Thursday, December 1, 2022

Kujtim STOJKU: "PËRRALLA PËR ATDHEUN" CIKËL POETIK


Më tregoni një përrallë për atdheun,
I cili mbijetoi nga stuhitë e detit,
Nga djajtë që pështynin vetëm zjarr,
Që si papagaj gëlltisnin vetëm perla,
Që e tallnin atë zot që quhej djall.
E di se për këto që them shqetësime do t`kem çdo hap,
Shoh një labirint t`pafund dhe rrugëdalje,
Unë s`kam frikë nga këta që tregojnë përralla,
Që kur i tregojnë kthehen në një përbindësh,
Dhe këtë përbindësh po ta mbajti ec e mbaje.
 
Aman, të lutem më trego një përrallë,
Që kur na përqafon se si na e zë frymën,
Premtimet t`bëjnë të përdalë se si e mban,
E prandaj Atdheu ka gjithmonë dimër.
 
Më trego një përrallë që të më bëjë t`qajë e të ulërijë,
Si një kafshë e plagosur më n`fund ato t`bashkohen,
Si fëmijë t`humbur që n`këtë labirint takohen rastësisht,
E pastaj me njëri - tjetrin gjithë mall përqafohen.
 
Spas përrallës fundi gjithmonë është i lumtur,
Njëherë e një kohë ne dhamë jetën për dashurinë dhe lirinë,
Më qafsh më thuaj se kjo përrallë sot nuk besohet,
Sepse përrallat janë të rreme ne këtë të gjithë e dimë…


 
PENA E THYER

Sipas rastit, ulesha që vargjet t`i shkruaja në letër,
Por befas një dorë më preku në supin tim,
Me mundim t`madh u mundua të lexonte,
Dhe tha i habitur: “O bo bo, ç`qenka kjo kulshedër”,
Këto që lexoj janë t`vërteta apo po m`bëjnë sytë e mi!
 
Ktheva kokën i përhumbur n`mendimet e mia,
Pashë se muri ishte plasaritur dhe fillova t`shkruaj përsëri,
Dëgjoja rënkime, oh sa e rëndë ishte dhimbja,
Kur në t`çarën e murit një pemë çeli gjethe,
E unë ndjeva gëzim në shpirt.
 
Mbi skrivaninë time librat rrinin të përhumbura,
Pemës që sapo çelte mundoheshin t`i kapnin zërin,
Dora ime tundej në ajër t`kapte një degë, kjo ishte më e bukura,
Kurse tingujt e saj thellë në shpirt më therin.
Ashtu siç isha i ulur mbylla sytë,
Dëgjoja thirrjet e pemës që lenin një oshëtimë,
T`gjitha fjalët një nga një n`grushtin tim i mblodha,
E më pas unë i kisha të gjitha n`kujtesën time,
Pranë atij lumi që rridhte nëpër mur me rrapëllimë.
 
Më pas, unë hapa sytë dhe pashë atë që s`do ta besojë askush tjetër,
Në letrën që kisha para, lumi vërshonte me tersëllimë,
Imazhet u zhdukën e s`e pashë më kulshedrën,
Ju betohem or miq, s`munda ta shkruaja më poezinë…


FILOZOFIM I ÇASTIT

Kanatat e dritareve mbyllen si qepalla,
Hijet e qenëve rrugaçë bëjnë zigzag,
Me ngadalë kompozojnë një muzikë,
Dhe më pas kalojnë përmes rrugës,
Duke kërkuar një kockë, lehin ham - ham.
Ata për njeriun janë Diogjeni i përjetshëm,
I cili rri përgjumur nga filozofitë cinike,
Ku makinat kalojnë me këngë sirenash të dritës,
Pa fjalë trumbetuese,
Kurse rrugët si arterie të lira,
Thërresin me gëzim agimin.
 
NJË DITË

Një ditë unë do të këputem si gjethja n`vjeshtë,
Frymë s`do të marr më e gjethja s`do të nxjerrë oksigjen,
Qielli përreth do t`jetë i skuqur, do të digjet si eshkë,
Do t`ketë një dyshim për detin, shumë larg prej këtej.
Befas, do të bierë një e tmerrshme errësirë,
Me vargjet e mia një pëllumb i bardhë do t`ia marrë këngës,
Duke gugatur do t`i shkruajë notat me sqepin e tij,
E unë përsëri i vetëm s`do të jem,
Do t`vazhdojmë t`këndojmë të dy me fjalët që burojnë prej zemrës.


SHITORJA E PAQES

Pa shkuar ora 2300 fillojnë telefonata për prishjen e qetësisë,
Oficerët e zbatimit t`ligjit turren për t`vertetën e shqetësimit qytetarit,
Në klubin “Bisha kthehet në njeri”, u serviren klientëve paqe,
Nën avujt e alkoolit gjysmë lakuriq betohen,
Jargaviten për ditën e pavarsisë,
E me njëri tjetrin puthen dhe kafshohen.
 
Gjithë elegancë pronari na thotë se shet vetëm paqe,
Dhe këtë mall që unë shes nuk është i ndaluar me ligj,
Të puthen, t`bëjnë seks nën muzikën e altoporlantëve,
Është malli më i çmueshëm që unë e shes më lirë,
Në ditën e pavarsisë, këtë si bujar i madh e jap falas për t`gjithë.
 
