Sunday, September 13, 2020

Mujë Bucpapaj: Kritika e recencave të fshehta për përmbajtjen e të cilave nuk duhet ta merrte vesh shkrimtari

PARTIA NË ROLIN E KRITIKËS LETRARE , KRITIKA ZYRTARE SI POLICI E LETRAVE
 (vijon nga numri i kaluar)

 b).Kritika e recensuesve zyrtarë, të cilët sipas rregullave të kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa komunikuar me autorët vetë. Kritika e recensuesve të fshehta për përmbajtjen e kritikës së recensuesve të fshehtë, nuk merrte vesh shkrimtari. Kritika e fshehtë e recensuesve dihej qysh atëherë se ekzistonte, por poetët nuk e dinin se cilit prej këtyre recenzentëve mund t’i kishte rënë në dorë libri yt. Sipas akademik Shaban Sinanit: “Kritika e zyrave është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave shtetërore e partiake, për të ushtruar, veç kontrollit të ligjshëm dhe një formë tjetër kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë si të përcaktojë qëndrimin e saj ndaj subjektit.” Një grup i recenzentëve të përhershëm që aktivizonte shtëpia botuese “Naim Frashëri” njiheshin me emra për esktremizmin skematik të tyre dhe shkrimtarët luteshin që dorëshkrimet të mos u shkonin atyre në dorë, pasi refuzimi ishte i paralajmëruar. Kjo praktikë kishte qenë torturuese për shumicën e poetëve dhe shkrimtarëve të talentuar, që me sa duket nuk e praktikonin aq qartë, apo akoma më keq e anashkalonin parimin leninist që letërsia të ishte për punëtorët, të pasqyronte jetën e tyre dhe më kryesorja “të kuptohej prej tyre.” Çështja e kuptimit prej tyre ishte pika ku shkrimtarët dhe sidomos poetët nuk e kalonin dot nëpër materialet kritike të recensentëve. Pas presionit të plenumit të katërt, ku vetë udhëheqja e lartë mori rolin e kritikës letrare, ndeshim fenomenin e thjeshtëzimit të poezisë dhe rënien e saj deri në kufijtë e slloganeve politike, apo siç thotë prof. Agim Vinca të “poezisë-pllakat”, aq sa shumica e poetëve të shquar të kohës, përfshirë edhe ata më të goditurit, poetët e brezit të viteve 1970, preferuan heshtjen ose heqjen dorë përkohësisht nga botimet, aq sa pati rënë në sy edhe të udhëheqjes partiake. Kritika e recensentëve edhe pse kryhej fshehurazi apo pa dijeninë e autorit, funksiononte menjëherë pas dorëzimit të dorëshkrimit në shtëpinë botuese. Sipas një portokolli rutinë pas mbërritjes së dorëshkrimit redaktori ua niste atë dy apo tre recesentëve. Kur autori njihej për prirje formaliste, apo problemore, siç quheshin atëherë ata poetë që kishin braktisur stilin e poezisë tradicionale të vargut të rregullt dhe me rimë, apo që përdornin vargun e lirë dhe metaforën e ekzagjeruar, dorëshkrimi u jepej edhe tre recensentëve të ndryshëm, biles pa patur dijeni për njëri-tjetrin. Në rolin e recensentit zgjidheshin përgjithësisht kritikë, studiues dhe njohës të letërsisë, por preferoheshin ata me natyrë strikte dhe dogamatike që ishin afër qëndrimeve politike dhe për fat të keq, të motivuar për t’i kthyer librat e mirë. Këta recensentë që paguheshin me honorare nga institucioni për çdo recencë të sjellë në redaksi, duke qenë anonimë kishin prirje për të nxirë librat e autorëve të mirë. Për shembull pas plenumit të katërt të KQ kjo lloj kritike pati marrë zhvillim dhe ishte tashmë një mënyrë e mirë për të rritur vigjilencën revolucionare dhe frymën partiake. Pas kësaj praktike, autorëve u thuhej nga redaktori përgjegjës se libri i ishte kthyer nga recensentët, të cilët i kishin propozuar redaksisë që autori do të duhej ta ripunonte librin. Zakonisht jepeshin detaje për ato poezi që ishin sipas tyre problematike, me figuracion të dyshimtë, me tendeca të huaja, aludime te gabuara, apo me manjera formaliste. Ajo që u rekomandohej në çdo rast poetëve, nga recensentët, ishte plotësimi i librit me poezi, siç thuhej atëherë të natyrës tematike, ku të dilte qartë partishmëria, lufta e klasave, zhvillimi revolucionar i vendit