapërcen flakëzezën
është shenjë e keqe
do të thotë ti ke humbur lojën
Sikur gjithçka i ngjet një loje përrallore dhe e tërë jeta e një protagonisti përfaqësues (një Ti është vete përfaqësuese, që i drejtohet secilit prej nesh), e ku gjithçka rrudhet te kjo ekzistencë, te ky fast krejtësisht i zhveshur. Pothuajse kufizon me fatalizmin. E mira përfundon te përpjekja për ta kapërcyer këtë fat të keq, këtë hapësirë ekzistenciale të ngushtuar fatalisht. Pothuajse i tërë vëllimi "Fund i gëzuat" përshkohet nga përqendrimi poetik tek problemet etike-morale të njeriut modern, te analitika e botës shpirtërore të njeriut, te drama metafizike e këtij njeriu. Më tutje jepen kërkimet për çështjet e njeriut përballë amshimit, pamundësia për të komunikuare me botën jashtë njeriut, dhe, sidomos, tjetërsimi shoqëror e individual. Për deri sa proza do të gjurmojë ndjesinë e fajit, pendimit, mëkatit, frikës dhe shqetësimeve të brendshme psikike; lirika hedh dritë te margjinalizimi i njeriut si qenie shoqërore, ndërsa bota përreth shfaqet aq armiqësore:
Ai që të ndjek vazhdimisht
të ther e të vret
kur ti udhëton në jetë
është shenjë e mirë
do të thotë ti megjithatë ekziston
2.
Dhe, për deri sa romanet shtrojnë shumë pyetje ekzistenciale, që nga proza e e viteve '30 (Spasse: "Pse?!", Anton Harapi: "Valë mbi valë" apo tregimet e Migjenit, Ernest Koliqit etj); do të vijnë romanet moderne, moderniste e deri te këto postmoderne, që e përdorin si procedim letrar defabulizimin e ngjarjes dhe shkruhet si roman situatash e jo ngjarjesh. Përqendrimi ndalet te këto situata të brendshme psikologjike, te analitika artistike e gjendjes së tillë të brendshme meditative e shpirtërore, kurse personazhet përfaqësojnë ide më shumës e tipizime a shtresa sociale a nacionale, dhe kur romani ligjëron në veten e parë, atëherë personazhi shfaq autoanalizën, autokomentimin, përgjithësisht situatën e vet ekzistenciale.
Më tutje edhe poetët arrijnë të shtrojnë probleme raportesh mes historisë dhe ekzistencës, mes realitetit dhe artit. Aty do të shfaqen e shqiptohen edhe marrëdhëniet mes gjuhës dhe jetës.
Ai që humb në fushëbetejë
Kur ti luan
me vetveten
është shenjë e mirë
do të thotë ti ekziston
Jeta kuptohet si mbijetesë, pra si ekzistencë dhe si lojë tragjike. Ajo shndërrohet në marionetë të atij që i ka në duar fijet e sundimit, me mashtrimin, skllavërimin, shtrembërimin e të vërtetës përmes mediave, kontrollin e mendjes. Kurse Ali Podrimja na shkon në përputhje me mendimin e Victoria Aveyard; "Rreziku është pjesë e lojës."
3.
Te kjo lojë folësi lirik kërkon mençurinë dhe aty ai u zbulon njohjet e vetvetes, kufijtë deri ku arrin mendja e ekzistenca e tij fizike e shpirtërore. Është fat që së paku njeriu është edhe lojtar në këtë fushëbetejë, pra, është vetvetja. Ti, po e zotërove atë lojë, do ta krijosh lojën tënde. Domethënë: do ta krijosh kohën tënde për ta mposhtur një regjim totalitar, një shtypje e çfarëdo qoftë mbi qenien e kombit. Je lojëkrijues, realitet-krijues. Je ëndërrkrijues, je mjeshtri.
A është jeta LUFTË apo LOJË?
Njerëzit e urtë (dhe të perëndishëm), thonë se ekziston Loja e Dhënies dhe e Marrjes në jetë.
Këshilltarët spiritualë na thonë: te kjo Lojë, atëherë, ne shohim anën tonë të mirë, le ta fshijmë anën e errët dhe ta përfytyrojmë realizimin e TË MIRËS NË JETË. Nga kjo Lojë po e JAPIM (e dhurojmë) të mirën tek vetvetja dhe TA MARRIM të mirën...
E nëse kjo ekzistencë a kjo mbijetesë hsitorike a sociale, na është një ekuacion me shumë të panjohura, atëherë nuk është çudi spe afti i njeriut është peng i kësaj loje:
Ai që nuk të dëgjon
as nuk të sheh
kur ti kapërcen flakëzezën
është shenjë e keqe
do të thotë ti ke humbur lojën
Për deri sa realiteti e luan lojën e vet, sfida qëndron para teje edhe te këto humbje: loja e prodhuar nga ky realitet sikur e ngërthen inteligjencien e vet të fshehur! Domethënë: në këtë përballje ti je humbësi, humbësi i betejës a i lojës. Është ajo situatë, ku njeriu nuk kënaqet të ,zë vetëm me sporte, apo vetëm me video-lojëra, por edhe me emocionet njerëzore, siç na sugjeron M. Jagadesh Kumar, akademik de autor indas: "Fati është si një lojë, fitimi i saj varet nga performanca juaj... Nëse po e luani ndeshjen pa plagë, nuk po e luani ndeshjen, por po e shikoni ndeshjen. Nëse po e luan lojën me plagë, nuk po e luan lojën, po e zotëron lojën".
Shkrimtarët duan të na thonë se sa të ketë jetë njerëzore, do të ketë edhe lojë të jetës, lojë me jetën e mbi jetën. Rregullat t'i dikton dikush tjetër, po qe se vetë nuk arrin t'i krijosh ato!
E po, jeta është e tillë: edhe kur qeshim a kur qajmë, edhe kur humbim apo kur fitojmë.
Kryesorja, të mbahesh mend për luftën e mirë dhe lojën e mirë. Se a bëhet kjo për dashuri apo për ekzistencë, për folësin lirik të poezisë nuk ka fort rëndësi: të dyja e kanë pikësynimin më të lartë. Pas humbjes ti rimbushesh. Merr frymë. Vjen një proces ritranformimi e proces besimi.
Atëherë, ti fitoje jetën dhe lojën tënde me të; ajo thur aq mahnitshëm përjetime, ngjarje...
(24 shkurt 2021)

