Monday, October 26, 2020

Grigor JOVANI: CIKLI ME LIRIKA "ME KA HARRUAR DASHURIA"

 

GJONI I HESHTUR

Më ka harruar Dashuria dhe si t’ia bëj
t’ia kujtoj?
Hedh sytë përreth. Një gjon mbi pemë nuk këndon.
Rri kot. Ngjan më tepër se unë i vetmuar.
Degëza mimozash shkund heshtja mbi tokë.
I them: “Natyra nuk hesht. Ti gjon,
sa kohë ke kështu, pa kënduar?”
Më ka harruar Dashuria, por mund të jetë
dhe për mirë...
Mendo të kthehej dhe të rilindëte sërish
ëndrrën time, që tani heq shpirt e lënduar...
Si do të mundja, o zot, të ngushëlloja një ditë,
atë gjon shurdhmemec,
që më sheh në sy i trishtuar?!

ILUZIONE
Më thoshe gënjeshtra,
se shkove mbrëmë në bregun matanë
duke ecur mbi ujë, për të peshkuar
me rrjeta.
Dhe unë t’i besoja të tëra... Më ngjanin
të gjitha të vërteta.
Në mëngjes, kur u zgjova,
pashë se nuk kishte det përtej dritares
dhe renda tek dera.
Një fushë e gjelbërt me grurë dallgëzonte,
tek këmbët e mia,
nga era.

GJEOMETRIA
Kur dua të të puth mënjanon kokën,
buzët formojnë trekëndëshin e Euklidit
me supin e zbuluar.
Mbyll këmbët kur dua të të prek
këndin e drejtë,
hipotezën dhe katetet mban shtrënguar.
Kur m’u deshën,
nëpër provimet e mia të dështuara,
asnjë funksion trigonometrik nuk m’u gjet.
E dashur,
unë sjam profesor gjeometrie,
qysh i vogël desha të bëhesha poet.

KETO TE FUNDIT
U zemëruam shumë herë ne të dy.
Herë-herë me inat të pa parë.
Erdhi një kohë, i harrova të gjitha.
Mendova: ëndërr do të kem parë!
Ato që nuk harroj janë zemërimet me veten,
pa fjalë, vullkane që zjejnë përbrenda.
Mbaj mend dhe arsyet. Oh, këto të fundit,
as t'i kujtoj nuk ma ka ënda.

E ZBATHURA SHEN MERI
I vë detyra të rënda Dashurisë.
Ashtu të teket. S’ndodh qiameti.
Qesh kumbueshëm. Ca kufinj
cakton mbi rërë. I shuan deti...
Perënditë s’ke qejf. Diellit i jepesh.
Ndaj përvëlon. Mjerrë kush të prek.
Ngre shtatë buforë. Djajtë të ftojnë.
Por ti, njerin prej tyre ndjek.
Je e veçantë. E zbathura Shën Mëri,
botën ndryshon. I shuan njollat.
Perënditë - dhe unë - të kanë zili,
se shkel mbi zjarr me këmbëhollat.

MIKESHAT E MIA
U kthyen ato
dhe zbuan vetminë time,
karriget në sallon u bënë tre...
Gëzon flakëza e hollë e një qiriri,
që dridhej mërzitshëm gjer dje.
Erdhën ato, mikeshat e munguara.
Zunë dy karrige.
Hije lanë mbi mur...
Ato! Njëra që iku. Dhe ajo,
që ndoshta s’do të vijë kurrë.

0 comments:

Post a Comment