Thursday, September 28, 2023

Prend BUZHALA: LOTI I NATËS DHE PSHERËTIMA E HAPËSIRËS


(Tregim paragrafik), 44

Isha në luftë me vetveten: si t'i harmonizoja e si t'i qetësoja dy bishat brenda meje. Në hapësirën e padukshme: në njërën anë qëndronte luani, në tjetrën tigri. Mu desh ta përsos artin e frenimit. Luanit ia hoqa zemrën e trimërisë, kurse tigrit shpirtin e egër. Tashmë, sa herë zemërohem, s'ka më flakë të dikurshme, s'ka më pakënaqësi të vrullshme kundër padrejtësisë, si dikur. Luanin e kanë zënë sëmundjet e kohës dhe s'ka si të kurohet. Është verbuar nga ethet. Është qetësuar plotësisht. Në të vërtetë, janë ethet e zemrës sime. Edhe ana tjetër është shuar pothuajse plotësisht: kur më kapte tërbimi, i hipja në shpinë tigrit, atij tigrit të brendshëm, dhe bëja kërdinë, qoftë në luftë a në paqe. Të dy bishat më qortuan: "Je i lodhur, më asgjë nuk mundesh. Shko në një qoshe. Lëre kohën të dëshmojë për të mirat e të këqijat tua". Në terr, kur ndalem dhe përsiat, shikova edhe njëherë në brendinë time dhe pashë vetëm mburoja, pengesa, gardhiqe, bllokime rreth kështjellave të krenarisë sime, ndalim-qarkullime të vetvetes... Nata po lotonte. Hapësira përreth meje po psherëtinte.
(27 shtator 2023)

0 comments:

Post a Comment