Monday, October 14, 2019

Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI: AT GJERGJ FISHTA Fishta ÇOHI TË DEKUN


Image may contain: 1 person, smiling ...Ktu, ktu shqiptarë!...A ndiet?...Ku e kam...Ku?...
Mos leni burra!...M’armë!...Mbaroi Kosova!...
Janina humbi!...e ndoshta Tepelena
Shkoi Manastiri, Dibra dhe Gjakova!...
Vendet ma t’mira ne na i mori shkjau,
E shka asht ma zi, ne vlla me vlla na ndau.
...Sot armët duen rrokë, taganat sot duen prehun,
Asht turp, për Zotin, shurdhë me hup Shqipnia,
Mos leni burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
Gjergj Fishta
Ndërsa shekulli XIX po i afrohej çerekut të fundit, me konfliktet dhe pabesitë e tij, katundi i vogël Fishtë, mes baltrave dhe mjegullës së Zadrimës, lindi një nga ligjvënësit letrarë, Gjergj Fishtën.
Kur shqiptarët i dolën përpara madhërisht pabesisë evropiane me Lidhjen e famëshme Shqiptare të Prizrenit, poeti ishte vetëm shtatë vjeç. Megjithatë, ndjesia se ai ka qenë aty në kuvend është aq e fortë sa s’don t’u besosh as viteve, as vetë historisë. Dhe jo vetëm në Prizren. Çuditërisht, edhe pse ende i palindur, ke përshtypjen sikur ai ka qenë edhe diku atje pranë depove të barotit me Oso Kukën. Të ngjan se poeti i ka parë me sytë e tij të mprehtë tek i hedh duhma “shi n’breg t’Virit/ krahë e krena e gjymtyrë nirit”. Vetëm të palindurit e mëdhenj, siç ishte Fishta, mund ta kenë të tillë aftësinë e të parit thellë në vite. Kur ke lexuar Fishtën, në mënyrë krejt të beftë brenda vetvetes, pa e ndjerë, të ndodh një rropamë, një çvendosje e çuditëshme vitesh e vendesh. Askurrë nuk mund ta imagjinosh poetin në një gjysëm errësirë kuvendi françeskan, apo në një qelë të vetmuar fshati. Çuditërisht gjithmonë i shmangesh realitetit dhe e përfytyron gjetkë. Në Kuvendin e Berlinit, duke u përpjekur të ndalë duart gjakatare që copëtojnë Shqipërinë, në kështjellën e Lofçenit të Cetinës, ku Knjaz Nikolla e Mark Milani bëjnë planin e luftës për pushtimin e trojeve shqiptare, duke ngjitur shkallët me parmakët e kristaltë në pallatin e Sulltanëve e duke dëgjuar se si sulltani u jep udhëzime gjeneralëve gjakatarë, Dervish Pasha, Mehmet Ali Pashë Maxhari e Turgut Pasha.
Jo, nuk e përfytyron dot në një kënd oborri duke biseduar qetë me plakun Marash Uci e duke i dhuruar ky i fundit atë çka kishte, dy hudhra. Krejt ndryshe të del përpara gjithmonë. E sheh në Kuvendin e burrave te Kisha e Shnjonit, ku trimat e Hotit betohen se nuk do ta lëshojnë Shqipërinë pa e la në gjak pëllëmbë për pëllëmbë. Të ngjan se gjithnjë është i hipur diku atje mbi një shkëmb tek përleshen për jetë a vdekje dy ushtritë te Ura e Rrzhanicës. Po kështu figurën vigane të tij e vendos me mend në një cep të Sutjeskës, në krye të shpateve të Nikshiqit. Kudo ku janë shqiptarët me fatin e tyre tragjik të mbështetur në grykën e hollë të pushkës është edhe ai. Hero i pandarë nga heronjtë, burrë i pandarë nga burrat, diplomat i pandarë nga diplomatët, mjeshtër jatagani i pandarë nga mjeshtrat e famshëm të jataganit, shqiptar. Vetëm kështu mund ta shohësh kurdoherë Fishtën, ndryshe jo. Ai u prin vallet zanave netëve, ditën i vë në ballë të ushtrive shqiptare, dragonjtë i nis përmes rrufeve në përleshje të mëdha. Ai e sundon si një sovran gjithë botën mitologjike shqiptare. Fronin e tij madhështor të poetit ai e ka ngritur mjeshtërisht në pallatin prej ëndërrave të kësaj mitologjie të shkëlqyer.
Si një figurë gjigande hyri ai në çdo zemër, në çdo vatër e në çdo shtëpi. Udhëton me tren dhe është e pamundur që në një vagon të mos jenë tre-katër apo dhjetë vetë që e dinë Fishtën përmendësh. Kështu ndodh edhe në një autobus, edhe në një veturë. Gjithmonë dikush do të citojë diçka nga ai. Kjo do të thotë se ai nuk mund të harrohej çfarëdo të ndodhte. Do të ruhej patjetër edhe i zhdukur nga letrat, ashtu siç u ruajt për shumë shekuj edhe Homeri me epopenë e Trojës në duar.
Shumë përpjekje u bënë që emri i Fishtës të shuhej nga kujtesa e kombit. Por, a kishte bërë luftra shekullore shqiptari? Po. Atëhere duhej të rrënohej më parë kujtimi i këtyre luftrave zëmëdha që të përmbysej edhe titani i tyre. Padyshim një rrënim i tillë i pashembullt i mureve të kujtesës së brezave është paraprakisht i pamundur. A mund të shëmbej një burrë i tillë, pas të cilit vinin burra të tjerë si: Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Marash Uci, Dedë Gjo’ Luli, Prengë Bibë Doda, Ali Pashë Gucia e shumë të tjerë? A ndahej ai nga shpirti i popullit, ndërsa rronin të gjitha pazarlleqet tragjike të fuqive të mëdha, djallëzitë e perandorisë pesëqindvjeçare osmane?
Pesëdhjetë vjet u bënë përpjekje ta vrasin emrin e nderuar të Fishtës. Po ai ishte i pavrashëm. Para tij sprapsej pushka, sprapsej jatagani, sprapsej fjala. Froni i tij letrar ishte i patundur.
Ai mbeti mbret në mbretërinë e letrave shqipe. Liliputët nuk mundën as ta gërdhishtin bustin e tij në zemrën e popullit. Ai ishte gdhendur në një aliazh të pacënueshëm të nxjerrë nga miniera e pasur e shpirtit shqiptar. Ku janë bustet prej parafine të armiqve të tij? Ato i shkriu shpejt një rreze drite e vetme që hodhi mbi to dielli i lirisë së fjalës.
Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI


0 comments:

Post a Comment