me aksionet, luftën e klasave dhe luftën kundër shfaqjeve të huaja, me luftën kundër armiqve të jashtëm, imperializmit dhe revizionizmit, jetën në rrethim, mbështetjen në forcat e veta deri tek tema e luftës nacionalçlirimtare që duhet të ishte e pranishme edhe në fund të viteve 1980. Ata që ishin më me fat, përgjigja e redaksisë u vinte pas një viti, ndërsa të tjerave nuk u vinte fare njoftimi dhe duhet të interesoheshe vetë pranë shtëpisë botuese. Pas kthimit të parë fillonte kalvari i komunikimit të vështirë me redaksinë e cila kishte kriterin e partishmërisë kryesor në vlerësimin e librit apo edhe ndëshkimin në mosbotim të tij. Procesit të kthimit të librit për arsye të ndryshme i nënshtroheshin thuajse të gjithë shkrimtarët, disa për dobësi dhe të tjerë për arsye të daljes jashtë kornizave të realizmit socialist. Për shembull librat më të mirë të Ismail Kadaresë rezulton të jenë kthyer nga recensentët dhe redaksia nga një dhe dy herë me radhë. Njëri prej poetëve të brezit të viteve 1970 që mund të konsiderohet si viktimë e politikës së recensentëve tendencioz është edhe Sadik Bejko. Siç thotë Bejko në një intervistë për një gazetë të Tiranës, libri i tij me poezi qëndroi në sirtarët e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për më shumë se pesë vjet. Ai kujton se libri i është rikthyer disa herë gjatë viteve 1967-1972, me pretendimin se recensentët e paemër e kishin refuzuar atë për gabime ideore, hermetizëm dhe frymë jo partizane. Në këto recenca autorit i rekomandohej që të ripunonte një dyzinë poezish përfshirë edhe poezi si ”Rrënjët, “Lumi” etj, të cilat edhe sot qëndrojnë si poezi të bukura, me frymë universale dhe shpirt human, pa ngarkesa ideologjike të kohës dhe sllogane politike. Por pikërisht për këtë arsye këto lloj poezish dënoheshin me mosbotim nga recensentët. Fakti që mendimet me shkrim të rencensentëve nuk merreshin vesh nga autori, u jepte atyre dorë të lirë ta operonin librin deri në sakatim, po i vrarë ndërgjegjja për masakrën që po kryenin ndaj shpirtit të lirë të një poeti. Nga kjo praktikë e recensentëve të fshehtë e pësoi edhe poeti Skëndër Buçpapaj, një tjetër emër i njohur i brezit të viteve 1970. Libri i tij qëndroi për gati dhjetë vjet në sirtarët e shtëpisë botuese Naim Frashëri, ose në kalvarin e kthimeve dhe ripunimeve deri sa doli i sakatuar më 1986. Në të gjitha rastet, përveç hezitimeve të redaksisë kishin rol edhe recensentët që e kishin bllokuar. Biles njëri prej tyre kishte rekomonduar përveç të tjerave edhe ndërrimin e titullit të dorëshkimit “Metaforë e blertë”, me justifikimin se ç’është kjo metaforë e blerë, pse nuk është e kuqe apo një tjetër të pëlqyeshme nga partia. Tashmë edhe metafora ishte shpallur me karakter klasor, të dyshimtë pasi sipas tyre ishte një element që mishëronte poezinë hermetike dekadente. Në fakt Skënderi nuk pranoi ndryshimin e titullit dhe as propozimin e tyre për një titull tjetër, kështu që libri doli më 1986 pa titull fare, duke qënë një precedent i paparë në historinë kësaj shtëpia botuese shtetërore, pasi ishte vetëm libri i radhës i poetit, jo një kolanë e zgjedhur që bëhej për autorë me krijimtari të gjatë. Poeti tjetër i këtij brezi Xhevahir Spahiu sistematikisht rezulton të ketë qenë preh e recencave tendencioze të cilat ia kanë vonuar dhe kthyer disa herë dorëshkrimet. Biles në një rast poeti shkoi dhe e tërhoqi dorëshkrimin pasi disa nga poezitë e përfshira në vëllim dhe të botuara më parë në shtypin letrar ishin kritikuar publikisht nga udhëheqja e lartë partiake. Pas dënimit të parë të poetit Xhevahir Spahiu dhe fjalimit të Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në janar 1973, librat e tij do t’u nënshtroheshin shqyrtimeve të imtësishme dhe recensimeve të kujdesshme nga dy apo tre recensentë të përzgjedhur për prirjet e tyre konservatore. Ndërsa e drejta e botimit i rikthehej