Monday, October 17, 2022

Çaste lirike nga Prend BUZHALA


E PËRSE E BUKURA TË NGJALL TRISHTIM
(Çaste lirike me pak fjalë)
Thua: kur e shoh një lule të rrallë
e më humb nga pamja përgjithmonë,
apo këngën e magjishme më kurrë nuk e dëgjoj,
atëherë ulem në breg të lumit,
dhe kundroj madhështinë e veprave të Hyjit.
E përse e bukura të ngjall trishtim?
Ndien dhimbje kur sheh një lule,
kur dëgjon një këngë bilbili?
-------------------------------------
TRISHTIMI I PLUHURIT
E di që gjithçka një ditë merr fund
dhe shndërrohet në pluhur.
E si ta dashurosh pluhurin?
Është iluzioni për madhështinë e dheut të imtë
që më lëndon e më shkakton ankth.
E ndiej veten të humbur nën qiellin e pafund.
Dhe le të ngrihen nga era
ato thërrmija të shkrifëta prej guri.
Ti bëju erë që ledhaton pas-botën.

PIKAT E DASHURISË
Kur i vështron pikat e shiut
ti thua: te ato ka vetëm dashuri,
ka ritëm kënge e jete,
ndonjëherë ato ngjanë në pikëllim.
Fshihe pas perdes së shiut
pikëllimin.
___________________________________
PËRQAFIMI LULES ME SHKËMBIN
Çka ndodhi kështu me erën?
na i mori shikimet
dhe na i dërgoi në cingona të errëta,
na i mori këngët
dhe na i dërgoi te dy zogj në degë,
na i mori përqafimet
dhe i dërgoi te përqafimi i lules me shkëmbin.
____________________________________
KUR TI S’JE ATY
Kjo pasqyrë
ka një të krisur në mes,
ana e saj e majtë e ruan kohën që shkon
e më nuk vjen,
në anën na e çara e djathtë
gjendet koha që vjen.
E tashmja mungon,
sepse ti s’je aty.

1. DËSHTIMI
ndodh që të dështosh ta mbrosh njeriun,
sidomos kur gjendet para pushkatimit,
siç dështon një rreze dielli të ndriçojë errësirën.
I rrëzuari për tokë je ti vetë.
Kur rend pafundësisht nga dështimi në dështim,
në këso çastesh ngrihu i lavdishëm:
ngrihu atëherë kur je i përmbysur ,
siç përmbyset një lis i lartë,
siç shembet e shkatërrohet një shtëpi.
Dhe tek atëherë e di se kush je.
-----------------------------------
2. E VËSHTIRA
Do të ndjesh shumë mundime
të ecësh të njëjtës rrugë,
andej kah ecën të dëbuarit nga ti
në kohën më të vështirë,
dhe ndjen pendime
edhe kur rrëzohesh hundë e buzë,
atëherë ti je ai që e di
se çka të bën njeri të lirë.
-----------------------------------
3. SALVIM
E ke provuar edhe një salvim,
kur ke dëgjuar pa asnjë njeri pranë,
siç dëgjon ylli i vetmuar yllin në skajin e universit,
siç e dëgjon dita natën që nuk e sheh,
siç e ndien vetminë e njerëzimit
të humbur në gjithnajën e paanë.

0 comments:

Post a Comment