Wednesday, November 11, 2020

Kujtim STOJKU: SKICA

 

                               (Pjesë e shkëputur nga libri në proces)

Duke dëgjuar tregimin e komshijes krejt pa interes, befas ai u përqëndruar i tëri nga fjala që dëgjoi nga goja e saj për burrin me gjysmë veshi. Arseni, u ngrit nga karrigia, kapi dorën e komshies dhe e tundi duke bërë tre pyetje njëra pas tjetrës:

- Kush ishte pa vesh Vanesa? Kush? Ku ishe ti kur e pe atë? A mund të ma përshkruash edhe njëherë si e pe këtë njeri që nga fillimi?

Vanesa, e tërhoqi dorën menjëherë, dhe e menduar iu përgjigj?

- Si ishte ai? - u përgjigj ajo mendueshëm. - Kur unë u ktheva nga Milano sepse qëndrova dy muaj tek vajza që jeton atje, unë atë e kam parë me vëmendje. Gjithë ditën rrija në shtëpi, dilja jashtë duke u marrë me punët e shtëpisë, kur papritur nuhata diçka. Unë u mundova që të futem brenda por ishte e pamundur. Në fund të fundit unë nuk mund ta lija që të ikte. Arrita ta shihja mirë dhe atë fytyrë e kam edhe tani para syve. Ishte një burrë trup ngjeshur me një fytyrë të ashpër, kokën e rruar që dukej tamam si një top i vendosur mbi parmakun e shkallës.

Arseni, e dëgjoi me padurim dhe mundohej të kapte çdo hollësi që ajo thoshte.

- Ajo që është e rëndësishme është se ai nuk ka vesh. I dukej sikur dikush ia kishte prerë. Në pamjen e parë ai më ngjau me një statujë prej allçie ose mermeri, sepse koka i dukej shumë e lëmuar dhe binte menjëherë në sy. Ja kështu më dukej mor bir sikur isha në një shoqëri të tillë statujash.  - Pastaj ajo kruajti me dorën e majtë ballin, dhe duke e mbledhur veten tha e bindur se ai ishte një njeri dhe jo një statujë. - Atë djalë sa e pashë nuk më pëlqeu.

 Arseni, duke kapur këtë detaj të rëndësishëm nga rrëfimi i saj po këmbëngulte për më tepër hollësi. Me një ton të butë dhe duke e vështruar komshijen në sy i tha:

-  E dini si është puna Vanesa? Puna është kështu se mua më duhen shumë detaje për këtë njeri… mirë, si thatë se quhej, Vangjel Valmiri?

- Ju nuk mendoni asgjë të keqe për Vangjelin. Unë atë e njoh mirë prej kohësh…ai gjithmonë ka qenë kështu…i ndrojtur dhe i rrëmbyer. Më falni. Ai ka qenë i sjellshëm. Mizat nuk ofendohen kurrë në jetë. Unë gjithmonë e këshilloja me ndonjë fjalë por fjalët e mia në një vesh i hynin dhe nga veshi tjetër i dilnin, dhe kështu ai humbi. Ah mor Vangjel çfarë rruge ke marrë. E kam pasur nxënës, por tani ka ndryshuar shumë dhe nuk është më ai fëmijë zevzek. Tani nuk di se çfarë të them me gjithë këto që ndodhën sepse i pashë vetë me sytë e mi. Ai është i cekët dhe kryqëzoi veten.

Pasi bëri një pauzë të shkurtër, Arseni u mundua që të mësonte më shumë detaje rreth atij veshi, dhe kërkoi që të ja përshkruante pamjen disa herë. Atëherë Vanesa Serani, u ngrit paqef, i tha që të priste nja dhjetë minuta, shkoi në kuzhinë dhe pas disa minutash u kthye duke mbajtur në dorë një fletë të bardhë ku me laps plumbi ishte vizatuar një portret.

- Uau, - bëri Arseni i habitur.

