Saturday, January 23, 2021

Kujtim STOJKU: ZORZOPI

 Tregim

Atë e lajmëruan në telefon që të paraqitej menjëherë në zyrë tek shefi.

Zakonisht, shefat të therresin për dy gjëra, o për të dhënë ndonjë vërejtje o për të komunikuar pushimin nga puna. Megjithë paketën e plotë ligjore që ishte nga më të mirat në vend, kur bëhej rrotacioni politik të gjithë prisnin komunikimin e urdhërit të pushimit nga puna nga shefi i ri. Andi, gjithmonë kishte qëndruar larg kësaj tollumbaceje nga e cila nuk përfitoje asgjë. Ashtu i menduar dhe i qetë duke thithur cigaren u drejtua për në zyrën e shefit.

Shefi, ishte ulur në tryezën e punës dhe ishte përqëndruar mbi monitor. Me një vështrim të shpejtë që i hodhi pa se po luante me letra në kompjutër dhe jo se kishte ndonjë punë. Por fatkeqësisht, shefat vetëm luanin me letra në kompjutër që ishte e vetmja gjë që dinin të bënin me të. Ata akoma punonin duke zhgarravitur mbi letra me stilolaps në dorë dhe nuk e kuptonin se me kompjuterin puna shkonte akoma më përpara. Po të ishte për ta as në zyrë nuk do ta kishin mbajtur, por çedo që ua kishin sjellë dhe e kishin në inventar. Ai vetëm në një gjë ia kishte mbushur mendjen atij, se luante me letra me të dhe koha kalonte pa u ndjerë.

 I kishin thënë se ky aparat elektronik i paisur me një program të posaçëm logjistik kryente shumë veprime të ndërlikuara. Edhe xhindët e kishin zili këtë shpikje të fundit të shkencës. Në trurin e tij ai kishte edhe muzikë e këngë si ta donte zemra, por ja që nuk dinte që t’i gjente ato derisa të vinte ai shoku që t’ia rregullonte. Apo nuk i pëlqenin ato këngët nga fshati i tij me zile dhe blegërima bagëtish, kecash e qingjash, veç t’i degjoje. Por, tani pas një ndërprereje për një kohë të gjatë nga aktiviteti “intelektual” në administratën shtetrore, u rikthye përsëri. Ja çdo të thotë të keshë partinë tënde, të luftosh për të, e më në fund ia vjel frutat asaj. 

Andi, qëndronte në këmbë pas derës së zyrës të cilën e kishte mbyllur me ngadalë, pazhurmë duke dashur që të mos i tërhiqte vëmendjen shefit. Befas, ai u kthye menjëherë nga ai dhe i nguli vështrimin mbi fytyrë. Ai i pa ngjyrën e syve që i kishte ngjyrë hirre, dhe në to lexoi kryeneçësinë e tij që e vështronte me një krekosje si gjeli në majë të grumbullit të plehut. Vështrimet e tyre u kryqëzuan. Në këtë shikim prej disa sekondash me njëri - tjetrin, Andi i pa vetëm kokërdhokët e syve që iu dukën se notonin mbi një moçal të turbullt. Largoi vështrimin nga fytyra e tij duke parë pllakat e zyrës dhe e ndjeu veten ngushtë, trupin ia përshkuan mornicat.

 Ai, ktheu kokën menjëanë që të mos e shihte drejtpërdrejt në fytyrë shefin që kishte në dorë fatin e jetës së tij. Natyrisht, që ai shefi kishte në dorë që t`i lejonte që të përtypte një çapë bukë ose ta hidhte në të katër rrugët. Kur Andi hyri brenda në zyrë, ai u ngrit nga tryeza e punës, karrigia bëri zhurmë se e tërhoqi mbi dyshme, dhe ai qëndroi përsëri përballë fytyrës së tij. Sa herë Andi kthente fytyrën në njërin krah, ai sillej menjëherë përreth tij dhe i qëndronte përballë me vështrim të ngulitur mbi fytyrë.

 Atëherë, Andi vendosi që ta mbronte veten nga ky veprim i shefit të tij. Rrëmbeu nga tryeza e shefit një gazetë që nuk ia lexoi titullin që kishte dhe e vendosi para fytyrës për t’u mbrojtur nga ai. Por ai ishte shumë i shkathët dhe inteligjent dhe s’mund t’ia kaloje në asgjë. Ai, ia rrëmbeu menjëherë gazetën nga dora dhe e hapi duke ia vënë atij para hundës që të lexonte kryeartikullin që ishte publikuar me gërma të mëdha. Në këto momente, Andi nuk duroi më por nxorri nga xhepi një çakmak me gaz dhe i vuri gazetës flakën. Kur ajo u përpi nga gjuha e verdhë e flakës e lëshoi menjëherë mbi dysheme. Por ai befas vazhdoi që të dilte përballë tij dhe e shihte në fytyrë. Andi, u tërhoq prapa ngadalë, dhe menjëherë u fsheh pas raftit të zyrës që ishte afërsisht dy metra larg tij. Për disa çaste, ai u gëzua nga pushimi i shkurtër me të.

 Vështrimet nuk ia ndanim njëri - tjetrit, dhe pothuaj qëndronim ngjitur ku fryma e tij e rëndë i binte në fytyrë duke i ndjellë krupën. Por ky pushim nuk vazhdoi gjatë. Shefi u turr drejt raftit të zyrës duke ecur këmbadoras dhe atij iu dukej si një kafshë me katër këmbë, kur papritur u shfaq përsëri para Andit duke u ngritur me dy këmbë nga poshtë raftit të zyrës. Nga ky nxitim i tij raftet u lëkundën dhe disa dosje u rrëzuan përtokë dhe prej tyre dolën disa dokumenta që u përhapën mbi dysheme.Tashmë durimit të tij i erdhi fundi dhe ia nguli përsëri vështrimin mbi fytyrë. Kur ai hapi sytë e pa se ishte duke qëndruar përballë tij, goja për çudi i ishte e çjerrë dhe e gjakosur dhe i shkumëzonte nga tërbimi. Ai u shfaq përsëri përpara tij duke e vështruar në fytyrë…

0 comments:

Post a Comment