Monday, March 23, 2020

Dy poezi nga Namik SELMANI

Lutem për ty, kombi im!

Lutem për ty, kombi im
Ani se diellin duan të ma fshehin retë
Ani se shumë herë pemët mbeten pa vjelë
Ani se fushat nuk kanë bujq për të mbjellë.

Ani se odat duan mentarë të tjerë në tryezë.
Lutem për ty, kombi im..
Me vargun që brishtëzohet në qiejt e hirnosur
Me dritën që shpesh mungon mes sofrës.
Me lotë që pikojnë qerpikëve të lodhur.
Lutem për ty, kombi im
Për netët ku jastëku ndahet te shtrati.
Për djersën që rrjedh si përrua te balli.
Për hapin e hedhur në tokën e çarë
Për bukën e furrës më dysh e ndarë.
Lutem për ty, kombi im
E s’më mjafton jehona e këmbanave
E s’më mjaftojnë thirrjet e ezanëve.
As sytë e uritur për libra të fëmijëve
As urimet e nënave në pragjet me bekime..
Lutem për ty, kombi im
Me sytë nga Otrantoja ku çelin lulet e hedhura.
Me duhma tërmeti që hapin plagë në zemra.
E jo me tribunat ku sherrohet fjala
As me librat e mbushura dingaz me përralla.
Lutem për ty kombi im.
Për netët ku sytë janë të përgjumur.
Për traun e fundit që ka mbetur pa u shkulur
Për ngrohtësinë e syve në përcjellje agimi
Për petalimin që bën të riçelë trëndafili
Lutem për ty, kombi im
Lutem…


.Antikorona

Dy qepë të çara, ca speca, djathë e ullinj.
Ca shkarpa që ndizen nga çakmakë gazi
Dy vezë që zihen në xhezve pa bisht
Një çadër e vjetër mbajtur te litari.
Një shishe rakie e fortë nxirret nga sepete
Që s’di cila dorë një ditë aty e ka fshehur.
Në çantën e mbushur të josh një shishe vere
Një postiqe e madhe leshi nga delja e therur.
Atje nuk ka kompjuter, aipade e celularë .
As gazeta të blera te baraka pa xhama.
Po ka shumë dashuri dhe një puthje të rrallë .
Po ka ca fjalë –pëshpërima si purtekëza të arta.
Atje nuk frikë virusesh që vdekjen e ndjell.
As policë me maska, me bllok gjobash me vete
Është melodia e Cris Reas që duart t’i ndez.
Dhe gurët të duken si kolltukët me salltanete.
Aty çakmaku i zemrës djeg njëqind virusë
Për atë fitore beteje do të ndaj kurora dafine
Në djall vafshin lajmet që të lënë pa gjumë
Para përkëdheljes tënde si fërfëllimë lumturie!
Dhe lumi rrjedh, dhe gjethet era e pranverës i tund
Dhe vera shijohet në buzë si në herën e parë .
Mos vallë u gjet ilaçi i Koronës më në fund?
Apo mos nisi shtegtimin një jetë e paparë ??!!

0 comments:

Post a Comment