Monday, September 27, 2021

Kujtim STOJKU: ËNDRRA

 

 Tregim

Në fakt, kjo ëndërr është krejt e rastësishme si të gjithë ëndrrat e tjera që shihen kur të zë gjumi. Thanasi, këtë ëndërr e kujtonte më shpesh se ëndrrat e tjera sepse ai e dinte se nuk kishte shumë kohë për t’u marrë me ëndrrat që kishte parë natën kur ishte duke fjetur gjumë, bile po ta shohësh me një sy kritik askush nuk ka kohë që ta çojë kohën kot. Aq më tepër për t’u marrë me tregimin e ëndrrave dhe njëkohësisht të rrish e t’i dëgjosh ato nga ai që i ka parë. Disa do të qeshnin duke të quajtur të luajtur nga vidat për çfarë po u tregon kur je i zhytur në gjumin e thellë të natës. Edhe Frojdi që është një nga studiuesit më të mëdhenj të kësaj sfere nuk mundi që të arrinte plotësisht të zbulonte sekretin sepse njerzit i shohin ëndrrat kur i këput gjumi. Megjithatë ai gjente kohën dhe dëgjonte ëndrrat që kishin parë të tjerët, dhe ai i vlersonte seriozisht ato. Ne shpesh në ëndërr shohim sikur ndodh një ngjarje  katastrofike, dhe të mbuluar nga djersët zgjohemi në mesin e natës të kapërthyer nga një makth që na bën që ta mendojmë disa sekonda. Mirëpo sot ne nuk kemi një Frojd që mund të ia tregojmë këtë ëndërr që pamë. Kështu shtrihemi përsëri duke u munduar që të na marrë përsëri gjumi, por para syve na shfaqen imazhet e ëndrrës së tmerrshme që pamë. E mirë pra, edhe Thanasi vendosi që të mos ia tregonte kujt ëndrrën që kishte parë. Ai kishte parë një ëndërr të çuditshme sa logjika njerzore as që mund ta imagjinonte dot atë. Ai kishte parë sikur në dhomën e tij të gjumit ku ishte duke fjetur kishte shumë objekte të vogla. Ai ishte i habitur me këto shumëllojshmëri objektesh që i kishte para syve por nuk mund të kujtonte se kush i kishte sjellë ato. Por ai nuk mund të kujtonte të gjitha objektet që i kishte parë i cili ishte mahnitur me ëndërrën e tij. Ai mund të kujtonte vetëm dy objekte. Një nga objektet që ai kujtonte ishte se kishte akoma para syve një çelës të vogël ngjyrë ari që reflektonte me rreze të ndritshme ku ai mundohej që ta merrte dhe ta vendoste në xhepin e tij këtë çelës që po i merrte sytë me shkëlqimin e tij, por nuk po mundëte. E vriste mendjen se çfarë donte të thoshte ky vegim që kishte parë me këtë objekt, por ishte e kotë. Ai nuk mund t’i jepte asnjë përgjigje. Objekti tjetër që ai kujtonte më së miri ishte ai i një ore të vogël dore. Si ato orat që dikur i mbanin vetëm gratë. Mirëpo kjo orë ishte edhe busull që punonte për mrekulli. Me thënë të drejtën me këto dy objekte që kujtonte ai nuk kishte pse trembej, sepse me sa shihte nuk tregonin ndojë fatkeqësi të madhe. Fundja ato ishin një orë dhe një çelës…Por ndoshta trupi nuk kishte qenë në gjendje të mirë që ai i kishte parë këto. Ndoshta ishin reflekse të pandërgjegjshme të trurit që lidheshin me lodhjet dhe shqetësimet e ditës…Pra ai nuk e ndjente veten hiç të frikësuar sepse ai kishte parë ëndrra sikur kishte qenë në disa vende të panjohura…por ato ai tani ia kishte lënë harresës.

