Friday, May 31, 2019

Tonin NIKOLLI: Cikël Poetik

Image may contain: Malli Poetik T. Nikolli, sittingMEDITIM NE PREHISTORI…
( …deri në të sotmen..)
Më vjen ndërmend shpesh e më shpesh,
rruga e ngushtë, malit në KRESHTË…
Isha i ri, ecja në këmbë,
dy libra në çantë, poezi ndër dhëmbë…
Nga zemra e malit, në gjurmë të mushqve,
buronte i freskët KROI I KRUSHQVE…
Duke pirë, shuar etjen,
mendoja gjatë fatin e t’shkretëve.
Dy palë krushq, siç thotë legjenda,
u ndodhen përballë… dhe u prish mendja…
… se udhë nuk bëri asnjëra palë.
U vranë të gjithë, veç nusja gjallë…
N’atë shteg të ngushtë, të ngushtë,
ku shkojnë, trokëllijnë vetëm… mushqtë…

LUTJA E PARAGJUMIT
Mësojua artin e dorëheqjes!
Të marrin rraqet
dhe ti gjejnë shteg vetes...
Amen.

I PAHUMBUN...
Jam i pahumbun!
N'udhkryqin e ngatrruem të botës,
më njofti nji lyps...
N'mencen e karitasit,
m'thirri n'emen nji i uritun...
N'aksident,
n'pamundsi t'pergjigjem vetë,
nji deshmitar duel para policit:
e njoh un. Asht nji shqiptar i shkretë...
Jam i pahumbun!
Shejt a djall,
emnin e kam t'shkruem
n'ball...



O POPULL, A MERR VESH…
Ti je i çuditëshëm, populli im!
Mbi buzën tënde të etur,
shushunjat pinë…
Ti je i trishtuar, populli im!
Liliputët e kohës,
ta përshurrën krenarinë.
Ti je i marrë, populli im!
Beson në ata,
që para e mbrapa të q…




O ZOGJ....
Ah,
në ditën e qiellit blu,
(festë jozyrtare, sigurisht)
iu dhashë bujarisht puplat,
të fluturoni ëndrrën lirisht...
Të marrë!
I zhgrryet pendët,
i gërvishtët krahët,
i tërhoqët zvarrë...
...pa kuptuar kurrë,
se ishit zogj...

NUK KAM AQ FRYMЁ…
Nuk kam aq frymë,
sa të shpërndaj retë…
As kurorë të madhe,
t´i zë dritën diellit…
Kam mësuar në jetë,
se jam banor i tokës,
vetëm pse shtëllunga e hirtë
dhe disku i artë,
janë binjakë të qiellit…
Nuk kam aq frymë,
nuk kam…


KUR BIE SHI
Kur bjen shi,
çoj kryet nalt
e kacavarem pejnave të lagtë,
për me i shkye retë...
Tuj mendue,
se mbrapa perdes,
asht dielli i shndrishtëm,
i zjarmtë, i nxehtë...
Kur bjen shi,
sdeshi teshat
e futem nan cirka t'tjegllave,
me krye nalt...
Tuj mendue,
se jam nji peshk,
që sulmon rrjedhën,
e don m'e ndalë...


Friday, May 24, 2019

Prend BUZHALA:ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?

Image may contain: 1 person, standing, beard and outdoor
(Nga ligjërimet për të vërtetën), 22

Ne mund ta madhërojmë Evropën duke e madhëruar vetveten si komb modern, po qe se kemi ideal evropianizmin e kombit shqiptar. ...jo vetëm për shkak të faktit që kjo Evropë na e largoi Serbinë prej Kosovës...