përkohësisht pas plenumit të katërt, Spahiu do të gjendej pafundësisht në furinë e kritikëve letrarë, redaktorëve dhe recensentëve vigjilentë dhe dorëfshehtë. Në fund të fundit edhe recensentët edhe kritika e tyre ideologjike, pasioni i tyre i çuditshëm për të bërë keq, për të ndalur apo kërcënuar me mjetet që regjimi kishte në dorë, ishte shprehje shoqërisë së kazermës, brenda një sistemi të komanduar ku kontrolli i letërsisë dhe arteve, vetë censura ndaj tyre, rezulton të kenë qënë shprehje e dobësisë së sistemit totalitar dhe jo e fuqisë së tij, siç pretendonte ai. C). KRITIKA E STRUKTURAVE TË POSAÇME TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE Poetët dhe shkrimtarët e talentuar vunë veten në rrezik për atë pak liri shprehje që kishte mbetur në shoqërinë totalitare shqiptare, siç mund të ishte krijimtaria, duke qenë një raport i tyre idividual me lirinë, për këtë shkak edhe rezultonte tërë kohën nën vëzhgimin e strukturave të regjimit përfshirë edhe ato partiake. Vetëm frymëzimi letrar dhe artistik kishte mbetur mistik dhe i pakontrolluar nga zyrat e kritikës ideologjike, por i gjykuar prej saj në çdo fjalë dhe shprehje tjetër artistike të mundshme në muzikë, artet figurative etj. Liria krijuese në socializëm i kishte të gjitha kundërshtitë dhe masat shtypëse ndaj saj, përfshirë edhe ato parandaluese dhe kontrolluese që u ngritën me kalimin e viteve pranë partisë në nivel qëndror dhe po ashtu edhe nëpër rrethe, për t’u perfeksionuar pas viteve 1973 e në vijim. Njerëzve të këtyre strukturave u ishte besuar kritika ndaj çdo vepre të dyshimtë dhe për më tej, kontrolli në tërësi i zbatimit të vijës idelogjike të partisë në letërsi dhe arte. “ Kritika e strukturave të posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas, ato të administratës partiake të ngarkuara për zbatimin e vijës së partisë në arte, letërsi dhe kulturë, si të thuash funksionalisht kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e mundshme të çdo botimi etj.” Këta njerëz që zgjidheshin për të punuar në këto struktura partiake, zakonisht gjendeshin nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve, të jetës akademike universitare dhe në raste të veçanta edhe nga radhët e atyre që kishin bërë karrierë në publicistikë. Këta njerëz kishin mundësi që të lexonin shtypin e huaj, të njiheshin me librat e rinj të spektrit të letërsisë dhe kulturës që botoheshin jashtë vendit, përfshirë edhe vendet perëndimore. Kjo u jepte njëfarë përparësie në intepretimin e fenomeneve letrare në perëndim apo në lindjen komuniste dhe njëkohësisht t’u servirnin udhëheqësve të lartë komunist teza të gatshme kundër çdo sprove letrare në vend. Këto struktura ishin si ndërmejtëse mes partisë në qendër, pra KQ dhe institucioneve të letërsisë, kulturës dhe arteve në nivel kombëtar, përfshirë shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave dhe revistave të spektrit të kulturës dhe njëkohësisht, ato ndiqnin me zell implementimin e vijës së partisë në këto institucione deri në bazë. Shkrimtari Ismail Kadare rezulton të ketë qënë shkrimtari më i përndjekur nga këto struktura, pasi romanet e tij nga “Dimri i vetmisë së madhe” deri tek “Koncert në fund të dimrit” u janë nënshtruar raporteve të imta të strukturave pranë administratës së KQ të Partisë Komuniste. Për fat të keq nga shqyrtimi i arkivave rezulton se shumica e tyre hedhin dyshime për aludime të forta të shkrimtarit kundër regjimit totalitar, si dhe për çoroditjen që ky shkrimtar i kishte sjellë edhe vetë realizmit socialist. Pothuajse të gjithë njerëzit që punonin në administratën e kulturës pranë partisë në qendër njiheshin me Kadarenë, biles në raste të ndryshme edhe e përgëzonin atë për librat e rinj, por kur uleshin nëpër zyrat partiake të shkruanin raportet për shefat e tyre i bënin ato të zeza. Hipokrizia njerëzore dhe personale në këtë rast është