Wednesday, May 12, 2021

Prend BUZHALA: ATDHEU KA NEVOJË PËR TË ÇMENDUR

 



(Çast antilirik), 4

Kur njerëzit dalin jashtë shtëpive
krijojnë një mjedis të rrezikshëm
që paqja mes tyre
të prishet e shprishet sa më shumë
Në agim, kur lexon a dëgjon mediat
Fjalinë e Parë do ta kenë
për rrezikun e sëmundjes e të politikës
për ta shtuar dozën e shqetësimit
për t'i konsumuar dozat e kërcënimit
Ti je ajo lënda e parë
për burimin e tyre të parave
Lexo e dëgjo
si E Mira shpallet çmenduri
e njerëzit e mirë shpallen qenie jonormale
diçka që e prish tregtinë e lëndës së parë.
Ruana Zot nga të mirët, thonë,
ata sjellin vetëm varfëri, mjerim, pezullim,
sjellin amulli, aty ku jeta nuk ndjehet e gjallë,
aty ku njeriu rri i fjetur, ecën si somnambul,
ku mendimi përjeton asfiksi.
Prandaj: rroftë çmenduria krejtësisht normale!
Atdheut i duhen sidomos Njerëzit e Çmendur!
E ç'na duhen njerëzit e mirë, domethënë jonormalë?
Rrofshin sëmundjet!
E ç'do të bënin doktorët pa këtë lëndë të parë
që quhet Njeri i Sëmurë,
pa epidemitë, epilepsitë
pa dhimbjet e kokës, pa neurozat e lehta e të rënda
a pa sëmundjet e kancerit?
Të shkretët njerëz të mirë,
nuk e dinë se atëherë policinë e vënë në pikë të hallit:
kur s'ka më dosje për kriminelë,
as përbindësha për t'i ndjekur
nëpër skutat më të padukshme,
shurdhohen edhe mediat e debatet televizive.
Ruana Zot nga gjendja e tillë e shurdhët!
Kur njerëzit nuk kanë vesh
problemi qëndron tek ata që dëgjojnë:
e si nuk e kuptojnë atë botë shurdhësie?
Cila shqisë iu mungon që as e shohin
e as e dallojnë Botën e Shurdhër?

E të metat e mendjes së vet nuk i shohin!
Rroftë Bota e Shurdhër!
Ajo na bën të shohim më kthjellët!
Sa herë Njeriu i Mirë e ngre zërin
turmat nuk kanë vesh ta dëgjojnë!
Të Mirët flasin Fjalë të Pakuptimta
që nuk i duhen tregut, biznesit a skandalit.
Rrofshin Fjalët e Pakuptimta!
Rrofshin kriminelët
që nuk prodhojnë krizë pune,
krimi qenka ajo lënda e parë e punësimit
që punëson detektivë, spiunë a gazetarë hafije
që shpërndahen nëpër rrugë me kamera e videopërcjellës
për ta gjahtuar jetën private të njeriut.
Përsëri në skenë dalin Të Çmendurit!
Ata nuk kanë nevojë të përcillen nga askush,
ata vetë e prodhojnë çmendurinë
këtë levë lëvizëse të historisë:
do të mungonin universitetet e të drejtës penale,
avokatët, gjykatësit dhe prokurorët,
nenet e kushtetutave dhe ato të neneve të gjakut,
pa ta as shteti, as kombi as njerëzia,
nuk marrin frymë!
(Rishkrime, 11 maj 2020)

0 comments:

Post a Comment