Saturday, February 6, 2021

Kujtim STOJKU: PUSHTETI

 

                                                   Tregim

Artur Guri sapo kishte marrë postin e ri ministror. Tashmë në krye të kësaj ministrie shihej një fytyrë e re, që me thënë të drejtën sa ia dëgjuan emrin dhe e panë në televizion, shumë u shprehën pesimistë, kurse një pjesë tjetër tundnin kokat duke thënë, “Se ai nuk është për atë vend.”

Megjithëse ai ishte një figurë e re që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se do të bëhej një ditë deputet, dhe më pas do të merrte një nga postet kyç në qeverinë e re, atë të ministrit. Epo njerzëve u çlodhej syri në ekranet e televizioneve kur shihnin një fytyrë të re dhe nuk nxitonin që të ndronin stacionin si herët e tjera kur shihnin të njëjtat figura duke tjerrur papushim një frazeologji boshe sa i bënte telekshikuesit që të ndërronin kanalin e televizorit. E pra, përveç rrëmujës së përhershme të fjalëve nuk kishim asgjë të veçantë. Gjysmën e parë të vitit, mnistri i ri, themi i ri sepse edhe nga mosha ishte mbi të tridhjetat, i kaloi me një axhendë të ngjeshur veprimtarish në ministri dhe në dikasteret që vareshin prej saj. 

Gjithë ky aktivitet intensiv pasqyrohej nga të gjitha ekranet televizive ku publiku për herë të parë filloi që të shihte tek ai shenjat e simptomës nevrastenike. Por, më pas edhe ai filloi që të jepte ndryshimet e para. Gjëja e parë që bëri sapo mori këtë titull të lartë shtetror, porositi një qen të rracës “Sharpei”. Pas kësaj, ai ndryshoi edhe mënyrën e të fjeturit. Arturi nuk flinte më në krevat si të gjithë njerzit e tjerë, por filloi që të flinte në një gotë me ujë. Këto ishin dy të reja që ai po fuste në shtëpinë e tij pas marrjes së pozicionit si titullar i lartë në ministrinë X. Idetë për të sjellë diçka të re i kishte pasur që më parë dhe tani ai po i bënte realitet. Kot nuk thonë se duhet të kesh fat që në një moshë kaq të re të ngjitesh në majat më të larta të pushtetit duhej me patjetër që të kishe lindur me këmishë, dhe ai me thënë të drejtën kishte lindur me këmishë, kështu i kishin thënë.

 Tashmë, ministrit të ri koka i ishte mbushur me lloj - lloj fantazish. Të gjitha këto mendime përshkonin trurin e tij deri sa e zinte gjumi brenda gotës së ujit, dhe shihte ëndrra që nuk kishte qef që të zgjohej asnjëherë. P.sh, njëherë pa në ëndërr sikur ishte duke notuar në një lumë me ujë të kaltër. Notonte e notonte me gëzim dhe nuk ndjente lodhje kurrë. Përzihej me shkulmat dhe zhytej në thellësi të ujit të kulluar dhe më pas dilte në sipërfaqe. Tek notonte, ai erdhi ngadalë duke u transformuar në peshk. Mirëpo për habinë e tij uji i lumit erdhi dhe u turbullua dhe sytë nuk po shihnin më qartë. Ndodhte që kur binin shira me rrëmbim, uji i zallit turbullohej dhe peshqit dilnin afër bregut për të notuar duke mos parë qartë. Për ata që e njihnin shumë mirë këtë fenomen të natyrës, e zinin shumë lehtë peshkun vetëm me disa kosha të thjeshtë thurur me dega shelgu duke i zhytur në ujin e turbullt, dhe peshqit me aq tru sa kishin, duke menduar se po shpëtonin nga ajo hata që i kishte gjetur, përfundonin në kosh. 

Hapte dhe mbyllte qepallat për të qartësuar shikimin dhe për të dalluar bregun, por, bregu i dukej se ishte shumë larg, ngandonjëherë i bëhej sikur i afrohej dhe ai s’kishte më fuqi që të dilte matanë në breg. Lumi sapo vinte dhe po fryhej vazhdimisht duke sjellë me vete trungje, degë e shumë të tjera. Kur ai përpiqej që t`i shmangte këto, herë duke u zhytur në ujrat e turbullta të tij herë duke u përpalsur me trungje dhe pemë që ishin shkulur nga prurjet e këtij lumi të çakërdisur, papritur përqafe iu var një gjarpër i madh.

 Ai lëshoi një britmë të madhe e cila humbi në oshëtimën e zallit që u zhduk grykave dhe luginave. I mbuluar plot me djersë, rrotullohej sa në njërin krah në tjetrin, dhe përmes këtyre thirrjeve të mbytura u zgjua. Kur u zgjua, ai pa se uji në të cilin kishte fjetur në gotë kishte marrë ngjyrë të zezë dhe i dukej sikur ishte në një gjol të zi. Ai, me thënë të drejtën sa binte në gjumë brenda gotës së ujit, uji fillonte nga pak që të merrte ngjyrë të errët derisa kur zgjohej në mëngjes ishte bërë krejt i zi. Ai u deh nga sytë, dhe shikoi me kujdes në gotë. Uji ishte shumë i zi. Zemra e tij filloi të rrahë me shpejtësi kraharorin.

