Tuesday, June 1, 2021

PERLA POETIKE NGA ROBERT BËRNS

 


Tibi, përshëndetjen tënde,

S`ia fale kurrë atij,

Që lindi nga të mjerat vende,

Dhe s`pati pasuri.

 

Ti dje në rrugë si sorkadhe,

Mezi më pe nga larg,

Por përshëndetja mendjemadhe,

Për mua s`vlen aspak!

 

Ti ndofta kokën fukarasë,

Kërkon t`ia lësh pa mënd,

Me tingëllimin e parasë,

Që fsheh në xhepin tënd!

 

Por merre vesh ti, zonjë e marrë,

Ta them e nuk ta fal:

Ky tingull s`vlen vetëm për zuzarë,

Për mua shkon në djall!

 

Më mirë gjer në palcë e deje,

Të kisha varfëri,

Sesa të mposhtesha prej teje,

Të skuqesha nga ti!

 

Sipas mendimit tënd të gjorë,

Një djalë i zgjuar trim,

Po s`pati qesen plot në dorë,

Shkon jetën pa kuptim!

 

Sipas zakonit tënd të trashë,

Për një njeri ti qan,

Që prej parasë bëhet kafshë,

Dhe trutë e kafshës mban!

 

Pohoj i çiltër dhe pa smirë:

Ti s`meriton një grosh!

Një gjë në jetë ke veç të mirë:

Veç qesen di ta mbrosh!

 

E njoh në fshatin tim një vashëz,

Që bluza s`i ndriçon:

Atë s`e shes edhe po të më japësh

Shtëpinë e një million!...

 

KËNGËZ PËR BURRIN PLAK

Sikur të shtriheshe në varr,

O ti plakushi im gërnjar,

Më vinte vrap për ngushëllim

Petriti im, dashnori im.


Kam gjashtë vezë në tigan,

Tigani gjashtë vezë i mban:

Për vete dy, për ty veç një

Dhe tri të tjerat për atë…


Një kokë dashi në kusi,

Kusinë e mban çengeli i zi:

Për mua lëng, për trimin mish,

Për burrin brirët sigurisht!

0 comments:

Post a Comment