Monday, October 14, 2019

Prend BUZHALA: IDEALISTI I GJYTETNISË


(At Shtjefën Gjeçovi, në 90-vjetorin e rënies - ripublikim))
Ashtu sikundër thotë filozofja Hana Arendt:”baza logjike e politikës është liria”,do të thoshim se këso thelbesh, të reflektuara tek angazhimi i Gjeçovit në lëmin e arsimit e të edukimit do ta kishte po atë bazë logjike, sipas parimit françeskan për një arsim qytetar e për një shoqëri qytetare.
1.
Nëse lagja e përkushtuar e idealistëve françeskanë, nisej nga parimi se Ideali është udhërrëfyes e rregullativ i jetës, i shtetit, i rendit shoqëror, i rendit në familje e i çfarëdo rendi tjetër; atëherë nuk është e habitshme pse modelin e përsosmërisë së Jezusit ata përpiqeshin ta praktikonin në jetën e përditshme, si ideal të Lirisë, të Demokracisë, të Drejtësisë, të Barazisë dhe, gjithsesi, të Qytetërimit e që do të arriheshin me anë të arsimimit e të edukimit. Nëse pikënisje e këtij idealizmi është vetësakrifikimi për hir të realizimit të synimeve të larta morale, atdhetare, religjioze; nuk është, po ashtu, aspak e habitshme pse françeskanët shqiptarë, e ndër ta edhe Gjeçovi, u angazhuan aq përkushtueshëm në shumë lëmi të kulturës, të jetës sociale e politike, të jetës arsimore etj, për hir të triumfit të këtyre idealeve, kurse si Gjeçovi që e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të këtyre synimeve lartësore, do të përfundojnë edhe dhjetëra françeskanë të tjerë, ashtu sikundër këso sakrifice sublime bënë të gjithë françeskanët e burgosur, të përndjekur, të dëbuar a të pushkatuar nën regjimin komunist...
2.
Kur më 1899 Gjeçovi qëndronte në Laç, do të bënte një përshkrim gjeografik të këtij vendi, për ta njohur sa më mirë. Por duke e parë gjendjen e rëndë të banorëve përreth, ai bën thirrje për dituri, unitet, mirëkuptim e bashkim kombëtar: “Myslimanë e të krishtenë jemi vllazën, nji gjak, nji rrugë e nji gjuhë kemi. Të jetojmë për Atdheun e të vdesim për të”. Kështu fliste frati françeskan në ato vite të rënda të pushtimit turk. Ai kërkonte bashkimin e të gjithëve rreth një “ideali të ngulët” në luftën kundër Turqisë. Këto ide do të shtegtojnë gjatë gjithë rrugëtimit jetësor të Gjeçovit dhe do të jehojnë në gjithë veprimtarinë e tij të gjithanshme. “Për t’u ngjallur dashurinë ndaj Atdheut, Gjeçovi u tregonte fshatarëve ngjarje nga historia e hershme e popullit, si të Lekës, Pirros e Kastriotit”. (sipas Ruzhdi Matës: Shtjefën Gjeçovi – jeta dhe vepra). Dhe kur më 1922 kthehet në Shkodër për herë të dytë, i emëruar nga Provinca françeskane, duke qenë në korrent të ngjarjeve politike të kohës, si dhe të revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924, ai shkruan: “Oxhakët duan ta mbajnë popullin në robëri si kurdoherë, kurse nacionalistët duan ta shpëtojnë popullin nga thonjtë e oxhakëve për kurdoherë”. Dhe ky është thelbi i tij social-edukues për rendin dhe shtetin e ri shqiptar.
3.
Sikundër dihet, në krishterizëm ka shumë rende, rregulla etj dhe emërues i përbashkët i tyre është realizimi i idealit të përsosmërisë ungjillore në jetën personale. Ndërkaq, themelues i rendit françeskan ka qenë Shën Fraçesku i Asizit, kur më 1208 ai hartoi Testamentin për Vëllezërit e Vegjël, si i quante përkrahësit e tij. E ndër këto rregulla, ai kërkonte figurën e një Idealisti të Përkushtuar: përkujdesjen vetëmohuese ndaj njerëzve, përvujtërinë (të mos dukesh a të mos dalësh në plan të parë), urdhri për të mos përvetësuar a trashëguar asgjë për vete: as shtëpi, as para, as pronë, as poste fetare apo politike etj. Françeskanët, ndër shekuj kudo, do të jenë segment i fuqishëm si në arsim, në themelimin e universiteteve etj. Ata nxitën shumë lëvizje gjatë shekujve dhe vepruan sipas rrethanave historike. Ata dhanë ndihmesë jashtëzakonisht të madhe në letërsi, arte, kulturë, dije e në shumë fusha tjera të jetës. I tillë ishte edhe Atë Shtjefën Gjeçovi. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 të tjera (F. Kristaj). Ishte figurë poliedrike. Ai nuk ishte vetëm i përkushtuari i krishterimit, por edhe arsimdashës, arkeolog, etnolog, folklorist e historian, e, mbi të gjitha, atdhetar.
