Tregim
Libri i fjalëve të urta 16;
18.
...Ai qëndronte
i ulur në kolltukun e butë të këtij lokali luksoz, hapësirën e mbushnin tingujt
e butë dhe magjepës të një simfonie të Moxartit, ishte përhumbur në shënimet e
fletores që mbante në dorë. Ndonjëherë mendonte se lëkura ishte e vetmja pengesë
që i pengonte krahët e tij që të dilnin në sipërfaqe, dhe se personazhet e tij ëndërronin
brenda vijave të fletores sikur edhe ato të dilnin jashtë dhe të fluturonin.
Edhe ai sikur ishte një personazh në formë dhe karakter që qëndronte në radhë në
rreshtat e shkruara brenda saj.
Ndërkohë
nga mendimet dhe leximi, e shkëputi kamarierja, një vajzë me flokë bjonde, me
trup të gjatë, sy të kaltër dhe e veshur me bluzë të bardhë. Buzët e saj të
fryra i kishte ngjyrë qershie, faqet e rrumbullakta, mjekrën e vogël, lëkurën
ngjyrë qumështi, gjoksin e gufuar poshtë këmishës së bardhë, me një buzëqeshje
magjepsëse ajo iu drejtua Gencit tërë delikatesë:
- Çfarë
dëshironi zotëri?
Ai
ngriti kokën, vështrimi i tij u përqëndrua në fytyrën e saj, ajo vazhdonte të qëndronte
me buzë në gaz, dhëmbët e saj të bardhë i dolën në pah.
- Kafe
dhe konjak, - U përgjigj Genci pa ia ndarë vështrimin.
Ajo u
largua duke mbajtur një bllok të vogël shënimesh në dorë për të sjellë porosinë.
Kurse ai e ndoqi pas me vështrimin e tij deri kur ajo iu afrua banakut. “Qenka shumë e bukur” mendoi me
veten e tij. Edhe kjo mund të bëhet një
nga personazhet e mia fluturues. E pse të mos bëhej?
Kishte
gati dy vjet që njerëzit kishin filluar përsëri që të iknin nga vendi nëpër
vendet e tjera duke kërkuar strehim. Ky me thënë të drejtën ishte një eksod i
dytë qysh pas viteve nënëtëdhjetë. Ishte e dhimbshme tek shihje se si vendi po
zbrazej nga rinia drejt vendeve të tjera. Edhe ajo shkëndijë e shpresës që u ndez,
tashmë kishte filluar që të fikej.
Ndoshta disa nuk do të ktheheshin më kurrë. Gishtrinjtë e tij punonin mbi letër
si në kërkim të karakterit midis rreshtave. Nga mendimet e shkëputi një e
qeshur e shkurtër që u rrokullis në hapsirën e qetë të këtij lokali, e cila u përzie
me tingujt e simfonisë që po transmetohej. Ai ngriti kokën, dhe pa se brenda
kishte hyrë një çift me moshë mesatare. Ata kaluan pranë tij, dhe e qeshura pushoi.
Ndërkohë u dëgjua zëri i gruas që i thoshte burrit që ishte veshur me kostum
blu, “Unë kështu ju thashë…” Pastaj ato u ulën një tryezë larg tij. Ndërkohë
erdhi kamarierja me një tabaka ngjyrë argjendi në duar, dhe u afrua tek tryeza
e tij duke vendosur mbi syprinën e qelqtë filxhanin e kafesë që nxirrte avull,
dhe gotën me konjak.
Pastaj
ajo u largua duke i thënë me një zë të butë “Të bëftë mirë.”
Ai mori
gotën e konjakut, dhe pas ktheu një gllënjkë, e shoqëroi me kafe, e më pas u kredh në punën e tij.
Ndërkohë
dera u përplas, dhe u dëgjua një zhurmë, dhe një e qeshur nga një zë i trashë.