1.
Duhet të formohemi e sillemi kësisoj, për hir të krejt gjeneratave të së kaluarës: të gjeneratës së Marin Barletit (që kjo Evropë i strehoi, u dha punë, i shkolloi, ua botoi veprat, ua ruajti ato e ua ruajti emrat me kujtesë arbërore); të gjeneratës së Buzukut, Budit e Bogdanit (që ua shtypi veprat, ua ruajti së bashku me emrat e me kujtesë e shkrimit shqip); të gjeneratës së rilindësve, në krye me Naim Frashërin e Madh, të cilët, në frymën e iluminizmit evropian, ideuan diellin "që lind andej nga perëndon"... deri te gjenerata e Jusuf Gërvallës, të cilën, po ashtu, e strehoi po kjo Evropë, dhe po kjo Evropë u dha zë idealeve e kërkesave të tyre për liri...
Kështu është edhe sot.
E di që Rusia gjatë shekullit 19 pati arritur ta përhapë moton antievropiane "Evropa shtrigë", që depërtoi edhe në Ballkan... Sikur një "Nanë Turqi", të kishte qenë e tillë, si Evropa, ne do ta kishim adhuruar atë pa dallim, por ajo na e dhunoi identitetin shqiptar, na e tjetërsoi kulturën, lëshoi mallkime kundër librit shqip e shkrimit shqip dhe kundër çdo gjëje shqiptare...dhe babës Sulltan i besuan paria e vendit, në atë Kongres Berlini, kur i thanë: Perandori, ne jemi me ty, ne nuk ka nevojë të paraqesim kërkesa për pavarësi. Mbrona! Dhe Nana Turqi ua dha copat e trojeve shqiptare Serbisë e shteteve përreth, se vetëm ajo ishte legjitime të na përfaqësonte në Kongrese e konferenca ndërkombëtare, mbasi shqiptarët nuk kërkonin pavarësim!!!
E di që Evropa na i ka gjynahet e veta! Por, qe pra, po heqim dorë prej këtij ideali barletian, buzukian, rilindas e modern... dhe, hiq të mos kemi "merak", këtë ideal evropian tashmë dissa qarqe me ndikim në Kosovë, kanë zënë ta zëvendësojnë me idealin për neo-otomanizëm...
Nëse të gjithë nuk duam të jemi pjesëtarë të këtij ideali oriental, të asaj dashurie neo-otomane, s'ka gjë: deri tash kemi qenë bashkëvuajtës, SI SHQIPTARË me shqiptarinë... te neo-otomanizmi, ka vetëm një betim: nuk do të jemi kurrën e kurrës bashkë!!! As si komb! Madje, nuk do të gjendemi kështu as në ato integrime evropiane!

2.
Ende disa koka tonat Evropën e quajnë armike. Evropën e kemi mik, Turqinë e kemi mike të tashme për aq sa e respekton pavarësinë tonë e identitetin tonë. Pikërisht për atë fakt që e pohojmë: që ta duam vetveten! Nuk është Evropa që zyrtarisht kërkon ndërrime të historisë, por është dikush tjetër, që kërkon heqjen e emrit të Skënderbeut, ndërrimin e historisë etj. Madje, Davutogllu që i prin kësaj fushate të ideologjisë së neo-otomanizmit, e thotë haptas se me shqiptarët "jemi vllazën", se shqiptarët janë pjesë e kombit të madh otoman! Dhe jo pak emra e qarqe (intelektuale, politike e fetare madje) në Kosovë i bashkëngjiten Davutogllut (ideolog i neo-otomanizmit), duke u bërë "ma turk se turku", duke shkuar edhe më larg se ai: duke sulmuar e mohuar jo vetëm Skënderbeun, po edhe Bogdanin, Nënën Tereze etj. e nga Pwrandoria otomane trashëguam copëtimin nga ajo në katër drejtime, në katër vilajete, në katër besime... dhe mungesën shqiptare të vetëpërgjegjësisë...
Nëse mospajtimi ynë me këto theqafje identitare shfaqen në vedtëmbrotje të identitetit tonë, kjo nuk do të thorë se ne shfaqim turkofobi a urrejtje ndaj saj. Assesi!
Atëherë si ta shohim qëndrimin e urrejtjen turke kundër Skënderbeut e kombit shqiptar? Dështuan dofarë komisionesh për rishqyrtim të historisë, spe reaguan intelektualët, reagoi populli.
Turqit, kuptohet, për shjak të besimit të përbashkët me “vllaznit myslimanë” (nuk na quan shqipoatrë, por myslimanë, se nuk na e njeh kombësinë), nuk kanë kërkuar ndryshime për sa i përket figursë së Adem Jasharit, por asaj të Skënderbeut e të periudhës së pushtimit otoman...
Shtrohet pyetja: a ka shqiptar me pak mend në krye që, bie fjala, ta mohojë Adem Jasharin? Pati edhe këso kokash të krisura që ligjëruan edhe kundër Adem Jasharit, ligjëruan jo nag guximi i ytre, por nga ligësia e qyqarllëku i shpirtit të tyre të varfër...