Monday, February 8, 2021

Prend BUZHALA: DORACAK PËR ZËRIN BRENDA VETVETES


(Tregim me pak fjalë)

Ishin ulur pranë e pranë. Ishin zgjuar herët për ta kaluar një ditë pushimi buzë lumit.
1.
Gruaja shikonte bukurinë e atij mëngjesi mbi lumë: si e çanin rrezet e diellit shpatin e malit; si binin mbi ujët e artë të lumit, spërkatur nga një mjegull e bardhë; si e bënin lojën magjike e misterioze bashkat e lehta të mjegullës me valët e lumit; si krijojnë imazhe të pakapshme fijet e kallamishteve, drurëve dhe bimësisë tjetër rreth lumit, me përhumbjet e tyre, kësaj përhumbjeje zogjtë i bashkoheshin qetë-qetë me cicërimat e tyre. Pamjet ishin surrealiste, misterioze e magjike njëkohësisht.
Burri kishte mbyllur sytë: dukej se e sfidonte këtë bukuri dhe gruan që ishte magjepsur nga pamjet mëngjesore. Mori frymë thellë. Nuk dëshironte të dinte në ishte mëngjes apo mbrëmje, nuk dëshironte të dinte për nocionin kohë, madje e shleu fare, ashtu, symbyllur këtë rrjedhë reale të kohës nëpër sekonda, minuta, orë apo ditë. Kohës ia jepte kuptimet që dëshironte: i shtonte asaj të tjera atribute, ia hiqte ato që njerëzit e ndanin në sekuenca, në minisekuenca, në rrjedha epokash... I pëlqenin vetëm përsiatjet e tij, ashtu në kotullim. Mendonte se si do ta shkruante një Doracak për Kohën pa nocionin e saj.
- Zgjohu e shikoje këtë mëngjes. Njëherë në jetë e sheh se ç ‘pamje ke, se 'mistere fsheh brenda vetes.
- Më lë të qetë. Të ftoj edhe ty t'i mbyllësh sytë e të përsiatësh për kohën jashtë vetvetes. Janë mistere më magjike se ato që ti i sheh.
Lumi ishte i qetë, i patrazuar.
2.
Vazhduan ashtu tërë ditën: pamjet këmbeheshin njëra me tjetrën. Mjegulla e bardhë u hoq vetëm kah mbrëmja. Mbi natë erdh një mjegull e zezë, sterrë.
Burri i çeli sytë vetëm kur ra errësira e mbrëmjes mbi tokë. Një errësirë e plotë, meqë nuk kishte hënë as dritë yjesh. I ngjante pamjes së ditës, kur ai gjendej në përsiatje.
U nisën.
Si ta gjenin rrugën deri në shtëpi?
- Më ndiq mua, - tha gruaja.
Ajo ecte sipas ritmit të lojës së mjegullës që e kishte parë mbi sipërfaqen e dheut.
Burrit iu duk që koha u shthur, iu kthye realitetit. Kishte humbur ndjesinë e hapësirës, kur iu kthye nocionit kohë. Lumi po turfullonte tash nga ujërat. Ishe shqetësuar. Koha pa hapësirë qenka një univers kaosi. I dëshpëruar, zuri ta kapte dhimbja. U ndal të merrte frymë; në këso rastesh, gjendet ai Çasti i Artë për ta shfuqizuar Doracakun e tij, të shkruar përmes përsiatjesh, pa germa. Atëherë e kuptoi që duhej ndjekur Udhëzuesi i brendshëm, i lirë, për ta mposhtur ndjesinë e humbjes së energjisë, ndjesinë e zhgënjimit dhe të vdekjes shpirtërore. Thyerjen e vetvetes në kohë.
