Wednesday, February 28, 2018

Sadbere Gagica Spahija: Dy Poezi

NGA HIRI RINGJALLEM
Heshtje stinësh jam berë
Në kështjellën time më kërkojnë
Poet ushtarë besnik të fjalës
Si gur peshon mbi ëndrrat e mia
Një vjeshtë me stuhi mall i zgjuarr rri
Në prush
Ku hiri sërish kthehet në zjarr
Ti vjen në ditëlindjen time
Me një tufë lulesh mbledhur maleve të mia
Vdes ringjallem në strofën time
Diellin dhe Ty të mbaj në kështjellë
Njomë jetën me lule pranvere
Ti je Pranvera e lotit tim
Unë hiri që të djeg.

TË PUTH
Ylli im i zjarrtë 
Të dua si pavarësinë e Kosovës
Fjalë je në shpirtin tim
Mall netësh pa gjumē
Syri im i blertë si valë liqeni
Të shtrëngoj shumë
Si lirinë time të shekujve.

Tuesday, February 27, 2018

Dhimitri Kokaveshi: UDHËTIME... DIELLORE

X
Gurin e çmuar!...
Margaritarin që kërkova
e dorëzove
Shpirtit, mos iu shmang.
Dhjk©27-02-2016
X
Po vjen pranvera
por dimrin
Nuk e shkundëm akoma.
Dhjk©27-02-2016
X
Buzët?... Tharë.
Vaditjeve
Po do të marrësh
Diellin!...
Rrezatimet dhe shkëlqimet!...
Nuk t'i thaj.
Dhjk©27-02-2016
X
Natës i zboja
heshtjet
ndizte!... Me dashuritë.
Dhjk©27-02-2016
X
Mes zjarresh
shuaja
Shpirtin!... Kohërave
që nuk dëgjojnë.
Dhjk©27-02-2016
X
Si qiparis përzgjidhja
lartësitë!...
Më mungonin.
Dhjk©27-02-2016
X
Shpirtra të brengosur
duartrokisnin
ujqerit?... Fajësonin!...
Qengjat.
Dhjk©27-02-2016
X
Mos ma fshih
thesarin!...
Në urtësi studimi lija
mendimet!...
E shkruara.
Dhjk©27-02-2016
X
Korridoret!... E errëta.
Semaforët?...
Prishur më zbërthenin
udhëkryqet
E jetës.
Dhjk© 27-02-2016
X
Momenteve u përzgjodh
Me dashurinë
Ndriste!... Shpresa?...
Diellore veç mos e rrit.

Prend BUZHALA: SHITORJA PËR SHITJEN E LIRISË


(Tregim me pak fjalë në rrëfimin për Të Anatemuarin e shekullit XXI), 2
Nganjëherë, kur ti ndalon dhe shtron pyetjen: a më e lehtë është të zgjedhësh vullnetarisht, apo të jetosh, duke i duruar dhimbjet, vuajtjet, mjerimet, sfidat? Shumëkush e ka zgjedhur të parën dhe e kishte më të lehtë me përfitime dyfish: kursehej nga dhimbjet dhe i çmohej sakrifica, duke marrë dhe tituj nderi...
Kur personazhi i këtij tregimi zgjodhi këtë të dytën, ai hasi edhe në një sfidë të paparë, në një vullnetarizëm tjetër: njerëzit, ose nga lodhja, ose nga një opium i padukshëm sferik, po hiqnin dorë vullnetarisht nga liria e vet dhe nga atdheu i tyre. Madje, për këtë qëllim, ishin hapur edhe shitore vullnetare për shitjen e lirisë, për shitjen e shtëpisë, për shitjen e familjes dhe për shitjen e atdheut.
Më në fund, u hapën shitore edhe për shitjen e shpresës dhe për shitjen e shpirtit.
Dhe nuk u hapën vetëm shitore, por edhe zyra ambasadash, tempuj fetarë, këshillimore për shitjen e lirisë... Madje, në këshillimore çmimet ishin më të mëdha!
Gjithçka tjetër kishin menduar: si të mos kenë liri e si të heqin dorë vullnetarisht prej saj, dhe prej të gjitha të tjerave, për ta marrë ose botën në sy, ose me ndonjë aventurë tjetër... për përfitime të mëdha! Leverdia ishte e madhe: sa më shumë të hiqje dorë, aq më shumë fiton e përfiton!
Personazhi i këtij tregimi çirrej më kot kundër kësaj gjendjeje: zëri i tij nuk dëgjohej, përbuzej. Madje, e shpallën fajtorin kryesor për gjendjen e krijuar; ia sulmuan familjen, ia përbaltosën emrin, e shpallën të çmendur, njeri që nuk vlen pesë para, njeri të rrezikshëm që vuan nga shumë të këqija e sëmundje.
- Nuk dëgjohet njeriu i tillë, jonormal, - thoshin ata që trashmë kishin krijuar një realitet të tillë shpirtshitjeje, lirishitjeje e atdheshitjeje, familjeshitjeje e shtëpishtjeje.
Tashmë turma e tillë po hiqte dorë edhe nga virtytet njerëzore.
Po e merrte si masë të saj shpifjen, sulmin, pështymjen.
Zërat demoniakë buronin si nga ferri:
- Si nuk mësove nga ne si ta sulmosh nënën tënde? E di që ka përfitime të mëdha nga kjo punë?!
- Si nuk mësove si të pështysh sa më shumë në Atdheun tënd? E sheh si ke mbetur i varfër, për faqe të zezë?!
Por qëndresa e Personazhit tonë apo e Të Anatemuarit të Shekullit XXI, e bëri të veten:
- Është dikush që mendon për ty. Ka shumë kohë që po të vëzhgoj,- i tha një vajzë e bukur.
- Ti je njeri, i lindur për vepra të mëdha,- vazhdoi t'i thurte lavde vajza, i ulej pranë dhe lotonte pranë tij. Zbrazte dhemben e saj pranë tij.
Ai mori fuqi të reja, kur po gjendej në prag të thyerjes. Dhe u martua me të e krijoi familje.
Dikur, e vërejtën se sa larg kishin shkuar me sjelljet çnjerëzore e me shitjen e gjithçkaje.
I luteshin, tash, Njeriu të anatemuar, që, së paku, t'ua tregonte rrugën e kthimit të shpirtit.
Ishte vonë për t'u bërë njeri.
Ishte vonë të bëheshin përsëri miq me Të Anatemuarin e Shekullit XXI!
Kishin humbur lirinë, atdheun, familjet dhe gjithçka tjetër...

LULZIM BREZNICA: SH... SH... SHËMON AI DET

Shëmon ai det i madh,i gjerë,
Shkumën e dhembjes mes etjes pi,
Me mure sytë i kanë mbyllur shpresës,
Të mos ndez zjarrin që i vlon në gji.

Tkurrur e këputur nëpër shenja kohe,
Ia shkapërderdhën gjithandej trupin e vjetër,
Shëmon ai det,diku thellë në mua,
Shtresuar në gjëmë dëshprimi tjetër.

Skënder Berisha: HESHT E DJERSIJ


Po bie borë
hijet janë ndalur
zhurmat
kalimtarët nuk ndihen
vetëm hapat në borë
kërkëllijnë
qentë endacakë
striqen në gëzofin e vet
ungullijnë
veturat vendnumërojnë
nën gëzofin e bardhë
pak fishkëllimë ere
për më tutje
mëngjesi vonon
do t'i ngjajë natës pak
me siguri do t'i ngjajë
në dhomën e ngrohtë
djersijnë dritaret
djersijë edhe unë
nata merr frymë
thellë thellë

Monday, February 26, 2018

Prend BUZHALA: PESËDHJET NUSET E FAMILJES SONË


(Tregim me pak fjalë)
Dikur, kur e martonim një mashkull të shtëpisë, gëzoheshim të gjithë. Mandej, menjëherë nisnin përgatitjet për të dytin, të tretin... në familjen tonë, deri te i gjashti. Dhjetë nuse, katër vëllezër dhe gjashtë nga djemtë tanë që tashmë janë bërë baballarë dhe e kanë mbushur nga 30, deri në 55 vjet. Madje, edhe ndonjë nip është i martuar...
1.
Por viteve të fundit ndërruan adetet. Tashmë secili e ka nga një "nuse" që e gjen në shitore a shop mobile. Me të bisedon, qesh, këndon, fotografohet, shëtit nëpër parqe, me të shëtit nëpër autobusë, rrugëve, me veturë, madje nuk i ndahet as në ndonjë tubim, në ndonjë ndejë, bile-bile,e dhe në orë mësimi a ligjëratash. Hiç pa u skuqur!
E keqja është se tash këta "po martohen" krejt fëmijë: e blejnë "nusen" në mobi-shop, dhe, ende pa u vënë push fytyra, krejt çiliminj, ata përqafohen me "nuset" e tyre. Vërtet dikur fëmijët tanë i fejonim në djep, por që të vinte koha që ai në klasë të parë "të fejohet" e "të martohet", kjo nuk ishte parë e dëgjuar!
2.
Edhe në këtë mbrëmje vikendi, kur jemi tubuar afro 50 anëtarë të familjes së gjerë, për një gazmend familjar, secili flet me "nusen" e tij, e "puth" atë, e "përqafon, shkrihen së qeshuri...
Askush me askënd tjetër as nuk bisedon, as nuk qesh...
Duken krejt të harlisur, të çartur, si ata njerëzit e çmendur që flasin vetemëvete a që shtrihen në psikiatri.
O Zot, më kaploi sikleti, mua plakut!
Si mu shndërrua shtëpia në spital psikiatrik, ku njerëzit flasin me gishta!
Eh, plakat dikur mallkonin: “U bafsh që me folë me gishta!”
Çfarë mallkimi tash u dynd te këta breza!
Ndonjë të ri, kur e gudulis së tepërmi “nusja”, ia mësyn tualetit duke hingërizur...
Tashmë ju po e dini se këto "nuse" janë telefonat mobilë...