3.
Për detyrat e shtëpisë si thotë "Brukseli zyrtar", sikur nuk po kryhen, ndërkohë që detyrat antikombëtare që na i japin "vëllezërit” nga orienti, po kryhen shkëlqyeshëm, duke e ntrashur baltën mbi vetveten, duke ia dorëzuar krejt pasurinë e Kosovës tjetërkujt, së bashku edhe me trashëgiminë e historinë! Edhe politikën!!! Sepse orienti nuk është ngushtë a ka korrupcion a jo, a ka papunësi a jo! A ka standarde evropiane a jo!
Këto qenkan "detyra"!?
Tashmë janë realizuar disa nga qëllimet neo-orientale, tejet të dëmshme ... këto qëllime sikur e kanë blerë shpirtin e kësaj hapësire! Sikur nuk na bëjnë përshtypje këto sulme brendashqiptare me frymë të tillë. Prandaj “sovrani i jashtëm” i ka të lehta për t'i paraqitur ato urdhra ideologjikë, sepse nuk ka kushedi çfarë kundërshtimesh brenda nesh, por përkundrazi, dakordimesh! Kurse Turqia sillet me ne, sikur të jemi ne pjesë e saj... sillet si tutor, me politikën e vjetër të mohimit!
Ne nuk e kemi për detyrë ta sqarojmë, përse, bie fjala, nuk mund të pranohen në BE Turqia e Qiproja turke, por pranohen Greqia e Qiproja greke... Shqipëri e Kosovë jemi ku jemi! Është shansi historik t'i kthehemi vetvetes, dhe, si thuhet shpesh ndër ne, ta duam vetveten!
Brukseli e Stambolli!
Por francezët e gjermanët nuk pranojnë të hyjnë nën ombellën otomane as neo-otomane, e nderojnë njëri-tjetrin, se kane të njëjtin identitet evropian, por e ndihmojnë dhe e nderojnë edhe Turqinë.... Sigurisht, asnjë njeri normal nuk është kundër marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit me të tjerët, madje qeveritë tona të deritashme kanë propaganduar e propagandojnë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë (bile në aspektin ekonomik, marrëdhëniet më të mira të Kosovës duket se ishin pikërisht me Serbinë)! Ishin! Deri sa u krijua një realitet i ri politik!

(Prend Buzhala, 22 maj 2019)

Kujtim STOJKU: Cikli Poetik: Real Politika



Image may contain: Kujtim Stojku, sitting and indoor
 REAL POLITIKA

Nën pemë gjithnjë kam mësuar,
Nga një jetë tjetër stërgjyshi arrin,
Me mençuri magjike fjalën do ta flasë,
Midis dhimbjesh e vdekjesh që lëndojnë në shpirt,
Në rrjedhën e qenieve si pikë loti që u rrjedhin ngadalë.
Një rrugë është zhytur në llum e tëra,
Përmbytjet thithin me etje në këtë thatësirë,
Më në fund ajo zgjatet duke gjarpëruar,
Gurgëllimat e turbullta me një rrëzim.
Frikën e panjohur e mbretëron një hajmali,
Rrënjët, degët dhe shpresat e gjelbërta i mbërthen paniku,
Kapilarët presin rrjedhën e lëndëve ushqyese, punën ndalin,
Mbi gurët e vetvetes ulet këmbëkryq zonja errësirë
E vështrimin e ka të ngulur tek pragu.
Përmes shtresave depërton nga valëzimet e dritës,
Erërat e ndryshme fillojnë e fryjnë,
Me verë të kuqe përkrahen përkrahësit,
Duke mbajtur në dorë kupat e kristalta,
Me i rrëfyer mëkatet s’kishte asnjë prift,
Kush është përgjegjës për këtë jetë që e kërcënojnë,
Ata vrasës gjakftohtë që në dorë mbajnë nga një thikë...