shumë evidente, por ishte tipike për njeriun e ri socialist, për apartaçikun e partisë që të bënte gjëmën pa ditur se nga të erdhi goditja, vetëm kur libri të bllokohej në shtypshkronja apo kur ai nxirrej nga qarkullimi, atëherë kur nuk kishte asnjë mundësi për t’u mbrojtur. Këtë lloji përshkrimesh nuk kanë qenë të vetmet. Një armatë aparatçikësh nga rrethet, provincat dhe kooperativat nisin sistematikisht kritika amatore, por të qarta në sulmet ndaj shkrimtarit për shmangie të parimeve të realizmit socialist etj. Brezi liberal i poetëve të viteve 1970 është po kështu pjesë e tematikave të zgjedhura të strukturave të kulturës pranë partisë. Për poetin Xhevahir Spahiu janë botuar vitet e fundit shumë raporte të njerëzve të kulturës pranë aparatit të partisë në përpjekje për të interpretuar poezitë e tij të dyshimta e formaliste. Ndaj tij rezulton të jenë angazhuar edhe struktura të hetuesisë pranë ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të implikuar poetin në grupe armiqësore dhe lëvizje estetike që vinin në dyshim realizmin socialist, nën ndikimin e artit dekadent borgjez, pas burgosjes së Fadil Paçramit. Për sa i përket poezisë “Jetë” të Xhevahir Spahiut, ekspertët partiakë pranë KQ, mendoj se ishin të pasaktë duke ia servirur udhëheqjes së lartë si një poezi që shprehte filozofinë ekzistencialiste, apo “nën ndikimin e ekzistencializmit” të bërë të njohur nga shkrimtari dhe filozofi francez J.P. Sartër, moment që do ta trajtoj në kapitullin tjetër. Duke iu rikthyer temës së kritikës së zyrave shtetërore ai shkon edhe më tej në interpretimin tendencioz, biles të rrezikshëm të poezisë moderniste të Spahiut. Në një material sekret të Ministrisë së Brendshme dërguar Komitetit Qendror thuhet se “Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale. -I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “... “Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqitnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu... Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste. ....Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. -Arkivi i Ministrisë së Rendit, Dosja Hetimore Nr. 2370 A e procesit ndaj Fadil Paçramit. Viti 1975-1976. Cituar nga libri “Kadare dhe regjimi komunist, f.419-430) . Partia në qendër përveç të punësuarve të saj në sektorin e kulturës, shtypit dhe edukimit që ishin ekspertë të fushës, aktivizonte edhe sigurimin që të përgjonte shkrimtarët, jetën e tyre të përditshme deri edhe thashethemet që thonin për njëri-tjetrin. Nga ana tjetër partia dhe KQ merrnin informacione nga të dërguarit e zyrave të saj, në të gjitha mbledhjet e rëndësishme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Sipas materialeve arkivore del se njerëzit e tyre kanë informuar me detaje rreth çështjeve të caktuara. Në njërin prej tyre thuhet se “Në konkluzione u tha se poetët më të mirë tanët dhe të huaj, kanë kaluar nga paqartësia drejt qartësisë, ndërsa te disa poetë, sidomos të rinj, vërehet një fenomen i kundërt: ata kaluan nga poezi të qarta në të tjera të errëta (si të tillë u përmendën Fatos Arapi, Ndoc Gjetja, Moikom Zeqo, të cilët tani që ecin drejt pjekurisë janë bërë më hermetikë e të pakuptueshëm). Teskti e sqaron udhëheqjen me detaje dhe kompetencë profesionale se si këta poetë kanë rënë nën ndikimin e “Antropomorfizmit” “ku gjithçka merr formë njeriu e animizimi i sendeve vend e pa vend, gjithashtu ndikon për keq dhe errëson përmbajtjen. “Për ilustrim jepen shembuj nga poezia “Lidhja ime me natyrën” e Rudolf Markut, por edhe shembuj të tjertë nga poezitë e Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj. Informacioni nuk lë pa përmendur edhe një polemikë të Ismail Kadaresë i cili siç thotë ky material e ka quajtur kritikun Razi Brahimi “njeri që mban qëndrim policor ndaj letërsisë”. Në një tjetër informacion kritik që sektori i edukimit i KQ i PPSH-së, i