Saturday, March 16, 2019

ZIJA ÇELA: BUZA E KUQE

)

(Ku vdes dielli në perëndim)

1
“Edhe ti, edhe ti, edhe ti. Edhe...”, i ngeci goja një çast. Ndoshta të katërtin, po të kishte qenë Anabora, nuk do ta përjashtonte, por ishte Naum Vasili që po hidhte krahëve një xhaketë, për ta shoqëruar deri në fund të oborrit. Ia ndaloi përcjelljen edhe atij, madje ngulmoi të ndaheshin menjëherë, kështu që megjithëse i zoti i shtëpisë shtoi ca fjalë pakëz turbulluese, u ndanë në verandë. Në rrugë, kur ngriti kapakun e sahatit të xhepit, iu bë se xhami kërciti dhe mori plasa. I kishte rënë pingul një sumbull uji, që u thye duke u përhapur dhe akrepat e errët, të cilët me zor i dalloi, iu duk se po notonin si fultere të vogla bretkosash. Kishte ndenjur atje pa e shikuar sahatin dhe vetëm tani e mori vesh se kishin kaluar dy orë e gjysmë nga mesnata dhe po fillonte shiu. Prapëseprapë, si të shpresonte se do të mund t’i shihte edhe një herë fytyrat e atyre njerëzve, që i kishte lënë pa gjumë me vizitën e tij qesim, ktheu kokën. “Ah, sa më kishte marrë malli për Zotërinë tënde!”, i fishkëllyen në kokë, gjithë përkëdhelje, fjalët që i kishte thënë nëna e Anaborës.
Po ta kishin pyetur atë mbrëmje nëse do të bënte vizitë në shtëpinë e Naum Vasilit, do të kishte thënë se ishte e vetmja gjë që s’i kishte vajtur nëpër mend. Mirëpo ndërsa po kalonte përmes sheshit, kur pritej të ndalonte te Kulla e Sahatit dhe të merrte urbanin për në banesën e tij, vazhdoi të ecte drejt. “Mor i çmendur, ku shkon këtej?!”, e paralajmëroi veten. Pikërisht në çastin që kishte ndërruar kahje, kishte ndier në trup një therje gati-gati si dhimbje fizike dhe kishte pyetur: “Mirë, ja po shkoj, por ka arsye për të vajtur pas kaq kohësh?” Me një fjalë, s’po gjente shkak, aq më tepër që edhe ora, dhjetë e dyzet e mbrëmjes, ishte e papërshtatshme.
Disa muaj më parë, gruaja e Naum Vasilit po kalonte një periudhë të vështirë, sepse siç i kishte thënë vetë Anabora një pasdite, ndërsa pinin bitter në Drilon, kujtdo që i bie në derë një e keqe, zakonisht i sjell prapësi të tjera mbrapa. Si të mos i mjaftonte njëfarë ftohjeje me të shoqin, pastaj një abort me dashje që kishte pasur pasoja të përkohshme për pakujdesinë e gjinekologut, Anabora kishte humbur edhe vendin e punës në një institut që varej nga Akademia e Shkencave.
Asaj dite ata mund të ishin ndarë edhe ndryshe (mos o Zot duke u puthur), por nga Driloni ai e shoqëroi një copë rrugë. Te qinaret e parkut, Anabora pati një ngazëllim të beftë, buza e sipërme iu ndez, thua se zemra ia çoi vrullshëm gjakun atje, veçse si të kishte ndonjë pengesë të mistershme, nuk ia përskuqi të dyja. Ajo i kujtoi se një herë në vit, një herë të vetme, një pasdite kur ndihesh si i përvëluar (puna jote nëse e dallon atë pasdite), gjithë ajo bukuri e përgjakur në petlat e një trëndafili të zgjedhur (puna jote nëse e zbulon pikërisht atë trëndafil të zgjedhur), nuk është tjetër veçse dielli që vdes në perëndim. E kush i paska thënë këto broçkulla? pyeti ai. I ka thënë Z., u përgjigj ajo. Po kush është ky Z.? pyeti prapë ai. Është Zotëria jote, qeshi ajo duke ndërmendur të ëmën, që atij i drejtohej gjithnjë me Zotëri ose Zotrote. Pastaj, teksa ndaheshin, Anabora e puthi më afër mollëzës sesa gojës. Të mbusha një gropë, tha, në gropat e faqeve të tua një grua edhe mund të mbytet. Ai kishte pasur ndjesinë sikur maja e gjuhës së saj, fërgëlluese dhe me pak lëmashk të bardhemë, ishte skuqur prej temperaturës së mishit të tij.