TË GJITHA BRENGAT
Rivalët misteriozë,
Vuajnë për dorëheqjen,
Surrealizmin e jetës e lexojnë,
Përballë dëshirës dhe urrejtjes,
Shkulmat e erës me furi kalojnë.
E bardha ngrihet mbi të zezën,
E njëjta kurorë mbi rrënojat e së vërtetës,
Gënjeshtrat i kishin lëshuar shumë thellë tek rrënjët,
Qysh në kohët më të lashta djalli ishte shkërdhyer me të ëmën.
Poshtrimi për bukën e përditshme sjell një kulturë tjetër,
Ne s’i të ndërgjegjshëm shkelim mbi thëngjinj,
Hëna fillon e çmendet nga inati si një shtrigë e vjetër,
E me fytyrën krejt gjak fillon e ngrihet përsëri.
Lumenjtë dhe liqenet të gjithë janë kthyer në ngjyrë blu,
Reflektojnë shkulmat në bardhësinë tokësore,
Ftesa e ardhshme është largët e bën të tashmen,
Të këmbëngulë e të mos tërhiqet fort zvarrë.
VARGU
Vargu duhet gatuar si buka në magje,
Ashtu si dikur nëna tona prisnin që brumi të vinte me kujdes,
Si saçi i mbuluar me shpuzë do të vendosej mbi çerep,
Atëherë do të dëgjosh aromën e fjalëve që përhapet përreth.
Ndoshta kështu deri diku do të mundësh ta kapësh misterin,
Kur fjalët dhe tingujt në mes të tyre lidhen,
Shkrihen e shkëlqejnë si zinxhirë të florinjtë,
E shpirti i gjallë në mes tyre plot lumturi hidhet...

PËRSE SHKRUAJMË

Kjo është një pyetje që nuk mund ta ketë të saktë përgjigjen,
Shpirti ngandonjëherë çdo kujt i rëndon si shkrep,
Dërrasën e krahërorit fillojnë ta gëvishin,
Prej mendjes farkëtohen fjalët, kaliten me sukses.
Kur dëbora s’i një çarçaf i bardhë mbulon vendin,
Hatërmbetur errësira e natës i mban turinjtë varë,
Njeriu dallon s'i hije në mbrëmbjen e acartë,
Agimi i trëndafiltë fillon e kërcet gështrinjtë.
Natyrisht kjo peshë i reziston kuptimit më elementar,
Vështrimi imagjinarë zhytet brenda botës së padukshme,
Largon hijen e dyshimit aty ku nuk dallohet qartë,
Duke u nisur nga hiçi me hove të vrullshme.
Me krëhërin e akullt krehim flokët e dëborës,
Në natën e pabesë pritet murlani i tmerrshëm të fryj,
Ulërimën e ujrave e dëgjojmë të sillen rrotull,
Realja e hidhur nxit mendimet në shpirt për të hyrë.
Me këto mendime sflilitëse gjumi çaprazohet,
E padurueshme deri në ag bëhet nata për ta shtyrë,
Nga durimi i tyre pesha më shumë shtohet,
Derisa gjithëçka dallohet në oborrin e ngrirë.

KUJTIMET E MIA

N’kujtimet e mia më shfaqet përherë me imazhin e tij s'i kristali,
Që prej malesh buronte rridhte duke gurgulluar,
Aventurier i çartur që s’pushonte as ditë as natë,
Shelgjet të hijeshonin anash, peshq me luspa ari në të duke notuar.
Sa harë kam kundruar shkulmat e argjendtë i zhytur në meditim,
Bashkë me ty udhëtonte mendimi dhe në gjumë ëndrra duke shikuar,
E tash flokët që na janë zbardhë kujtojmë se fëmijëria na kaliste me guxim
Uji i qelibartë udhëtonte me oshëtimë, n’mes bjeshkësh ishte një bukuri e rrallë.
Brigjeve tua gjithë hijeshi rritej bari,
Në kujtimet e mia urat e kristalta ëmbël gugullojnë,
N’rrjedhën e shkulmave mendimi udhën kurrë s’e ndali,
Bashkë me të ecte jeta duke lëshuar jehonë.

