Thursday, February 25, 2021

Prend BUZHALA: JETA SI LOJË DHE EKZISTENCË


(Çaste eseistike: me poezinë "Fati" të Ali Podrimjes)

Ka disa vepra që trajtojnë temën ekzistencialiste, dmth vepra që trajtojnë probleme të ekzistencës njerëzore. Në jetën e tij njeriu ka frikë nga fati që e ndjek apo frika për pasigurinë e nesërme. Hasim njerëz të vetmuar, të lënë në stihinë e fatit; ata njerëz fatzi janë të goditur nga jeta për shkak të vuajtjeve të pafund; dhe jeta e tyre përfundon tragjikisht. Pasiguria dhe ankthi ndërlidhen me problemet ekzistenciale, kurse personazhi është ai që e kërkon kuptimin e jetës. Për ta njohur më mirë këtë domethënie të jetës dhe të ekzistencës së tij, gjithsesi që në shtigjet e tij jetësore personazhi has në pengesa e vështirësi të shumta, mu si ata heronjtë e përrallave që kapërcejnë pengesa të paimagjinueshme dhe në fund gjithçka përfundon me një fund të gëzuar a hepiend.
1.
Ndryshe nga shkrimi përrallor, çështjet ekzistenciale të një vepre shpesh ngrihen në shkallë të përgjithshme, nacionale, siç janë, bie fjala, veprat poetike të Ali Podrimjes. Te vepra e tij poetike "Fund i gëzuar" (1988), gjendet edhe poezia "Fati", e shkruar dhe e botuar diku më 1980, që paralajmëronte furinë ekzistenciale kundër një kombi:
FATI
Ai që humb në fushëbetejë
Kur ti luan
me vetveten
është shenjë e mirë
do të thotë ti ekziston
Ai që të ndjek vazhdimisht
të ther e të vret
kur ti udhëton në jetë
është shenjë e mirë
do të thotë ti megjithatë ekziston
Ai që nuk të dëgjon
as nuk të sheh
kur ti kapërcen flakëzezën
është shenjë e keqe
do të thotë ti ke humbur lojën
Sikur gjithçka i ngjet një loje përrallore dhe e tërë jeta e një protagonisti përfaqësues (një Ti është vete përfaqësuese, që i drejtohet secilit prej nesh), e ku gjithçka rrudhet te kjo ekzistencë, te ky fast krejtësisht i zhveshur. Pothuajse kufizon me fatalizmin. E mira përfundon te përpjekja për ta kapërcyer këtë fat të keq, këtë hapësirë ekzistenciale të ngushtuar fatalisht. Pothuajse i tërë vëllimi "Fund i gëzuat" përshkohet nga përqendrimi poetik tek problemet etike-morale të njeriut modern, te analitika e botës shpirtërore të njeriut, te drama metafizike e këtij njeriu. Më tutje jepen kërkimet për çështjet e njeriut përballë amshimit, pamundësia për të komunikuare me botën jashtë njeriut, dhe, sidomos, tjetërsimi shoqëror e individual. Për deri sa proza do të gjurmojë ndjesinë e fajit, pendimit, mëkatit, frikës dhe shqetësimeve të brendshme psikike; lirika hedh dritë te margjinalizimi i njeriut si qenie shoqërore, ndërsa bota përreth shfaqet aq armiqësore:
Ai që të ndjek vazhdimisht
të ther e të vret
kur ti udhëton në jetë
është shenjë e mirë
do të thotë ti megjithatë ekziston
2.
Dhe, për deri sa romanet shtrojnë shumë pyetje ekzistenciale, që nga proza e e viteve '30 (Spasse: "Pse?!", Anton Harapi: "Valë mbi valë" apo tregimet e Migjenit, Ernest Koliqit etj); do të vijnë romanet moderne, moderniste e deri te këto postmoderne, që e përdorin si procedim letrar defabulizimin e ngjarjes dhe shkruhet si roman situatash e jo ngjarjesh. Përqendrimi ndalet te këto situata të brendshme psikologjike, te analitika artistike e gjendjes së tillë të brendshme meditative e shpirtërore, kurse personazhet përfaqësojnë ide më shumës e tipizime a shtresa sociale a nacionale, dhe kur romani ligjëron në veten e parë, atëherë personazhi shfaq autoanalizën, autokomentimin, përgjithësisht situatën e vet ekzistenciale.