Më vonë, kur pasojat e abortit u kapërcyen, kur Anabora filloi të luante prapë tenis me të shoqin dhe u punësua në një fondacion të huaj, që kishte një filial me peshë në Tiranë dhe e paguante sa gjashtëfishi i institutit, miku i tyre vendosi t’u bënte një vizitë përhirimi. Vajti në “Le salon des fleurs” dhe midis dy sporteleve, Kredi për trëndafila dhe Trëndafila pa kredi, iu drejtua këtij të fundit, duke paguar në dorë. Doli me një buqetë të kombinuar për Anaborën, mirëpo diku afër shtëpisë së tyre u ngatërrua në ca shestime me veten: “E përse u dashka?! Tani ata nuk kanë më halle, jetojnë mirë, duhen mirë dhe mua më kanë harruar.” E la buqetën në tryezën e një klubi të rëndomtë, nga ata që përdorin shavar kënete për zbukurime, pasi kamerieri i shërbeu konjak, pastaj pije të përzier - kaçurrel, pastaj shqeto vodkë polake.
Megjithatë, të nesërmen, të pasnesërmen dhe për disa ditë me radhë, fytyra filloi t’i shndriste prej një farë dëlirësie e shkëlqimi fisnik, që shumëkujt i binte në sy. Ai nuk i jepte ndonjë rëndësi kësaj çudie, por kur dikush ia vinte në dukje, murmuriste nën zë: “E ku i dihet, mund të jenë trëndafilat, trëndafilat e bardhë!” Pastaj fytyra i erdhi duke ndërruar, atij afit të dëlirtë ia zuri vendin një përndezje fuqie dhe kuqëlim ndjellës. Ai prapë nuk i dha ndonjë farë rëndësie, por kur të tjerët ia pikasën ndryshimin, tha me vete: “Pse jo, mund të jenë trëndafilat, trëndafilat e kuq!” Pastaj, kur iu kthye çehrja e zakonshme dhe askush nuk fliste më për rrezatime të çuditshme në fytyrën e tij, e ndjeu se trëndafilat ishin tharë dhe se ato ndryshimet e përkohshme kishin qenë vetëm çështje shenjash.
“Sigurisht, bëra mëkat që nuk ia çova buqetën Anaborës”, i dha një përfundim atëherë.
2
Në rrugë e sipër, arriti të merrej vesh me veten, tani e dinte jo vetëm ku po shkonte, por edhe përse shkonte. Trokiti në shtëpinë e tyre dhe, sapo ia hapën derën, tha se vinte aty për të kërkuar një ndjesë.
- Çfarë rastësie, - e ndërpreu Naum Vasili. - Sonte të telefonuam në shtëpi, por sa herë bie shi, numri yt nuk punon.
- Marrin telat ujë, - qeshi ai. - Po përse telefonuat?
- Për ta ditur se ç’bën dhe përse na ke harruar. Edhe ti përmende një ndjesë... Po sa vlen ndjesa jote tani!
Kur u ulën, ai tha se nuk kishte trokitur në atë orë të pavolitshme që t’u kërkonte ndjesë për mungesën, por sepse njëherë e njëkohë, shtatë muaj, tetë, viti sidoqoftë nuk është mbushur, atëherë kur Anabora ishte disi e mërzitur, e trandur nga jeta që i mbledh prapësitë bashkë, atëherë pra, kur të këqijat kaluan, ai kishte dashur që të vinte tek ata me një tufë trëndafila dhe...
- Po trëndafilat i mora, - tha Anabora.
- Si i more?! - pyeti ai mosbesues.
- Ty të kishte shkarë ca goja në klub me kamerierin, - tha Naum Vasili. - Mirëpo ai është njëri nga fqinjët tanë dhe buqetën tënde e solli po atë natë. Mos është njëfarë, njëfarë..., na pyeti për ty. Të kishte parë herë-herë në televizor, por emri yt nuk i vinte në hatër.
- Dhe unë e kisha porositur që t’i sillte?
- Këtë nuk e dimë, ndoshta e kishe porositur.
- E pranoj, - tha ai, - kisha pirë ca atë natë. Pra sonte paskam ardhur kotsëkoti, pa arsye.
- Jo, - qeshi Naumi, - ke ardhur se ne të thirrëm vetë, telat nuk punojnë, por zilen prapë e ke dëgjuar.
- Kush u kujtua të më telefononte? - i shpëtoi atij.
- Unë, - tha Anabora.