GËZIMI I FLUTURËS

Me thënë të drejtën nuk e dija ç’po ndodhte me mua,
Zemrës nuk i përgjigjesha dot që më rrihte me aq zjarr,
Kishte një çmenduri vale që ishte duke më përvëluar,
Sipas zakonit copëtonte shkëmbinjtë në katërsh duke i çarë.
Ajo ishte forca ime dhe ajo më bënte të vuaj,
Çuditërisht nuk e di se pse këtu qëndron shqetësimi për ta treguar,
Linjat vezulluese të jetës ndrinin për një jetë të praruar,
E unë zhytesha në mendime për të nxjerrë një frazë të harruar.
Prej dritares së hapur ajo hyn, fluturon përreth llampës në tavan,
Më vështron mua para kompiuterit mbi tufën e letrave i zymtë,
Sillet rrotull, mundohet të lexojë shënimet e mia, kështu më duket mua,
Por e shoh se ngatërrohet, se ndihmoja dot ta lexonte atë frazë.
Kënd më kënd në muret e dhomës duke fluturuar,
Lexoja mendimet e saj se s’kishte forcë për ta kthyer mbrapsht,
Dhe prandaj sipër meje e shihja të zemëruar,
Gjithë natën sillej përreth dritës errësirën duke ngacmuar,
Për çudi s’e pashë të dridhej prej frikës asnjë çast.

Ç’NGJYROSJE

Bota një skenë teatri ku retë rrinë pezull,
Njerëzit janë aktorë dhe mbështillen nga retë,
Malet përkulin shpinën copëtohen shkëmbinjtë e sertë,
Bien në ujrat e kaltëra me rrapëllimë, i bëjnë të turbullt.
Stina ç’ngjyroset përdhunisht nga ngjyrat e saj,
Liqenet të kthyer në dritë zbehin veten e vet,
Prej dritës së verdhë ari ka marrë ngjyrën e vërtetë,
Qielli ngjyroset nga një penel i padukshëm, pikturë n’vaj.
Retë ecin ngadalë duke marrë forma të ndryshme,
Prezenca e tyre gjithësinë e hijeshon, i jep pamje madhështore,
Befasohesh nga ngjyrat e zjarrit, e bardha në formë shkume,
Komponentë madhorë të kësaj hapsire skicohen.
Rrezëllimi i përkohshëm kthehet në kandila të zbehtë,
Studiuesit me tituj të shumtë këtë e quajnë risi,
Kjo pikturë brenda kornizës së saj dridhet lehtë,
Retë e pambukta u vranën, koha mori ngjyrë gri...

SHPËRFYTËRIM

Ngritur dhe lartësuar përmes humnerave t’dhimbjes shpirtit,
Magjepsur si të marrë prej lavdisë së shkuar,
Duke shkelur mbi shpuzën e rrënojave plagët dhimbnin,
E tash sillesh andej këtej s’i dele e hutuar.
Egërsisht koha shpirtin ta vuri në provë,
E ti do të përkulje gjunjët arratisur greminave të ferrit,
Kur para ujit si kristali shuan etjen veten do të shohësh,
Dallon zgavrën e një hije shpërfytyruar, helm i bërë prej vrerit.
N’këtë pasqyrim ujor hijen e njeh, është vetvetja,
Befas sheh deformimin trupor që ka marrë,
Prej dhimbjes së madhe eshtrat i ndjen të coptuar,
Mohoi diellin, përqafoi hënën, hije e coptuar përkundesh ngadalë.

