Monday, October 24, 2022

Kujtim STOJKU: MARENGLEN KASMI DHE LIBRI I TIJ: “MARRËDHËNIET SHQIPTARE - GJERMANE”

 


Ne kemi nevojë për historinë, por nevoja jonë për të është e ndryshme nga ajo e një përtaci të përkëdhelur në kopshtin e dijes. […] Kjo është ajo që ne na duhet në jetë sepse na mëson se si duhet të veprojmë…

Fridrih Niçe

Libri i Marenglen Kasmit “Marrëdhëniet Shqiptaro - Gjermane në shek e XX - të”, botohet në një kohë kur shumë koka janë të nxehta për çështjet e historisë. Mirëpo profesori Marenglen Kasmi me një vullnet të çeliktë, për rreth shtatë vjet hulumton në arkivat gjermane duke i dhënë lexuesit një vepër dinjitoze historike larg këtyre kokave të nxehta që gjoja bëjnë sikur shkruajnë historinë, por më tepër ato përhapin mjegullnajë se sa hedhin dritë mbi ngjarjet politike të kohës. Këtë mjegullnajë e shpërndan Marenglen Kasmi duke sjellë para lexuesit fakte, prova dhe dëshmi të nxjerra nga arkivat gjermane që për herë të parë shohin dritën e botimit. Historia në fund të fundit është një shkencë e cila do përkushtim  për të zbuluar të vërtetën. Ajo si një shkencë humane në kërkimin e saj shkencor thotë gjithmonë të vërtetën duke u bazuar në dokumenta, ngjarje që janë zhvilluar, pasqyron veprimtarinë e personazheve të ndryshme të kohës që nuk është e lehtë t`i vërtetosh. Por, pikërisht këtu dallon edhe puna shkencore e historianit sepse historia nuk mund të bëhet eksperiment laborotorik si në shkencat ekzakte.

Para viteve 90 historigrafia shqiptare e shihte në një këndvështrim tjetër politikën nacionalsocialiste të Rajhut të Tretë, dhe në këtë libër na vjen një këndvështrim tjetër në aspektin historik.

Në historinë e para viteve 90, brezi im ka mësuar se Bismarku është shprehur se “Shqipëria është një nocion gjeografik”, gjë e cila sipas dokumentave në arkivat gjermane një gjë e tillë nuk është e vërtetë, por shprehja e tij është “Who is Europe”: “Qui parle Europe a tort. – notion geographique”.

Profesori, në punën e tij shkencore na jep një shikim tërsor të politikës nacionalsocialiste gjermane për vitet 1933 -1939 për tërë Europën e cila konsiderohet si një vazhdim i politikës së jashtme të republikës së Vajmarit. (f - 41)

Në libër jepet edhe një analizë historike shkencore se pse kjo politikë pas vitit 1933 u përpoq më tepër të ishte një levë ekonomike e përdorur në mënyrë konstituive, dhe jo këto territore të zotroheshin përmes ekspansionit të dhunshëm ushtarak... Megjithatë, është po kjo periudhë që Gjermania ndërhyn me sukses në Europën Juglindore.

Që kur u caktuan kufijtë e Shqipërisë, Gjermania dërgoi përfaqësuesin e saj Julius Winckel pranë KNK-së sepse kishte parë që KNK - ja po i tejkalonte kompetencat.

Më pas ngjarjet historike do të zhvilloheshin me shpejtësi derisa për formimin e shtetit Shqiptar do të caktohej Princ Vidi, një princ gjerman që për klasën politike gjermane ishte dyshues ku nuk munguan nga deputetë gjerman kritikat e ashpra.

Por në këtë vepër historike jepen detaje të panjohura për këtë periudhë të historisë, si dhe njëkohësisht dalin në dritë figura historike shqiptare që bëjnë të pamundurën që ta pengojnë  Princ Vidin në punën e tij, të cilët punojnë kundër ngritjes së shtetit Shqiptar dhe pa brejtien më të vogël të ndërgjegjes këta njerëz të paskrupullt shesin gjithçka dhe i shërbejnë çdo kujt për të realizuar ambiciet e tyre. Për këta lloj njerëzish kombi nuk është asgjë tjetër vetëm se një allishverish ku mund të luash me paturpësinë më të madhe për të realizuar qëllimet e tua.

