Thursday, September 28, 2023

Mentor Thaçi: DARDANI OJ NÂNË, A PAVE


Dardani oj Nânë, a pave

edhe ti si naltë kështjella,
kur me hasmin frontin ndave,
ikën cubat prrojeve t´thella?!
Shpesh iu the miqve oj Nânë,
se me Serbinë, jo besë nuk ka,
dje edhe vetë ata e panë,
sa i pa besë âsht qyqani shkja!
Mos na bini n´qafë krejt kot,
ne që jemi vetë Djepi i juej,
mos na nxitni pashë nj´atë Zot,
nga një Trung me u bâ të huej!
A e patë ju vetë o miq,
se kush e nisi e qysh ia krisi,
krejt tinëzisht, terroristë t´ligj,
Serbia vetë planin kurdisi!?
Po qysh bre miq shpiat e Zotit,
i kanë kthye në kazerma,
Manastiret depo t´barotit,
e n´tjetrën anë po quhen vlera!?
Një herë t´vetme nuk na besuat,
në çfarë halli jemi si Shtet,
na gjobitët e na ndëshkuat,
krejt njëanshëm e pa të drejtë!?
Për nj´atë Zot oj NânëLoke,
ç´janë k´to zhurma nga do balosha,
studiove gaz bre, para bote,
u bânë n´lehje k´ta kodosha!?
Po qysh bre dilet në krah hasmi,
tue tentue me na shitë mend,
deri sot marrja kënd s´e plasi,
po n´mes tonin ata s´kanë vend!?
Lidhi qentë mos t´lehin kot,
pashë nj´atë Zot që na dha jetë,
se në mos i lidhësh sot,
nesër dalim të lidhun vetë!
...
Mentor Thaqi
27-28 Shtator 2023

0 comments:

Post a Comment