Saturday, October 22, 2022

TRUPI “NENUJOR” I AJSBERGUT Shqipëruar nga poezitë origjinale nga Grigor JOVANI


NIKOS ENGONOPULOS
(21 tetor 1907 - 31 tetor 1985)
- homazh për ditëlindjen... -
“Koha ndikon mbi formën.
Është e domosdoshme që artisti të jetë i kohës së tij”.
ENGONOPULOS
(1963)
Sa më shumë e njoh, aq më tepër e dua këtë Njeri. Krijuesin e jashtëzakonshëm. Këtë mbrujtës original të Artit. Këtë eseist të guximshëm, që injoron të gjitha klishetë.
Ishte kaq shumë gjëra bashkë. Poet, eseist, piktor, skenograf, pedagog. Gjithshka kishte dhe ka të bëjë me artin, i referohet patjetër edhe atij. Padyshim është njëri nga përfaqësuesit më origjinalë të brezit të viteve 30-të në artet dhe letërsinë greke, kur u krye një farë minirevolucion estetik dhe ideor në to. Gjithmonë i prirur kah e reja, u bë shprehësi kryesor i rrymës tejrealiste greke të kohës. Sikur të mos e ngopnin të gjitha këto, vepra e tij përfshin akoma përkthime, kritikë letrare dhe artistike, studime dhe përqasje të jashtëzakonshme artistike, ku, natyrisht, shkëlqeu papërsëritshëm.
Vërtet, Greqia letrare dhe artistike nuk është vetëm Elitis dhe Seferis, as të jashtëzakonshmit përtej Nobelit, Kavafis dhe Ricos. Ata janë maja e dukshme e ajsbergut, që lundron ujërave të botës. Deti i plotë dhe i madhërishëm është poshtë...
(G. J. - Athinë, 22 tetor, 2022

KARAJFILAT E SHQIPERISE

… e hëngrëm barutin me grushta
në malet e egra dhe
rrëpirat
e Shqipërisë
dhe përtypëm
koromanen,
ajo që i përshtatet
artistit,
poetit.
I vetmi ngushëllim,
lulet:
ishin karajfilat…
o zot, ca karajfila!

ANIJA E PYLLIT

E di që
po të kisha
për veshje
një frak
me ngjyrë jeshile të hapur,
me lule të kuqe të mëdha e të errëta,
nëse në vend të pelerinës
së padukshme
që më shërben edhe për kokën
kisha një pllakë katrore
sapuni të gjelbërt,
që të mbështetet
butë
njëri cep i saj
përmidis dy supeve të mia,
nëqoftëse ishte e mundur
të zëvendësoja
eshtrat e shenjta
të zërit tim
me dashurinë që ka
një melodi metafizike
për ombrelat e zeza të shiut,
mbase atëhere,
vetëm atëhere
do të mund të shprehja
ëndrrat fluturake
të gëzimit,
që pashë një herë
kur isha fëmijë
brënda syve rrumbullakë
të zogjve.

HYMN LAVDIE
PER GRATE QE DASHUROJME
[…]
janë gratë që dashurojmë pyje
çdo pemë e tyre një mesazh pasioni
sikur në brendësi të këtyre pyjeve
të na gënjejnë hapat
dhe të humbim
atëhere është
saktësisht
kur gjejmë veteveten
edhe rrojmë
dhe sa herë dëgjojmë së largu të vijnë borërat
ose dhe kur na sjellin
erërat
muzikën edhe zhurmat
e festës
ose fyejt e rrezikut
asgjë - natyrisht - nuk mundet më që të na trembë
gjer dhe të dendurat gjethnaja
doemos na mbrojnë
përgjersa gratë që dashurojmë janë pyje.

BOLIVAR (1944)
(fragmente)
Bolivar, gjersa të vije ishte errësirë,
tek rafshinat tani përhapen përkëdhelitë e zjarrit
[....]
Je çlirimtari i Amerikës së Jugut.
Por vetëm një gjë është bërë e njohur:
që unë jam yt bir.
Bolivar, nuk je ëndërr, je e vërteta.
Je i bukur edhe si grek.
Dhe nëse humbi, nëse humbet ndonjëherë një Bolivar, që
u shfaq si Apollon në qiejtë,
si diell i ndritshëm perëndoi, mes një lavdie të papërshkruar,
pas malesh të bekuara të të Atikës dhe Moresë.
NUK DUA TE VDES

Gjithmonë dashuroja
- gjithë pasion -
çdo shprehje të jetës
dhe nuk më interesonte
vdekja.
Tani që më le të pushoj
pranë dritës së bukur
të syve të tu
dashuroj akoma më shumë jetën
dhe nuk do të desha të vdisja më
kurrë.

0 comments:

Post a Comment