Ngandonjëherë ai shihte turma njerzish të pafund. Shihte disa ndërtesa të çuditshme që nuk mund të ishin ndërtesa. Po të kishte qenë dikush tjetër në vendin e tij atje ku ai po shihte këto, patjetër që do të ndjehej i humbur. Njerzit në të shumtën e rasteve ai i shihte të veshur me të zeza ku që të gjithë i largoheshin dhe asnjëri nuk i fliste. Ai këto dy objekte i mabnte në xhep dhe nuk e di sepse ruhej që të mos ia shihte njeri. Kur arrinte në këtë pikë, gjërat i bëheshin konfuze dhe ai përfundonte në një areoplan që fluturonte mbi re, dhe pastaj papritur ecte mbi tokë duke lëshuar një zhurmë të madhe. Ndoshta ai ishte duke udhëtuar në një botë tjetër dhe trupin e kishte në këtë botë ku jetojnë qeniet me frymë. Kishte dëgjuar se kishte edhe botra të tjera por nuk e dinte nëse atje jetohej duke marrë frymë. Ja, që ngeci përsëri me arsytetimet e tij. Sa qesharake, trupi në këtë botë dhe mendja në botën tjetër. E ndërsa mendja ishte në një botë tjetër trupin e kishte lënë në harresë. Por si nëpër mjegull më kujtohet se trupi im ishte shtrirë pranë një muri dhe në faqen e këtij muri ishte pikturuar trupi im duke fjetur. Ngjyrat e pikturës ishin të ndezura dhe të larmishme. Piktura në faqen e murit dukej sikur merrte frymë. Unë ulesha atje me ato objektet që i mbaja gjithmonë në xhepin tim. Kujtoj se mundohesha që të ngrihesha nga ajo gjendje që isha, por kaloja përsëri në harresë. Kjo më kishte ndodhur shpesh edhe pse në vetvete isha përpjekur se si ta braktisja këtë vend të harresës.

Ndoshta, ndoshta, shpirti e humbte rrugën e tij dhe harronte që të kthehej përsëri. Ose ose, ky vend ishte për ato shpirtra që nuk duhej ta vizitonin asnjëherë. Ndoshta edhe për shpirtrat ka burgje ku mund t’i burgosin dhe t’i dënojnë. Po nëse ata rebelohen dhe kërkojnë lirinë? Ja edhe mua pikërisht më takuan atje. Po se çfarë desha unë në këtë vend sinqerisht nuk mund ta shpjegoj. Unë jam në një lloj pozicioni që e shikoj ndërtesën përpara meje. Më pas e shoh që të shkërrmoqet e tëra me një zhurmë të madhe duke rënë në tokë, dhe përreth ngrihen shtjella të mëdha pluhuri. Unë duhet të kisha marrë trupin tim që ishte pikturuar në faqen e murit, unë akoma ëndrroja se trupi më kishte mbetur i pikturuar në mur, por, njëkohësisht nuk e dija se do të zgjohesha me të vërtetë. Deri këtu mendoj se jam i ndërgjegjshëm për ç’ka iu rrëfej sepse për ato që kam parë jam plotësisht i vetëdijshëm, por as nuk shkela në ato vende, dhe ato objekte realisht nuk i kam prekur me dorë. Në fillim jam ndjerë i tronditur, por më pas nuk i kam dhënë rëndësi. Megjithëse herë pas herë e kujtoj dhe nuk mund ta fshij nga kujtesa. Megjithatë ëndrra më e çuditshme që kam parë ka qenë ajo e para disa muajve. Ja, edhe atë nuk mund ta harroj.