Thursday, May 23, 2019

Prend BUZHALA: PSEUDO-INTELEKTUALËT DHE PËRGJEGJËSIA E TYRE


(Nga ligjërimet për të vërtetën), 20
Intelektualët nuk shiten në pazar. As intelekti nuk shitet në tregun e xhinglave, të mobilieve, të perimeve apo në tregun politik. Ai nuk e shet as nderin e tij, as atdhedashurinë e tij, për asnjë lakmi të pangopur apo për asnjë cent. Në të kundërtën, ai pushon së qeni intelektual: humb lirinë e shpirtit, humb lirinë e tij të brendshme. Kur humb shpirtin, humb gjithçka...
1.
Dhe pikërisht për këtë arsye, pse ai, me mendjen e tij krijuese e me autoritetin e tij publik, e rrezikon lakminë e pangopshme të të pushtetshmëve, edhe një president prestigjioz europerëndimor dikur, thoshte: "Mos i ndqni fshatarët, janë të pafajshëm e të parrezikshëm."
Pikërisht kjo Evropë ka ditur t'i mprehë mirë dy armë: atë të shitblerjes së intelektualit për ta shndërruar në psueo-intelektual, në mediokër, dhe atë të krijimit të turmave të dëgjueshme. Kjo turmë e dëgjueshme, tashmë prej politikës i ka krijuar pseudo-idhujt e vet, mbas të cilëve duhet të vrapojë në zgjedhje, në duartrokitje apo në ndonjë ceremonial politik. Ndër ne ky intelektual tashmë ka kaluar çdo kufi, ai është shndërruar në dallkauk...
A e dëgjojmë, si komb, më shumë turmën e dallkaukëve apo shtresën e intelektualëve? Dallkaukët na mësojnë si ta braktisim vetveten, historinë dhe përparimin, emancipimin dhe zhvillimin... për të na dërguar nga njëri dështim tek tjetri... Kurse intelektualët e mirëfilltë bëjnë dritë për kombin e tyre, për qytetarinë dhe për njerëzimin...dhurojnë vizione për të tashmen e për të ardhmen...
2.
Intelekti është simbol i mundësive të pakufishme të qenies njerëzore. Prirja më e rëndësishme e një formimi intelektual, është të menduarit, madje të menduarit kritik. Prirja e tillë përbën themelin e funksioneve më motivuese, njohëse, vepruese e emocionale të njeriut. Prandaj, në arsimin tonë, sidomos në atë të mesëm e në atë universitar, edukimi e formimi i të rinjve nuk mund të zhvillohet me sukses pa veprimtari të ndërgjegjshme të mendjes dhe pa zhvillim përkatës kritik të prirjeve të intelektit (kritik) të njeriut. Këtu hyjnë edhe shumë "gjëra" a cilësi tjera, si zhvillimi i perceptimeve, i kujtesës, i prirjes së të folurit, i shqisave, apo sikundër janë dhe arritja e njohurive e përvetësimi i vlerave të gjykimit kritik. Të tjerët, që nuk e kanë këtë kulturë intelektuale të punës, mund të hyjnë n. kategori tjera, por te ai që quhet intelektual. Të rinjve u duhet si buka që të jenë në gjendje të mendojnë me kokën e vet, të kenë mundësi të sjellin vetë përfundime, t'i ushtrojnë vazhdimisht këto prirje.
Por çfarë ka ndodhur me mendjen e shitur të intelektualit?
Mund t'i hedhim një sy Luftës së Dytë Botërore të fashizmit: kush i bindi njerëzit e thjeshtë, ushtarët e thjeshtë, që t'i urrejnë hebrenjtë apo kombet tjera apo kundërshtarët politikë?
Apo të periudhës së komunizmit se si u keqpërdorën intelektualët, se si ata ose u heshtën, u përzunë, u burgosën ap u pushkatuan, ose u shndërruan në njerëz të dëgjueshëm e në repart ideologjik të partisë-shtet; kurse repartin ideologjik partiak e shtetëror, e përbënin intelektualët, për ta mësuar popullin e thjeshtës e si duhet urryer kleri, kisha apo institucionet tjera fetare, se si duhet burgosur, pushkatuar apo ndaluar "klerin reaksionar"; se si duhet ndaluar shkrimtarët "e rrezikshëm" etj etj.
Mund t'i hedhim një sy sidomos, luftërave që ndodhën në hapësirat ish-jugosllave, ku intelektualë, shkrimtarë, akademikë, filozofë apo poetë serbë, u vunë në shërbim të shpërthimit të luftërave të përgjakshme që iu priu Millosheviç; ata (dhe pa i amnistuar as ata të hapësirave tjera ish-jugosllave), i ngritën në kult tmerret, urrejtjet ndërnacionale.
3.
Ato luftëra përfunduan dhe u krijuan realitete të reja historike...
Por çfarë të themi për ata intelektualë sot, nëse hidhen në anën e së keqes, krimit a të ligës?
Çfarë të thuhet për ata intelektualë që e keqpërdorin barbarisht Fjalën Publike, që, me ndikimin e tij, nxit të keqen dhe urrejtjen?
A nuk shprishet vetvetiu kësisoj ai sistemi i lakmuar i vlerave?
Të tillët, me diploma profesurash, magjistraturash, e doktoraturash, tashmë kanë krijuar një tjetër sistem që nuk mund të quhet sistem i vlerave, por sistem i së keqes dhe i antivlerave.
Tashmë ata, duke uzurpuar katedrat universitare, institucionet e larta shkencore, postet e larta me ndikim nëpër ministri, sektorë shoqërorë apo qeverisës; e kanë ngritur në kult pështymjen e vlerave, shembjen e tyre, në emër të interesave për të zhvatur para.
Nuk dihet më ç'është vlerë e ç'është surrogat vlere...
Nuk dijet më ç’është e mirë e ç'është e keqe...
Nuk dihet më ç'është shteti që quhet shtet laik e ku mbizotërojnë ritet fetare orientale nëpër institucione...
Nuk dihet më ç'është dije shkencore e ç'është turbullirë e ndërgjegjes...
(Intermexo: një shembull frapant: e ç't'i bëjmë një jurie, bie fjala, që emërohet nga qarqet e larta qeveritare për të vlerësuar, bie fjala kritikën letrare; juri që nuk e ka shkruar as një rresht të kritikës letrare; vlerëson veprat fare pa i lexuar; vlerëson pa dhënë asnjë vlerësim për vepra që nuk i takojnë kritikës letrare!!! Injoranca e përbuzja pseudo-intelektuale, nuk kanë kufij.)
Tashmë profesurat tona universitare, njëherë në dhjetë vjet e botojnë një vepër me pretendime shkencore... E të mos flasim për ata që vetëquhen kritikë letrarë a studiues të letërsisë dhe nuk e lexojnë asnjë vepër letrare, nuk bëjnë asnjë vlerësim letrar?!!! Dhe ligjërojnë nëpër universitete, dhe marrin paga mbi njëmijë euro në muaj, pa i numëruar këtu edhe privilegjet tjera të zhvatjes së parasë publike apo të xhepit të studentit të mjerë...
Aty lehtë krijuan pseudo-profesorë, pseudo-doktorë shkencash apo pseudo-intelektualë, duke ia zënë frymën hapësirave të intelektualëve të vërtetë, krijimtarisë mendore të vërtetë dhe vlerave diturore.
Nuk dëshiroj të përgjithësoj krejt këtë kategori universitare (ata që janë të zellshëm dhe kanë rezultate, numërohen në gishta)...