 Në këtë moment qeni i tij që flinte tek dera u zgjua. Pastaj shkoi në tualet dhe filloi që të bënte tualetin e mëngjesit. Shkumoi fytyrën me pastë të shtrenjtë dhe filloi që të rruhej. Akoma ishte gjithë ankth nga gjumi i natës me ato ëndrra të përbindshme që kishte parë. Por meqë ishte kohë pranvere dhe gjithçka po bleronte, ai mendonte me vete se në këtë stinë ëndrrat nuk dalin. Këtë ai e kishte dëgjuar nga gjyshja, dhe i erdhi mirë që këto ëndrra ishin parë në këtë stinë të mrekullueshme. Banjoja kishte një hapsirë tre me tre m. Ajo ishte mjaft e bollshme dhe ishte e paisur me të gjitha aksesorët e saj. Dera prej duralumini ishte me ngjyrë dushku, dhe pas saj ishte vendosur një pasqyrë e madhe me përmasat e derës. Anash ajo kishte një kornizë prej druri të arrës e punuar me kujdes nga një mjeshtër i punimit të drurit.

 Pasi mbaroi tualetin e mëngjesit dhe po mbaronte së fshiri kokën me peshqir me push të butë, qëndroi para pasqyrës. Për çudinë e tij e ai pa një qen të madh leshator që kishte nxjerrë gjuhën dhe atij iu duke se e përqeshte. Fytyra e tij u transformua përnjëherë në një fytyrë qeni. Ai filloi të ndjejë të pështirë për veten e tij, dhe për çudi kjo po i ndodhte pikërisht për herë të parë pasi ai kishte marrë detyrën dhe postin më të lartë shtetëror. Mbylli dhe hapi sytë, por, qepallat iu dukën shumë të rënda dhe tek po i hapte dhe i mbyllte ato iu dukën se kërcisnin si trina gardhi.

 Ai pa se pasqyra kishte filluar të vishej nga pak me avull, dhe se konturet e tij të transformimit në qen po i shihte në mënyrë të turbullt. Megjithatë ai pa përsëri atë fytyrë qeni që tashmë kishte hapur gojën dhe i dukeshin ato dhëmbët e mprehtë. U kthye me vrull nga para pasqyrës që të dilte në sallon, kur për habinë e tij u përplas me qenin i cili qëndronte i ulur në bisht pas tij. Ai e shikoi njëherë të zotin me vështrimin e të kthjellët për të kuptuar nëse i kishte megjithë mend atë goditje që mori padashur nga këmba e tij, i cili në të njëjtën kohë lëshoi edhe një angullimë mbytëse. Pastaj ai kaloi përmes hollit të bollshëm të mobiluar me kolltukë të veshur me lëkurë ngjyrë pana, dhe u fut drejt e në dhomën e gjumit. U afrua tek dritarja dhe filloi që të shikonte tej përmes xhamit të dritares i zhytur në mendime të thella. 

Befas ai u shtang nga çfarë po i shihnin sytë. Përmes xhamit të dritares, ku rrezet e diellit krijonin reflekse shumë ngjyrshe, më shumë dominonte ngjyra prej ari, dhe ai pa para fytyrës së tij diçka të madhe dhe e zezë që qëlloi me një armë tip pistoletë  e cila lëshoi një oshëtimë të madhe, dhe pastaj kjo menjëherë fluturoi jashtë nga dritarja. Ai u mundua që të dallonte më mirë nga pas xhamit, por frymëmarrjet e shpeshta e kishin veshur xhamin me avull dhe ai atëherë hapi me rrëmbim kanatat e dritares. Puhiza e ajrit të freskët të mëngjesit i gudulisi fytyrën dhe iu duk se vështrimi ishte më i qartë e më i kthjellët, kur për çudi ai pa se ishte qeni i tij ai që fluturoi jashtë i cili ikte si shigjetë, ndaloi në çatinë e shtëpisë së vilës përballë e dukej tamam si një sorrë.

 Artur Guri, u ul dhe u mbështet mbi dy duart dhe filloi që të ulërijë. Ulëritjet e tij ngjanin me angullimat e qenit që ndjen erën e ujkut i cili i sillet vardallë dhe kërkon ta presë në fyt. Kjo ulëritje tërhoqi vëmendjen e truprojës që ishte me shërbim në korridor, i cili, të gjitha këto i dëgjoi me kujdes për disa sekonda duke ngjitur veshin pas derës së jashtme të hyrjes së ministrit. Pasi u mendua për disa çaste, hapi derën dhe hyri brenda. Ky ishte zoti Pehlivan i cili ishte gorilla e tij, i cili menjëherë sapo hyri në dhomën e shefit të tij instiktivisht pyeti:

- Çfarë po të ndodh? - E pyeti menjëherë Pelivan Cjapi, - mos jeni gjë i sëmurë?

Artur Guri u qetësua dhe fërkoi me dy duart sytë e tij. Pelihvan Cjapi ia kishte ngulur vështrimin gotës që qëndronte mbi tryezë dhe nuk po ia ndante.

- Çfarë keni futur këtu? - E pyeti ai.

- Unë nuk e di, - u përgjigj Artur Guri.

Pehlivan Cjapi u zhduk menjëherë. Qeni fluturoi përsëri përmes dritares dhe u ul në vendin e tij dhe ia këputi gjumit. Artur Guri shkoi tek tavolina dhe mori gotën që të pinte ujin e zi dhe shpirti i tij u bë i kulluar…




0 comments:

Post a Comment