Saturday, February 24, 2018

Namik Selmani: Një festë amerikane që kthehet në ritual jete


Kam patur fatin e madh që ishte dhe një rast i fortlumturuar që në vitin 2016 të isha në breg të oqeanit Atllantik, në Plimuth, ku gati 400 vjet më parë do të ndalonin me anijet e kohës mjaft kolonë anglezë, si i quajtën më vonë, që të ndërtonin më tej jetën në këtë vend.
veç
Ç’thotë historia amerikane për këtë jetë, për këtë ngjarje, festë, për këtë harmoni? Në vitin 1620, dy grupe njerëzish rreth njëqind vetash burra, gra dhe fëmijë u nisën me anijen e vogël “Myflaëer” nga Plymouthi i Anglisë për në Botën e Re. Një grup përbëhej nga njerëz besimtarë që kërkonin të shkëputeshin nga Kisha e Anglisë dhe të kishin Kishën e tyre, besimin, zakonet, doket, etj. Në atë kohë ata i quajtën „Separatistë“. Grupi tjetër ishte i përbërë nga njerëz që i quanin „Strangers“, të cilët e respektonin Kishën angleze por, në këtë udhëtim ishin se kërkonin diçka më të mirë për jetën e tyre. Në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë përmes Atlantikut për 66 ditë ku dhe vdiqën disa njerëz. Të dy grupet bënë një marrëveshje “armëpushimi” ose mirëkuptimi. Sheshuan kontraditat dhe u shkrinë në një grup të vetëm dhe u emërtuan “Pelegrinë”. Grupi zgjodhi me mirëkuptim edhe një prijës.
Kapiteni anijes „Myfloëer“ zgjodhi për të zbarkuar një vend në Massachusett afër Bostonit të sotëm, sepse aty ishte një gji shumë i përshtatshëm dhe vendasit ishin më miqësorë se në bregun e oqeanit tjetër. Këtij vendi ja vunë emrin Plymouth, në kujtim të qytetit të origjinës së tyre.
Është një gjë e bukur se amerikanët modernë, në kujtim të kësaj ngjarjeje të kenë ngritur një anije që është gati e njëllojtë me atë anije të parë .
Anija kishte ngarkuar nё bordin mjete jetese tё ndryshme, madje edhe kafshё shtëpiake. Anija i shpinte ata drejt njё jete tё re, shumё larg prej vendit ku kishin jetuar më parë. Për tre muaj me radhë nё ujërat e Atlantikut, pasagjerët e Evropës jetuan me bukë të thatë, mish të tymosur e peshk, derisa sa arritën në brigjet e Amerikës.
Aty filluan të ndërtojnë fshatin etyre por, shpejt erdhi dimri dhe i gjeti të papërgatitur mirë. Një pjesë mbetën në anije dhe si pasojë shumë vetë vdiqën nga sëmundjet. Me ardhjen e pranverës edhe pjesa tjetër e mbetur në anije u vendosën në breg. Për habinë tyre u erdhi për vizitë një pjesëtar i fiseve vendase me emrin Abenaki, i cili fliste anglisht. Të nesërmen ai sjell dhe një pjesëtar tjetër të këtij fisi që e kishte mësuar anglishten, sepse qe marrë si skllav nga një ekspeditë angleze por, kishte mundur që t’u ikte. Këta dy njerëz pelegrinëve të sëmurë dhe të kequshqyer u mësuan teknikat e kultivimit të drithrave dhe të bimëve të tjera bujqësore, të kapnin peshq si dhe i miqësuan me fiset vendase. Kjo miqësi përmendet një nga shembujt e rrallë të harmonisë midis fiseve të indianëve të Amerikës dhe kolonëve anglezë. Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Nga një Angli ku hanin shumë festonin shumë dhe e dinin se çfarë ishte gëzimi.
Si e tregon dhe piktura e kohës pelegrinët vishshin mire. Burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Një nga arsyet e mirënjohjes ishte dhe se ata kishin shpëtuar mirë edhe mjaft veshje të vendit nga kishin ardhur.
Një cicëron i muzeve në Plimuth na tregoi se diçka kishte ndryshuar edhe në gjirin e ardhjes së këtyre pelegrinëve. Nisën të punonin. Të adhuronin edhe Zotin e tyre duke mos humbur besimin tek Ai tek puna, tek bashkëpunimi që do të bëheshin më vonë çelsat e jetës së tyre të begatë . Festa e Falenderimeve ose siç quhet në gjuhën angleze “Thanksgiving” është një festë popullore laike nga më të rëndësishmet në kontinentin amerikan (SHBA dhe Kanada). Vitet e fundit ka filluar të festohet edhe në shumë vende të tjera në të gjithë botën. Në SHBA festohet të enjten e katërt të muajit nëntor ndërsa, në Kanada festohet të hënën e dytë të muajit tetor. Në këtë ditë çdo familje mblidhet në një darkë ose drekë me miqtë e saj rreth gjelit të detit dhe gatimeve të tjera tradicionale. Njerëzit kudo që ndodhen urojnë njeri-tjetrin “Gëzuar Festën e Falenderimeve” (Happy Thanksgiving).
Ashtu si ndodh zakonisht në Amerikë, e gjithë kjo ngjarje, ose ta themi më saktë “ lindje të Amerikës” e kishte gjetur vendin e tij në muzeume në relike të asaj kohë e në foto madje edhe në atë vend ku ishte ankoruar anija e parë ngrë në kolonët e Anglisë me indianët që ishin vendas të atij kontinenti të madh që sot e quajmë SHBA. Veç disa gjëra ata i dinin që më parë Dhe më tek lanë armët e nisën punën, se donin të jetonin e jeta nuk bëhet vetëm me luftë. Kishin kaluar një stinë të lodhshme, por edhe shumë më të mbarë se ata e mendonin. Kishin mbjellë kunguj, grurë, zarzavate, kishin rritur bagëti në pyjet e atij vendi që dukej shumë të virgjër. E, padyshim me këtë punë do të vinte dhe begatia në këtë vend të madh.
Kungulli në Amerikë, edhe kur nuk ka festë, është simboli i begatisë dhe i thjeshtësisë. Në kushet kur mungonte teknika e regjistrimit të asaj dreke madhështore na vjen në ndihmë
përfytërimi me anë të një pikture që i bën jehonë atyre viteve. Në një tavolinë të madhe të vë në diku në breg të oqeanit mjaft burra gati të gjithë me mustaqe të veshur evopiançe kanë shtruar drekën. Në qendër të saj në burrë i thinjur ngre duart lart drejt qiellit që jep shenjën e lutjes.
Ishin të paktën 90 pelegrinë kolonë dhe mjaft vendas që herë pas here fjalën thonë “ Thank You!”. Ishte fjala më e lakuar, më e pranishme. Po dhe sot është kaq e pranishme kudo. Po bashke me atë urim që ata ia bënin vendasve, ata duhet t’ia bënin dhe perëndisë që i kishte dërguar në këtë tokë të begatë ku mund të prodhonin kaq shumë ku mund të rritnin pa droje fëmijët e fëmijëve… Pak vite më vonë i nderuar Xhorxh Uashingtoni do ta formulonte në formën e një bekimi kolektiv mbarëpopullor ritin ekësaj feste. Të një betimi që do të bashkonte jo vetëm kolonët, indianët, por edhe çdo njeri që do ta lidhte jetë me këtë vend, me këtë shtet, me kushtetutën e tij, që edhe sot është kampion i të gjithë kushtetutave të botës, pasi nuk është ndërrruar asnjë herë falë vizionit të ligjvënësve të atyre viteve. Do kalonin jo pak, por 168 vite e pikërisht më 1621 e me një deklaratë të veçantë paksa personale, Xhorxh Vashingtoni e festoi këtë si festë të veçantë pa e ditur se shumë vite më vonë ajo do të bëhej një nga festat më të dashur të amerikanve dhe të mbarë botës.. E quajtën ndryshe “Dita e Falenderimeve”.
Një festë që ka në thelb besimin ndaj zotit, por edhe ndaj punës, pa të cilën nuk mund të ndërtohet një jetë më e mirë dhe nuk mund të ketë zhvillime të mëdha. në secilën fushë të jetës. Një besim që nuk lidhet me një fe të caktuar, po është gjithëpërfshirëse. Një festë që do të ndërronte në formë në vite, por që nuk do ta humbte kurrë thelbin e nderimit për punën, për shtetin, për fqinjin, për zotin.
Dhe do të vinte koha kur Abraham Linkolni që më 3 tetor 1863 do ta rendiste këtë ditë që, për amerikanët është e enjtja e katërt e muajit nëntor, ta quante përfundimisht DITA KOMBËTARE E FALENDERIMEVE.
Urimi që e bëri paksa në mënyrë personale Xhorxh Uashingtoni duket se do të bëhej refreni i miliona familjeve amerikane dhe të atyre kombeve që kanë pranuar, kanë ëndërruar që të jetonin në këtë vend të begatë, demokratik.
“Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë me të madhe të Madhit Zot dhe udhëheqësit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet e kushtetutës me besnikëri. Që Perëndia të ruajë dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidomos ato që janë mike me ne dhe bekoji të gjithë ata, o Zot, me një qeveri të mirë, Falu, o Perëndi paqë dhe mirëkuptim.”
Kjo festë në Amerikë është një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë. Një ditë kur luhet futboll amerikan. Është dita kur në kuzhinat e familjeve shtojnë sa e sa gatime tradicionale. Në supermarketet e shumta amerikane janë paketuar me qindra e mijëra pako ku vihen ushqime, lule, çokollata, etj Një ditë që ngre të gjithë në këmbë për të ngritur Kultin e Falenderimit. Disa prej nxënësve veshin kapota prej letre, si ato të pelegrinëve që festuan për herë të parë Ditën e Falenderimeve.
Në tryeza zë vendin e nderit gjeli i detit.
Në këtë pikë duket se tradita e gjelit te detit që shqiptarët e përdorin në Vitin e Ri është e përbashkët. Në Amerikë ai gatuhet në mënyrë tradicionale në të gjithë shtetet. Një gjel deti i pjekur siç duhet, me përshesh dhe salcë me lëng mishi, është në këtë ditë në qendër të tryezave të miliona familjeve në gjithë Amerikën për Ditën e Falenderimeve. Bashkë me gjelin e detit në tavolina vihej dhe misri.
Kjo nuk ndodh në Rezervatin e Kafshëve Poplar Spring në Poolesville të shtetit Maryland. Aty këta shpendë janë miqtë e nderit në një drekë me gjelat e detit, në vend që t’i hanë ata. Në Amerikë ka një rregull të tillë . Shtëpia e Bardhë i merr gjelat me ndihmën e Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit. “Që nga koha e Presidentit Truman, çdo vit zhvillohet një ceremoni zyrtare në Shtëpinë e Bardhë për faljen e gjelit të detit”. Gjelat e falur shpesh dërgohen në një kopsht zoologjik. Ndërsa gjeli që gatuhet për vaktin e presidentit, blihet me të ardhurat e tij dhe përgatitet sipas shijeve personale dhe të familjes së tij.
*********
Përtej gjëmimeve, shpesh edhe të padëgjuara të historisë së një fshati, të një krahine, vendi, të një kontinenti që përherë kanë qenë dhe do të jenë burimi mjaft festive përkujtimore, është dhe do të jetë dhe jehona mjaft e madhe e festës ose Ditës së Falenderimeve. Nuk është rastësi që presidentët e Amerikës në këtë Ditë, ftojnë udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota. Nëse amerikanët e krijuan dhe, më vonë, e përshtatën këtë Festë për shtetin e tyre, për mentalitetin e shoqërisë së tyre mjaft optimiste në thelb dhe punëdashëse, më shumë se nderimi për fenë e tyre, më shumë se besimin ndaj Zotit, atë mund ta qujamë ndryshe edhe Festa e Harmonisë së Njerëzve të Kombeve.
Është e vërtetë se festa të ndyshmë e kanë në thelb gëzimin, përkujtimin. Në Shqipëri e në trojet e tjera etnike me shqiptarë, pa përmendur festat fetare të tre besimeve fetare, sot gjen festa të ndryshme. Kujtojmë atë të të Korrave, të Ullirit në Berat e në Vlorë, të Fikut, të Shegës në Ulqin, të Grave, të Plisit, të Diasporës, të Vajzave, të Baballarëve, të Beqarëve, të Fëmijëve, të Gënjeshtrave, të Alfabetit, të Mësuesit, të Diabetikëve, të Auitizmit, të Demokracisë, të Abetares, të Poezisë, të Njerëzve në Nevojë, të te Tetraplegjikëve, të Ditës pa Makina, Nata e Bardhë, të Ditës së Verës, të Shëngjergjit, të Hashures, e Rinisë,
Festa e Falenderimeve mund të quhet ndryshe edhe Ura e Falenderimit, të një urimi të një njeriu për një tjetër, pavarësisht se mund të mos e njohë e mund të mos e ketë takuar kurrë. Të nxënësit për mësuesin dhe anasjelltas, të një burri për gruan kur e sheh se ajo lodhet dhe sakrifikon aq shumë për familjen. Të një fëmije për prindin. Të falenderimit për ata që bëjnë histori nderi për komunitetin, për kombin e për mbarë shoqërinë. Një shoqëri që ka brenda vetes falenderimin e një brezi për tjetrin, të një njeriu të thjeshtë për pushtetarin që e ka zgjedhur, që i ka dhënë votën, besimin për ta drejtuar, është shumë paqësore dhe e denjë për ta jetuar. Të një njeriu të ndershëm që duhet falenderuar e duhet të jetë model e jo një njeri që mendon se si të vjedhë e të abuzojë me të drejtën e të tjerëve.
Festa e Falenderimit është modeli i munguar i një shoqërie, aq më keq për shqiptarët ku shpesh brutaliteti, vulgariteti kërkojnë që të marrin rolin e :”Liderit”; në jetën sociale politike, kulturore të një vendi. Në mbyllje të këtij reflektimi historik, social, edukativ, dhe problemor do kujtoja një rit që e preka dhe vetë. Para pak kohësh u bëra pjesë e një vizite në një familje amerikane. Ishim të ftuar miqësisht për një :”kafe” si i themi ne, shqiptarët , një vizite miqësore. Para se të shtroheshim për darkë, të gjithë si ishim në tryezë në mënyrë simbolike, takuam pëllëmbët e bëra një grusht me njëri-tjetrin. Me zë të ulët të gjithë bekuam bukën, miqësinë, bëmë një falenderim më shumë për jetën tonë. e dhuratave të shumta të mbushura me sa e sa gjëra që gëzojnë çdo brez madje dhe çdo pushtetar i niveleve më të larta. Kemi nevojë për falenderimin në të gjithë ditët e vitit, në të gjithë ditët e jetës.. Jo vetëm në një ditë kur mjaft të ndritshme do të jenë dritat që do ta shoqërojnë këtë festë. Kur do të jenë fort të bukura dhe me ngjyra mjaft të ndezura fjongot që do të lidhin pakot e dhuratave. Se, në fund të fundit, duhet ta falenderojmë nga zemra për atë gjë të mirë e të dobishme që një njeri bën ndaj nesh. Jeta do të ishte shumë më pak e bukur pa falenderimin, më e trishtuar, pa moralin që të jep ajo. Sot dhe nesër. Në Amerikë e kudo ku ka njerëz që punojnë, luajnë, që vargëzojnë, që i bien kitarës dhe violinës, që qeshin, që lindin e rrisin fëmijë, që që lexojnë, që qeshin, që dashurojnë, që festojnë festa e gëzime njerëzish dhe popujsh.