Ai ngriti kokën dhe pa një burrë rreth të pesëdhjetave që u fut brenda. Ai përqëndroi
vështrimin me kujdes tek ky klient që sapo hyri, dhe menjëherë pa se i ra në sy
koka e tij e madhe, dhe pa asnjë fije
floku në të. “Ose mos ndoshta i ka flokët e kuqe” mendoi ai, ndërsa sytë nuk
po ia ndante atij. Por në të vërtetë ai nuk kishte as edhe një fije floku, dhe
koka e tij tullace kishte marrë një ngjyrë mavi. Kështu që atij me plot gojën
mund ta thërrisje kuqo. Ai kishte një trup të gjatë, dukej sikur kishte qenë
sportist. Tek njerëzit që ishin marrë me sport të binin menjëherë në sy disa
veçanti që kishin vetëm ato, dhe jo të
tjerët. Gjatësia e trupit të tij gati sa nuk prekte abazhurin me drita që shkëlqente
në tavanin e zbukuruar me allçi. Genci
nuk po ia shqste vështrimin këtij njeriu që sapo hyri. Fytyra e tij kishte një
pamje të vrazhdë, dhe lëkura sikur kishte marrë një ngjyrë pak si në të errët.
Syë i kishte të mëdhenj, dhe i rrotullonte herë në një anë herë në anën tjetër.
Dukej sikur me sytë e tij ai shihte çdo gjë me hollësi. Pak nga pak, ky burrë
para syve të tij filloi që të shkërrmoqej. Në fillim i ranë në pllakat e
mermerta sytë dhe ai mbeti pa sy. Më pas i ranë me radhë veshët dhe hundët,
kurse goja vazhdonte të fliste me gjithë këto që po i ndodhnin. Fjalët ishin të
zhurmueshme, dhe më pas filluan që ta humbisnin kuptimin e tyre. Pastaj heshti
dhe nuk u dëgjua më. Edhe goja pësoi të njëjtin fat si veshët sytë dhe hundët.
Shkërrmoqja e tij filloi ngadalë pikërisht para syve tanë që e shihnim të
habitur për këtë që po ndodhte. Filluan që t’i binin krahët, dhe mbeti kështu
si një trung që qëndronte në këmbë.
Pastaj edhe këmbët pësuan fatin e duarve, dhe ai mbeti thjeshtë vetëm një
trung. Më pas ky trung i mbetur u anua dhe u shtri mbi pllakat e mermerta të
dyshemesë. Forma e këtij trungu erdhi dhe u shpërbë duke mos parë asnjë eshtër
të trupit të tij. Sa për të brendshmet
as që mund të bëhej fjalë se mund të shiheshin, ai me sa duket nuk kishte asnjë
organ nga ato. Dikush nga një tryezë u
ngrit dhe u afrua pranë tij për të parë më mirë, kurse ne të tjerët kishim
mbetur të shtangur nga kjo pamje që as në përralla nuk e kishim dëgjuar. Pastaj
u dëgjua zëri i atij klienti që ishte afruar tek ai dhe me habi tha me një zë që
i dridhej:
- Çudi,
ky njeri nuk paska as stomak, as bythë, dhe as shtyllë kurrizore. Është
interesante që një njeri të mos ketë asnjë nga këto organe. Ai pra nuk kishte
asgjë.
- Po
mendjen si duhet ta ketë pasur? - tha dikush duke u ngitur nga tryeza dhe duke
iu afruar edhe ai atij.
-Mendoj
se duhet të ketë qenë i prishur nga trutë, - tha ai, - dhe u kthye për t’u ulur
përsëri në vendin e tij.
“E
çuditshme” thanë disa gati me një zë, “Po si mund të ketë jetuar vallë një
njeri si ky?
- Këto
janë punë të të madhit Zot, - tha një tjetër. – Pastaj ai vazhdoi sikur ta
kishte pyetur dikush, por në fakt nuk e pyeti asnjë njeri që ishte aty brenda.
