Saturday, September 25, 2021

Prend BUZHALA: RRËFIMI PUBLIK I SHQETËSIMIT


(Çast lirik), 76
Edhe sot, depërtojnë nga muret e errëta, ushtarët e Herodit për të vrarë fëmijë. Të strukur nga grushti vdekjeprurës i skllevërve të lirë, ata përgjojnë. Ata edhe sot te secili fëmijë shohin rrezikun e pushtetit të vet. Prandaj, në vend të vrasjes së fëmijëve, shpikën të tjera mbytje, më të sofistikuara: abortimin e dhunshëm, vullnetar, ose mbytjen e foshnjës në bark me ilaçe speciale. Ende Rakelat moderne vajtojnë për fëmijët e tyre. Rakela çmeritet edhe më shumë: si paska nëna që duan vrasjen e fëmijës së tyre?!
Dhe vajtojnë.
Kurse Herodi vret edhe Salomën, edhe sot... dhe merret në tepsi edhe Koka e Pagëzorit të Ri, si Kokë e Kundërshtarit.
Gratë i vrasin sipas masës së lirisë me armën e demokracisë.
Të ligun, satanain e maskuar, arrijnë ta shohin vetëm fëmijët, ashtu si e shohin edhe Dorën e Shpuar tërë plagë të Shpëtimtarit.
Dora qëndron e hapur.
Në mos, gjithçka ishte një Lojë nga Betlehemi. Por Loja përtallëse e Historisë me fatin tonë ekzistencial, a nuk është provë e drejtpërdrejtë e së vërtetës, për të sulmuar gjithçka të mirë te njerëzimi?!
Dikush e tha se ky është rrëfimi publik i shqetësimit dhe ankthit.
(24 shtator 2021)

0 comments:

Post a Comment