Ramiz Kuqi: ISHTE SHTRIRË MBI KANAPE

Ishte verë . Dielli përcëllonte. Zëri i radios , herë humbte , për shkak të luginave e maleve, kur po gjarpëronte drejt detit autobusi, përplot me udhëtarë.. Dikush gërhaste, dukush lexonte ndonjë libër . Ndonjë njeri i moshuar, edhe pse në aautobus ishte e ndaluar të ndizte cigaren, nuk i përmbahej këtij rregulli të shkruar. Autobusi ishte me dy kate, Në katin e dytë të zihej fryma. Kondicioneri kishte një defekt të vogël. Në atë zagushi, udhëtarët që vinin nga Berni- nisën të reagonin.- Ndaleni autobusin , se na u zu fryma! Një nënë mbante në prehër një fëmijë flokëkqçurrela, i cili nuk ndalej së qari. Nga poshtë dëgjohej edhe ndonjë zë fëmije që të dyjat kryzëzoheshin në korridorin mes dy kateve. – A dëgjon ore burr ky shofer a nuk dëgjon?- thonin udhëtarët.
-Ndale, se na doli shpirti !- u dëgjua një zë burri, më kumbues.
- Pritni, ju lus. Edhe pesë minuta. Aty do të pushojmë , dhe nuk nisemi pa e rregulluar kondicionerin. Edhe unë jam bërë çull nga djersët. E di se kam një përgjegjësi për udhëtarët. Zëri i shoferit u shpërnda nëpër kate, përmes mikrofonit të vogël, sa një kuti duhani. Ju lus të keni konsideratë!
- Do të presim,- u dëgjuan disa zëra në katin e parë. Zërat tjerë, të katit të parë, nuk u dëgjuan në katin e parë. Pas disa lakesave, autobusi kapërceu një copë mali dhe përpara shtrihej një fushë e gjelbëruar. Gruri kishte nisur të piqej. Disa makina ishin strukur buzë rrugës për të nisur korrjen e grurit. Disa kositës, me kositëse motorrike, hiqnin barin rreth asfaltit, e rritur më shumë se gjysmë metre. Kishte mbajtur verë e begatë, shi natën e diell ditën. Edhe bletët atëbotë kishin dhënë mjaltë shumë.
- Je mirë Hans?- i tha Petriti. Kemi bërë udhë të gjatë. Mbase jemi lodhur. Por do ndalemi mbase për të pushuar pak. Do të pimë kafe?
- Po, po i tha Hansi, në një gjermanishte. E ndonjë fjalë edhe në shqip.
- Të kujtohet kur ike buzë detit ? Ke ndonjë kujtim nga andej?- e ngacmoi Petriti.
- Mos ma prek plagën e vjetër. Mbaj mend si sot. Ne zbritëm në mbrëmje. Qyteti ishte përplot drita neoni . Në mbrëmje rrugët gumëzhinin nga ecja e njerëzve. Zëra këngësh diku në thellësi të detit. Unë dhe Perini . u vendosën në hotel “ Gabrieli Sabatini”. Isha lodhur shumë. Gjumi m’i kishte rënduar qepallat e syve e mezi ngrija kokën. Bëra një dush në banjo dhe dola në tarracë. Pamja e detit më mahniti. Dëgjoja valët e detit që përplaseshin deri në plazhë. Një zë nga brenda më thoshte..sikur vinte nga fundi i detit: dil e sodit këtë bukuri hyjnore !
- Bëre dushin? – iu drejtua Hansi Petritit. E di se sa herë vonohesh, Të pëlqen uji i ngrohtë valë dhe mezi del nga andej.
-Gati jam,- u dëgjua zëri i tij. – Po çfarë ke që nxiton? Nuk je lodhur?
-E ndjej edhe lodhjen, por dua të dal, Të endem nëpër buzë detit.
- Si ore ? Vërtet e ke?
- Kurrë nuk të kam gënjyer Petrit. –Do të më shoqërosh? Ti e njeg çdo cep të kësaj toke. Çdo rrugë e rrugicë. Me ke thënë se nuk do ta prish disponimin? Se do të ndjek në çdo hap? E unë kam shumë ëndrra. Më pëlqen mbrëmja pranë detit. Edhe kur ikëm në Spanjë. Ke harruar kur iknin vonë e ktheheshin në agim?
- Uh edhe ti Hans. Nga nuk më end. Po më rikthen atje sonte? Po bëhem gati. 
- Unë jam gati !,- i tha Hansi.
Ishte ora nëntë e natës. Një polic në rrugë ndali një shofer nën ndikim të alkoolit. Bënte zigzake dhe nuk e ndalte burinë e makinës. A u ndal, pasi patrulla rrugore i doli përpara, në kryqëzim. Dy patrulluese rrugore e shoqëruan për dikund. Mbase deri në stacionin policor. 
-Kudo ka shkelje, - i tha Petriti Hansit. Por këtu si duket ka rend dhe qetësi. Kjo më bën të lumtur-, i tha Petriti Hansit.
- Ulemi për të pirë kafe Hans?- dhe bëri edhe disa hapa andej Petriti. Përballë rrugës ishte e hapur një kafiteri e madhe, me shumë lule anash, të cilat shpërndanin aromë të këndshme. Pas pak , erdhi një kamerier shtatgjatë me kokën e rruar. Mbante një tepsi të hollë në dorë për të shpërndarë gjërat e porositura. Ishte i tëri gaz. Në pamje të parë, dukej i lumtur.- Doni të pini diçka?- u tha mysafirëve.
- Hansi u hamend pak. Iu duk ky shërbim i mirë. Ai kujtoi Bernin dhe kamerierët atje . Janë të shkathtë këtu kamerierët. Kanë sy si guaca detit , dhe fluturojnë si shqiponja qielli. Hmmm.. u zu ngushtë Hansi? – Çfarë po pimë, Petrit?
- Dy kafe, pa sheqer çun. Kamerieri, si e mori porosinë, iku si vetëtimë dhe ua solli kafetë. Me kujdesin më të madh, me buzëqeshje rinore ua servoi miqve të panjohur, të cilët po i takonte për herë të parë aty. Duke u larguar, ai kapërceu nëpër turmë .Sa vinin e dilnin mysafirët dhe djaloshi donte të kënaqte shijen e secilit. Në krye të një tavoline rrinin dy njerëz, me zinxhirë në qafë dhe pinin birra. Dukeshin hijerëndë. Përcillnin me sy tre kamerierët me sy...dhe këta e ndjenin këtë shikim të rreptë, që nuk shfaqej, por që dukej : nga qëndrimi i tyre, nga zëri, lëvizja e duarve.
- Më pëlequ kafja Petrit -, iu drejtua Hansi. Do rrimë edhe pak dhe do të ikim. Të pushojmë sonte e nesër ikim te deti. Të ikim ?
- Po, pohoi me kokë Petriti. Ta presin kamerierin për të paguar. – Do të vish, ia bëri me dorë, pa nxjerr zërin kamerierit ?
- Pa një , pa dy, kamerieri ua solli letrën për pagesë. Ua lëshoi mbi tavolnë dhe po priste pagesën,. Ndërkohë, një plakë u alivanos në rreshtin e dytë. Dy të rinj vrapuan, i hodhën ujë në fytyrë,e ulën në një ulëse më të madhe . Ajo u këndell dhe i falënderoi ata.- Si të quajnë?- e pyeti Petriti kamerierin.
- Afrim, - i tha Petritit, me një zë të ulet e përvuajtës. Jam nga Kraja. Ka dy vite që vij këtu. Paguhem mirë për punën që e bëj. Orar pune të fiksuar nuk kemi. Punojmë nga dhjetë e dymbëdhjetë orë në ditë. Na zë gjumi në këmbë, kur ikim në banesë. Është një dhomë e vogël. Nuk e paguajmë shtrenjtë. Jemi mësuar aty. Jam student në Tiranë, për arkitekturë. Babanë e kam të sëmurë. Ai merr një pension të vogël. Mamaja punon në një kioske dhe shet duhan e ndonjë gjë të vogëla aty, lojëra fëmijësh. Kur vjen vjeshta, unë ik për Krajë, rri pak ditë dhe nisem për Tiranë.
Hansi e shikoi me dhimbje. Pastaj ikën për në banesë të hotelit me Petritin. Nuk llafosën shumë rrugës. Hansi kishte rënë në meditime . Një qen, në fund të lagjes së banimit, sikur i zgjoi nga ajo heshtje. –Je lodhur Petrit?
-Ndjehem i lodhur,- iu përgjegj Petriti. Por nuk munda të ta prish disponimin. 
- Faleminderit Petrit ! M’u dhimbs shumë çuni nga Kraja.Nesër do ikim , në mbrëmje atje. Kam edhe një ide. Do ta marr çunin për punë sezonale, verës në Bern. Kam nevojë për një punëtor në pemëtari. Mbase do t’i ndihmoj kjo atje. Edha paga, gjithsesi. Ndoshta di ndonjë gjuhë?