Një djalë që banonte në hyrjen përballë ishte student në degën e pikturës dhe duke qëndruar ulur në shkallë e kishte vizatuar kokën e madhe të banditit me të të gjitha karakteristikat e hollësishme, dora e majtë dukej më e trashë dhe më e fortë. Studenti, në dorën e majtë kishte përdorur laps më të butë dhe vijat ishin më të errëta gjë që bënin që dora të binte menjëherë në sy.

“E majta” shkreptiu në kokën e Arsenit… “diçka kishte lidhje me të…mos vallë babai”?!

Goditja që i ati kishte pasur në tëmthin e djathtë ishte tamam sikur ishte goditur nga një sallaks. Arseni për një çast ngriu, pastaj u ngrit menjëherë nga karrigia e cila kërciti nga pesha e tij dhe për pak sa nuk u rrëzua nga animi i saj. Si u ngrit drejt e në këmbë, drejtoi gishtin nga skica vizatuar me laps plumbi dhe tha:

- Vanesa, a mund të ma jepni mua këtë skicë?

Komshija plakë tundi kokën në mënyrë pohuese, dhe me nxitim i tha lamtumirë. Ai doli jashtë, dhe nuk u drejtua nga ashensori, por filloi t`i ngjiste shkallët dy e nga dy duke mbajtur skicën në dorë. Duke ju marrë fryma u gjend para derës së apartamentit të tij në katin e tretë. Nxorri çelësat nga xhepi dhe e hapi, hyri brenda pa hequr këpucët dhe xhaketën, dhe shkoi drejt e në kuzhinë të cilën e përdorte edhe si studjo. Si e vuri skicën mbi tavolinë, e shikoi edhe njëherë me vëmendje, hapi sirtarin e tavolinës dhe që andej nxorri kalendarin që kishte marrë në shtëpinë e Baftjar Çikut të cilin e kishte gjetur të vdekur. Diçka e pakapshme e njohur dhe shqetësuese shtillej në ndërgjegjen e tij. Një zinxhir i padukshëm faktesh dhe ndijimesh formonin një pamje të padukshme, por tashmë e ndjente këtë tablo. Arseni, gërmoi me padurim në shkarravinat e plakut të ndjerë duke e shfletuar deri në fund kalendarin faqe për faqe, dhe më në fund pa se kjo e justifikonte gjithë atë ndjekje prej maniaku.

- Më në fund ja tek është, - tha ai duke vështruar shënimet e Baftjarit me padurim.

“Me 28 Nëntor po bëhesha gati për dalë se ishte ditë feste. Ky ishte një zakon që ishte ngulitur tek ai prej vitesh. Për çudi, rreth orës 900 kur doli nga shtëpia dhe po shkonte në qendër të qytetit, befas pa një tip të çuditshëm. Ai ishte tullac dhe kërci i veshit të djathtë i mungonte. Në orën 10:5 min u takova me dy shokët e mi dhe u ula për të pirë kafe në kafenenë “Skifteri”.

Arseni, e shfletoi më tej kalendarin. Në dy vende të tjera ai ngeci në të dhënat e këtij njeriu tullac dhe pa vesh. P.sh ata ishin më specifike dhe informuese kur ai shkruante se me katër shtator ky njeri i kishte trokitur në derë duke i kërkuar dokumentat e shtëpisë e duke i thënë se këtu do të ndërtohej një pallat. Nëse nuk kishte dokumenta nga hpoteka nuk përfitonte asgjë nga pallati që do të ndërtohej. Unë mezi arrita ta mbyll portën e hekurt dhe të shpëtoj prej tij. Unë shtëpinë time që kam ndërtuar me djersën e djemëve që po lënë kockat jashtë nuk mund të ja jap një horri i cili kërkon me çdo kusht që unë të frikësohem e të iki prej këtu. Më të shumtën e kohës do të rri brenda. Kam një çifte me leje dhe nëse më vjen ndonjëherë tjetër e më hyn brenda për të më bërë presion që të pranoj kushtet e tij nuk do t`i kursej saçmat për të. Shkova dhe lajmërova edhe në polici, por më thanë se kjo çështje i takon ta zgjidhë gjykata dhe jo ne. Nuk jemi ne kompetentë për të shqyrtuar dokumentat e pronësisë. Kështuqë u largova nga komisariati i policisë duke qëndruar më shumë brenda në shtëpi e të mos trembesha nga këto horra që kanë lidhje me kompanitë e mëdha të ndërtimit.

