Wednesday, October 14, 2020

Prend BUZHALA: FSHEHTËSIA KRIJUESE


Frymëzimi është një dehje e kthjellët, thoshin indusët e moçëm. Në të vërtetë, procesi krijues, kaq i

ndërliqshëm e kaq shumështresor edhe për estetët më të zellshëm; do ta kenë vërejtur vetëm produktin artistik, të finalizuar: formën e re estetike. Pistat artistike të krijuesit zhvillohen herë paralelisht, herë së bashku; e njëjta lëndë e "materies artistike" ,merr forma të ndryshme. Ende estetët nuk e mbyllin Librin e Të Bukurës, ai mbetet gjithnjë i hapur, mu ashtu siç është e hapur dhe e pafund e bukura; herë merr udhë nga konteksti shoqëror, herë ky akti krijues kontekstualizohet nga realiteti empirik; për të arritur te koha jonë që i rikthehet spontanitetit në procesin krijues, ashtu vetvetishëm, si lojë krijuese. I zorshëm është ai provces krijues i etheve të frymëzimit gjatë procesit krijues: “Punimet duhet të konceptohen me zjarr në shpirt, por të zbatohen me ftohtësi klinike" (Joan Miró).
1.
Se cili është ky motivim, nxitës a shkas i padukshëm, cili është ky spiritus movens që nxit këtë potencial krijues të shkrimtarit, poetit, piktorit a muzikantit; estetët përpiqen t'i kodifikojnë disa ligje nga fusha e estetikës.
Spiritus movens! Është ai lëvizësi i brendshëm, shpirtëror, nxitësi i veprimtarisë, "shpirti" i një përpjekjeje (B. Klaiç, Fjalor i fjalëve të huaja); "në një bisedë, spiritus movens (spiritus agens) është ai që ideon, inicon dhe organizon (zakonisht në një projekt të madh). Sipas disa fjalorëve, spiritus movens është një udhëheqës shpirtëror. Rector Spiritus është mendimi kryesor, mendimi udhëheqës, forca e jetës, por edhe kujdestari, dhe spiritus sanctus është Shpirti i Shenjtë, një nga tre personat e Trinisë së Shenjtë. Spiritus në latinisht do të thotë shpirt, hak, frymë, frymë, erë." Fjalorët e fjalëve të huaja na thonë se movens është ajo që lëviz, ajo çfarë lëviz; termi vjen nga folja latine movere, dhe do të thotë të lëvizësh, të ndërrosh vend, të zhvendosësh, të transfigurosh, të transferosh; agens është një forcë lëvizëse, vjen nga folja latine agere, dhe do të thotë të punosh, të bësh.
2.
Kanti e filozofët tjerë duan të nënvizojnë prirjen e aftësinë e racionalitetit njerëzor që prodhon edhe spontanen. Kësisoj, procesi krijues përshkruhet si misterioz dhe me natyrë sekrete, me natyrë të ndërliqshme... e që na vjen nga kohët antike, kur fuqitë mbinatyrore sjellin frymëzimet artistike dhe frymëzimet e mendimeve. Frymëzimi iu takon të privilegjuarve, mu ashtu si e përshkruan Platoni: frymëzimi është një gjendje e ngjashme me çmendurinë. Te vepra e tij "Timeu" ai thotë: "Askush, kur është me veten e tij, nuk arrin të vërtetën dhe frymëzimin profetik; por kur ai e pranon fjalën e frymëzuar, atëherë ose mendja e tij është magjepsur në një ëndërr, ose ai është i shtyrë kah çmenduria prej dikujt tjetër, prej çrregullimit (rrëmujës, trazirës, rebelimit) ose fiksimit" (Platoni, Timeu).
Frymëzimi ishte dhuratë e një muze arti. Ose e një perëndie. Ende muzat e arteve kanë nderimin e estetëve dhe krijuesve. Romantizmi e kthen idenë e frymëzimit brenda qenies së vetë njeriut, ndryshe nga forcat mbinatyrore (antike). Por arti ende konsiderohej sekret, mister, magji krijuese.
Dhe estetë, teoricienët e artit, apo edhe vetë krijuesit, nuk prajnë së kërkuari ato hapësira fshehtësie të frymëzimit e të procesit krijues.
Por, ashtu sikundër thuhet, ky proces as që mund të shpjegohet. E po u shpjegua, atëherë ai vesk krijues shkatërrohet, më nuk përjetohet ai çasti i rrallë e origjinal, i papërsëritshëm. Po u shpjegua, atëherë talenti humb nga shkëlqimi i tij.
3.
Sekreti!
Sekreti të jesh krijues!
Ai që krijon, e di që nuk niset nga "baza materiale", për të siguruar pagë, para, as privilegje fitimprurëse. Prandaj veprimtaria krijuese është punë e vështirë, që do përkushtim, qëndresë për të përballuar vështirësitë. Puna me artin do veprim, krijim e më pak kundrim. Nuk do fjalë, as pritje: por veprim krijues. Ti punon në ëndrrat tua krijuese e jetësore, dhe kësisoj e mposht frikën. Ndodh që të të pushtojnë shumë zëra në kokë, ndodh që ti të jesh kritik i rreptë i vetvetes (mos po punoj keq, mos nuk ka përkryerje, mos do të mendojnë të tjerët keq për veprën time, etje tj), por edhe këtë vështirësi duhet ta kapërcesh: ata zëra kritikë e pështjellues, i mënjanon... Ti e ke në dorë kontrollin mbi veten, mbi mendimet tua. Pra, ti vepro.