- Mrekulli Hans. Ti je një mik zemërbutë. Edhe mua më ndihmove shumë në fillim. Unë erdha si azilant . me një çantë ku kisha futur disa rrobe për veshje. Ende më duket se e dëgjon nënën time: Paç fat në jetë, biri im! Kudo që të shkosh, sillu mirë e ndershëm me njerëz. Ai zë më përcjell edhe sot, pas shumë vitësh. – Të kujtohet kur unë , në atë mëngjes vjeshte, pak para se të vinte dimri,erdha dhe kërkova punë. Ishte një e shtunë tetori. Koha kishte nisur të prishej. Qielli ishte mbushur me re. E ra shi i madh atë ditë. Era rrokullisi çarçafët nëpër tavolina. Unë u ngrita, pa më thënë askush asgjë- i mblodha ato. Ti më kishe parë nga zyra dhe e kishe porositur Gencin, një shqiptar nga Tetova që kishte kohë që punonte aty, të më takonit. 
- E di , Petrit. Unë u bëra mik me Ty. Ti më rrëmbeve me punën që bëre atë natë, kur era po përpinte çdo gjë. Dhe, nuk munda të mos të thërras. E di kur erdhe në zyrën time. Flisje një frëngjishte jo shumë të zotëruar.Por shpejt u këndelle. Madje, myshtërinjtë ishin shumë të kënaqur me shërbimin që ua bëje. Ua rrëmbeve zemrat !- Ke takuar më Eldën? Më ke folur shumë herë për portretin e saj.
- Kanë ikur shumë stinë. Mbase gati dy dekada. E takova një ditë mëngjesi , kur po futej nëpër dallgë deti. Kishte sy gllabërues. Qepallat e saj ishin si të dallëndyshes. E përcolla me sy..Nuk isha i martuar. Sa kisha mbaruar shërbimin ushtarak ! E përcolla me sy zogu. Ajo u zhyr në det dhe nuk doli një kohë. M’u duk sa një orë. Notoi si delfinë, herë në shpinë e herë herë me not mashkulli. Kur doli në breg , shikoi anash çadrave . U ndal për një çast para çadrës sime..pa e ditur se unë po e sodisja nga larg.. – Ishte uji i ngrhtë?.- mëzi më doli zëri nga goja.
- Mund ta provosh. Deti është skaj më skaj, i gjërë, i thellë. I pafund. Keni ndonjë fjalë tjetër ? – më tha dhe u zhduk nëpër turmën e njerëzve. Mbaj mend se mbante syza dielli.Duke perënduar dielli, disa re të bardha u derdhën nëpër qiell. Nata po vinte me riga të imëta të shiut. Pushuesit nisën të mblidhnin plaçkat. Ndërsa, Elida ishte shtrirë dhe nuk i bërri përshtypje shiu. Ishte futur në një botë...e më duket se fliste më vete. Kur turma zbrazi plazhën, ajo u rrotullua nëpër rërë dhe më pa si po rrija nën çadër, i trembur.- Nuk paske ikur ende?
- Jo, i thashë, me një zë të zhagitës. Më pëlqen kur bie shi. Shiu do të thotë begati. Në ara rritën të mbjellat.
- Ti je pemëtarë?- më pati thënë atëherë. 
-Po. Një ditë ika për Bern. Atje u punësova te miku Hans. Kam ardhur me të në bregdet.- Nga është miku juaj? 
- Është nga Zvicra. Vjen për herë të parë me mua këtu.
- Çudi po më vjen. –Po ti pse nuk ikën nga shiu? Nuk t’i lag flokët?
- M’i lag. Po disi jam ngujuar sonte këtu. Nuk më bëjnë këmbët të largohem.
- Do më shoqërosh për një kafe?- i tha Elida. Fjala e saj, - më erdhi si këmbanë nëpër veshë. Nuk e di as sot se si e ndjeva veten. Mua po më thoshte? Nuk mund të besoja !
- Po, i thashë me gjysmë zëri. Pastaj ikëm nëpër shi, të lagur deri në kërthizë. Kur u futëm në një kthinë të restoranit ku ajo banonte me mikun Geri, ajo qeshi me zë. Sa më pëlqen nata me shi ! – tha . Zëri i saj ishte frymëzues. Unë po ngjitëm në katin e dytë, në dhomën tridhjetë e shtatë. Për një kohë të shkurtër, do të zbres për të pirë kafe, me Gerin, mikun tim gjerman. Ka shumë vite që bashkëjetoj atje..- Do të më presësh?- më tha.
- Pohova me kokë, pa bërë zë.
Ajo erdhi , pa u vonuar shumë. Kishte veshur një fustan të hollë dhe një bluzë ngjyrë trëndafili.
-Ky është Geri, miku im simpatik. Ka një kompani arti dizajn atje. Unë u punësova si e re . Ai ma rrëmbeu zemrën. Është tip i butë dhe, nuk mban zemrim me mua..edhe kur grish ndonjë mik për kafe, ja si sonte kur ti je me ne. –Unë jam edhe nesër në plazhë. Mund të pimë kafe në mëngjes. Geri do të udhëtojë për në Berlin. Unë do ta vazhdoj pushimin. Më pëlqen dielli i detit !
- U ngrita . Përshëndetja ishte e ngrohtë. Ajo më shtrëngoi dorën dhe, si falënderin përse e kisha shoqëruar deri në dyert e hotelit, më puthi në faqe. Një drithërime e butë m’u shpërnda, si mornica nëpër trup. Ndjeva sikur më kafshoi diçka, por nuk e dija se çka. Duke ikur, unë nxora nga çanta romanin e Viktor Hygos “ Të mjerët “ dhe ia nënshkrova . Mbaje këtë libër, si kujtim. Mbase mund të mos takohemi. Duket se koha do të jetë me shi nesër!
- Nëse del dielli, jam te e njëjta çadër. Nëse jo, do të ik për Tiranë. Natën e mirë më tha dhe iku nëpër shkallë. Ia pashë vetëm kokën , kur e hapi derën ku e priste në përqafim Geri.
- Nuk e ke takuar më?- i tha Hansi, pasi e kishte dëgjuar me ankth këtë rrëfim.
- Jo. Nuk e di nga e ka tretur jeta. Kohë të ikura ..mbase edhe një kujtim jete nga deti. Ngjyra e syve të saj më ka përcjellë..por dikur nisi të zbehej , dhe nuk mbaj mend më asgjë. Ndoshta jeton në Berlin, me Gerin..me fëmijë..Kanë ikur shumë stinë miku Hans ! – Të biem në gjumë, sepse jemi lodhur. Askush nu e di se çka të sjell dita e nesërme. Secili jeton me një shpresë..në fund të fundit, jeta është si një ëndërr, e bukur a e frikshme.
Kur ishte në këto meditime, një zë telefoni e zgjoi Petritin .Ka ardhur Musai ..Për një javë punë në xhami..Mund të vish me Farkatarin? Jeni të nderuar !
Më vjen mirë Naser. Të lus, m’i bëj të fala..Ia kthyen shpinën në Berlin..Nuk e do njeriun e formuar kombëtarisht sot askush..Dje e donin..Ja si jemi ne..Si ta kalojmë urën, ia numrojmë shkeljet e patkoit ..ecim nëpër gjurmë..Ia kthyen shpinën Naser !
Muzgu ishte shpërndarë nëpër udhët e boshatisura të Berlinit. Bora kishte harruar të zbriste mbi qytetin ku derdheshin në shkëlqim dritat e forta të neonit. Para se të binte shi, Petriti e kishte takuar Hansin në restoranin e tij. Ai i kishte rrëfyer për Elidën.. me të cilën ishte ndarë, por miqësinë me të nuk e kishte humbur. Ai i kishte thënë, për herë të parë, se sa herë takohej për kafe, zakonisht në orët e vona të mbrëmjes, se ajo vinte me librin që ia kishe dhuruar ti, atë natë kur po binte shi në bregdet. Sa herë kishte thënë; do kthehem një ditë të hotel “ Gabriel Sabatini”, ..ndoshta thoshte shpesh..për ta takuar. Një mëngjes, ajo më paskësh thënë: do të ik në bregdet...të ulem aty, t’i mbyll sytë..ndoshta e takoj .. Po ajo erdhi e trembur. Më tha ta dëgjoja një ëndërr. Ishte skuqur në fytyrë..Sytë e saj ishin të përlotura.. E kam parë në ëndërr Petritin më tha , dhe u shkreh në vaj. Ma solli një trëndafil të kuq e ma vuri mbi buzë. Por nuk arriti të më puth “ dhe shikoi qiellin si e humbur. Në dorë po mbante librin e Viktor Hygos, e shtrëngonte sikur të mbante në dorë një zog, të cilin nuk donte ta lëshonte për fluturim.
Petriti ishte shtrirë në kanape. Tingujt e muzikës së lehtë “ I dehur jam..këmbët s’më mbajnë”. Ishte tretur si nëpër dallgët e jetës!