4.
Image may contain: 1 personAtë Shtjefën Gjeçovi konceptin e tij për Atdheun e kishte ndërtuar mbi bazat e Rilindjes kombëtare, po edhe mbi bazat e formimit të tij klasik. Në artikullin e tij “Çka asht Atdheu”, ai do të kërkojë “jetën bashkimtare”, por aty ai do ta shtrojë edhe platformën e tij personale për rrugëtimin e mëtejshëm të Idealit Jetësor, ashtu sikundër edhe të të gjithë idealistëve shqiptarë: “Atdhetari i mirë e i ndershëm asht në detyrë me dashtë atdheun e vet, e djersët e ballit me i derdhë për dobi të tij; me i qindrue në kambë çdo urdhëni të tij; me ju ngjit dorën të lanunve e nevojtarëve; me ju ndejtë të parëve në ndigjesë; me këshillue ate që ka mendjen ndërdyzash e me qenë krejt i atdheut e i kombit… Atdhetar i mirë ka me qenë: qeverisës i ndëgjueshëm, ushtar trim, prijës zemrak, babë i dashtun, zotni i njerëzishëm, rrogtar besnik, dashamir i pabishta e shok i mirë .” Në një artikull tjetër “Atdhetarët e vërtetë” ai iu ngre hymn atdhesie Gjeto Cokut, Dedë Cokut e Dedë Gjo Lulit, karakterin, burrërinë e besën e Toskëve e të Kosovës, por aty ai demaskon edhe “tradhtimet gjithnduersh”. Kodifikues idealist i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, idealist i gërmimeve arkeologjike, ai këtë përkushtime shfaq edhe si meshtar, edhe si publicist e veprimazr.
5.
Gjeçovi, Idealisti i Ri i vitit 1908, kur plasi revolucioni i xhonturqve, shprehu mendimin se kishte ardhur koha për luftë të armatosur kundër pushtuesit shumëshekullor. Ditarët e Gjeçovit të kësaj kohe janë një kontribut me vlerë për historinë”. Kurse gjatë viteve 1910-11 ai nuk do të ngurrojë të futet në radhët e çetave luftarake. Stacioni i ardhshëm i jetës së tij do të jetë emërimi i tij në famullinë e Vlorës, në prill 1920. “Vlonjatët janë atdhetarë të flaktë …Me ju rrëfye të drejtën, unë nuk kisha besuar kurrë se do të gjeja këtu një element aq të ndershëm e aq zelltar për përparim. Këtu asnjëfarë fanatizmi nuk ka…edhe lagjja tjetër e luftëtarëve, do të priten me madhështi, sidomos prej zonjave myslimane”. Ai propagandoi ditët e zjarrta të Vlorës kundër pushtimit italian. Më 1926, i mërzitur nga hipja e Zogut në pushtet, kthehet në Kosovë, me kërkesën e tij, po edhe të urdhrit françeskan, sepse mungonte kuadri që dinte shqip. Ai nuk u pajtua me një gjendje të tillë PA ARSIMIN SHQIP, prandaj e rihapi shkollën në Zym. Veprimtaria e tij, përfshirë edhe mbajtjen e katekizmit në gjuhën shqipe, shkaktuan pakënaqësinë e zyrtarëve lokalë serbë, kështu që, më 1929 atë e vranë. Vrasja bëri jehonë kudo. Në meshën e celebruar mortore për vrasjen e Gjeçovit, në Tiranë, marrin pjesë edhe shumë kosovarë, ish nxënës të tij, funksionarë shqiptarë, kurse fjalimin e rastit e mbajti Gjergj Fishta. Vrasja e tij u diskutua edhe në parlamentin shqiptar. Për vrasjen e Gjeçovit shkroi edhe shtypi botëror. I tillë ishte Idealisti i Mendjendriçimit. Dhe i tillë, mbeti në kujtesën e brezave shqiptarë: Figurë-simbol i Monumenteve të Kulturës.
(Prend Buzhala, shkëptuje, ripublikim)

0 comments:

Post a Comment