drejtonte KQ të kësaj partie me temë: Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, i nisur në vitin 1973 bëhet me dije për ndikime të huaja në letërsi dhe arte, përmendet emri i poetit të ri Moikom Zeqos dhe cikleve të tij, krahas Xhevahir Spahiut dhe Faslli Halitit. Sipas këtij raportit: “Në prozë dhe në dramaturgji i kemi pasur dje shembujt e njohur dhe që i kemi dënuar me kohë, të ndikimeve të huaja, dhe po aty kemi recedivet e reja, si drama e M. Jeors ”Njollat e murrme”, filmi i V. Gjikës ”Yjet e netëve të gjata”, novela e S. Godos “Fushata”, të cilat duhet tani t’u shtojmë, krahas tregimit të I. Kadaresë “Provokacioni” apo dramës së F. Paçramit” Çështja e inxhinier Saimirit”, edhe ndonjë poemë si “Dielli dhe rrëkerat” e F. Halitit, dhe “Shkëlqimi” i V. Qurkut, vjersha si “Jetë” e Xh. Spahiut, ciklet hermetike të Fatos Arapit, M. Zeqos, e ndonjë tjetër”. Poeti Moikom rezulton të ketë qenë i vëzhguar qysh në gjimnaz në Durrës dhe fakultet, për shkak të miqësisë që kishte patur me shkrimtarin Bilal Xhaferri, ish i persekutuar politik, i arratisur jashtë vendit në vitin 1969. Zyra e partisë në Durrës, në një relacion të Sekretarit të Parë të Komitetit të KP të Partisë Durrës, Rita Marko dërguar sekretarit të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia i nisur më 21 maj 1969, në përdorim “sekret”, jepet informacion me detaje për jetën e Moikomit qysh në gjimnaz. Letra informonte KQ për të zbuluar lidhjet armiqësore të Bilal Xhaferrit dhe natyrisht për të marrë leje për të vepruar. Në letër thuhet: “Moikom Zeqo nga Durrësi, student i vitit të parë të USHT, kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve, shok shumë i ngushtë me Bilalin, në një artikull të botuar në gazetën tonë lokale shfaqet me rezerva të mëdha në lidhje me romanin “Dasma”. Siç ka pohuar vetë, pak ditë para mbledhjes së diskutimit të romanit, ka lexuar faqet e para të diskutimit të Bilalit, flitet se po Moikomi e ka lajmëruar edhe për mbledhjen. Dyshojmë se dijeni më të plotë për përgatitjen e Bilalit të diskutimit kanë pasur edhe Adriatik Kallulli, e Bedri Myftari, me punë në Tiranë, por që janë shokë të ngushtë të këtij. Në Durrës shoqëri të ngushtë ka pasur edhe me Namik Manen, për të cilin kemi folur më lart dhe që është i pakënaqur nga ndalimi i botimit të poezive të tij. Është shoqëruar edhe me Met Gjergjin, arsimtar dhe anëtar i rrethit letrar të cilit gjithashtu i është pushkatuar babai nga partizanët.” Për Xhevahir Spahiun sigurimi i shtetit i ka dërguar KQ të partisë edhe një provë tjetër që u kishte rënë në dorë kundër poetit. Siç thuhet “Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”, duke vijuar se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…” Shkresa sekrete është firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977. Por poeti Xh. Spahiu gjykohet edhe në parti. Në mbledhjen e organizuar “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e vitit 1977 poetit i bëhet një gjyq i rëndë politik, ku partia në rolin e kritikut letrar, e kualifikon poezinë e tij si të ndikuar nga filozofia e Sartrit. Xhevahiri gjykohet edhe “si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.” Kritika në adresë të KQ të partisë, kundër Xhevahir Spahiut vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe një letër sekrete e firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977. Në të thuhet se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj. ( Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto. Ndërkohë që vetëm disa ditë pasi del në qarkullim revista “Nëntori” kreu i shtetit Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, në mesin e disa “direktivave për artin dhe letërsinë” do të merrej personalisht me këtë vjershë të Spahiut. Hoxha mes të tjerave u shpreh se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”

0 comments:

Post a Comment