- Ç'po më trazon ky lumë, me këtë zhurmë të mbytur e të rëndë, si frymëmarrja ime, - tha burri.
- Lëre lumin të qetë. Lumi shkon rrjedhës së vet, krejtësisht i qetë. Por ke dalë ti nga shtrati yt. Merr frymë ashtu si pranë lumit...
- Unë po shkoj një rruge tjetër. Këndej, kah po më çon ti, me lojën tënde, po e ndiej veten keq. I gjeta shenjat se kah duhet të ec. Shihemi në shtëpi.
I vinte habi, si nuk e humbiste gruaja drejtimin e saj?
Ishte një udhëzues hyjnor që i erdhi në ato çaste, si zë i kërkimit brenda vetvetes. E kërkoi dhe ai u shfaq.
U gëzua si fëmijë.
(7 shkurt 2021)

Saturday, February 6, 2021

Kujtim STOJKU: PUSHTETI

 

                                                   Tregim

Artur Guri sapo kishte marrë postin e ri ministror. Tashmë në krye të kësaj ministrie shihej një fytyrë e re, që me thënë të drejtën sa ia dëgjuan emrin dhe e panë në televizion, shumë u shprehën pesimistë, kurse një pjesë tjetër tundnin kokat duke thënë, “Se ai nuk është për atë vend.”

Megjithëse ai ishte një figurë e re që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se do të bëhej një ditë deputet, dhe më pas do të merrte një nga postet kyç në qeverinë e re, atë të ministrit. Epo njerzëve u çlodhej syri në ekranet e televizioneve kur shihnin një fytyrë të re dhe nuk nxitonin që të ndronin stacionin si herët e tjera kur shihnin të njëjtat figura duke tjerrur papushim një frazeologji boshe sa i bënte telekshikuesit që të ndërronin kanalin e televizorit. E pra, përveç rrëmujës së përhershme të fjalëve nuk kishim asgjë të veçantë. Gjysmën e parë të vitit, mnistri i ri, themi i ri sepse edhe nga mosha ishte mbi të tridhjetat, i kaloi me një axhendë të ngjeshur veprimtarish në ministri dhe në dikasteret që vareshin prej saj. 

Gjithë ky aktivitet intensiv pasqyrohej nga të gjitha ekranet televizive ku publiku për herë të parë filloi që të shihte tek ai shenjat e simptomës nevrastenike. Por, më pas edhe ai filloi që të jepte ndryshimet e para. Gjëja e parë që bëri sapo mori këtë titull të lartë shtetror, porositi një qen të rracës “Sharpei”. Pas kësaj, ai ndryshoi edhe mënyrën e të fjeturit. Arturi nuk flinte më në krevat si të gjithë njerzit e tjerë, por filloi që të flinte në një gotë me ujë. Këto ishin dy të reja që ai po fuste në shtëpinë e tij pas marrjes së pozicionit si titullar i lartë në ministrinë X. Idetë për të sjellë diçka të re i kishte pasur që më parë dhe tani ai po i bënte realitet. Kot nuk thonë se duhet të kesh fat që në një moshë kaq të re të ngjitesh në majat më të larta të pushtetit duhej me patjetër që të kishe lindur me këmishë, dhe ai me thënë të drejtën kishte lindur me këmishë, kështu i kishin thënë.

