Friday, May 19, 2023

Grigor JOVANI: NJE LLOJ VDEKJE TJETER

 

(vjersha të hidhëruara, për një botë të vogël)
----------------------------------------------------

BALLO E ÇMENDUR

Lufta nuk ka mbaruar. Akoma varrosen
të vrarët e betejave, kthehen akoma
ushtarët nga betejat,
zhytur në gjak.
Bota mban erë vdekje. Nëpër rrugë
grumbullohen shpresat e të gjallëve
dhe u vihet flakë.
Varen akoma nga degët e pemëve
trutë e hedhura në erë të ushtarëve.
Do t’i mbledhë nata,
si gjithmonë,
në një përparse nëne.
Plumbat kanë shpuar tej për tej
fytyrën e qiellit. Kanë shkatërruar
helmetën e një hëne.
Ca diej të shpëlarë, që u zbardhën
nga tymrat, bien në tokë njeri pas tjetrit,
si gjyle. Formojnë kratere gojë hapura,
gati të përpijnë kureshtarët.
Një gramafon i para luftës, harruar këtu
e mijra vjet, brenda një llogoreje
luan akoma. Fton në ballon e çmendur
të marrët.

TRE KUAJ

I lidhur në litar,
në mes të një arene,
ndërmjet tre kuajsh:
- me ty,
pas teje,
përballë teje -,
mjerrë ata që panë
dhe më dëgjuan!
Tre kuaj...
Më vunë në mes
dhe më dërmuan!
Ç’fat edhe ky!
Të më përgjakësh ballin
me patkonj.
Të më gjakosësh trurin
me sofizma.
Dhe të më dhëmb ky shpirt!
Përsipër
një arene cirku.
Duke parë hallin tim,
asnjë prej jush,
nuk iku.

NJE LLOJ VDEKJE TJETER

Nganjëherë,
më ngjan vetja i shurdhët,
sikur luhet brenda meje e mungët
një tragjedi e lashtë.
Atëhere ndodh thagma: çlirohet
një tel nga harpa e gjoksit,
nota shpërthen jashtë.
Cicërima zogu apo britje bretkoce,
s’di ç’është...
Ndërsa bie muzgu dëgjohet e qara
e një lloj vdekjeje tjetër
dhe them: Erdhi! Kjo është!
Zhytur në jerm,
në fund të një gjoli të ndenjur,
dëgjoj zëra të huaj.
Me to s’është i imi.
Fluturojnë përreth djaj të shëmtuar,
ka qiell gri me re,
nuk agon
dhe mungon perëndimi.

FESTE NE DET

U mbush deti papritur anije të vogla,
blu, të verdha, të kuqe
dhe të gjithë vaporët e mbytur, si
leshterikë nëpër brigje,
dolën në sipërfaqe,
me kapitenët e tyre të gjallë
dhe me nostromët,
duke tymosur çibukët prej bambuje,
duke zgjatur përpara fytyrës
ca dylbira të gjata,
ndërsa sirenat
përshëndesin gëzueshëm anijet e vogla
shumëngjyrëshe,
që janë lodra prej letre
fëmijësh,
stërnipër
të ëndrrrës kaq të lashtë sa bota,
për të çarë dete, për të njohur vende
të pa eksploruar.
Poseidoni,
vetëm një çast zgjati kokën mbi sipërfaqe,
dhe u zhduk papritur.
Qe befasuar!

BOTE E VOGEL

M’u pështirosët! Nuk dua t’ju di
këtej e tutje!
Jeta ime dhe jeta juaj!
Do të mbyllem tek kasollja
atje në pyll,
në breg të detit,
larg jush! Me shpresë
se mbase nuk do të vuaj...
I vetëm. Duke dëgjuar
poetët e vdekur
dhe ndonjë të sotëm,
që ka mbetur njeri...
Po ç’është ky tym,
që më futet
poshtë portës?
Ah,
ma dogjët pyllin,
ma shteruat detin!
Tani, o zot, ku do rri?!

DO TE DESHA…

Do ndaloj për ty të shkruaj vjersha.
Mjaft me aspirinat e hidhura poshtë gjuhës.
“Non grata!” kujtimet .
“Stop!” me to masturbimit.
Edhe ti,
të mos shkruash asnjë vjershë më për mua.
Nuk ia vlen t’i këndosh dështimit.
Do të desha të mos ishim poetë këtej e tutje.
Të shëtisnim anës detit
dhe të mos e deshifronim.
Të na gëzonin vetëm dritat e qytetit,
kinematë verore,
baret anës detit.
Si gjithë njerëzit e tjerë të gëzonim.
Një herë e mirë t’i flaknim fjalët nga supet.
Dhe nëse nuk na ndaheshe ajo e mallkuara,
Poezia,
ta ngjeshnim në mur
dhe ta pushkatonim.
Ja, këtë do desha…
S’e bëjmë dot?
Atëhere, mirë,
vazhdojmë të shkruajmë vjersha.
========================
Athinë, maj 2023

0 comments:

Post a Comment