Dhimitri Kokaveshi: TRETUR, BREGUT.

Perplasur, si mes shkembinjve
thermuar
të thepisurat e shpirtit 
mbartin
jetë?... Μos më tret
dallgësh
dhe trishtimesh ndjej
ditët?...
Pa diell, s'i rimëkëmb
shkëmbinjë?...
Varur bregut si kjo jetë
e ngjeshur
dallgëve, s' të prisja
kaltërsitë
qiellore, mos m'i lodh.
Mos më lodh
dielloren
o perëndi...e dritës
kaq harmoni
shpërthimeve të tua dua!...
Ta konkuroj.

Friday, February 23, 2018

Namik Selmani: E varën Poetin…


Havzi Nelajt
Namik Selmani
E varën Poetin
Teksa puthadorët e Natës bënin festën e Gjakut
E Mal i Pikëllimës
Për të donte ta hidhte emrin në shpate të humnerta.
E kënga
Në një arkivol nderimi e mbajti bash në gurin e pragut
E ne
kuptuam se fjalën e lirë po e godiste thekshëm Heshtja.
2
. E vranë Poetin
Si të vrisnin një trup-lehonë që na jepte mëmësinë.
E Fyelli i Fjalës
na ngeci të gjithëve në fytin e çarë nga loti e dhimbja.
Ata, të Paemrit,
kalisnin kosa, thika, sëpata nga mbrëmja në agim
Në ugarin plisçarë
Farën e jetës e filizin e lisit donin të na e prangosnin ndër qelira.
3.
E Gjallica
Në agun e ri ia kish thanë Lumës kobin gjëmëzi të Mordit.
E Drini
Ia kish ruajtur me merak nëne një kordele Kujtese të bleruar
. E poetët e kombit
Nxirrnin nga arkëzat e tingujve ngjyra bajraku, ehon e klithmat e motmotit
Teksa mesnata kuksiane
Me melodi funebre hapte kanate me dhëmbë e duar shtrënguar.
4.
E varën Poetin
Si një pendul hyjnor që na tregon kaherë kahjen e Kohës
Ani pse
duart vrastare Tualetosen ende në humbëtirat e mbjella me parfum Harrese
Një amanet i pathënë poeti
Nuk mund të heshtonte mes krakërimës së korbit.
Një ëndërr lirie
S’mund të mbaronte me një litar të lidhur në një tavolinë zgafelle.









5
. Me një tundje litari
Trup i Poetit belbëzonte plot kreni fjalët e pathëna.
Luma,
Bushtrica e Kosova Përzhisnin zemrën në atë mesnatë, në gusht.
E varën poetin
Bash si të varnin Bjeshkën me borë, me lule e kroje ujëargjenda.
Si të sillnin
drejt nesh Vetë Shkretëtirën e Besimit te liria, në një zjarr të prushtë.
6.
Kolovitej
mes kaltërsisë njaj trup i pajetë, në litarin kombshtrënguar.
E dielli
Tragjikshëm e fshihte fytyrën nga dhimbja dhe derti.
E Kolesjanit
I shtoheshin palë rrudhash në ballin e gurëzuar.
Një këngë majekrahu
Si një piskamë zemrash merrte rudinat për Rilindje Poeti
7.
E varën Poetin….

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

KOHË MARROQE
Guri im
Ke mbetur mes letrave
Si flutur nëpër qiell
Të bartin
Nëpër kuota të panjohura
Si ajo dritë e vogëlth
Nëpër pyllin e Ekos
Rrugën ma pret
Një ulkonjë me shumë sy
Që ec
Pa e vërejtur syri yt
I urti
Populli im
T’i kanë varur ëndrrat
Në gozhdë muri
Ah kjo grindje pari
Që bie e ik
Te guri!

SOSUR
Janë fjalët
Ëndrrat po digjen
Ngadalë
Qiriun e Naimit
Po ma fikin
Dritë
Në asnjë varg
Sosur
Janë stinët
Që m'i vodhën hajnisht
O , si nuk e kam..
Si nuk e kam
Atë grushtin e Migjenit
Ta çajë gurin në mes
E nga syri i gurit
Të shpërthejë një lot
Kokërmadh
Sa një lumë
T'i heq këto ashkla
Përtej ishujve t'i shpie
Sosur
Shpresë , ende shpresë?

ENDEN
Nëpër kurrizin tënd
Kosovë
Me harta Ballkani
Harta Evrope
Harta Azie
Hartën e Kosovën
E kanë futur nëpër skuta
Labirinte të pafund
Zaptuesit e fjalës
E inatçorë
Rrahagjoksit “atdhetarë”
Në sëcilën shkronjë
Ka një hije të fshehur
Nëpër kurrizin tënd
Enden kuaj të Trojës!

ERA
Mos iu gëzo aq shumë mëngjesit
Kur në horozon tè qiellit sheh mjegullnajë
Se shiu mund të bie e zogjtë i tremb
Era
Lulet e mbjella me thonj në kopsht
Mund t’i këput dora e plëngprishësit
Të bukurën e tokës mund ta mbyllin
Si fjalën e bilbilin që do cicërimë të re
Matanë grilave shpirti dhemb
Bashkë me bonjakun nëpër këto udhë
Me leqe të ngatërruara mbi samarin
Që bartin mbi supe të lodhura këmbë
Që tërhiqen zvarrë nëpër sheshe të hirta
Ku rrinë njerëz me kapelë të grisur në kokë
Mos iu gëzo aq shumë mëngjesit
Pa nxjerr dielli kokën në horizont
Pa i larë rrezja sytë të kroi i vashës
Që rri mejtuar pranë oxhakut të shtëpisë
Duke pritur një fjalë për vëllanë e tretur
Që një natë ia morën nënës nga gjiri i tokës
Barbarët e Karpatëve
Që ëndërrojnë Veriun e tokës së përgjakur
Deri në kërthizë të Kosovës
O sa larg kanë ikur ëndrrat e mia për një Varg
Pa rimë
Si një pikturë varur në hyrje të një kulle
Ku koha grindet me vetveten
Era m’i bart ngjyrat nëpër kryqëzime stinësh
Dekoratën lë ta marrin ata
Që ma vodhën buzëqeshjen
Në agimin e parë të lirisë së brishtë
Era...

MOS SHKRUAJ
Pa të djegur fjala në fyt
Pa t’u derdhur loti
Përvëlim nëpër mallë
Kur të takohesh
Ballë për ballë me ylberin
Lërë të pi
Në shtratin e lumit
Qielli të mbushet dallëndyshe
Nëpër damarët e tokës
Të lind
Një këngë e re
Si melodi
Të na i mbush vargjet
Me lirikë
Pa të djegur fjala në fyt!

KUR IK NGA DHEU
Mos mallko
Si hije loti të përcjell
I heshtur
Që s’del nga syri
Të ndrydh koha
Të ndjek një zë
Që s’e ndjen
A nuk e dëgjon
Malli
Të shtrydh
Kur ik nga dheu
Mos thuaj :lamtumirë!

E DI
Se diellin ta kanë zënë
Shpirtin ta kanë grisur
Zogjtë t’i kanë trembur
Ta kanë vrarë
Ëndrrën e lirisë
Udhët e mërgimit
Ah sa të rënda janë
Bie
E zgjohesh trembur
Hapëron
Nëpër udhë të panjohura
E di!
O SA BUKUR BIE
Tingulli i çiftëlisë
Kjo këngë për Ty Kosovë
Ti dole nga gëzhoja e tokës
Rëndë rrëzuar për dhe
Me shekuj
Si rob
Në tokën tënde
U ngrite
Si njjë lule
Që shpërndan aromë
Në Ballkanin anembanë
E dridh
Çerpikët e Vardarit
Lëkund
Degën e ndarë në Çamëri
O sa bukur bie
Ti gërnetë
Në këtë qiell të pafund
O SA BUKU BIE!

ORA E RITA ORËS
Tik-tak ora ra shqip
Vallëzoi shqip
Si një shqiponjë
E solli FLAMURIN E GJERGJIT
Në skenën e lirisë
Asnjë polic
Nuk ngriti kërbaçin
Grimcuan thonjtë paria
Në shtizën te Rrethi
U ngrite në qiell një brohorimë
Ritë
Ti na i mbushe ëndrrat
Me zogj e shqiponja !
Ora e Rita Orës
Ra Shqip !

O FLAMURI IM
" ..O mos thuj..."
Se ti rron
Në shpirtin e vegjëlisë
Që nuk e rrëzoi asnjë fërfëllizë
Dimra të egër kapërcyen mbi tokën tënde
O Flamuri im
Ti u valëvite nëpër netët e trazuara
Nëpër kulla burrash
Me Ty u rrit kënga betejave
Me Ty u ngrit në qiell shqiponja
"..O...mos thuj.."
Ti je ëndrra e mbjellë në vargje poetësh
Si fara e grurit në arat ku shqip
I thonë bukës e lirisë
E nuk të ndal asnjë Pari
Që shpirtin e kanë mbështjellë
Me djallëzi
Bien në gjunj e puthin
Këpucët nëpër udhë
Për një kolltuk
" ..O mos thuj .."

THONË
(Nënave )
Se nga loti i saj
U nda
Zemra e malit
E malli
Për birin e pagjetur
U shndërrua në bubullimë
Shkreptimë
Cdo natë
Në dritaren e hapur
Ajo u bë sogjim qielli
Sy e kokë nē dritare
Si nëpër ëndrra
Atje pa njē yll
Që i duk zog
E nga zogu portret
Rrënkoi si ulërimë
Si shi
Litar i pakëputur
Mbi varrin e saj
Shtatë lule
Mbinë në mars
Në shtatë thupra
E shtatë lumenj
Grishi diellin

TI KULLË
(Adem Jasharit)
Ke mbetur ende me vrima
Nëpër mure
Nga ato predha
E plumba
Nga gjiu yt sot
Kulla e shekujve
Fluturojnë nëpër qiell lirie
Të bardhë pëllumba
Ti Kullē
Që luftove me një perandori
Nga gjaku i trupit tënd
U linde
Kosovē në liri!

