Tuesday, December 20, 2022

 

URIMET E POETIT SKËNDER SHERIFI PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022! 

Të dashurit Miq dhe
Mikesha të nderuar, Me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri 2023, më lejoni t'ua uroj në këtë fund viti, paqe, harmoni, dashuri, lumturi dhe së pari me shëndetin në top nivel. Një festë Krishtlindje të bukur mes të afërmve tuaj, në mirëkuptim të plotë me veten tuaj dhe me të tjerët, nën bekimin e Zotit dhe të forcave qiellore misterioze. Pavarësisht mendimeve dhe besimeve tona, jemi pjesë e humanizmit planetar dhe jemi këtu mbi këtë tokë, për t'u kuptuar sa më mirë mes veti dhe për ta respektuar lloj-llojshmërinë e jetës dhe ekuilibrin planetar. Festat e çdo besimi janë aty për të na bashkuar në një energji pozitive dhe konstruktive dhe për të na mundësuar për të ndarë diçka të mirë e të bukur mes nesh ... ajo është simbolika e tyre në esencë! Dhe unë jam i gatshëm për t'i festuar të gjitha festat e mundshme të besimeve tokësore, nëse na sjellin një mjedis të mirë, një ndjenjë harmonie dhe një dozë humaniteti suplementar. Pra, gëzuar Krishtlindjen, miq dhe mikesha të dashur! PEACE AND LOVE! Po ashtu, ju a uroj vitin e ri 2023 me plot suksese dhe lumturi në jetën tuaj. Me shpresë, që t'i realizoni të gjitha dëshirat dhe ëndrrat tuaja themelore mbi këtë tokë. Me një fjalë, ju uroj përzemërsisht atë çka i uroni ju vetvetes dhe familjes suaj. Viti 2022 që po na ikën ka qenë mjaft i komplikuar me luftën e Ukrainës, me problemet ekonomike dhe sociale, të lidhura me krizën e madhe energjetike në Botë, me çrregullimet ekologjike dhe klimatike, me tentacionin e ekstremizmit totalitar, me mjegullimet dhe intolerencën globale mes disa popujve, verbërinë, absurdin, çoroditjen, mos respektin e vlerave esenciale të jetës njerëzore, etj. ... Gjithë kjo na tregon se duhet sa më urgjentisht për ta ri gjetur busullën tonë etike dhe njerëzore mbi këtë tokë, rrugën e dialogut, marrëveshjeve paqësore brenda një drejtësie elementare për të gjitha palët, mirëkuptimin dhe pranimin e njëri-tjetrit me çka jemi dhe me çka na dallon ... Sepse, tek e fundit jemi mbi këtë tokë, për ta kuptuar vetveten së pari, por edhe për ta kuptuar njëri-tjetrin, për të ndarë diçka mes veti dhe për t'u kompletuar përmes këtij dialogu të sinqertë, humanist dhe paqësorë. Duhet që t'i ri fiksojmë gjithë së bashku disa parime esenciale, disa norma, rregulla, principe dhe vijë drejtuese, disa logjika mendimi dhe veprimi dhe për t'iu përmbajtur. Duhet që ta rivendosim një hierarki vlerash në të gjitha fushat e jetës dhe së pari në dituri, shkencë, teknologji, arte dhe letërsi dhe për ta zhvilluar në maksimum analizën e thellë kritike, skanimin dhe dekodimin e informacionit dhe kulturën filozofike dhe psikologjike, që i mungon Kombit tonë, por edhe ajo që unë e quaj spirituale, teologjike, gjithë ajo pjesa po themi orientale e shenjave, energjive, valëve, antenave, ose e botën pak më paralele. Sepse, nëse ekziston logjika puro e tipit matematik, racionaliteti alla Descartes, çka është baza ... Unë e di, nga eksperienca ime jetësore, nga përvoja e gjatë dhe e pasur që kam pasur nëpër botë, nga fakti që jam edhe poet me disa dhunti speciale ... që ekziston edhe bota e fshehtë, mistike, irracionale, simbolike, që lidhet me kode dhe alfabete të tjera dhe që i shpëton komplet shkollave racionaliste. Dhe unë si Njeri tokësor dhe gjysmë qiellor, jam për t'i lidhur dhe kombinuar këto dy botë mes veti e jo për t'i mohuar apo ekskluduar. Tani, ju uroj vitin 2023 me një shampanjë franceze, një shishe verë Bordeau nga Kështjella Château Margaux e vitit 2016 - me një pjekuri maksimale ... ngaqë, sipas Bodlerit, shpirti i saj këndonte brenda shishes ... tani duke e qellur, do merr frymën e duhur dhe do çelet dalë nga dalë, duke na i ofruar parfumet e saj delikate. Në shëndetin tuaj, Zonja dhe Zotërinj dhe ju përqafoj të gjithëve. Bonne Année 2023 ! Skënder SHERIFI Bruksel, me datën 20 dhjetor 2022 P. S. Me këto urime personale ju dërgoj edhe adresën e internetit: http://sherifis.byethost10.com/shkrimtar/ të cilin ma ka rregulluar miku im zoti Agron Pullumbi, ku mund të gjeni informacionin kryesor mbi mua dhe krijimtarinë time artistike. Pra, është një lloj kartëvizitë, një prezantim mjaft i komplet dhe i qëlluar, për gjithë ata individë, që nuk më njohin siç duhet, apo tepër sipërfaqësisht.

0 comments:

Post a Comment