Monday, August 30, 2021

Kujtim STOJKU: GRIMCA POETIKE


JO DHE PIKË

E thashë pra,

Doni që t`ua përsëris dhe njëherë,

Në këtë kohë nuk duhet revolucion,

Sepse ka internet…


NATË

Çdo natë,

Si shkak për lodhjen ndez llullën,

Fjollat e kaltërta të tymi ngrihen hava,

Mendja ime sillet e përdridhet,

E mendimet askërrkund s`ngulen,

Në dritaret e shtëpisë përballë,

Filloj të shoh film pa zë…


REALITET

Është realitet,

Se ne i harojmë të gjitha ëndrrat,

Dhe të gjithë i kujtojmë në një ëndërr,

Ata të gjitha janë të mrekullushme,

Por një na ka shpëtuar patreguar,

Me të vërtetë…


MOS FOL SHUMË

Mos fol shumë,

Ishte këshilla e të parëve,

Sepse atë që do të thuash,

Duhet pak kohë ta mendosh,

Apo jo?

 

E shoh se ti ballin me gisht kruan,

Është e pamundur që të kesh dy mendime

Në të njëjtën kohë…


EDHE NJËHERË

Edhe nëse do të kthehesh mbrapsht,

Për ta rilexuar nga e para librin,

Do të kuptosh se na e shkelmuat të ardhmen,

Dhe britma jote do t`i mbushë ditët,

Kurse laku juaj do të më puthte qafën.

Ëndrra ime më solli në faqen tjetër,

Dhe atëherë pa mbyllur sytë,

Librin e lexova deri në fund.


UDHËTIMI I NATËS


Të vdekurit jetojnë nën qepallat tona,

Por unë nuk e di se ata kanë vdekur,

Ata udhëtojnë me ne nëpër një rrugë

që ne kemi kaluar një natë si askush tjetër,

Sepse edhe nata udhëton përmes nesh duke çaluar.

Fjalët që kemi thënë janë përmes nesh,

Dhe kur më thatë se unë vij për të ardhmen tuaj,

Ne jetojmë qafë për qafëdhe ashtu siç e sheh,

 pamëshirë njëri -tjetrit i derdhim helm…


FJALËT E SHPIRTIT


 Megjithëse jam i lidhur,

Unë prapë se prapë jam i lirë,

E në lirinë time jam krejt i pavarur,

Jam i qetë por si një luan ulërij.

E pra, unë jam mbret,

Kur flas kështu shpirti im këndon,

Prandaj në asnjë çast shpirti s`mund të heshtë,

Akordet e shpirtit si mbret më flasin gjithmonë…


KUR U ZGJUAN ZOGJTË


Kur u zgjuan zogjtë,

Krejt të çuditur panë,

Njerëzit ishin kokë poshtë,

Duke ecur në tavan…


 URDHËR POLICESK

Të zbatohet pikë e presje nga të gjithë,

Për çdo shkelës ka masa të rrepta ndëshkimore,

Ndalohet notimi i rosave dhe pikë,

Por një rosë nuk u bind dhe filloi të notonte…


    PËRSE SHKRUAJ


Përse shkruaj përse shkruaj,

Më kanë bërë shumë pyetje,

Do të përgjigjem ti mos vuaj,

As unë nuk di të bëj ndryshe.

Prandaj s`mundem dhe sikur të dua,

Se unë ndryshe s`mund të shkruaj.


MË FALNI


Më falni,

Se ndoshta iu kam bezdisur shumë,

Sa ka aq shumë nga ju këtu,

E prandaj ja ku jam dhe unë.


TEK DOKTORI


Nuk ndjehesha mirë,

Dhe u vizitova tek doktori,

Si më pyeti e më këshilloi,

Më tha: - shtrihu e mos merr frymë.

Sa mirë do të ishte për të gjithë kështu,

Por kur dola prej tij, nuk iu gënjej,

Me të vërtetë nuk ndjehesha mirë.


GJUHË

Përtej lumit,

Përtej gjërave,

Që janë të dukshme,

Gjuha na prishet,

Nga përmbytjet e fëmijërisë,

Ato që kam rujatur prej trupit,

Janë,

Fjalët dhe frika.

 

0 comments:

Post a Comment