Tuesday, December 10, 2019

Kujtim STOJKU: LUGATI

Tregim

Pėrpara shkatėrrimit vjen kryelartėsia dhe pėrpara rrėzimit fryma krenare.
Libri i fjalëve të urta 16; 18.
...Ai qëndronte i ulur në kolltukun e butë të këtij lokali luksoz, hapësirën e mbushnin tingujt e butë dhe magjepës të një simfonie të Moxartit, ishte përhumbur në shënimet e fletores që mbante në dorë. Ndonjëherë mendonte se lëkura ishte e vetmja pengesë që i pengonte krahët e tij që të dilnin në sipërfaqe, dhe se personazhet e tij ëndërronin brenda vijave të fletores sikur edhe ato të dilnin jashtë dhe të fluturonin. Edhe ai sikur ishte një personazh në formë dhe karakter që qëndronte në radhë në rreshtat e shkruara brenda saj.
Ndërkohë nga mendimet dhe leximi, e shkëputi kamarierja, një vajzë me flokë bjonde, me trup të gjatë, sy të kaltër dhe e veshur me bluzë të bardhë. Buzët e saj të fryra i kishte ngjyrë qershie, faqet e rrumbullakta, mjekrën e vogël, lëkurën ngjyrë qumështi, gjoksin e gufuar poshtë këmishës së bardhë, me një buzëqeshje magjepsëse ajo iu drejtua Gencit tërë delikatesë:
- Çfarë dëshironi zotëri?
Ai ngriti kokën, vështrimi i tij u përqëndrua në fytyrën e saj, ajo vazhdonte të qëndronte me buzë në gaz, dhëmbët e saj të bardhë i dolën në pah.
- Kafe dhe konjak, - U përgjigj Genci pa ia ndarë vështrimin.
Ajo u largua duke mbajtur një bllok të vogël shënimesh në dorë për të sjellë porosinë. Kurse ai e ndoqi pas me vështrimin e tij deri kur ajo iu afrua  banakut. “Qenka shumë e bukur” mendoi me veten  e tij. Edhe kjo mund të bëhet një nga personazhet e mia fluturues. E pse të mos bëhej?
Kishte gati dy vjet që njerëzit kishin filluar përsëri që të iknin nga vendi nëpër vendet e tjera duke kërkuar strehim. Ky me thënë të drejtën ishte një eksod i dytë qysh pas viteve nënëtëdhjetë. Ishte e dhimbshme tek shihje se si vendi po zbrazej nga rinia drejt vendeve të tjera. Edhe ajo shkëndijë e shpresës që u ndez, tashmë kishte filluar që të  fikej. Ndoshta disa nuk do të ktheheshin më kurrë. Gishtrinjtë e tij punonin mbi letër si në kërkim të karakterit midis rreshtave. Nga mendimet e shkëputi një e qeshur e shkurtër që u rrokullis në hapsirën e qetë të këtij lokali, e cila u përzie me tingujt e simfonisë që po transmetohej. Ai ngriti kokën, dhe pa se brenda kishte hyrë një çift me moshë mesatare. Ata kaluan pranë tij, dhe e qeshura pushoi. Ndërkohë u dëgjua zëri i gruas që i thoshte burrit që ishte veshur me kostum blu, “Unë kështu ju thashë…” Pastaj ato u ulën një tryezë larg tij. Ndërkohë erdhi kamarierja me një tabaka ngjyrë argjendi në duar, dhe u afrua tek tryeza e tij duke vendosur mbi syprinën e qelqtë filxhanin e kafesë që nxirrte avull, dhe gotën me konjak.
Pastaj ajo u largua duke i thënë me një zë të butë “Të bëftë mirë.”
Ai mori gotën e konjakut, dhe pas ktheu një gllënjkë, e shoqëroi me kafe, e më pas  u kredh në punën e tij.
