Wednesday, March 22, 2023

AKUARELE METRIKE: Poezi nga Durim ÇAÇA


AKUAREL, 1
jam n`harmoni me rrjedhën time të qenies
e jeta shket e mahnitshme
çërçëlitja e mëllenjës, dhembja që gdhend
dhembjen e thell` e deti si një kushtim
dashurie për poezinë e yjet
ah, se gjithçka ndodh ësht` kalimtare
për kuptimin, rëndësin’ e shprehjes
buzëqeshja e fundit me freski gruaje
derdhur mbi lulet e mëngjesit
puthja e ndrojtur si të dëgjuarit
e vërshimit të vesës
mbi lëndinën e agut n`korrik
ji n`harmoni me rrjedhën e qenies tënde
e jeta bëhet e mahnitshme
qiejt qumështorë dimërorë të netëve
politika, muzika, feja, nacionalizmi
seksi, - si opiume për popujt e njerëzit
melankolia e thellë e qëndresës
fushat me grurë të praruar
shtëpitë e vogla prej guri
trilli i brishtë shpotitës e përkëdhelës
të dashuruarit me pasion pa besuar
për çdo ditë
jam n`harmoni me rrjedhën time të qenies
e jeta shket e mahnitshme
kalliri që ndahet m`dysh prej tingullit të lehtë
të një kantate ardhur nga larg
e lumturia pafundësisht e dëlirë
e bartjes mbi supe kaliqafë
të një fëmije…

AKUAREL, 2
kjo zemra jon` e fortë,- thyer sa herë
e që jeton sërish
trimëria, dashuria që ushqehen me shpresë
pranvera e thatë e përcëllimtë
me stuhi polenësh e fieresh
tmerrimi prej fytyrës s`armikut nga që i ngjan
fytyrës tënde të re
Deti i Kuq i ngroht` melankolik
e qeshura e hijenës s`Abisinisë
trishtimi që kaplon të burgosurin kur zbret mbrëmja
e s`ësht’ në gjendje të qeshë
historia seç fluturake gjithnjë
si një përshëndetje në stacione
s`ka më të fort` se zemra jon`- sa her` thyer
e sërish seç jeton
tundimi për t`humbur rrugëve, për t`u përtërirë
n`përtëritjen e njerëzve e peisazheve
heroizmi si fitorja e shpirtit mbi trupin e ri
arti që kap realitetin përmes stilit të vet
të dashuruarit që i shkruajn` premtimet e tyre
paj, mbi brirët e drerit
jeta tek nis nga e para
kur gremiset në dimër
kjo zemra jon` e fortë,- thyer sa herë
e seç jeton sërish
vështrimi mbi bijtë n`ujin e nostalgjisë shtegut
të rrejshëm të arratisjes
ngrohtësia e trupit të të voglit
si gjurma e mistershme
që ka magjia fëmijërore
për të lënë pas vetes…

AKUAREL, 3
ka veç një heroizëm, - ta shohësh botën
e ta duash ashtu siç është
brilantet që feksin nga hëna e plotë
aroma delikate e mentes, aroma e ashpër e elbit
një lumë i lumtur që hidhet të përjetësojë
shkëlqimin e vet t`rrëmbyer prej lumi, - te deti
moda e mizorisë dhe tmerrit që ndryshon
bre, sipas kohës e vendit
t`soditurit e një tufe pallojsh tek gufmojnë
me ritme të qetë t`ëmbël valsi
fjalët që s`jan` veçse lotët e atyre që deshën
ah, aq shumë të qanin
e që s`mundën
veç një heroizëm ka, - botën ta shohësh
ashtu siç është e ta duash
entusiazmi i fshehur thellë që digjet
me zjarr të qetë dridhmërojës
trëndafilët pa aromë të varreve në çukë
asgjëja eterike e fjetjes me lëndën e squllur t`epshit
paj, jetohet ajo që tashmë ësht` jetuar
t`guxuarit për të luajtur me Universin
mes lemerisë së pafundësisë e frikës
së bindjes ndaj fesë
ka veç një heroizëm, - ta shohësh botën
e ta duash ashtu siç është
ekstaza e kuptimit t`misterit, poezisë, agsholit
bisha e egër e urrejtjes me guximin pa ndërgjegje
ermimi i zgjimit fëmijëror t`faqeve, t’`yve vesëllitës
të zbutur nga gjumi e dëshira për t`i puthur
në mëngjeset e ftohtë të dimrit…

0 comments:

Post a Comment