Thanasi ra përsëri në gjumë dhe ai pa një ëndërr tjetër. Kjo ëndërr që ai pa nuk ishte si ato që kishte parë më parë por ishte krejt tjetër. Ai pa sikur ishte duke kaluar një lumë malor me ujë të ftohtë the të kaltër si kristali. Lumi kishte shumë gurë. Ai rridhte duke gurgëlluar në mes dy maleve alpine duke lënë pas një oshëtimë që përhapej grykave. Jo, ai nuk kishte shkuar atje për të zënë peshk, por e dinte mirë dhe e kujtonte mjaft qartë se ishte duke e kaluar këtë lumë me ujë të ftohtë që të priste si brisk. Pasi e kaloi, ai iu ngjit faqes së malit që ishte plot me ferra dhe gjemba. Më pas ai ulej për t’u çlodhur sipër tyre. Por për çudinë e tij kur ai ishte ulur për të pushuar, sipër tyre pa një burrë me moshë mesatare i veshur me një kostum të zi dhe me kravatë me ngjyrë lejla. Ai i ishte duke kaluar përmes ferrave dhe gjembave. Pasi u mendua disa çaste se ku e kishte parë këtë njeri sepse i dukej fytyrë e njohur, u kujtua. Ai ishte ministri i brendshëm që po maste me hap të gjithë vendin dhe tani ishte ulur dhe po pushonte nën hijen e ferrave dhe të gjembave. Thanasi u zgjua, hapi gojën e tij dhe desh të flinte përsëri. Gjumi e zuri menjëherë dhe ai pa një ëndërr tjetër sikur ishte duke ecur përmbi disa ferra, dhe ky burri me kostum të zi dhe kravatë lejla tani ishte fshehur brenda tyre dhe qëndronte ulur.

Kur u zgjua, ktheu jastëkun në anën tjetër sepse i ishte qullur nga kullimet e gojës dhe u kthye në krahun tjetër që të flinte përsëri. Por ai pa përsëri të njëjtën ëndërr që kishte parë pak më parë dhe i ishte ndërprerë nga zgjimi i papritur. Në vazhdimin e ëndërrësm, ai pa sikur ishte ulur në disa ferra dhe një hije ishte duke ecur nëpër to. Për çudinë e tij ai megjithëse ishte ulur në majë të ferrave nuk po ndjente ndonjë dhimbje nga shpimet që ata po i bënin. Por po ndodhte e kundërta, atij i dukej se ishte ulur mbi një kolltuk me ajër dhe ngrihej e ulej sipas lëvizjeve të tij. Ja kjo ishte një mrekulli që kishte shpikur mendja njerzore, dhe atij i dukej sikur qëndronte pezull si një pupël pëllumbi. Ai u zgjua, ktheu jastëkun në krahun tjetër dhe ia këputi përsëri gjumit. Ai ra në gjumë dhe pa një ëndërr tjetër sikur ai vetë ishte duke ecur nëpër ferra kurse një hije ishte ulur në to. Në këtë pikë të ëndrrës që po shihte, ai u zgjua dhe vendosi të mos flinte më as dhe një minutë. Por papritur atë e zuri gjumi dhe pa një ëndërr sikur ishte ulur pas një hijeje, kurse ferrat dhe gjembat ishin duke ecur pas tyre. Ai vazhdonte të ecte pas hijes, hija ecte pas ferrave dhe gjembave dhe ai mundohej që t’i arrinte por e kishte të pamundur. E përpjeta që po përshkonin atij po i  merrte frymën, kurse hijes dhe ferrave jo. Ata lëviznin pa u ndalur dhe pazhurmë. Ndërsa ai dëgjonte hapat e tij që kërcisnin nëpë guriçkat dhe ndonjë gurë që rrukullisej nga hapat e tij. Djersët e kishin mbuluar të tërin dhe ai i fshinte me trinën e dorës. Ishte i qullur i tëri nga djersët. Ai filloi të çirrej dhe të bërtiste. Dhe menjëherë u hodh jashtë krevatit ku po flinte por nuk po zgjohej.

