Monday, April 17, 2023

Kujtim STOJKU: NDËRTOVA NJË BOTË

 

Ndërtova një botë sipas ëndrrave të mia,

Se mendova kurrë se ajo do t`më shpërfytyronte krejt,

Por lutem t`i flak tutje brengat dhe mundimet,

Që askurrkujt kurrë t`mos i bierë për pjesë.

U mundova të hedh tej hidhërimet dhe brengat të gjitha,

Kurse mbi faqet e mia vragat e lotëve do t`mbeteshin vetëm n`kujtesë,

E unë si Zhyl Verni shëtisja andej e këtej,

Duke i rënë botës rreth e përqark se n`fund të botës do të dilja.

       

Kur isha në ëndërr, dëgjova se dikush më thërriste,

Sytë nën qepalla përpëliteshin kredhur në një gjumë të thellë,

Për të dalë nga kjo gjendje nuk po gjeja asnjë zgjidhje,

Duke shtegtuar nëpër botë me imagjinatën time,

Kur hapa sytë, s`desha ta besoj se ishte krejt një njeri tjetër.

 

Duke menduar, kisha udhëtuar në një botë ëndrrash,

M`dukej se hijet i shihja t`përthyera dysh duke u zhdukur n`hapsirë,

Nga realiteti shpirtin dhe mendimet t`i pastroja,

Por, s`e kuptova se pse prej shpirtit nxorra një klithmë.

Vetëm kur isha në zhgjëndërr jetën e kaplova,

Që si lak për fyti më ishte lidh,

e mua m`dukej se me zor mbushesha me frymë.

 

Filluan t`më vinin ndërmend shumë këngë,

Këngë kreshnikësh, dëshmorësh e dashurie,

E tek unë si e çmendur çiftelia brenda meje kishte lëshuar rrënjë.

N`këtë pranverë në çdo syth që çel mprehtësia e tingujve,

Edhe në ëndërr më mbush me një frymë magjie,

Mos qofsha unë që në ëndërr kisha qenë,

Se një melodi të tillë kurrë s`do ta kisha ndie.

 

Udhëtoja përmes këtyre tingujsh,

Që për çudi kisha mbet pa mend,

Duke i përkundur edhe ata n`gjumë i kisha vënë,

N`ëndërr, si luftëtare t`pa trembura i shihja n`fushën e luftës,

E më pas si heronj mbuluar me flamurin kuq e zi të gjithë një për një bien.

Ata që shpëtuan gjallë, njëri me tjetrin për turp i shoh të kacafyten,

Duke u mburrur se n`këtë luftë më shumë luftova unë,

E njëri - tjetrin mundoheshin ta zhduknin me shumë mënyra t`pa besë,

E kur t`vriteshin, ëndërronin në ekstazë që t`u këndoja me lahutë.

 

T`gjitha këto janë krejt kot, mua më zhgrehin e ma prishin gjumin,

Shpirtin ta tallazitin, e mendimet kurrë s`mundesh me i mbledh,

Kur t` më mbërthejë qetësia, si era do të pres diku,

E n`botën time që ndërtova, përmes ëndrrash do të eci krejt serbes…

 

 

 

 

 

 

0 comments:

Post a Comment