Arseni, u mbështet mbi shpinoren e karriges dhe mbylli sytë. Gjatë gjithë kohës që ai kthehej

vonë në shtëpi, rrinte e punonte deri në mesin e natës. Si shtëpia e Baftjarit, ashtu edhe shtëpia e prindërve të tij kërcënoheshin se do të prisheshin për t`u ndërtuar një pallat gjigand. Banorët e kësaj lagjie kishin protestuar dhe bashkë me të edhe nëna e tij. Ai të gjitha këto i kishte parë me sytë e vet dhe banorët i kishte dëgjuar të ia qanin hallin dhe ai u kishte premtuar se do t`i ndihmonte. Shkak ishte mungesa e dokumentacionit të pronësisë që vërtetohej nga hipoteka. Në fillim gjahtarët e zot lëshojnë zagarët pas gjurmëve të presë, kurse vetë rrinë gati në pritë me armë në dorë.

Një formë veshi ju duk sikur ishte mbi tavolinë dhe po i qeshte me paturpësi, Arseni fërkoi ballin. Mesa duket puna e tepërt e kishte rraskapitur jashtë mase. Ai kishte nevojë që të bënte një dush dhe të paktën të flinte nja katër orë që të fitonte energji.

“Ndoshta është më mirë që të bëj një shëtitje” tha me vete.

Në fushën e betejës mund të mbesin disa prova që mund t`i dallosh me lehtësi. Një kopsë e këputur, nj pikë gjaku nga hunda që ka ngrënë një grusht, gjurmët e palexueshme që le këmba mbi bar…Nëpër shtëpi nuk kishte njeri tjetër, dhe probaliteti për të gjetur diçka për një farë kohe ishte shumë i lartë.

- Mirë, le të shkojmë atëherë - tha ai duke u ngritur nga karrigia. - Për mua asnjë informacion nuk është i tepërt.

Arseni, me këto mendime në kokë u drejtua me hap të shpejtë drejt derës, zbriti shkallët pothuajse me vrap për të shqyrtuar vendin ku ishte ndeshur.

“Nuk ka as një pikë gjak, s`ka mbetur asnjë gjurmë…Çfarë mund të jetë e gjithë kjo?” Ai me kujdes në një vend vuri një drejtkëndësh prej letre i madh sa një pasaportë. Ajo letër në formë drejtkëndshi që ai vuri ishte një nga ato fletët me ngjyra që lajmëronin për një ndeshje sportive ose për hapjen e ndonjë klubi të ri. Ky lajmërim ishte për ditën e nesërme.

- Interesant…

Ai, nuk ishte aq i ri dhe naiv sa të besonte çdo gjë me sy mbyllur se ndoshta do ta ndihmomte fati. Në këtë hyrje jetonin vetëm dy njerëz, ai dhe komshiu pensionist. Përveç djemëve që atij i zunë pritë dhe e sulmuan për ta masakruar, nuk kishte tjetër kush ta hidhte këtë biletë që të ftonte për ditën e nesërme.

Ai e kqyri me kujdes vendin ku ishte ndeshur me horrat që i kishin zënë pritë afër shtëpisë, dhe e kuptoi se problemi nuk ishte thjeshtë një problem privat i vogël i një avokati. Në rrethana të tilla që të mbrosh veten nuk është më një mundësi. Nuk është për t`u çuditur që romakët e lashtë thoshnin: “Nëse ti je avokati i vetvetes, klienti yt është një budalla”.

0 comments:

Post a Comment