(Analecta), 1
Ka shumë rrëfime, anekdota dhe trajtime nga këndi letrar për gomarin. Le të na kujtohet “Gomari i Babatasit” i Fishtës. Sojli i prapët, do të thoshte Noli për Gomarin te DON KISHOTI, dhe kjo zoo-figurë kaq spirituoze, do të thoshim se merr rolin e përtalljes së lezetshme të të metave në shumë fusha të jetës.
1.
Sojliu ia kalon të marrëve parlamentarë... kur krijuesit atë e shndërrojnë në invektivë, në figurë të invektivës. Invektivë do të thotë SHARJE, sulm, denoncim, fyerje... Invektiva është figurë me ngjyrim stilistik e satirik. Termi shënjon TË FOLURIT ME FYERJE, apo SHKRIMIN E TILLË që sulmon, shan, denoncon, fyen a gjykon personin e caktuar apo temën a institucionin e caktuar, duke përdorur gjuhë negative... INVEKTIVA në letërsi mund të ketë vlerë artistike (si te "Mbreti Lir" i Shekspirit, nën ndikimin e të cilit Noli shkroi marshet e tij satirike-poetike); toni i hidhur artistik denoncon abuzimet e figurave politike... Tashmë edhe leksikografia jonë stilistike është e pasur me frazeologjizma jashtëzakonisht të pasura, për të emërtuar a goditur fenomene, dukuri, karaktere etj të jetës së përditshme.
Eh, ku shpie kjo gomari ...si sistem i prishur vlerash, burim injorance e ligësie. Kurse shkrimtari në kopshtin e tij liriko-zoologjik, ku i ekspozon karakteret e kohëve, godet me tehun e thënies satirike...
Gjeneratave të vjetra, do t’iu kujtohet ajo fjalia (loja me fjalinë), se cili ishte roli i një presjeje (roli i shenjave të pikësimit);
"Mëso si baba,
gomar mos u ban"
Kështu është edhe me fjalinë dytë:
"Mëso,
si baba gomar mos u ban.
2.
Një mik imi i letrave, duke shkruar për fenomenet shqiptare të politikës së tranzicionit, ndër të tjera përshkroi këtë ngjatje për tregimin mbi gomarin dhe Demostenin:
“Oratori i famshëm Demosteni, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë në parlamentin e Athinës, me fjalën e vet magjike, u fliste athinasve mbi shpëtimin dhe lirinë e shtetit të rrezikuar. Dëgjuesit s’ ishin të interesuar për fjalimin e tij: disa koteshin, të tjerët gogësinin, e do të tjerë flisnin. Me të hetuar këtë gjë, Demosteni e ndërpreu fjalimin e vet të mrekullueshëm dhe e paralajmëroi një tregim mbi gomarin. Përnjëherë u krijua një heshtje mortore dhe njerëzit filluan t’i hapnin veshët e të dëgjoni tregimin mbi gomarin, sikur prej tij të varej fati dhe liria e Athinës.”
Kjo parabolë të frymëzon për ta shkruar një ese të tërë.
Kemi të bëjmë me fenomenin shoqëror të injorancës, marrëzisë dhe shurdhësisë... Shpesh i shfaqim frustrimet tona: jemi "të vonuar" në krahasim me të tjerët dhe "vonesën" e shndërrojmë të shfrenim.
Kur një shoqëri "vonohet", jepet pas shfrenimit, lakmisë për pushtet, një egërsi lakmitare kah kapitali, egërsi për pasurim të paligjshëm... e lë pas dore investimin tek ngritja kulturore, shpirtërore, shkencore, arsimore etj mbasi prej tyre "nuk ka hajr", "nuk k ka përfitime", "nuk ka fitime"... pra, situata e tillë i vret vlerat, kurse na kaplon regresi historik, në vend të progresit. Njeriu kudo është lënë pas dore... kurse tërë kujdesi shndërrohet në krijimin e një kooperative të tipit neo-kinez prej 61 vetash për ta drejtuar këtë regres historik!!! "Në një shoqëri të mbyllur, ku të gjithë shpallen fajtorë, vetëm krimi po merret me këta fajtorë. Në një botë hajdutësh, i vetmi mëkat i fundit është marrëzia" thotë Hunter S. Thompson. Askush nuk është përgjegjës, secili ik nga përgjegjësia: në një anarki të tillë, si është thënë shumë herë, mbretëron mentaliteti i turmës... Në këtë kaos shfaqen mjegullime në mes koncepteve shtet (i Kosovës) dhe komb i hibdriziuar "kosovar".
P. J. O'Rourke thotë: "Gjithsesi, jo vetëm droga dhe alkooli shkaktojnë sëmundjet themelore të shoqërisë. Nëse ne jemi në kërkim të burimit të problemeve tona, nuk na duhet të bëjmë testin për drogë tek njerëzit, ne duhet për të provuar tek ata testin për marrëzi, për injorancë, për lakmi dhe për dashurinë ndaj pushtetit." Kur organizatat kishtare, shoqatat bamirëse, solidare e ato filantropike, vepronin nëpër zonat e krizës sociale dhe nëpër ato të luftës, Hitleri klithte: "Humanizmi është shprehje e gomarllëkut dhe e qyqarllëkut, dobësisë."
Ja edhe një xhevahir mendimi nga Will Rogers: "Nëse gomarllëku na përfshiu përpara në këtë rrëmujë, atëherë pse nuk mund të na nxjerrë nga ajo?"
Dhe, fatkeqësisht, njerëzit kryesorë përgjegjës të politikës vetëm sa po na zhytin më thellë... pa qenë të zotët ta përmirësojnë gjendjen..
0 comments:
Post a Comment