Friday, June 5, 2020

Kujtim STOJKU: BURRACAKËRI




Sot, ne ngadalë kemi filluar që të heqim maskën e hipokrizisë,
Paqen e fituar me çmimin e gjakut e mbështjellim me fletët e bardha,
Por jo, n`mendjet e shqiptarëve akoma s`janë këputur zinxhirët e skllavërisë,
Beteja dhe vetëm beteja të pafund, që fund asnjëherë s`paskan.


Si t`pafytyrë, t`pabesë e burracakë, s`ka ditë t`mos krenohemi se ecim në gjurmët e t`parëve,
Si të tillë, shpesh përmendim burrat e mençur të luftës e t`penës,
Por kur maskat bien, del me të vërtetë burracakëria e shqiptarëve,
Që shkelin e pështyjnë me neveri të gjithë ata që luftuan për këtë vend.


Bëjnë gjoja sikur kokën e kthejnë pas për t`parë sa e përgjakur ke qenë ndër shekuj,
Por çuditërish shohim ca bastardë që ndaj teje shfryjnë me tërbim,
Hidhninë ta lexoj në rrudhat e ballit me vetullat e vrenjtur, prej turpit përkulur hark,
Si eleptik përpëlitesh, edhe kur t`hedhin baltë në fytyrë ty të dhemb në shpirt.


E sheh botën të tallet me ty, e ti qesh me veten tënde,
Sytë t`janë veshur e turpin tënd se sheh,
Rri e bën sehir kur përdhosen e varret e t`parëve dhe monumentet,
Pastaj si i marrë, me veten tënde zë e qesh.

Vaj medet! Sot të gjithë po rrahin kraharorin,
Se, për ty e japin jetën si burrat që moti për kët` atdhe,
Por më parë, çdo kënd dhe anë me ja humb gjurmët Gjergj Kastriotit,
Dhe shumë heronjëve të tjerë, që me lavdi janë përzier me dhe.

Ata, sillen e përdridhen duke thurur rrjeta merimangash,
Dje, tinëzisht si gjarpëri rrinin të fshehur ndër ne,
Shpirti rrokullisej bokave me baltë e ofshante,
Pas lente mjegull, ngrihej në qiell e përzihej me retë.

Koha shkëlqen me lavdinë tuaj,
Interesant! Kjo lavdi n`shpirtrat tanë ka lëshuar rrënjë,
Një pëllumb me sqep më çukit dorën, e m`thotë që k`to fjalë t`i shkruaj,
Brenga sa s`po më plas shpirtin, kur shoh se si kopilat të shkelin me këmbë.

T`pafytyrët, sot po mundohen të maten me veprat e heronjëve,
Ku shpirtrat e tyre nëpër hone gremisen thellë e më thellë,
Shiten për hiç gjë, duke lënë pas veprat më mizore,
I zë tmerri kur mendojnë, se ndoshta nga varri mund t`ngrihet ndonjë.

A thua vallë ju nga kujtesa jonë jeni fshirë?
Mos ndoshta s`e dimë e gjaku na është prishur krejt,
Por, përsa kohë do t`jemi gjallë e do të marrim frymë.
S`do t`ju lëmë të shkelni mbi varret që vetë ata na i lanë amanet.

Oh! Çfarë njerëzish të padenjë...
Çfarë fare e prishur, që si ferrat kudo kanë lëshuar rrënjë...

0 comments:

Post a Comment