Nebih Bunjaku: MURE TMERRI

Minatorëve ‘89
Dimra t’ashpër me errësirë
Plot me ngrica e shtrëngatë
Jetën peng, fatin mënxyrë
Si t’jetohet vallë kjo natë
Rrudhave të ballit dje dhe sot
U janë skalitur elegjitë tona
Bukën 7 korshe ngjyer në lot
Djerë e gjak ngarkuat n’vagona
Revolta juaj – burim shekullor
Nga pasha e rëndë e robërisë
Thellë nga Hadi del me zor
Faqja e Re e antologjisë
Horizonteve të nëntokës
8 ditë e net buzë pavdekësisë
U mekoi gjiu i Nënëlokes
Në sprovë garash të Urisë
Në zgafellë jeta skëterrë
Pritja ankth – ankthi shekull
Hiena, çakej në portë, në derë
Gojëhapur u presin në mjegull
Jastëk gurin – zemrën shkëmb
Vepra juaj – vulë kushtrimi
Mure tmerri kudo shemb
Nga Tien An Meni tek Berlini Agjensi

Wednesday, February 21, 2018

Zija Çela: LETËR BIANKËS


E dashtuna Bianka, kam ngecur mu në aksin urban, diku pranë stacionit Rruga-Ura dhe vetëm 250 metra na ndajnë. Më vjen keq, por këtë largësi (afërsi) nuk kam për ta kapërcyer asnjëherë, pasi jo vetëm për të shkuar përpara, por edhe për t’u rikthyer tek ti, s’ka mbetur për mua as rrugë, as urë. Shkurt, kam shkelur një minë nëntokësore dhe, sapo ta ngrej këmbën, mina do të shpërthejë.
Për shkakun tim i gjithë trafiku ka ngrirë. Duke shkëmbyer shenja e llafe, pa guxuar të afrohen, njerëzit më vëzhgojnë nga larg. Prej tyre marr vesh se minën e ka vënë një bakall, për të vrarë fqinjin dorac, me të cilin ka konflikt për truallin e dyqanit. Minavënësi kishte pandehur se, në këtë fërk mëngjesi, i pari që do të shkelte aty do të ishte pikërisht hasmi i tij. Mirëpo, ja që doraci qenkësh gdhirë i sëmurë, ai ende s’ka bërë hap këtej, ndërkohë që unë, duke çalltisur për larg, dola herët nga shtëpia. Me një kile kafe në çantë, kafe kokërr të ardhur nga shkretëtirat me mirazhe të Qabesë, isha nisur për në Shkodër, ku po më prisnin motrat e veshura me të zeza dhe, bashkë me ato, të bëja hov matanë Bjeshkëve të Namuna e drejt Malit të Sharrit, për t’iu gjendur vëllamit në ditë zie, me xhenaze të rëndë në konak.
Më duhet të them se, dikur, kam lexuar një tregim me titullin “Letër Xhulias”. Aty flitet për një skuadër minazbuluesish, xhenierë të karrirës. Njëri nga ushtarët e vjetër, megjithëse me aparat në dorë, shkel pikërisht një minë si kjo. E dëgjon se vdekja po i këndon pas veshit, është plotësisht me dije se askush nuk mund ta shpëtojë, prandaj, i rrethuar nga shokët e tij, kujtohet të diktojë një letër për njeriun e vet më të shtrenjtë, të shoqen që e quanin Xhulia. Në këto çaste të fundit, e kam mbledhur mendjen, lipset ca dinjitet, andaj nuk më shkon aspak të bëhem kopjac!
Biankë e dashtun, vetëm në të zbardhur të dritës e kuptova sjelljen time të papërgjegjshme. Mbrëmë isha me të vërtetë i rraskapitur dhe, ndërsa ti po koteshe, unë hëngra darkë dhe u shtriva, pa pritur që të haje edhe ti. Në mëngjes pashë se asgjë nuk kishe vënë në gojë. U ngrite si me zor, pa shkrythjet lojcake, me një mavijosje jeshile në buzën e poshtme dhe prapë asgjë nuk vure në gojë, ndonëse qumështi dhe rriska e proshutës nuk mungonin. E di, proshuta është një ushqim disi kadaverik, dyshova se ky ishte shkaku që ti nuk haje, duke pasur nevojë për pak mish të freskët. Mirëpo nxitova për të dalë nga shtëpia dhe vetëm pas pak, kur rashë në kurth, u kujtova se nevoja jote më kishte rrëshqitur nga mendja. Tani më thuaj, ku djallin je helmuar dhe çfarë është ai helm që të ka mynxyrosur ty?!..
Që këtu ti e merr vesh se unë nuk jam mirë, pasi t’u drejtova me pyetje, kur dihet se nuk je në gjendje që të përgjigjesh. Nëse vërtet do ta kapërcesh këtë mynxyrë, kam një merak që mbetet ta përmbushësh pas shumë e shumë vitesh, ditën që edhe për ty s’do të ketë më rrugë apo urë për të mbërritur tek unë. Pra, kur të të vijë ora e vdekjes, je e lutur ta shpërndash te fqinjët atë kartën, që ta kam përmendur dhe që e kam printuar në disa kopje. Aty shkruhet: “Sipas një tradite të vjetër, ndryshimi mes maces e qenit përcaktohet nga reflekset, qeni gjuan për të tjerët, kurse macja për vete. Mirëpo tashmë zakonet kanë ndryshuar, sot qentë gjuajnë për vete dhe macet për të tjerët.”
Bianka, e virtytshmja Bianka, unë besoj në martirizimin tënd. Ndërsa ti nuk është e nevojshme të besosh ndërsjelltas. Jo për tjetër, por se asnjëherë nuk do të kesh ndonjë obligim ndaj meje. Ai ushtari i vjetër e gjeti mënyrën që, duke e diktuar me zë, letra e tij të stenografohej dhe të arrinte te Xhulia. Dhe ai kishte të drejtë, atëbotë lufta e shpallur sapo kishte mbaruar dhe vrasja ende dukej e besueshme. Kurse tani, të bëhesh fërtele nga dinamiti a nga një minë, pra të biesh në rrengun e vdekjes, është diçka krejt idioteske, pikërisht ngaqë lufta nuk është shpallur. Ja përse unë nuk ia diktova askujt këtë letër intime. Veçse në pamundësi për të duruar më gjatë, përpara se mina të më ketë hedhur në erë, të gjitha sa rrëfeva këtu, ia thashë vetes nën zë. E pse? Sepse ti, macja ime bardhoshe, nuk e flet gjuhën e njeriut. Por kam bindjen se e ndien, e ndien thellësisht këtë gjuhë. Prandaj kurrë mos e dhëntë Zoti të vdesësh qenshe, si unë.
Ah, sikur ta kishe të mundur të m’ia çoje një falëmeshëndet vëllamit tim, atij vëllamit përtej Bjeshkëve të Namuna e përreth Malit të Sharrit! Të m’i thoshe që të ma bëjë hallall për mungesën në mortin e lokes së tij dhe se është i falur që nuk u ndodh në mortin tim. Sidoqoftë, në ia marrtë mendja të vijë një ditë, vajtojcat të m’i sjellë nga Reka e nga Prishtina, se bëhen bashkë me motrat e mia, vajtojca të thekura nga Shkodra dhe ma gjejnë varrin në Tiranë. Harxhet, për çdo rast, i ka e zonja e shtëpisë.
E sheh, Bianka, më vajti goja ku djeg e ku përvëlon! Sa do të dëshiroja që, në këtë finale banale, t’i përcillja asaj së shtrenjtës time shoqe, zonjës Aliqi, nja dy porosi të vogla. T’i thosha se po e lë pa borxhe. T’i thosha se, për borxhet që nuk m’u paguan mua, të mos shpresojë se do t’i kthehen. Dhe në fund, nëse bie ngusht një ditë, atë kupën e dyfishtë të kafes, çakmakun e zi që nuk e gëzova, sahatin e kromuar të xhepit dhe qeset e mbushura plot e përplot, po gjeti blerës, të mos ngurrojë por t’i shesë. Veçse amanet, me pak dhembje për këto qeset me letrat e mia.

Saturday, February 17, 2018

Ramiz Kuqi: Cikli Poetik " Tek Gardhi i Shkaut"

FLUTURO SHQIPONJË
Fluturo mi malet e mia
Zbrit të lus sot
Deri në Çamëri
M'i përshendet ato udhë
Konaqe të vjetra
Mbetur si nënë pa fëmijë
Ndalu nëpër oxhaqe të shembura
Oborre mbushur dje me hardhi
Fik e portokaj nëpër oborre
Zërin e ëmbël të bariut
Që thurte këngë për atdhenë
Fluturo
Në çdo pore të tokës
Ka ende lot malli
Shpresë ëndërrime
Se do të zgjohesh një ditë
Ti Kosovë e Shqipëria ime
Atje
Ti shqiponjë të ulesh
Mbi degë ulliri
Zbrit të lus sot
Kur Kosova ka ditë me diell
Merr një mesazh lirie
Dhe endu nëpër atë qiell !

URIME KOSOVË
Mund të ishe më ndryshe se je
Dëshmorët
Ta falën gjakun
Që ti të ecësh kokën lart
Nënat
Lotin nëpër stinë
Të varfërit
Krahun e punës
Por gjithmonë ecëm me Ty
Të zgjohesh nesër
Pa maskarenj
Je ngritur në këmbë
Nga gërmadhat e shtëpive
Rrafsh me tokë
Nga oxhaqet
Varura në qiell
Që asnjë erë
S'i tundi për toke
Mund të ishe ndryshe
Kosovë !

VARGJE LIRIKE
Dëgjova një zhurmë në rrugë
Hapa të lehtë si pulëbardhë deti
Sikur derdhej qumështi në shtrungë
Në ëndërr valuar si loti mbeti
Nuk di a ishte erë a frymëzim
Kur trembur më zgjoi nga gjumi
Mes dritareve e bukur si rrapëllimë
Qiellit u ngrit mes reve si fluturim pëllumbi.

