Wednesday, May 12, 2021

Prend BUZHALA: Çast antilirik 3


MËSIMET E VËSHTIRA TË NJË PRINDI TË ZHGËNYJER
PËR TË BIRIN, PAS PLAGOSJES PËR VDEKJE


Së pari u dëgjuan krismat në drejtim të veturës,
pastaj qytetari brenda plagoset rëndë.
Djali i tij humbi toruan, s'kishte si ta ndihmonte.
Në ato çaste, prindi po ia jepte të birit
mësimet testamentare për jetë:
1.
Posa të zgjohesh në mëngjes, dije,
të pret vetëm fatkeqësia,
duhet të merresh me punën më të pistë
për të mbijetuar.
E para e punës, mos ji i ndershëm.
Hiqu nderit, pash të madhin Zot!
Hiqu Fjalës së urtë! Kush ia ka pa hairin!
Ashtu, biri im! Tash e ke në rregull:
ti i kupton Ligjet e Tregut, çka kërkon bosi yt,
për t'i shërbyer bosit tënd, punëdhënësit a shefit.
Kur të shkosh në Serbi:
atje të pret gazda i dikurshëm,
në xhepin tim të këmishës i ke adresat,
numrat e telefonave dhe të hoteleve
emrat e tyre dhe emrat e rrugëve.
Atje do ta kesh për detyrë
cilat armë fshehtas i shet në tregun e zi
e cilët artikuj për konsum të gjerë,
cilat targa t'i përdorësh nëpër sa e sa shtete,
si t'i ndërrosh veturat, trenat, automjetet
dhe njëqind mjeshtri e dreqni tjera për të pasur sukses.
Mos harro pra:
atje të ndihmojnë kumbarët tanë të mirë.
Kur të shkosh në Shqipëri,
do të gjesh miq të zhdërvjelltë
që t'i mësojnë zejet e mashtrimit me pasaporta,
bëhesh shtetas dhe atdhetar me pasaportë shteti
për të lëvizur lirisht
veç mos i ngatërro emrat e ndryshëm,
një për Serbi, një për Shqipëri e një për Evropë,
sidomos këtë për Turqi, sepse këtu të duhet të shkosh
për t'iu shërbyer bosëve tanë
që t'ua dërgosh paratë
në bankat që askush nuk i kontrollon.
Në Shqipëri do të gjesh sa të duash miq
që t'i mësojnë labirintet e shitjes së drogës
dhe vrasjet me porosi,
mos u bëj i ndjeshëm për to,
kryeje punën ashtu i qetë, qetësisht, pa zhurmë,
dhe largohesh sikur kurrë kurrgjë s'ka ndodhur,
mos lejo kurrfarë dëshmie afër vetes,
punë e madhe pse derdhet gjaku,
me atë punë le të ushqehen mediat, politika dhe policia,
s'është puna jote të shqetësohesh për to.
A po sheh se tash mua këtu kush po më rrethon?
Ku janë miqtë?
Çfarë miqsh ka, pash të madhin Zot?!
Në Itali mësoji përmendësh
emrat e hoteleve, rrugëve dhe shtëpive publike,
të duhen për t'i vënë kontaktet
me zonjat e rënda që shesin trupa femrash,
sidomos kryeje mirë detyrën me gomone
dhe mësoje mirë zejen e lirimit
nga rrethimet policore-ushtarake.
2.
Ndërsa prindi po jepte shpirt, i mbuluar me gjak,
djali e mbuloi me batanije,
policia e merr kufomën dhe e dërgon në spiral
për analiza të mjekësisë ligjore.
Ndërkohë, në restorantin përballë
dëgjon lajmet për vrasje,
dhe për rritjen e produktit
e të mirëqenies sociale.
Iu duk se po e hante ditën dhe diellin
në vend të drekës.
Se po pinte sirenat e autoambulancës
në vend të një birre të ftohtë.
S'kishte më asgjë për të humbur.
Rrugëve të parajsës po vraponte vetura
me trupin e pajetë të babait.
Rrugët e parajsës u hapën edhe për të birin.
(11 maj 2021)

0 comments:

Post a Comment