- E para isha unë, - u hyri ndërmjet nëna e Anaborës, duke këqyrur më tepër nga dhëndri, sesa nga e bija. Pastaj e derdhi vështrimin te mysafiri. - Më rreku gjumi mbasdite në divan dhe, sipas gjasave, të pashë në ëndërr. Ç’na u bë ai njeri, u ankova, si na i thau sytë dhe s’na shkeli në shtëpi gjithë këto kohë. Thirre, moj bijë, iu luta Anaborës, thirre të vijë e të na bëjë qiqër njëherë. Ah, ah, sa më kishte marrë malli për Zotërinë tënde!
Ai e dinte se prindërit e Anaborës, sidomos e ëma, e pëlqenin fort. Kur e kishin mysafir, i ati mund të pinte ndonjë gotë dhe të bisedonte shtruar me Z-në për okultizmin japonez, ndërsa gruaja e tij e moshuar e shihte mikun në dritë të syrit dhe i thoshte: “Ta do shpirti gotën? Pi sa të duash, Zotrote. Po trupi pse s’ta do mëlmesën? Ha, po ta bëj këtë lutje, vëri pijes një brez në stomak”, sepse ai thuajse nuk hante. Ndërsa asaj nuk i shpëtonin hollësitë, madje njëherë ishte shprehur për disa mysafirë të dhëndrit: “Uh, po ata sikur kishin ardhur vetëm për të ngrënë!”
- Ne kemi mbaruar me darkën, - tha Naum Vasili, - ti me siguri ende s’ke ngrënë.
- Nuk kam ngrënë, - pranoi ai.
Anabora, që ishte me rrobëdhome, u ngrit dhe ai tha se po ta kishte pasur ndër mend të shtrihej më shpejt, mos t’ia prishte rehatin vetes. Mirëpo ajo tha se kishte një ndërdyshje, ta hiqte rrobëdhomën e të vishej ndryshe, apo...?
- Si ndryshe?
- Si për festë, - tha Anabora.
- Jo, jo, - tha ai.
Dhe foli me ngut, sepse atë çast Anabora pati një ngazëllim të beftë, buza e poshtme iu ndez, thua se zemra ia çoi vrullshëm gjakun atje, veçse si të kishte ndonjë pengesë të mistershme, përsëri nuk ia përskuqi të dyja. Sidoqoftë, ishte hera e parë që e shihte me rrobëdhome dhe, pikërisht ky intimitet, atij iu duk një festë.
- Kemi verë të bardhë? - deshi të sigurohej i ati i Anaborës, që po përgatiste me vete pyetjet për japonezët.
- Kemi, - u gjegj dhëndri që, duke qenë zot shtëpie, e dinte se kishte mbetur edhe ca peshk në furrën e sobës.
Jashtë kishte rinisur shiu, rrëmetin e shtonin shkreptimat e rralla, por që ishin aq të forta, sa kur ia behte tafti në dritare, perdet sikur tundeshin nga trysnia. Mysafiri bisedonte me të gjithë nga pak, duke i kushtuar vëmendje edhe okultizmit. “Ashtu është, Zotrote, ashtu”, dëgjohej herë pas here një zë i butë, plot pranim mirëdashës, “veçse hani tani, po jua bëj këtë lutje, hani!”
Kur u ngrit dhe të tjerëve ua ndaloi që ta përcillnin përtej verandës, ndërsa Naum Vasili po hidhte krahëve një xhaketë për ta shoqëruar përgjatë oborrit, iu kthye atij:
- Edhe ti deri këtu, te dera e shtëpisë.
- Po ndoshta nuk ndihesh mirë, - vërejti papritur Naum Vasili, - ti sikur je zverdhur në fytyrë.
Z. ia lëshoi dorën Anaborës pa ua vënë veshin mirë atyre fjalëve, megjithëse u shqiptuan shkoqur.
3
Madje në rrugë, kur u hutua me xhamin e sahatit, i harroi krejt fjalët e Naum Vasilit. Tekefundit, pas atij shiu të furishëm, jashtë dukej sikur gjithçka ishte e përhënur. Si të ishin rritur prej plleshmërisë së rrufeve, kishin dalë ca yje me thepa që ndrisnin pastër nëpër hapësirat e liruara të qiellit. Madje shplarja e pluhurit i kishte dhënë lezet edhe ndriçimit batall elektrik. Mirëpo rrugës ishin formuar pellgje. Në ato gropa uji, ku sipërfaqja vinte pala prej erës, vezullonin nganjëherë ca bulëza të ndritshme si të ishin luspa. “Djall o punë”, murmuriti ai, “po këto nuk mund të jenë peshq!” Pastaj tha se mund të ishin edhe peshq. Kishte pirë gati tri shishe, ndërkohë që nga pjatanca kishte ngrënë vetëm dy peshq barbunë. I kishte ngrënë siç ishin pjekur, pa ua hequr as kokën, as bishtin. Tani i dukej se ato vezullimet luspore nëpër pellgje, vinin prej çiftit të barbunëve që, në stomakun e tij të dëndur me verë ngjyrë ari, notonin si në një akuarium.