KAM HARRUAR

Ta përfytyroj detin
Kur e takova emrin tim
Në plazh
Cadra të grisura
Shtretër për kurriz
Me kukëza drunjsh
Unë harrova
C’sy pati mëngjesi me diell
C’ fustan
Kishte veshur deti
E pashë
Vetëm kur rrezet perënduan
Kam harruar
Ballin qërpikët lundrat
Atje mbi breg
Ndonjë fluturim pelikani
Sonte
Jam shtrirë mbi kujtime
Në sfond
Rrëshqas largësive
MË GRISET
Sa herë
Kur bie shi
E lag germat në Abetare
Ma grisin nga një germë
Pa dhimbje
E ndjej
Sikur ma heqin
Si me darë
Një copë mish thoi
Janë futur
Në llomin e kohës
Si zhytës nëpër kallmishta
Na ruaj ...
Nga ky i pasoj njeriu
Që na tërheq zvarrë
Nëpër stinë!
Në prag të një date
Ecim këmbëzbathur
Në mes të sheshit
Akrobatizojmë
Ruajmë një shtizë flamuri
Me polic të uniformuar!

KAFSHIMI

Si i gjarpërit mbi plagë
Plagë kufiri
Endesh nëpër kotësinë
E fjetur
Tash je kthyer
Ta kafshosh gjuhën tënde
Nepërkë nën gur
Kafshon mbi trup
Në gjeografinë e hartës
Unë kam folur
Me malet mbrëmë
Fishkëllimë e gjarpërit
Ma tremb fjalën në varg !


NË PËRVJETOR

Me thonj gjaku e bëmë lirinë
Me gjëma nënash
Për bijtë dëshmorë
E Shota Galica
Me pushkën e shekujve
Atë pushkën e gjatë
Që s’u ndal kurrē
Me flamurin e Gjergjit
E pritëm armikun
Të Gardhi i shkaut
Po pse sot ky flamur
Të mos valojë në shtizë
Në sheshin e Prishtinës
Në gjiun tënd Kosovo
Krah për krah me flamurin e yjeve?
Kujt ia vret syrin kjo shqiponjë
Me thonj gjaku me thonj!

MARR
Çdo ditë nga ti o lumë
Një dallgë të trazuar
Dhe pikturoj nga larg ylberin
Që pi
Shiun e ëndrrave
Dhe qep
Këmishën pa pulla
Fllad i detit
Të përqafoj dhimbjen tënde
Nëpër luginë
Marr
E nuk ngopëm
Në sytë e mi
Ti je ëndërr e.bukur
Çdo ditë nga ti o lumë!

TRE SHEKUJ
( Arbëreshëve në Zarë)
Me sy dhe ëndrra
Nga deti
O Arbëri
C’u dogja
Për Shkodrën time
Udhëtoj cdo natë
Si dallëndyshe pa kufinj
Tre shekuj
Mbytur nëpër lot
O Arbëri!

TI KULLË
(Adem Jasharit)
Ke mbetur ende me vrima
Nëpër mure
Nga ato predha
E plumba
Nga gjiu yt sot
Kulla e shekujve
Fluturojnë nëpër qiell lirie
Të bardhë pëllumba
Ti Kullē
Që luftove me një perandori
Nga gjaku i trupit tënd
U linde
Kosovē në liri!


Ajet Shala: I KËNDOJMË PAVARËSISË 17 SHKURT

GËZUAR PAVARËSIA E KOSOVËS, GJITH SHQIPTARËVE KUDO NË BOTË!!!

Kemi lindur në beteja nëpër rudina
Kemi hedhur valle mes topash në gjëmime
Si flamuri ynë i kombit Hasan Prishtina
Kemi ecur pa u mposhtur sfidë pas sfide.
I këndojmë me gaz e lahutë pavarësisë
Për lirinë që e kishim ëndërrën më të dlirë
Me shokë trima erdhi Isa Begu në Boletin
S`ndahet kurrë Mitrovica, i thotë Krajlisë.
Në Dukagjin vjen nëpër stinë jehona e bjeshkës
Hedhin kushtrim në Pejë djemtë për liri
Po japin betim në Kullë të Haxhi Zekës
Të gjithë për trojet tona do të bëhemi fli.
Pa shihni çlirimtarët që nga Shkëlzeni po vijnë
Ndalin aty ku shkulin gurin e kufirit që kemi
Aty do ta ngrejmë flamurin e fitores të gjithë
Do e ngrejmi mbi kala si dikur Imer Prizreni.
Luftëtarë vetëtimës si zjarr po i ngjajnë
Ata dëshmorë që bien ballaz në Jezercë
Në mermer lirie atje, në Ferizaj
Nga valët e Nerodimës marrin fresk.
Karadakut ia vunë tmerrin gjer në palcë
Anamorava dhe Gollaku digjen gur më gur
Për t’i mbrojtur me gjak trojet shqiptarë
Si bëri në Gjilan Idriz Seferi dikur.
Frymë lirie po vjen nga Pashtriku në oda
Ninullat në djepa freskohen në Çabrat
Bajram Begun në Çarshi, në Gjakovë
Me trima lirie mes plumbash po merr hak.

17 SHKURT 2008

Dardani, kala lavdie
Gjashtëqind vjet nëpër beteja
Shkurti – ditë shenjtërie
Ta dhuroi UÇK-ja.
Festë e madhe e lirisë
Mbi çati skuqin bajraqet
Del nga zemra një urim
E gazmojnë të gjithë pragjet.
Bacë Ademi na vjen pranë
Na kujton një amanet
Për kët diell e për kët hanë
Do ta mbrojmë tokën e shtrenjtë.
Na vjen Baca nga Prekazi
Vijnë të urtat Loket tona
Gëzon Sharri, gëzon vendi
Sot e lirë është Kosova.
Hedhim valle, marrim këngë
Në një log gjëmon tupani
Me bajrakun hijerëndë
Zemrat ndrijnë si flakadani.
Bijtë e Shqipes fjalëngrohtë
Në çdo bjeshkë në çdo varr
Gjaku ynë iu bëftë kurorë
Në Drenicë e në Reçak.
Vargu im t’u bëftë dritë
Të qoftë zjarri me shkëndija
Rron kujtimi, rron nderimi
Se e lirë është Dardania.

FLAMURIT KOMBËTAR
( Baladë)
Si dritë syri ty të patëm
Brez pas brezi thellë në gji
I pandashëm majë e lartë
Si në luftë e në liri.
Ty të gdhendëm nëpër djepa
Nënat tona bënë ninulla
Të skalitëm në gur dhe shkrepa
Më lahutë kënduan burra.
Për ty bijtë ranë në gjunjë
Duar lart me lot në sy
Për ty vunë sy edhe buzë
Se lartësove pavarësinë.
Ndër beteja u lave në gjak
Ngjyrën e kuqe që e ke ti
E vura në damarë
E në zemrat përherë je.
Je celulë në palcë të kombit
Shumë martirë për ty flijuan
Nëpër udhë që ka një botë
Madhështinë për ty e shkruan.
Për ty djemtë e dhanë jetën
Bënë vetëm sakrificë
Porsi lumi derdhën djersën
Që të bëhej udha dritë.
Për ty syri nxjerr shkëndija
Nëpër kulla kur flakë del
U betua krejt djelmëria
Nëpër troje ku bozhurja çel.
Sa t’i shndërijë diellit rrezja
Edhe Hëna deri sa të ndrisë
Lart do jesh përmbi bedena
Ka janë trojet e Arbërisë.

LIRISË
Hapësirë e lirë veprimi është Liria
Ku dielli të gjithë i ngroh njëlloj
Aty ku në djepa përkundet barazia
Ku lindin e rritën dhe bien heronj.
Aty ku zogjtë lirshëm fluturojnë
Përmbi fusha, mbi bjeshke me lisa
Ku pijnë ujë e gurrat gurrojnë
Ku martirët në mermer kanë plisa.
Atu ku shqipet bëjnë fole mbi gur
Dhe zogjtë e tyre fluturojnë
Mbi trojet e lira të skuqura dikur
Përmbi flamur një ditë ndalojnë.
Fluturoni shqipe mbi vendet si drita
Gjithandej dikur ku ishte Shqipëri
Shikoni mirë ku po ndizet shkëndia
Ku i thonë bukës bukë e ujit ujë janë një.
Liria është më e bardhë se një pëllumb
Është më e ëmbël se mjalti në hojë
Është e shtrenjtë e s’matët me fjalë askund
Është vetë jeta që ne e jetojmë.
Më e bardhë se liria ku mund të ketë?
Nuk duket e njëjtë as bora pranë saj
Peshon më shumë se mbarë një planet
Dhe shpirtin ta bën me rreze të bardhë.

DARDANI HEROIKE

Të dua o Dardani o kala e madhe heroike
Njëqind vite me hekur e zjarr t’u sulën
Barbarisht shkelën mbi trojet e tua me çizme
po kurrë ëndrrën e lirisë s’ta mbytën.
Mbi ty kaluan jeniçerë si palët e valëve
Po këtu eshtrat e turpin e burrit e lanë
Dhe bajlozët i vrave i fute në varre
E karpatianë, e mërcenarë, e barbarë.
Këtu i puth kullat e skalitura në gurë
Me themelet e rënda të lashtësisë
Këtu lindën heronjë në djep me flamur
Ku Baca Adem u bë pishtar i Dardanisë.
Besa-besë këtu vdiqën trimat e Lirisë
Për këto troje u bë lumë e det gjaku
Amaneti i stërgjyshërve thërret pa pushim
Kur u formua UÇK-ja në mbrojtje të pragut.
Jehuan armët në lugina e breg me breg
Krismat tmerruan Ballkanin e botën
Të gjithë u mblodhëm me urti në kuvend
Në Rambuje popullit i dhamë votën.
Në Alpet arbërore ku dhe bora plaket
Thërret ende Kosharja e trimërisë
Atje ku guri shkulet e merr tatëpjetë malet
Në vumë zemrat në kullën e lirisë.
E jemi kaherë në kërkim të bashkimit
Se pa këtë tokë nuk ka qetësi në Ballkan
Mes dhunës ku deshën ta fusin Dardaninë
S`lejojmë që kirurgët e errësirës të na ndajnë.