 Tashmë, ministrit të ri koka i ishte mbushur me lloj - lloj fantazish. Të gjitha këto mendime përshkonin trurin e tij deri sa e zinte gjumi brenda gotës së ujit, dhe shihte ëndrra që nuk kishte qef që të zgjohej asnjëherë. P.sh, njëherë pa në ëndërr sikur ishte duke notuar në një lumë me ujë të kaltër. Notonte e notonte me gëzim dhe nuk ndjente lodhje kurrë. Përzihej me shkulmat dhe zhytej në thellësi të ujit të kulluar dhe më pas dilte në sipërfaqe. Tek notonte, ai erdhi ngadalë duke u transformuar në peshk. Mirëpo për habinë e tij uji i lumit erdhi dhe u turbullua dhe sytë nuk po shihnin më qartë. Ndodhte që kur binin shira me rrëmbim, uji i zallit turbullohej dhe peshqit dilnin afër bregut për të notuar duke mos parë qartë. Për ata që e njihnin shumë mirë këtë fenomen të natyrës, e zinin shumë lehtë peshkun vetëm me disa kosha të thjeshtë thurur me dega shelgu duke i zhytur në ujin e turbullt, dhe peshqit me aq tru sa kishin, duke menduar se po shpëtonin nga ajo hata që i kishte gjetur, përfundonin në kosh. 

Hapte dhe mbyllte qepallat për të qartësuar shikimin dhe për të dalluar bregun, por, bregu i dukej se ishte shumë larg, ngandonjëherë i bëhej sikur i afrohej dhe ai s’kishte më fuqi që të dilte matanë në breg. Lumi sapo vinte dhe po fryhej vazhdimisht duke sjellë me vete trungje, degë e shumë të tjera. Kur ai përpiqej që t`i shmangte këto, herë duke u zhytur në ujrat e turbullta të tij herë duke u përpalsur me trungje dhe pemë që ishin shkulur nga prurjet e këtij lumi të çakërdisur, papritur përqafe iu var një gjarpër i madh.

 Ai lëshoi një britmë të madhe e cila humbi në oshëtimën e zallit që u zhduk grykave dhe luginave. I mbuluar plot me djersë, rrotullohej sa në njërin krah në tjetrin, dhe përmes këtyre thirrjeve të mbytura u zgjua. Kur u zgjua, ai pa se uji në të cilin kishte fjetur në gotë kishte marrë ngjyrë të zezë dhe i dukej sikur ishte në një gjol të zi. Ai, me thënë të drejtën sa binte në gjumë brenda gotës së ujit, uji fillonte nga pak që të merrte ngjyrë të errët derisa kur zgjohej në mëngjes ishte bërë krejt i zi. Ai u deh nga sytë, dhe shikoi me kujdes në gotë. Uji ishte shumë i zi. Zemra e tij filloi të rrahë me shpejtësi kraharorin.

 Në këtë moment qeni i tij që flinte tek dera u zgjua. Pastaj shkoi në tualet dhe filloi që të bënte tualetin e mëngjesit. Shkumoi fytyrën me pastë të shtrenjtë dhe filloi që të rruhej. Akoma ishte gjithë ankth nga gjumi i natës me ato ëndrra të përbindshme që kishte parë. Por meqë ishte kohë pranvere dhe gjithçka po bleronte, ai mendonte me vete se në këtë stinë ëndrrat nuk dalin. Këtë ai e kishte dëgjuar nga gjyshja, dhe i erdhi mirë që këto ëndrra ishin parë në këtë stinë të mrekullueshme. Banjoja kishte një hapsirë tre me tre m. Ajo ishte mjaft e bollshme dhe ishte e paisur me të gjitha aksesorët e saj. Dera prej duralumini ishte me ngjyrë dushku, dhe pas saj ishte vendosur një pasqyrë e madhe me përmasat e derës. Anash ajo kishte një kornizë prej druri të arrës e punuar me kujdes nga një mjeshtër i punimit të drurit.