Ai fjeti në rregull për katër ditë dhe për katër net, dhe në ditën e pestë ai u zgjua i dobësuar aq shumë sa këpucët e tij i ishin lidhur pas këmbëve me lidhëset e tyre, kështu që ata nuk i binin më nga këmbët. Kur ishte duke pirë kafenë në klubin e zakonshëm, asnjë prej tyre nuk e njohu. Edhe bufetieri sëbashku me kamarierin që i sllte gjithmonë kafenë u soll me të sikur të ia sillte një klienti të ri e të porasardhur. Disa ia hidhnin sytë dhe më pas i hiqnin menjëherë nga ai sikur ishin duke parë një krijesë të veçantë. Ai e kuptoi se ata nuk po e njihnin, pra diçka duhet të kishte ndodhur por ai nuk po e kuptonte se çfarë. Ai nuk po e kuptonte sa shumë kishte ndryshuar. Ai ishte transformuar i tëri sa asnjë nuk po e njihte. Kur mori filxhanin me kafe që i solli kamarieri pa se kafeja ishte një lëng i kafët dhe vetëm kafe nuk ishte. Megjithatë e rrufiti atë lëng të shpifur, la filxhanin mbi tryezë, pastaj futi dorën në xhepin e pantallonave dhe nxorri një monedhë pesëdhjetë lekëshe dhe e lëshoi me një tringëllimë të mprehtë mbi tryezë.Të gjithë kthyen kokat nga ai. Atëherë ai u ngrit nga tryeza dhe me hapa të mëdhenj doli jashtë pa i lënë kamarierit asnjë bakshish. Kur po dilte, klientëve që ishin ulur aty u hodhi një vështrim. Ata iu dukën se ishin të gjymtuar, dikush ishte gërbul, tjetër me një dorë, një tjetër me një sy, tjetri pa këmbë dhe me paterica që herë pas here trokiste truk - truk mbi pllakat e bardha të kafenesë. Fytyrat ua shihte sikur të ishin të ngrira dhe të zbehta dhe me sy prej qelqi. Ata dukeshin sikur kishin veshur që të gjithë maska si në festën e hallwinit. Atij i dukej se këto trupa ishin kthyer në hije dhe hijet në trupa. Pra ata ishin shkrirë në një qenie të vetme ku vështrimi i tij kapte deformimet që vinin duke u zgjatur dhe pastaj shtrembëroheshin, shkrtoheshin, bëheshin gungaçe dhe për një moment zhdukeshin krejtësisht. Më pas ata sa vinin dhe zgjateshin e zgjateshin pa mbarim derisa më pas përthyheshin në dyshë…zvogëloheshin derisa ktheheshin në një njollë të errët sa i dredhonin edhe dritës së diellit.

Nga ministria e shëndetësisë ishte ngritur një ekip kontrolli që po kontrollonte përreth apartamenteve dhe ata kapën vështrimin e Thanasit që po i vëzhgonte pa ua ndarë sytë. Ky guxim i tepruar i tij e bëri këtë komision që të dyshonte tek ky qytetar që po i shihte në mnëyrë të paturpshme dhe me fodullëk. Ata pasi biseduan pak me zë të ulët me njëri - tjetrin  arritën në konkluzionin se ai, pra Thanasi, mund të ishte ndonjë pacient i arratisur nga pavioni i të çmendurve sepse nuk kishte arsye që e justifikonte paturpësinë e tij ndaj komisionit me bluza të bardha.Tjetër gjë që vendosën ata, ishte se ai  ishte anthigjenik dhe mund të ishte shkaku i përhapjes së ndonjë epidemie. Në këto moment u dëgjua një zhurmë kamioni që sa vinte dhe po afrohej sa më shumë. Komisioni ktheu kokat dhe pa se në drejtim të tyre po vinte makina e mbledhjes së plehrave. Pak metra larg tyre ishin katër kazanë plehrash prej llamarine. Atëherë ata biseduan edhe pak sekonda me njëri - tjetrin dhe pastaj iu afruan Thanasit të cilit menjëherë i mbyllën gojën me leukoplast. Duart dhe këmbët ia lidhën me fasho dhe menjherë e hodhën në kazanin e mesit të plehrave që ishte bosh. Kështu ai përfundoi në kazanin e plehrave. Ndërkohë makina po afrohej për të zbrazur kazanët e plehrave ndërsa komisioni u largua i qetë duke vazhduar të kryente detyrën e tij.

(Shkëputur nga fletorja e shënimeve)

0 comments:

Post a Comment