Në bërryl të rrugës i erdhi të kthente kokën për herë të fundit, thua se ndiente rishtazi atë kanxhën tërheqëse dhe therjen e çuditshme, që i ngjante dhimbjes fizike. Tash Z. e tij (e kishte një dyshim për këtë Z.) nuk e dinte se kur do të shkonte prapë atje, a do të shkonte më ndonjëherë, nuk e dinte përse shmangej, përse i duhej tërë ai mobilizim për të vajtur sado rrallë dhe, kryesorja, çfarë i fshihte vetes.
Kokën nuk e ktheu, mendoi se tashmë pleqtë ishin shtrirë, Naum Vasili gjithshtu kishte vajtur në krevat, ndërsa Anabora me atë rrobëdhomën tërë ojna, ojna apo sytha, sytha të kërcyer si thitha që të ndillnin t’i mbaje midis dhëmbëve, e kishte ngritur tryezën dhe po lante qelqurinat... Vallë, ende pikonin rriporet e reve të shpërndara andej-këtej? Në gropat e faqeve i rrëshqisnin ca vilarë të ftohtë, flokët i qenë lagur dhe era, që i vërtiste daradan piklat e ujit, punonte pa zhurmë. Në atë heshtje përthithëse të natyrës, vazhdoi rrugën me kërshërinë e luspave që gjithnjë llapsnin, zhdukeshin e llapsnin nëpër pellgje. Po kalonte përmes bllokut të ndërtesave, ku ndodhej apartamenti i tij dhe ku, meqë bëheshin ca instalime në nëncentralin e ri, korrenti ishte ndërprerë për dyzet e tetë orë.
4
Me të hapur derën, si të kishte qenë e kurdisur prej një shqetësimi të ngjashëm me atë të Naum Vasilit, e shoqja ia priti:
- Je zbehur në fytyrë, ç’të ka gjetur kështu?
- Po ti, - s’iu durua atij, - edhe në errësirë e dallon çehren time!
- E verdha reflekton, - tha ajo.
Ai përsëri nuk u dha ndonjë rëndësi të veçantë këtyre fjalëve, por me vete tha: “Po sikur të jenë trëndafilat, trëndafilat e verdhë?” Në dhomën e punës ndezi një qiri, që e vuri mbi monitorin e kompjuterit. Pastaj hapi një bllok shënimesh dhe, duke pasur në kokë rrëkajën turbulluese që e kishte ndjekur rrugës, hodhi ca rreshta pa e ndalur dorën:
“Zoti të vraftë, mor Z., pse bën sherr me veten dhe e diskuton ndopak?! Kushedi në cilën pasdite të vitit dhe kushedi në cilin vit, kur të ndihesh prapë si i përvëluar dhe një therje e përgjakshme, e beftë si një tërheqje grepi në gojë, do të të detyrojë që të ndërrosh rrugë, njëlloj ke për t’u nisur rrokopujë drejt saj, makar thjesht nën pushtetin e atyre etheve të diellit, të diellit që kërkon një trëndafil për të perënduar, sa për të thënë se në gjithë këtë përrallë - dhe këtë e pranoj modestisht, - assesi nuk bëhet fjalë për vdekjen tënde, megjithëse përralla fsheh një të vërtetë, të vërtetën se trëndafili ekziston dhe se për ty ky trëndafil janë pikërisht buzët e Anaborës.”
Të nesërmen, kur ishte esëll dhe po lexonte shënimin e vet, rrudhi buzët. Me atë premtim fatal dhe fatalitetin dekonspirues, dëshmia i futi hatanë. Po sikur ta lexonte e shoqja? Po sikur ai bllok të binte në dorën e tjetërkujt dhe ky tjetërkushi ta përgojonte pa mëshirë, derisa shënimi të përfundonte në faqet e ndonjë reviste rozë?
Mori përsëri stilolapsin dhe, në çastin që u përkul për t’u rënë vizë kryq e tërthor atyre rreshtave, i përmbylli me një shtesë: “Tani zgjidh e merr, Z = Zotrote apo Z = Zija?”
Por me sa duket, zgjedhja ishte bërë. Ndërsa atij zotërisë, njëfarë... njëfarë Zija Çela, nuk i mbetej veçse të nënshkruante, duke bekuar orën kur të njohu ty, Anabora.
(Botimi i parë më 1998, i fundit në librin “Buza e Kuqe dhe Gjaku i errët”, Toena, 2012)

0 comments:

Post a Comment