 Pasi mbaroi tualetin e mëngjesit dhe po mbaronte së fshiri kokën me peshqir me push të butë, qëndroi para pasqyrës. Për çudinë e tij e ai pa një qen të madh leshator që kishte nxjerrë gjuhën dhe atij iu duke se e përqeshte. Fytyra e tij u transformua përnjëherë në një fytyrë qeni. Ai filloi të ndjejë të pështirë për veten e tij, dhe për çudi kjo po i ndodhte pikërisht për herë të parë pasi ai kishte marrë detyrën dhe postin më të lartë shtetëror. Mbylli dhe hapi sytë, por, qepallat iu dukën shumë të rënda dhe tek po i hapte dhe i mbyllte ato iu dukën se kërcisnin si trina gardhi.

 Ai pa se pasqyra kishte filluar të vishej nga pak me avull, dhe se konturet e tij të transformimit në qen po i shihte në mënyrë të turbullt. Megjithatë ai pa përsëri atë fytyrë qeni që tashmë kishte hapur gojën dhe i dukeshin ato dhëmbët e mprehtë. U kthye me vrull nga para pasqyrës që të dilte në sallon, kur për habinë e tij u përplas me qenin i cili qëndronte i ulur në bisht pas tij. Ai e shikoi njëherë të zotin me vështrimin e të kthjellët për të kuptuar nëse i kishte megjithë mend atë goditje që mori padashur nga këmba e tij, i cili në të njëjtën kohë lëshoi edhe një angullimë mbytëse. Pastaj ai kaloi përmes hollit të bollshëm të mobiluar me kolltukë të veshur me lëkurë ngjyrë pana, dhe u fut drejt e në dhomën e gjumit. U afrua tek dritarja dhe filloi që të shikonte tej përmes xhamit të dritares i zhytur në mendime të thella. 

Befas ai u shtang nga çfarë po i shihnin sytë. Përmes xhamit të dritares, ku rrezet e diellit krijonin reflekse shumë ngjyrshe, më shumë dominonte ngjyra prej ari, dhe ai pa para fytyrës së tij diçka të madhe dhe e zezë që qëlloi me një armë tip pistoletë  e cila lëshoi një oshëtimë të madhe, dhe pastaj kjo menjëherë fluturoi jashtë nga dritarja. Ai u mundua që të dallonte më mirë nga pas xhamit, por frymëmarrjet e shpeshta e kishin veshur xhamin me avull dhe ai atëherë hapi me rrëmbim kanatat e dritares. Puhiza e ajrit të freskët të mëngjesit i gudulisi fytyrën dhe iu duk se vështrimi ishte më i qartë e më i kthjellët, kur për çudi ai pa se ishte qeni i tij ai që fluturoi jashtë i cili ikte si shigjetë, ndaloi në çatinë e shtëpisë së vilës përballë e dukej tamam si një sorrë.

 Artur Guri, u ul dhe u mbështet mbi dy duart dhe filloi që të ulërijë. Ulëritjet e tij ngjanin me angullimat e qenit që ndjen erën e ujkut i cili i sillet vardallë dhe kërkon ta presë në fyt. Kjo ulëritje tërhoqi vëmendjen e truprojës që ishte me shërbim në korridor, i cili, të gjitha këto i dëgjoi me kujdes për disa sekonda duke ngjitur veshin pas derës së jashtme të hyrjes së ministrit. Pasi u mendua për disa çaste, hapi derën dhe hyri brenda. Ky ishte zoti Pehlivan i cili ishte gorilla e tij, i cili menjëherë sapo hyri në dhomën e shefit të tij instiktivisht pyeti:

- Çfarë po të ndodh? - E pyeti menjëherë Pelivan Cjapi, - mos jeni gjë i sëmurë?

Artur Guri u qetësua dhe fërkoi me dy duart sytë e tij. Pelihvan Cjapi ia kishte ngulur vështrimin gotës që qëndronte mbi tryezë dhe nuk po ia ndante.

- Çfarë keni futur këtu? - E pyeti ai.

- Unë nuk e di, - u përgjigj Artur Guri.

Pehlivan Cjapi u zhduk menjëherë. Qeni fluturoi përsëri përmes dritares dhe u ul në vendin e tij dhe ia këputi gjumit. Artur Guri shkoi tek tavolina dhe mori gotën që të pinte ujin e zi dhe shpirti i tij u bë i kulluar…