"Cila do të ishte jeta nëse nuk do të kishim guxim të provonim ndonjë gjë?" do të pyeste artisti Vincent Van Gogh. Është njeriu që e ndryshon kohën, e jo e kundërta. Salvador Dali përsosmërinë e quante një mit të paarritshëm, dhe kjo joshje drejt saj, është e pafund. E njeriu e ka për obligim që ta japë më të mirën nga vetja e tij, në këtë proces krijues, mu ashtu si e bën këtë edhe në jetën e përditshme.
4.
Secila vepër e re arti (arti letrar, figurativ, muzikor etj), është një aventurë e re. Është një aventurë e re krijuese.
Është një përpjekje për të provuar diçka të re, Për të dhënë diçka të re. Për të krijuar përvojë të re artistike. Dhe ti kalon nëpër aq e aq labirinte rrugësh, shtigjesh, kërkimesh, përplot kthesa, përjetëze, lakadredhash e teposhtëze. Hove ngritjesh e rëniesh. Ti i fton në tryezën tënde prirjet, aftësitë, mendimet, krejt papritmas, pa parashikuar gjë, dhe ato të gjallërojnë.
Krijuesi i bën roje fshehtësisë së tij krijuese. Për krijuesit nuk ka shkencë, as dyshime, as hamendje. Vetëm kur krijuesi e braktis vatrën e tij të fshehtësisë krijuese, kur ai del jashtë, atëherë ai merret me punë të tjera, në daç me shkencë apo me politikë, me prodhimtari a me profesionin tjetër përkatës. “Arti evokon misterin pa të cilin bota nuk do të ekzistonte" (René Magritte).
Artistët kurrë nuk e shpjegojnë këtë proces krijues, sado që nëpërmes vargjeve e thonë dhe e shqiptoj në këtë mister, këtë magji dehëse, këtë natura naturata (Spinoza). E, po nisën për ta shpjeguar, atëherë rrjedhat e brendshme, metoda krijuese, sistemi artistik, spiritus movens-ët e tyre, pësojnë kaos. Përsëri do të na fusin në botën e misterit dhe mistifikimit. Thuhej (për biografitë e disa krijuesve gjatë procesit krijues): Schiller mëtonte se aroma e mollëve të kalbura e ndihmon atë me shkrim, Turgenev stimulon aktin krijues duke i mbajtur këmbët në ujë të ngrohtë, Balzak derdhte sasi të pabesueshme kafeje ose i mbante këmbët në ujë të ftohtë... dikush tjetër kur bën pushim, tjetri kur shëtit jashtë, në natyrë, aty ku nuk e ka lapsin a ngjyrën me vete etj etj.
5.
Gjatë shekullit XX u fol shumë për intuitën krijuese. Ky shekull krijon shkencën e procesit krijues, kreativitetit. Jo pak shkrimtarë tashmë duan ta shpjegojnë këtë proces. Vasily Kandinsky thotë: “Mendoj se ky proces shpirtëror i fekondimit, i përgjigjet plotësisht procesit fizik të lindjes njerëzore. Ndoshta kështu krijohen botët. Piktura është një përplasje e zhurmshme e botëve të ndryshme, të cilat ishin të vendosura për të krijuar një botë të re duke luftuar dhe përpjekur me njëra-tjetrën. Çdo vepër krijohet teknikisht ashtu si krijohet kozmosi - përmes katastrofave, të cilat vijnë nga gjëmimi kaotik i instrumenteve krijon përfundimisht një simfoni, të quajtur muzikë sferike. Krijimi i një vepre është krijimi i botës.”
Sot prandaj e quajmë botë artistike. Realitet artistik. "Arti i madh kërkon (krijon, zgjedh) atje ku mbaron natyra." (Marc Chagall).
Kështu ndodh edhe me shkencëtarët në procesin e mendimit krijues shkencor. Bie fjala, zhytja në një ëndërr i kimistit , Friedrich August von Kekul (pa në një ëndërr një gjarpër që kafshon bishtin e vet), kur bëri zbulimin e tij shkencor. Surrealistët ëndrrat dhe subkoshiencën (ndërdijen) i shndërruan në manifest krijues.
Arti është bersojma (credo-ja) e artistit. "Të jesh artist do të thotë të besosh në jetë" (Henry Moore).
Arti evokon.
Së këndejmi, poezia krijohet, fjala e krijuar në poezi nuk ka si e shpjegon vetveten.
Tashmë intuita krijuese vepron mbi idetë e shpërfaqura, si rrezatime të brendshme. Krijuesi ka Syrin e Brendshëm krijues, ashtu sikundër e ka edhe syrin e jashtëm për të kundruar e gjetur të padukshmen, të pavërejtshmen.

0 comments:

Post a Comment