Ju lutemi zotëri uleni volumin se qytetari paguan taksë për qetësinë,
Mos ia ngre deri n`qiell zërin altoporlantit,
Nata tashmë e ka hapur vellon e zezë,
A s`e shikon se perdja ka filluar me u dridhë,
Me të vërtetë aq i lartë është zani,
Sa ju betohemi me dorë n'zemër për Skëndërbeun,
Këtu tek ju na ka sjellë kujtimi i tij.
 
Edhe unë ju betohem në emër të Zotit dhe flamurit,
Po n`këtë jetë m`ka qëlluar të jem fatkeq,
Por po ju betohem me fjalën e burrit,
Se unë s`mund të jetoj pa paqe, kjo është e vërtetë.
 
Tashmë, mendoj se gjithkush e di se është fare e qartë,
Se në t`ardhmen paqja duket se do t`jetë një mall shumë i rrallë,
Do të jetë më e domosdoshme se sa uji i kulluar dhe ajri i pastër,
Prandaj gëzohuni dhe dëfreni me këtë të lirin mall
që kurrë s`është shitur më parë.
 
A s`keni dëgjuar se çfarë flitet sot, s`besoj se është një përrallë,
Thonë se epoka e revolucioneve ka mbaruar,
Se për t`mbushur stomakun dikush duhet ta shesë paqen,
Një tjetër jeton dhe ngrihet n`majat e pushtetit me brekët nëpër kamë.
 
Por unë n`këtë ditë të shenjtë të flamurit,
Vendit tim gjithmonë i jam mirënjohës,
Ku çmimet janë rritur e na përdorim kamxhikun dhe hurin,
Të lutem zotëri a më shet dhe një orë paqe, sado e shtrnjtë t`jetë,
Se ti e sheh se si shitet sot pa pikë turpi nderi i burrit…

SHËNIME

Zakonisht dy ditë në javë punoj gjithë natën,
Ku udhëtoj duke vëzhguar labirinthet e saj,
Dritat gjunjëzohen para saj sepse është shumë e errët,
Kurse mua ajo më duket si një kafshë.
 
N`agshol, në dritaren time ajo le frymën e saj,
Mes të dridhurave nga të ftohtit shikoj pemët,
Në xhamin e mjegullt me gishtin tregues shkruaj,
Kalimtare vetëm një fjalë…


MJESHTRI I VEÇANTË

Ai kishte një mjeshtëri të veçantë,
Ai bënte vetëm pasqyra ku veten e shihnin t` gjithë,
Llahatrisë i shtohej më shumë tmerr,
Dhe për bukurinë kishte më shumë bukuri.
Unë vrapova rrugëve i dalldisur,
Rrëmbeva hënën e argjendtë dhe ika si i krisur,
Qiellin pashë t`reflektohej në pasqyrë,
Çatitë i shihja t`hidhnin valle si pula të therur,
E unë ndjeva trishtim në shpirt.
Pasqyra sa herë hyn në një shtëpi tjetër,
Fytyrat e njohura patjetër që do t`i fshijë,
Për t`kaluarën e tyre ato s`flasin asnjëherë,
Banorët e vjetër nuk i tregojnë, të heshtura rrinë.
Disa njerëz kanë një fantazi të çmendur,
Ato si marrin pushtetin ndërtojnë vetëm burgje,
Kanë kënaqësi të madhe aty kur e burgosin njerinë.
Kurse unë ndërtoj vetëm pasqyra,
Kësaj lemerie i shtoj më shumë tmerr,
Për bukurinë më shumë bukuri prandaj na buzqesh fytyra,
E hëna derdh rrezet e argjendëta të saj mbi ne.


JO DHE PIKË

Natyrisht,
ju nuk parapëlqyet t`më pyesnit për preferencat e mia,
Sipas trurit tuaj bosh kishit vetëm një qëllim për t`kapur pushtetin,
Kur ju thashë se kam një dëshirë se vetëm yjet dëshëroja të shihja,
Sesa t`nënshkruaja urdhra që kur zbatoheshin ishin krejt vjedhje.
Kur i dëgjuat këto fjalë nofullat ndaluan së përtypuri mishin e pjekur,
Gota e kristaltë plot me verë në dorë ngriu,
- Si është e mundur - tha duke shqyer sytë – apo s`dëgjova mirë nga veshët,
Një rasti të tillë si mund t`mos e pranojë njeriu?
Po! Thashë duke trokitur me të gotën e verës,
Kam dhe një dëshirë tjetër që s`e ke dëgjuar më parë,
Dua të dëgjoj murmuritjet e luleve kur ua vjedh erën,
E ata në lulishte duke nusëruar të thonë “Është ai”,
Sesa t`shohësh një bandit duke qëlluar me armë.
Po mor po! Qëllon me armë mbi një njeri,
Ndoshta ajo tytë arme drejtohet për t`më vrarë dhe mua vetë,
Kjo është arsyeja që propozimi juaj më neverit,
E pushtetar i tillë mos u bëfsha kurrë, asnjëherë…






 

0 comments:

Post a Comment