KOSOVË KESHTJELLË LAVDIE

Kosovë o kështjella ime
E dashur arbërore
Ngritur mbi themele
Të një kulture epokash
E ndërtuar nga mjeshtër
Me duar hyjnore
Me gurë të skalitur
Nga mbretër në kohëra.
Në muret shoh frëngjitë
Të tymosura nga lufta
Nga flakë e barotit të trimave
Zemërzjarrtë
Ndër shekuj të mbrojtëm
Nga barbarët, nga humbja
Për të mos e lënë
Çizmen e tyre në prag.
Ti mban një vulë të rëndë
Perandorie
Të shkruar nga Konstantini
I Madh i Ilirisë
Ti mban në Ballkan
Gjurmë të mëdha lashtësie
Të gdhendura me forcë
Nga bijtë e Dardanisë.
Në dheun e trojeve tua
U çudit mbarë bota
Lanë eshtrat e turpit bajlozë
E krajlë pa fund
Bijtë me gjoks në beteja
Mbuluan gryka topash
Dhe kokat Sulltanësh i morën në dorë
I bënë shkrumb.
Në kullat e bardha stërgjyshore
U gdhendën beteja
Bijtë e tu ranë, besa-besë duke kënduar
Me duar u ngrit flamuri
Dhe jehuan këngë të reja
E me gjakun e tyre
Fjalët e amanetit i shkruan.
(Akrostik)

BESA-BESË ADEM JASHARI

Amaneti i Bacës ish vdekja besnike në emër të shqiptarisë
Dem baba dem do jetë kushtrim në mbrojtje të lirisë
E ra për ideal si Hero legjendë shqiptare alfabet i mbarësisë
Me kushtrimin e tij për një Shqipëri erdhi orë e djalërisë.
Jehuan gryka fusha, malet, nga flakë baroti që nxinë kulla
Adem trimi luftojka që Bashkimit kombëtar t’i hapet rruga
Shndërin dielli përmbi mermer e ngroh agimeve shkronja
Arbëria është në troje të veta qysh aherë kur u krijua bota.
Rilindi Dardaninë e martirve që prinë në udhë të historisë
I pavdekshëm si yll do qëndrojë, është ikonë e shqiptarisë.
(Akrostik)

TI KOSOVË OJ NËNA IME

Ti ishe dhe mbete Kështjellë lavdie Kosovë, oj Nënë e rreptë
I përballove për një shekull barbarë, mercenarë e jeniçerë.
Kullat e tua kala trimërie, me gurë të nxirë nga flakë baroti
Oso Kuka prap po lind`që kur në Prekaz muret i goditi topi.
Sot lirinë që ne gëzojmë është e shkruar me gjak ende të ngrohtë
O do bëjmë Shqipërinë si amaneti, o toka do na mallkojë
Vend i bukur me themele të ngritura mbi kulturë të Dardanisë
Është kënaqësi që të hedhim një hap të sigurtë drejt Shqipërisë.
O Martirët e atdheut, ju dhatë jetën për Lavdi të kësaj Epoke
Jeni yje në qiell, shkëlqimi i veprës që i jep dritë kësaj toke.
Ndër beteja në frëngji duke kënduar luftuan trimat tymosën kullat
Është një shekull që ne e pritëm besa-besë si po vdiskanburrat.
Në Koshare të djalërisë në ato male ku plaket bora e guri po kallet
Amaneti shekullor është të mos kemi më kufi mes Shqiptarëve.
Ishim një të bashkuar e do të jemi si në Vlorën e Ismailit e Bacës Isë
Mermer gdhendur me shkronja ari si flamur heroit plis kan mbi kokë
E lavdi për të përjetshmit që dhanë jetën për të shtrenjtën TOKË.

POEMË ATDHEUT

Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur nuk guxonim të visheshim
Me rroba kuq e zi
Edhe atëherë kur gjuhën tonë të mjaltuar
S`guxonim ta flisnim
Edhe kur gjysëmzbathur shkonim
E gishtat na i ftohte akulli dhe veriu
Edhe atëherë kur barkun tonë të uritur
Skishim bukë për ta ngopur.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur na i vrisnin ëndrrat
E bukura për Lirinë
Edhe kur korbat e zi krrokatnin
Për rreth shkronjave të abetareve
Edhe atëherë kur detyroheshim të mësonim
Për Jugosllavinë
Edhe kur në shkollë e s`guxonim
Të flisnim për Shqipërinë.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur trupin tonë të lashtë
Me dhunë e masakroi Evropa
Me kirurgë të ërresirës gjymtyrët
Na i shpërndanë
E f`uçive jua dhanë
Edhe atëherë kur na i gjakosën
Egërsisht shkronjat
E na injoruan
Edhe kur çirilishten e zymtë
Të hijenave karpate
Mes bajonetave mësuam.
Ty atdhe të donim
Edhe kur na i pushtuan kishat arbërore
Me ikonat murale të kombit fisnik
Edhe kur morën manastirët
Në Pejë, Deçan, Prizren, Graçanicë,
Deviç e Mitrovicë…
Dhunuan figurën e Krishtit, Madonës
E shkëlen me këmbë këtë pasuri
Pa e ditur se në atë kohë ata zbrisnin
Nga Karpatet
Si egërsira e nomadë të rinjë.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur mbi katërmijë vetë
Në kolonat e djalerisë
U masakruan në Tivar
Hej, dhe lapidarë s’ju ngritën
Për të vënë qiri e lule
Në varret ende të panjohur
Edhe atëherë gjyshërit tanë
Plisa të plaguar me gjak
Mbanin në kokë si një qefin
Edhe kur një fshat shpërngulej
Për një pushkë
Në Azi dhe Evropë
Në rrugën pa kthim.
Ty atdhe, të donim
Edhe atëherë kur sllavët na vinin në banka
Kokërra misri nën gjunjë
E që dikush të thoshte: “Shqiptarë
Vezën e valë i futnin nën sqetull”
E mësimi u bënte që zakonët, traditën
Gjënezën për ta mbuluar
Që edhe emrat e mbiemrat
Në viç, ov, ios, e urk
Na i ndërruan.
Ty atdhe, të donim
Edhe atëherë kur në shkollë vritet mësuesi
Fazli Greiçevci për flamur
Edhe atëherë kur studentët
Në demonstrata
Kërkonin Kosova Republikë
Edhe atëherë kur dërgonim ushtarë
E na i kthenin mortin në arkivolin me kujë
Edhe në Llaushë mësuesi Halit Geci
Binte para nxënësve të mirë
Me ditar në duar.
Ty atdhe të donim
Edhe kur na dëbuam nga trojet tona
Të lashta
E erdhëm në mërgim
E atëherë as të posalindurit tanë si shihnim
Dhe s`na njihnin nga malli
Edhe atëherë kur nënat dhe nuset tona
Me lotë lanin pragun e shtëpisë
Edhe atëherë kur së bashku me çlirimtarët
Kishim të njëjtin qëllim.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur nga Prekazit, Besa-Besë
Thërriste Adem Jashari
Edhe atëherë kur trimat vallëzonin
Me Hamzën dhe binte tupani
Edhe kur heronjtë në luftë binin
Duke kënduar Zhuj Selmanin
Edhe atëherë kur në muajn mars
Për martirët e lirisë ndizej zjarri.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur në Izbicë, Reçak, Abri
Mejë, Dubravë, Prekaz, Qirez
Likoshan, Rezallë, Kodernicë
Krushë, Çyshk, Qabrat, Krelan
Na masakruan
Burra, gra, fëmijë, dhe foshnjët
Në barkun e nënave
Na i mbytën të pragu
Na i dhunuan nënat e motrat tona
Pragun dhe oxhakun i poshtëruan.
Ty, atdhe të donim
Edhe atëherë kur varret t’i lanë bosh
Dhe t’i grabitën kufomat e lirisë
Edhe atëherë kur s’patëm
Ku të vëmi një kurorë
Në shenjë të kujtimit të gjallë
Edhe kur na i vranë të burgosurit
E të plagosurit në spital të shtrirë
Edhe organet ju hoqën njerëzëve tanë
E tash kërkojnë në tokat e Shqipërisë.
Ty atdhe të donim
Edhe atëherë kur nënat
Bukën e sofrave
Na e shtronin me lotë
Edhe atëherë kur shtëpitë
Digjeshin flakë
Dhe njëri s’kishte në prag
Edhe atëherë kur eksodi
Me refugjat të lirisë
Kalonte shtatëqind mijë
E ndiqeshin barbarisht
Nga sërboçetnikët
Për në Bllacë e Shqipëri.
Ty atdhe të donim
Edhe kur nënat dhe motrat tona
Përkundnin djepa bosh pa ninulla
Edhe atëherë kur fëmijët
Jetimë kishin marrë vajin
Që çante edhe gurin
Edhe kur veteranët e kthyer nga lufta
U mungonte syri e gjymtyra
Edhe atëherë kur në kulla të tymosura
Nuk kishin mbetur burra.
Ty atdhe të duam
Edhe tash kur për së dyti tradhëtia
I vret heronjtë,
E vrarë nga Zogu, ( për një fitore të Partisë )
Rehabiliton kryetradhëtarin Zog.
Ku është Hasan Prishtina, veprimtari
Ideatori i Pavarësisë së Shqipërisë
Ku është Luigj Gurakuqi e Avni Rustemi
Që me tre plumba e pat tmerruar Parisin
Bajram Currin në shpellën e Dragobisë
E Shote Galicën e lanë ndër male
Të vdes prej urisë.
Ty atdhe të donim
Edhe kur Shqipërinë ja nënshtruan
Ushtrisë Sërbo-Ruse
E Shën Neumin i falen Jugosllavisë
I shkelen tokat e lashta të Arbërisë
Rrëxoi qeverinë e Nolit demokrat
Për një gradë
Mbret që lau me gjak bukën
Grabiti arin e si hajdut iku pa kthim
E tash varr-turpi dhe përmendore
Në Tiranë
Ahmet Zog Tradhtisë.
Ty atdhe të duam
Ashtu siç ishe e bashkuar me Skënderbeun
Në Krujë
E Ismail Qemajlin në Vlorë
Me një shtet, një gjuhë, e një flamur
Mbi troje tua do flutrojnë zogjët e lirisë
Nga Tivari e Pazari, Dardania të Molla e Kuqe
Ilirida e Çamëria gjër në Prevezë
Shqiponja do të ringrejë
Folenë e saj në trojet
E bashkuara të A R B Ë R I S Ë.

JETËN BORÇ JA KAM ATDHEUT

Brenda atdheut isha plot për tre dekada
Sa të jam gjallë malet e livadhet ia kam në gji
Mua më ka borç dy metra për varr me lule të freskëta
Ndërsa unë i kam dhe jetën e fëmijëve të mi.

PËR TY KOSOVA IME



Nuk jam i pari poet në trojet e tua, Kosovë
As i fundit një ditë s’kam për të mbetur
Në djep Cilja më ka thënë një fjalë të ngrohtë
E një flamur ngjyrë gjaku gjoksin ma ka ndezur.
Nuk jam i pari që të njoh historinë me lavdi
Dhe këtu në Alpe për ty sërish thur shkronja
Që ti, Kosovë, të jetosh pa plumat e shkrirë
E vajzat për dashuritë e tyre të thurin kurora.
Deshën të prisnin trupin si copa trungu të thara
Të dogjën pragjet e kullat i shpuan me plumba
Një fole ta dogjën në pemët e larta
Dhe deshën të të linin pa këngë e pa pëllumba.