Saturday, October 10, 2020

Kujtim STOJKU: Cikli poetik " ËNDRRA VJESHTE"

 ËNDËRRA VJESHTE

Nëpër zabelin me lisa gjethet ishin ndryshk,
Degët plot me lende dukeshin se prisnin për t`i vjelë,
Një nga një pikonin në tokë se kishte me shumicë,
Kryevepër mistike që shungëllin me shkëlqim,
Imazh mahnitës që nga mendja s`fshihet lehtë.
Shkëlqen misri magjik në kapat radhë në arë,
Reflektojnë kallinjtë me ngjyrë floriri,
Prej kapave një nga një i zhveshin ngadalë,
Si nuse me këmisha të holla,
e me radhë këmishat me butësi ua hiqnin.
Ëndrrat e vjeshtës gjithmonë janë të mira,
Pavarësisht se moti është gri e shiu troket mbi qelq,
Kjo stinë është e bekuar,
s`dua të besoj se ëndrrat kanë kuptime të trishta,
Por kur gjethet bien nga degët s`di se pse trishtohesh për dreq.
Kungujt për çudi i shohim të qeshin kur gjethet u binin,
Si më të mençur që mbaheshin ishin rreshtuar të parët,
Korbat të trembura vallëzonin duke u grindur n`flladin e butë,
Më tutje dëgjohej një kuisje zagarësh.
Kudo kishte ngjyra dhe vetëm ngjyra që n`mendime të vinin,
Ëndrrat e vjeshtës janë n`hapsirë,
Si një grua që plaket është nisur për rrugë,
Imazhe që të qetë s`të linin,
Si gjethet që bien nga degët i sheh i zhytur thellë në gjumë.
Është e trishtueshme t`shikosh të fishkur shkëlqimin e saj rinor,
Por poshtë saj ajo zbulon ngjyra të tjera që më parë s`i kishte,
Ti dëgjon britmat e gëzuara t`fëmijëve që vrapojnë,
Ca hije fantazmash argëtohen e qeshin pak më tutje,
Ngjyra dhe vetëm ngjyra kudo këtë stinë e zbukurojnë.
Ëndërrat e vjeshtës janë në hapsirë,
Përreth tyre një kalaideskop gjethesh rrotullohet gjithmonë,
Të nesërmen një jetë e re do të jetë, e trondit thellë këtë vizion,
Hëna është si një mace e zezë dhe është krejt qesharake,
Ngjyra, dhe vetëm ngjyra kudo këtë stinë larmojnë,
Ëndërrat e vjeshtës janë n`hapësirë, kalojnë nën qepalla krejt tinëzake,
e ti pas tyre gënjehesh e do t`i shohësh gjithmonë...

BISEDOJ
Me mendimet e mia flas krejt i qetë dhe me butësi,
Ato që dua të shpreh i mendoj me kujdes,
Mendimet i mbaj në duar, i kaloj nëpër gishtrinjtë e mi,
Pastaj jua dërgoj buzëve që u japin frymë e marrin jetë.
Unë fjalët e mia i them i menduar,
Gjuha shpesh ngurron se mos ndonjë padashur del,
Ajri valëzohet nga tingujt që vijnë duke kënduar,
E medimi shprehet, formë të urtë merr.
Shpesh herë flas me veten time me zë të lartë,
Fjalët zbresin në tokë dhe duan të çelin,
Ndonjëherë janë të vogla, t`bardha si maragritarë,
Por ndonjëherë janë si gjëmba blu,
ose trëndafila që me aromë të dehin.
Unë i shikoj ato se si rriten e burrërohen,
Pa i paragjykuar me kokëfortësi i ndjekin sytë e mi,
Me krenari i shtrij drejt tyre duart,
Që t`i zgjedh e t`i rregulloj ato, që bashkë me mua janë rrit`.

VAGËLLIMTHI
I humbur në mes të fjalëve,
Shihja se flisnin vetëm sytë,
Por s`dëgjoja as dhe një fjalë,
Se ajo u kishte ngecur në grykë.
Duke ecur me hapa të mëdhenj,
Gjethet e lagura pamëshirë i shkelja me këmbë,
U ula që të kthej një gotë atje pak më tej,
Terri u zvarrit drejt lindjes, me diellin u përplas n`horizont,
Sytë e mjegulluar u hapën gjith zhurmë e panë dritën e vërtetë.
Pastaj rashë n`grackë midis së sotmes dhe t`nesërmes,
Bufi kur më shihte qeshte si i çmendur,
N`çerdhen e një peme një zog i zi këndonte i shkujdesur,
Shi vjeshte, vetëtimat ndrisnin pemët,
Hanin krimba, retë prej pambuku mbulonin motin e freskët…