Mbledhja dhë rënditja e fakteve në këtë libër natyrisht që kanë të bëjnë me punën e historianit si shkencëtar. Historiani e di shumë mirë se në detyrën që i ka vënë vetes nuk e ka të lehtë, por vështërsitë me punën këmbëngulse tejkalohen. Ai bazohet vetëm mbi fakte dhe dokumenta të shkruara nga ku edhe vepra historike tashmë që është në dorë të lexuesit flet si një dëshmi për kohën kur janë zhvilluar ngjarjet. Marenglen Kasmi në punën e tij shkencore e sheh historinë si term që kombinon ontologjiken me atë epistemologjike për aq sa i referohet të kaluarës dhe paraqitjeve tona të së shkuarës. Duke qenë se ne kemi akses në të kaluarën vetëm përmes paraqitjeve të saj, metodologjia historiografike ngjall domosdoshmërisht pyetje të adresuara nga filozofia e historisë. Pyetje të tilla kanë të bëjnë me natyrën e përkohshmërisë historike, e shoqëruar në mënyrë thelbësore me disa nocione të drejtimit të mundshëm të historisë dhe të temës së duhur të shkrimit të historisë. Këto nga ana e tyre përcaktojnë se si një historian e koncepton raportin midis të tashmes dhe të shkuarës, kuptimin e mundshëm të historisë njerëzore, mundësinë e objektivitetit dhe rolin e interpretimit të ngjarjeve përmes fakteve të mbledhura.

Në libër, autori si historian na ka dhënë ngjarje nga jeta e personazheve të kohës që lexuesin e lënë me gojë hapur. Historiani na sjellë krejt të gjallë një fragment bisede të Dom Nikollë Kaçorrit dhe Esat Pashës. Dom Nikolla i thotë Esatit:

“Nëse do të kisha fuqinë përkatëse, unë do të çoja në litar tre shqiptarë: Ismail Qemalin, Prenk Bibë Dodën, dhe të tretin…Ekselencën tuaj”. Esat Pasha qeshi dhe iu përgjigj Dom Kaçorrit: Për dy të parët jam dakord me ty, sepse nuk do të ishte një humbje e madhe, për më tepër që ata po u afrohen të tetëdhjetave, por ki mëshirë për mua, sepse jam akoma i ri”. Më pas Esati u ngrit dhe duke u larguar i hodhi Dom Kaçorrit një shikim tallës, si për t`i thënë që të vazhdonte të krijonte iluzione, sepse, që të varësh dikë, duhet së pari ta bësh zap atë”. (f - 70)

Historia është rrëfim. Nga një rrëmujë e plotë vjen rënditja e ngjarjeve sipas kohës që janë zhvilluar. Ne kërkojmë të kuptojmë të kaluarën duke përcaktuar dhe renditur “faktet”; dhe nga këto rrëfime shpresojmë të shpjegojmë vendimet dhe proceset që formojnë ekzistencën tonë. Ndoshta ne madje mund të nxjerrim modele dhe mësime për të udhëhequr por kurrë për të përcaktuar, dhe kjo mund të jetë një nga përgjigjet tona ndaj sfidave me të cilat përballemi sot. Historia është studimi i njerëzve, veprimeve, vendimeve, ndërveprimeve dhe sjelljeve. Është një temë kaq bindëse, sepse e paraqet temën e gjendjes njerëzore ashtu siç ka qenë e cila gjatë gjithë kohës ka në epiqendër të saj: pushtetin, dobësinë, korrupsionin, tragjedinë, triumfin ... Askund këto tema nuk janë më të qarta sa në historinë politike, sepse është pjesa më kryesore e fushës së studimit shkencor të saj, dhe që është më kuptimplotë nga një mori qasjesh për studimin e historisë. Megjithatë, historia politike ka rënë nga moda dhe më pas ka rënë edhe nga reputacioni, e demonizuar gabimisht si bajate dhe e parëndësishme. Rezultati ka qenë gërryerja e ndjeshme e dobisë së renditjes, shpjegimit dhe nxjerrja së mësimeve nga e kaluara.