Ndërkohë dera u përplas, dhe u dëgjua një zhurmë, dhe një e qeshur nga një zë i trashë. Ai ngriti kokën dhe pa një burrë rreth të pesëdhjetave që u fut brenda. Ai përqëndroi vështrimin me kujdes tek ky klient që sapo hyri, dhe menjëherë pa se i ra në sy koka e tij e madhe,  dhe pa asnjë fije floku në të. “Ose mos ndoshta i ka flokët e kuqe” mendoi ai, ndërsa sytë nuk po ia ndante atij. Por në të vërtetë ai nuk kishte as edhe një fije floku, dhe koka e tij tullace kishte marrë një ngjyrë mavi. Kështu që atij me plot gojën mund ta thërrisje kuqo. Ai kishte një trup të gjatë, dukej sikur kishte qenë sportist. Tek njerëzit që ishin marrë me sport të binin menjëherë në sy disa veçanti që  kishin vetëm ato, dhe jo të tjerët. Gjatësia e trupit të tij gati sa nuk prekte abazhurin me drita që shkëlqente në tavanin e  zbukuruar me allçi. Genci nuk po ia shqste vështrimin këtij njeriu që sapo hyri. Fytyra e tij kishte një pamje të vrazhdë, dhe lëkura sikur kishte marrë një ngjyrë pak si në të errët. Syë i kishte të mëdhenj, dhe i rrotullonte herë në një anë herë në anën tjetër. Dukej sikur me sytë e tij ai shihte çdo gjë me hollësi. Pak nga pak, ky burrë para syve të tij filloi që të shkërrmoqej. Në fillim i ranë në pllakat e mermerta sytë dhe ai mbeti pa sy. Më pas i ranë me radhë veshët dhe hundët, kurse goja vazhdonte të fliste me gjithë këto që po i ndodhnin. Fjalët ishin të zhurmueshme, dhe më pas filluan që ta humbisnin kuptimin e tyre. Pastaj heshti dhe nuk u dëgjua më. Edhe goja pësoi të njëjtin fat si veshët sytë dhe hundët. Shkërrmoqja e tij filloi ngadalë pikërisht para syve tanë që e shihnim të habitur për këtë që po ndodhte. Filluan që t’i binin krahët, dhe mbeti kështu si një trung që qëndronte  në këmbë. Pastaj edhe këmbët pësuan fatin e duarve, dhe ai mbeti thjeshtë vetëm një trung. Më pas ky trung i mbetur u anua dhe u shtri mbi pllakat e mermerta të dyshemesë. Forma e këtij trungu erdhi dhe u shpërbë duke mos parë asnjë eshtër të  trupit të tij. Sa për të brendshmet as që mund të bëhej fjalë se mund të shiheshin, ai me sa duket nuk kishte asnjë organ nga ato. Dikush nga një tryezë  u ngrit dhe u afrua pranë tij për të parë më mirë, kurse ne të tjerët kishim mbetur të shtangur nga kjo pamje që as në përralla nuk e kishim dëgjuar. Pastaj u dëgjua zëri i atij klienti që ishte afruar tek ai dhe me habi tha me një zë që i dridhej:
- Çudi, ky njeri nuk paska as stomak, as bythë, dhe as shtyllë kurrizore. Është interesante që një njeri të mos ketë asnjë nga këto organe. Ai pra nuk kishte asgjë.
- Po mendjen si duhet ta ketë pasur? - tha dikush duke u ngitur nga tryeza dhe duke iu afruar edhe ai atij.
-Mendoj se duhet të ketë qenë i prishur nga trutë, - tha ai, - dhe u kthye për t’u ulur përsëri në vendin e tij.
“E çuditshme” thanë disa gati me një zë, “Po si mund të ketë jetuar vallë një njeri si ky?
- Këto janë punë të të madhit Zot, - tha një tjetër. – Pastaj ai vazhdoi sikur ta kishte pyetur dikush, por në fakt nuk e pyeti asnjë njeri që ishte aty brenda. – Zoti nuk të tregon se kur ta merr mendjen. Prandaj o Zot na ruaj nga njerëz të tillë.
- Jo ore jo, - tha një zonjë që kishte ndjekur gjithçka me vëmendje, - Nuk janë asnjëra nga ato që thoni ju. Ai është lugat.
- Ç’na the edhe ti, - tha një djalë i ri që me sa dukej ishte student, - e ku ka lugetër?
Ndërkohë edhe ai ishte ngritur dhe ishte afruar tek dy të tjerët për të parë. Edhe klientë të tjerë u ngritën nga tryezat dhe u afruan që të shihnin më mirë. Aty u formua një rreth që shikonin me vëmendje njeriun që u shkërrmoq para syve të tyre. Ata shihnin një njollë me ngjyrë të errët e të ndritshme që u dukej si një plëndës mbi dysheme.