4. 
Këta pseudo=intelektualë universitarë, duke u rreshtuar ndërgjegjshëm e për interesa personale, kanë krijuar hapësira të së keqes: gjithçka që është e ligë, gjithçka që përbën të keqen e kësaj shoqërie, ata krijuan hapësira të lodrojnë e sundojnë nëpër to më të ligjtë, bixhozxhinjtë, matrapazët politikë, mashtruesit ordinerë, prostituimet njerëzore; shpirti i korruptuar më as që mund të quhet shpirt... por mizori e llahtari! 
Aq lehtë u përhapën këto të këqija, ndërsa aq shumë ngushtica krijuan për veprimtaritë e dobishme shoqërore, kulturore, aq lehtë i mënjanuan njerëzit e përkushtuar, dhe iu krijuan hapësira biznesit të zi, mashtrimeve dhe keqbërjeve fatale... 
Ata i sheh të rreshtuar aty ku i fton zëri i së keqes: "ja, jemi të gatshëm në kontributin tonë!
Ata i sheh të rreshtohen në repartet e destrukcionit shoqëror e nacional: ja, jemi të gatshëm ta shembim atë që e kemi arritur; faqeziun ta shpallim idhull; veprën e përkushtuar ta heshtim plotësisht e kundër saj të ngremë intriga, kurse veprën e shëmtuar ta shpallim vlerë kombëtare, kulturore, shkencore apo dhe kombëtare!!! 
Ndryshe qëndron puna me deklarata individuale të intelektualëve (në emër të lirisë së fjalës), por ndryshe është përgjegjësia e atyre intelektualëve që janë rreshtuar si repart politik e ideologjik i politikës aktuale. Ata janë përgjegjës për frymëzimet negative që ia kanë bërë të rinjve tanë për t'u rreshtuar në luftëra të huaja. Ata janë përgjegjës për realitetin e krijuar kundër rinisë sonë që ikën e pashpresë jashtë, 
Ata janë përgjegjës...