Qëllimi kryesor i historisë është të qëndrojë në qendër të debatit të larmishëm, tolerant, intelektualisht rigoroz për ekzistencën tonë: sistemet tona politike, udhëheqja, shoqëria, ekonomia dhe kultura. Ky libër qëndron në një nivel të tillë, megjithatë, debati i hapur dhe i lirë si në shumë fusha të jetës  mungon shumë shpesh dhe nuk është e vështirë të gjesh shkakun e kësaj intolerance.

Figura e Esat Pashës është një nga figurat më të zeza në historinë shqiptare…sepse ai mbante lidhje të fshehta me grekët, serbët, malazezët dhe turqit (f- 91)

Po ashtu një fakt tjetër që na sjell profesori është ai i formimit të PKSH e cila vërtetohet saktë se formohet me përkrahjen e Jugosllavëve (f-179).

Por njëkohësisht na del qartë edhe figura e Enver Hoxhës gjatë kësaj periudhe sipas dokumentave arkivore të publikuara tashmë në këtë libër.

Data e largimit të ushtrisë gjermane nga Shqipëria sipas burimeve arkivore gjermane është 29 Nëntori i vitit 1944. Për të tjerat çfarë është shkruar dhe diskutuar si në televizion dhe shtypin e shkruar, ky argument merr një përgjigje të qartë dhe të prerë nga arkivat gjermane që na e sjell në këtë libër historik Marenglen Kasmi.

Tema e historisë së luftës është një nga temat më të nxehta sot, por autori në këtë libër historik e thotë fjalën shkencore për këtë qëndresë heroike të popullit shqiptar që u ngrit me armë në dorë për çlirimin e vendit. Sipas dokumentave që gjenden në arkivat gjermane del në dritë veprimtaria bashkëpunuese me pushtuesin e Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e liderëve të tij. Hedhja dritë mbi këto ngjarje të rëndësishme të luftës e bën shkrimin e historisë një mjet të fuqishëm të ngjarjeve të zhvilluara; sepse tashmë ajo ka formuar identitet, veçanërisht në nivel kombëtar. Nuk mund të ketë diskutim me ato që bashkëpunuan me okupatorin dhe me ata që e luftuan me armë në dorë. Kur një vend pushtohet nga një ushtri e armatosur deri më dhëmbë nuk ka se si quhet ndryshe vetëm si pushtuese, dhe ata që bashkëpunojnë me të janë bashkëpunëtorë dhe s`mund t`i ndash nga ata. Kurse ata që luftojnë me armë në dorë për t`u çliruar nga pushtuesi quhen luftëtarë të lirisë. Për më tepër, ajo u jep atyre që kontrollojnë narrativën dhe aftësinë për të legjitimuar ose diskredituar veprime, ngjarje dhe individë në të tashmen. Megjithatë, të rendisësh historinë dhe ta dërgosh atë në betejë thjeshtë për t'i shërbyer nevojave të së tashmes është keqpërdorim dhe abuzimi më i  madh që mund t`i bësh asaj. Historia nuk duhet të jetë kurrë një armë në zemër të luftërave kulturore. Mjerisht, edhe një herë, ajo është  përdorur në mënyrë të ngathët nga ata që qëllimisht kërkojnë të imponojnë një agjendë të qartë ideologjike. Historia po bëhet shërbëtore e politikave identitare dhe e vetëflijimit. Kjo vetëm promovon kuptime të dobëta, njëdimensionale të së kaluarës dhe zvogëlon vazhdimisht dobinë e studimeve historike. Historia qëndron në një udhëkryq; e cila duhet të refuzojë të ndjekë trendin e kohës. Për këtë ky libër flet qartë.

Çdo studim i hulumtuar dhe i argumentuar mirë i çdo aspekti të së shkuarës llogaritet për mua si histori. Unë kam një preferencë për historianët që hetojnë "pse" dhe "si", por, në përgjithësi, mendoj se qëllimi i tyre duhet të jetë sa më i gjerë dhe sa më universal që të jetë e mundur.