SORRAKU
Natën e kaluar prej vetëtimave u bë si ditë,
Retë e shiut mbushën qiellin që filloi t`çurkonte,
shkreptinin flakë të verdha që çanin errësirën,
Dita gdhiu e zymtë, nga nata çdo gjë kujtonte.
Qelqet e kafeneve ishin veshur me avull,
Zhurmonin ekspresët e kafesë,
Aroma e saj të tundonte, të uronte mirëse ke ardhur,
Befas u habita kur një dhi pashë duke qesh.
Një tufë sorrash mundoheshin t`rrethonin qiellin,
Që ishte krejt gri nga retë e zeza të shiut,
Krokamat e tyre si herët e tjera s`dëgjoheshin,
Kishin tinguj të tjerë që s`i kupton njeriu.
Duke folur me njëra - tjetrën argumentonin habitshëm,
Maja e një peme n`trotuar për çudi mori flakë,
Ata si arrogante filluan t`mbyllin krahët e tyre,
Bisedonin gjithë dashuri duke vënë n`mes një sorrak.
Po këshilloheshin me njëra - tjetrën,
E herë pas here e gudulisnin sorrakun nën gushë,
Prisnin që diçka patjetër do të ndodhte,
Ai dëgjonte me vëmendje, e për çudi kthente kokën nga unë.
Para tij t`gjitha planet ishin t`shpalosura
Vetë krokaste në të rrallë e më shumë heshtëte.
Pastaj ata u derdhën tufë mbi degët e pemës,
T`gjithë këndonin në kor, sorraku si gjithnjë i udhëhiqte,
U këndonin kërmave ku do të hanin drekën.
Qielli u nxi përsëri, si një natë më parë filloi të gjëmoj,
E nga sytë e qiellit rridhnin lotë sa edhe yjet u prekën,
Dielli fshehu syrin e më s`deshte të shohë…


TINGUJT E INJORANCËS
Injoranca shfaqet e kapërdisur me tinguj të çjerrë,
Të shkrirë në një element të vetëm ato ushtrojnë dhunë,
Ajo e shpërfytyron tërsisht qenien, n`fytyrë e bën të zbehtë,
Pasi kurvëron gjithandej si bushtër, thotë më e ndershmja jam unë.
Kur përballet me diturinë atë e zënë spazmat,
Gjithë lakmi e sheh atë t`strukur brenda hijeshisë së saj,
Ndërsa ajo e karfosur asaj i sillet rrotull,
Mundohet ta zërë në grackë n`rrjetën që ka endur më parë.
Ne injorancën e ndjejmë çdo ditë,
Që vjen gjithë pompozitet e fshehur nga imazhet,
Ajo është e verbërt edhe kur ec në dritë,
Jeton gjithmonë n`shtazërinë e vet e përherë kënaqet…



ME GJUHËN E LULEVE
Ne në të shumtën e rasteve i shpenzojmë krejt kot fjalët,
Fjalë zemrimi, arrogante, mizore dhe miqësore i flakim n`ajër,
E unë u turra që t`i mblidhja një nga një nga sqepat e zogjëve,
E me ta shkruajta gjuhën e zemrave që rreh nëpër gjokse,
Pëllumbat gugatnin dhe u ulën para meje duke rrahur krahët.
Pastaj fjalët u bënë zogj që erdhën me librat e sollën pranverën,
Ata dashuruan retë, erën që frynte e tundëte pemët,
Thoshnin disa fjalë që i sillnin nga larg si lajmëtare t`vendeve të largëta,
Për ta nuk ka asnjë kufi, përveçëse yjet, diellin dhe hënën.
Me disa fjalë jemi familiarizuar sikurse me kanarinat,
Disa të tjera janë ekzotike që nuk i kemi dëgjuar më parë,
Si ato zogj që i qëndrojnë të ftohtit e s`migrojnë si dallëndyshet,
E ca të tjerë bëhen gati të marrin rrugën sapo dielli në ag të dalë.
Unë shpesh herë jam munduar të flas me gjuhën e luleve,
U mundova që t`kuptoja gjuhën që flisnin shushunjat,
Yjeve u buzëqesha në fshehtësi kur bënin thashetheme,
I shtrirë në krevatin tim bashkëbisedoja me mizat.
Dëgjoja pyetjet e bulkthit dhe të gjithave iu përgjigja,
Që i bashkohej të qarave e atyre që vdisnin,
Unë përsëri me gjuhën e luleve fola,
Ata m`përshëndetën duke lëshuar aromë,
E petalet një nga një në këtë vjeshtë u binin…

ZEMRA GËNJESHTARE
Si gjithmonë dëgjova zemrën t`më fliste n`gjoks,
Me një gjuhë që s`ishte si herët e tjera,
Kur e pyeta si je, si po e kalon?
S`ka më mirë m`u përgjigj ajo,
Flas e këndoj e mbyllur në një kafaz eshtrash.
Tashmë unë kam pikuar nën pemë si një mollë,
E kuptova nga gjuha se më gënjeu,
E prandaj unë vara kryet e heshta..

0 comments:

Post a Comment