- Edhe mund të jetë lugat, - tha një burrë i moshuar, i cili kishte vënë në gojë një cigarishte fildishi dhe po e thithte sikur të kishte ndezur cigaren. Ndoshta nga që brenda nuk lejohej që të tymosje duahn, ai kishte vënë cigarishten dhe e thithte herë pas here ku dëgjohej vetëm fërshëllima e ajrit që kalonte përmes saj. Ose, ai kishte lënë duhanin, dhe sa herë i shkonte mendja që të tymoste duhan, vinte cigarishten në gojë, me të cilën gënjente veten sikur po tymoste.
- Çfarë i keni këto mendime në shekullin e XXI? - Ia priti një tjetër që ishte bashkuar edhe ai me ata. – Sot shkenca ka vërtetuar që nuk ka lugetër dhe shpirtra të mirë e të këqinj. Këto janë bestytni?
- Po atëherë kjo çfarë është? – Tha zonja që kishte folur më parë se ishte një lugat.
Asnjë nuk u përgjigj. Ndoshta ekzistonin vërtetë qenie të tilla, që endeshin mbi tokë në mes të njerëzëve. Zakonisht thuhej se këto fantazma dilnin nga varret prej njerzëve të këqinj që nuk i pranonte as dheu, dhe dilnin në sipërfaqe duke trembur njerzit.
Genci ktheu edhe një gllënjkë konjak tjetër, dhe e shoqëroi me kafe, u përqëndrua në punën e tij, dhe mendoi “ Ky është një rast ideal për personazh që ta vë bashkë me personazhet e tjerë që po presin e të flasin pas kaq shumë kohësh.” Por çfarë do të thoshte në të vërtetë një personazh i tillë? Edhe ai e kishte shumë të vështirë që t’i përgjigjej pyetjes së vet që bëri. E si do të kuptohej një personazh i tillë, dhe në të vërteë për kë po filtej konkretisht? Ai ktheu gotën me konjak duke përfunduar dhe atë që kishte mbetur në gotën e kristaltë, mbylli fletoren dhe kompiuterin, veshi xhupin prej meshini të zi që e kishte varur në varse, hodhi çantën e laptopit në krah, dhe u drejtua nga kamarierja që po rrinte në këmbë me atë buzëqeshjen e saj lozonjare dhe po e shikonte atë tek po afrohej drejt saj. Asaj ky klient i ishte dukur i çuditshëm. Ai u afrua, ajo e vështroi atë drejt e në sy. Sytë e tyre u kryqëzuan, ai nxorri portofolin nga xhepi dhe pagoi duke i lënë një bakshish. Ajo e falenderoi duke i dhënë “ Mirëardhsh !”.  Ai vazhdoi rrugën drejt derës rrotulluese dhe mendoi “ Edhe kjo është një personazh”. Doli jashtë dhe u përzie me kalimtarët.

Saturday, December 7, 2019

Arif MOLLIQI: POETI I AZDISUR

Image result for arif molliqi(Fundi i javes me satirë)

S' po di çka më të thanë
brenda koke i vdekur, trutharë
kam me ardhe e m'u taku me ty
se n´kujtimet e mia ke hy si terri
kur ta pashë
fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë ti kish marrë
duke u zhagitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes: jam korfeu i poezisë

E ti gafil mos rri
se gujas kam me ardh
ballin e ftohtë me ta puthë si meit
e dy fjalë me ti thanë
se malli me ka marr
o çehregrysur
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet i azdisur
“o vëlla, i jemi vëlla”
E kur të takohem
ti s' ke me besu
andërr ke më thanë, e andërr s' ka qillu,
nejse, kot të pyes se tash e di kush je
marimangë, hienë që thuer intriga për mua
s´di,
era e gjahut ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetça pa ty:
kështu kurrë s´kam dashtë më të pa
_________________________________
"O vëlla, i jemi vëlla", është vajtimi për Avdinë...