Sot shfaqet qartazi ideja më shumë me ndjeshmëritë tona bashkëkohore sesa ato të kritikëve të saj, të cilët mbetën të lidhur me idenë e një historiani objektiv të papenguar nga të gjitha supozimet aktuale. Në të kundërt, historia shihet si një disiplinë thelbësore për zgjidhjen e problemeve. Për historianët që i kanë vënë vetes detyrë që të merren me shkencën e historisë së pari, duhet të heqin dorë nga iluzioni se ata mund të qëndrojnë disi jashtë botës në të cilën jetojnë. Ata në fakt duhet të përqafojnë faktin se studimi i së kaluarës mund të orientohet në nevojat e së tashmes.

Mund të shihet menjëherë se nga një argument të tillë sot tërhiqesh. Në një botë akademike ku shkencat humane janë nën një presion më të madh për të justifikuar rëndësinë e tyre kurrë më shumë se më parë, studimi i “të kaluarës për hir të së shkuarës” nuk e dëmton atë. Por nuk mendoj se kjo është e gjithë historia. Përkundrazi, ndjej se magjepsja e qëndrueshme reflekton diçka shumë më thelbësore në mënyrën se si ne e shohim marrëdhënien midis së kaluarës dhe së tashmes. Për shembull, ne jemi me siguri më pak të prirur se brezat e mëparshëm për të kërkuar dikotomi të ngurta midis "historisë" nga njëra anë dhe "kujtesës" ose "trashëgimisë" nga ana tjetër. Për më tepër, ne jemi më demokratikë në atë se kujt t`i besojmë se i përket historia, dhe për këtë natyrisht që shtrohen pyetje të tilla se: cilin ajo përfshin në të kaluarën dhe kush në të tashmen mund të përfitojë prej saj?

Secili historian duhet ta shohë marrëdhënien midis së shkuarës dhe së tashmes ndryshe. Dhe nëse ai arrin ta bëjë këtë atëherë do të ishte një arritja e madhe sepse do të identifikonte tensionet e kësaj marrëdhënieje si motorin e vetë e kësaj disipline shkencore.

Një mënyrë për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje është të pyesim veten për çfarë dhe për kë janë historitë? Një pikënisje e zakonshme mund të jetë se historitë janë të dobishme për të na treguar se si arritëm “këtu”. Histori të tilla mund të marrin formën e tregimeve të origjinës, të tregimeve relativisht lineare dhe ndoshta si arritëm t'i organizonim shoqëritë dhe sistemet tona politike në mënyrat që kemi tani, për shembull, ose, siç thotë thënia apokrife, një seri e mësimeve nga të cilat duhet të mësoni për të shmangur poshtërimin e përsëritjes.

Një kuptim i tillë i historisë fsheh brenda vetes një mundësi më emocionuese dhe të mbushur me - edhe pse jo domosdoshmërisht antitetike. Ashtu siç mund të shikojmë nga e kaluara për të kuptuar më mirë mënyrat e panumërta, të ndërlikuara në të cilat bota jonë e tanishme erdhi në ekzistencë, historianët gjithashtu mund t'i vendosin vetes detyrën e ndriçimit të botëve të parealizuara dhe të ngjarjeve të tjera të panjohura që mund të kenë ekzistuar. Histori të tilla, në mënyrë kundërintuitive, na ndihmojnë të kuptojmë më mirë kohën tonë ose duke nënvizuar kontingjentin e botës përreth nesh ose, në varësi të këndvështrimit tonë, fuqinë e qëndrueshme të strukturave përgjegjëse për mbylljen e shtigjeve të tjera.

Ky libër historik është me të vërtetë një libër i tillë që meritat i takojnë autorit për punën voluminoze që ka bërë, dhe besoj do t`i kthjellojë disi kokat e nxehta  për personazhet dhe ngjarjet historike duke i bindur përmes fakteve dhe dokumentrave arkivore. 

0 comments:

Post a Comment