Më tutje edhe poetët arrijnë të shtrojnë probleme raportesh mes historisë dhe ekzistencës, mes realitetit dhe artit. Aty do të shfaqen e shqiptohen edhe marrëdhëniet mes gjuhës dhe jetës.
Ai që humb në fushëbetejë
Kur ti luan
me vetveten
është shenjë e mirë
do të thotë ti ekziston
Jeta kuptohet si mbijetesë, pra si ekzistencë dhe si lojë tragjike. Ajo shndërrohet në marionetë të atij që i ka në duar fijet e sundimit, me mashtrimin, skllavërimin, shtrembërimin e të vërtetës përmes mediave, kontrollin e mendjes. Kurse Ali Podrimja na shkon në përputhje me mendimin e Victoria Aveyard; "Rreziku është pjesë e lojës."
3.
Te kjo lojë folësi lirik kërkon mençurinë dhe aty ai u zbulon njohjet e vetvetes, kufijtë deri ku arrin mendja e ekzistenca e tij fizike e shpirtërore. Është fat që së paku njeriu është edhe lojtar në këtë fushëbetejë, pra, është vetvetja. Ti, po e zotërove atë lojë, do ta krijosh lojën tënde. Domethënë: do ta krijosh kohën tënde për ta mposhtur një regjim totalitar, një shtypje e çfarëdo qoftë mbi qenien e kombit. Je lojëkrijues, realitet-krijues. Je ëndërrkrijues, je mjeshtri.
A është jeta LUFTË apo LOJË?
Njerëzit e urtë (dhe të perëndishëm), thonë se ekziston Loja e Dhënies dhe e Marrjes në jetë.
Këshilltarët spiritualë na thonë: te kjo Lojë, atëherë, ne shohim anën tonë të mirë, le ta fshijmë anën e errët dhe ta përfytyrojmë realizimin e TË MIRËS NË JETË. Nga kjo Lojë po e JAPIM (e dhurojmë) të mirën tek vetvetja dhe TA MARRIM të mirën...
E nëse kjo ekzistencë a kjo mbijetesë hsitorike a sociale, na është një ekuacion me shumë të panjohura, atëherë nuk është çudi spe afti i njeriut është peng i kësaj loje:
Ai që nuk të dëgjon
as nuk të sheh
kur ti kapërcen flakëzezën
është shenjë e keqe
do të thotë ti ke humbur lojën
Për deri sa realiteti e luan lojën e vet, sfida qëndron para teje edhe te këto humbje: loja e prodhuar nga ky realitet sikur e ngërthen inteligjencien e vet të fshehur! Domethënë: në këtë përballje ti je humbësi, humbësi i betejës a i lojës. Është ajo situatë, ku njeriu nuk kënaqet të ,zë vetëm me sporte, apo vetëm me video-lojëra, por edhe me emocionet njerëzore, siç na sugjeron M. Jagadesh Kumar, akademik de autor indas: "Fati është si një lojë, fitimi i saj varet nga performanca juaj... Nëse po e luani ndeshjen pa plagë, nuk po e luani ndeshjen, por po e shikoni ndeshjen. Nëse po e luan lojën me plagë, nuk po e luan lojën, po e zotëron lojën".
Shkrimtarët duan të na thonë se sa të ketë jetë njerëzore, do të ketë edhe lojë të jetës, lojë me jetën e mbi jetën. Rregullat t'i dikton dikush tjetër, po qe se vetë nuk arrin t'i krijosh ato!
E po, jeta është e tillë: edhe kur qeshim a kur qajmë, edhe kur humbim apo kur fitojmë.
Kryesorja, të mbahesh mend për luftën e mirë dhe lojën e mirë. Se a bëhet kjo për dashuri apo për ekzistencë, për folësin lirik të poezisë nuk ka fort rëndësi: të dyja e kanë pikësynimin më të lartë. Pas humbjes ti rimbushesh. Merr frymë. Vjen një proces ritranformimi e proces besimi.
Atëherë, ti fitoje jetën dhe lojën tënde me të; ajo thur aq mahnitshëm përjetime, ngjarje...
(24 shkurt 2021)

0 comments:

Post a Comment