– Zoti nuk të tregon se kur ta merr mendjen. Prandaj o Zot na ruaj nga njerëz të
tillë.
- Jo ore
jo, - tha një zonjë që kishte ndjekur gjithçka me vëmendje, - Nuk janë asnjëra
nga ato që thoni ju. Ai është lugat.
- Ç’na
the edhe ti, - tha një djalë i ri që me sa dukej ishte student, - e ku ka lugetër?
Ndërkohë
edhe ai ishte ngritur dhe ishte afruar tek dy të tjerët për të parë. Edhe
klientë të tjerë u ngritën nga tryezat dhe u afruan që të shihnin më mirë. Aty
u formua një rreth që shikonin me vëmendje njeriun që u shkërrmoq para syve të
tyre. Ata shihnin një njollë me ngjyrë të errët e të ndritshme që u dukej si një
plëndës mbi dysheme.
- Edhe
mund të jetë lugat, - tha një burrë i moshuar, i cili kishte vënë në gojë një
cigarishte fildishi dhe po e thithte sikur të kishte ndezur cigaren. Ndoshta
nga që brenda nuk lejohej që të tymosje duahn, ai kishte vënë cigarishten dhe e
thithte herë pas here ku dëgjohej vetëm fërshëllima e ajrit që kalonte përmes
saj. Ose, ai kishte lënë duhanin, dhe sa herë i shkonte mendja që të tymoste
duhan, vinte cigarishten në gojë, me të cilën gënjente veten sikur po tymoste.
- Çfarë i
keni këto mendime në shekullin e XXI? - Ia priti një tjetër që ishte bashkuar
edhe ai me ata. – Sot shkenca ka vërtetuar që nuk ka lugetër dhe shpirtra të
mirë e të këqinj. Këto janë bestytni?
- Po atëherë
kjo çfarë është? – Tha zonja që kishte folur më parë se ishte një lugat.
Asnjë
nuk u përgjigj. Ndoshta ekzistonin vërtetë qenie të tilla, që endeshin mbi tokë
në mes të njerëzëve. Zakonisht thuhej se këto fantazma dilnin nga varret prej
njerzëve të këqinj që nuk i pranonte as dheu, dhe dilnin në sipërfaqe duke
trembur njerzit.
Genci
ktheu edhe një gllënjkë konjak tjetër, dhe e shoqëroi me kafe, u përqëndrua në
punën e tij, dhe mendoi “ Ky është një rast ideal për personazh që ta vë bashkë
me personazhet e tjerë që po presin e të flasin pas kaq shumë kohësh.” Por çfarë
do të thoshte në të vërtetë një personazh i tillë? Edhe ai e kishte shumë të vështirë
që t’i përgjigjej pyetjes së vet që bëri. E si do të kuptohej një personazh i tillë,
dhe në të vërteë për kë po filtej konkretisht? Ai ktheu gotën me konjak duke përfunduar
dhe atë që kishte mbetur në gotën e kristaltë, mbylli fletoren dhe kompiuterin,
veshi xhupin prej meshini të zi që e kishte varur në varse, hodhi çantën e
laptopit në krah, dhe u drejtua nga kamarierja që po rrinte në këmbë me atë buzëqeshjen
e saj lozonjare dhe po e shikonte atë tek po afrohej drejt saj. Asaj ky klient
i ishte dukur i çuditshëm. Ai u afrua, ajo e vështroi atë drejt e në sy. Sytë e
tyre u kryqëzuan, ai nxorri portofolin nga xhepi dhe pagoi duke i lënë një bakshish.
Ajo e falenderoi duke i dhënë “ Mirëardhsh !”. Ai vazhdoi rrugën drejt derës rrotulluese dhe
mendoi “ Edhe kjo është një personazh”. Doli jashtë dhe u përzie me kalimtarët.
0 comments:
Post a Comment