Friday, May 19, 2023

Kujtim STOJKU: NË ZEMRËN E NATËS

 

Ngandonjëherë ndodh gjatë natës,

Kur ajo drejt dritës rrokulliset duke dhënë shpirt,

Hijet n`mjerim digjen prej flakësh,

Degët përulen duke u tretur n`vetmi.

Duke ndjekur rrezet e hënës që bien mbi pemët,

Ku kukuvajkat dhe zogjtë e natës ulen në majë,

Me pikëllim veten fillojnë e lëpijnë,

Në zemrën e natës që rreh tik - tak.

 

Errësirën ata e mbulojnë me një lutje,

Dhe mbi tokë ata shtrojnë një qilim,

Flakët e furishme për çudi nuk shuhen,

E zemërimi rrëshqet përgjatë lartësisë.

Duke pëshpëritur fryn era por s`qetësohet,

Me ngjyrat e tij agsholi puth malet dhe fushat,

N`bregdetin e zbehtë gjatë natës era fryn me një zë,

Një erë e ftohtë që mbi tokë shiun derdhka,

E perdja e dritës valvitet lehtë - lehtë.

 

Pikërisht n`këtë rrugëtim të gjatë t`natës,

Zambakët n`zall butësisht lëkunden në heshtjen e shurdhët,

Nën velin e fjalëve në hije dalin shkëndija,

Mbi shpinat tona një pluhur na mbulon zhurmueshëm.

Unë për një kohë t`gjatë mbledh tingujt e pikave të shiut,

Që prej qiellit ritmikisht bien papushim,

Kjo këngë melodinë e ka të butë, prandaj oshëtin kaq shumë,

Ajo derdhet nga malet, lulëzon dhe rrënon shkëmbinjtë.

 

Gjithçka ndodh në këtë natë të zezë,

Ku me njëra - tjetrën jeta dhe vdekja kryqëzohen,

Nga fushat trungjet e heshtura thithin gjumin e ëmbël gjith` lezet,

Atje n`mjegull digjen hijet, lastarët e rinj po harbohen,

Nga pikat e shiut gjethet harlisen e marrin jetë.

 

E larë nga vesa e argjendtë nata ka filluar të dridhet,

Shushurijnë shkurret si gjethet në vjeshtë,

Qielli e ka t`zbukuruar qafën me rruaza të ndritshme që shihen,

Tufa zogjash fluturojnë mbi male duke iu gëzuar lirisë së vet,

Yjet flasin vargje, n`mëngjes shkëndijën duke e ndez,

Oh! Më në fund dita pushon, frutat fillojnë e piqen,

E zogjtë gjejnë një tokë të re…


Tiranë 19. 05. 2023

 

0 comments:

Post a Comment