Thursday, May 2, 2019

Prend BUZHALA : MINATORI



(Fletëza për njerëz të thjeshtë), 30

Minatori Fadil Stojku para një jave humbi jetën në minierën e Tërnovës Dibër. Luani i minierave që nuk iu nda asnjë çast këtij profesioni të vështirë dhe burrëror derisa nga shpërthimi i gazit humbi jetën.
Poeti Prend BUZHALA po këto ditë skaliti me penën e tij përmes muzës poetike këto vargje për minatorin. Këto vargje t'i përkushtoj me dhimbje shok i dashtur i fëmijësrisë edhe atje ku prehesh në shtartin e butë të dheut që e deshe aq shumë. (K.Stojku)

Mitin e yjeve e zbret në tokë, 
dhe historitë e galerive i ngre në qiell,
ti minator qymyresh a diamantesh,
që rrëfen për varrosjet për së gjalli,
për histori të heqjes së mushkërive, për sfonde minierash
e për ngjyrën e zezë apo të bakrit që e merr fytyra jote.
Minerali i çmueshëm ruan dhe eshtrat njerëzorë
me tragjedi të pa rrëfyera.
Mandej vijnë historitë e grevave të urisë deri në vdekje
për mbrojtjen e minierës së Republikës
kundër sa e sa rrëmbyesve të lirisë dhe të djersës sate:
atje. në thellësi, duke përcjellë Lajmet e Botës.
Janë dhimbjet e fshehta që sëmbojnë
më shumë se ato të hapurat,
skena e jetës mbushet me therje e thyerje,
dhe ty të duhet ta mbash në këmbë një republikë të tërë,
ta mbash mbi supe peshën e rëndë sa të një planeti,
për ta nxjerrë nga brinja e tokës më të vlefshmen
për ekzistencën she zhvillimin e botës.
Mandej shkapërdarët e rruzullit nisin luftërat e gjakut,
me paratë e gjakut të nxirë ta spërkatin qiellin.
E vitet tona vazhdojnë t’i djegin gulçimat e ngarkesave.


Cili na qenka Mësimi i Parë që ti ia jep fëmijës:
si të shprehet në letër
apo si të shprehet në thëngjill e errësirë?
Letra lakmon shkrimin me thëngjill,
thëngjilli lakmon bardhësinë e mendimit të letrës
në thellësi galerish.
dhe Letra e Thëngjilli ligjërojnë: këtu zë fill bota.
E jeta shndërrohet në gur stralli përnjëherësh,
kur gjithçka përreth është errësirë.
Mbrëmja i ngjan galerisë,
nga çasti kur i vendos këpucët nën shtrat.
Gjumi pranë çizmeve qenka pakti i heshtur
Ndërsa në natën pirateske të demokracisë
përgatiten enët për ta shpërndarë djersën tënde.
Ata hartojnë çjerrje të reja të tokës
duke kërkuar qymyr, gaz, naftë, uranium
për t’i sjellë kancer që gërryen tokën dhe qiellin.
Ja, njeriu mund t'i shohë vetëm Dy Qenie
se si kërkojnë nëpër thellësi
minatorin dhe studiuesin kërkimtar që vijnë nëpër shekuj
që nga minatori i lashtë pirust e deri te ai Dijetari i Republikës;
diellin di ta vlerësosh vetëm kur gjendesh në thellësi të errëta,
thellësitë qenkan mësuesit më të mirë: e mësojnë botën
si ta çmosh ajrin, frymëmarrjen
a Matematikën e Çarjes së Shkëmbit,
Matematikën e Shpërthimit me sulmet e brendshme
deri te ato të jashtmet, shtjellë dheu e shtjellë shpirti,
e di çka duhet shembur e çka duhet hapur,
sa hapa ka deri te Kokrra e Mineralit ...
deri te Kokrra e Çmuar e Botës.
Ky Hap Miniere është si Hapi i një epoke.
Është mësimi më i mirë që na ligjëron
se ç'është kërkimi në jetë, në histori, në studim, në vetvete,
në galeri karakteresh e shpirtrash,
frymëmarrjesh e frymëzëniesh.
Eh, nuk dihet cila epokë qenka ajo që do të vijë
për t'u përkulur para Teje në shenjë nderimi.
Nëse nuk ndodh kjo,
atëherë krisjet e brinjëve nuk kanë të ndalur.
( 30 prill 2019)