Wednesday, May 10, 2023

Prend BUZHALA: NË DITËN E EVROPËS

 

(A jemi edhe ne komb kulturor evropian)

Evropa e vlerave të lirisë, ka zënë t'ia njohë Kosovës të DREJTËN E LËVIZJES SË LIRË, LIRISË SË LËVIZJES... Sot, kur Kosova Ditën e Evropës e shënon si ditë kremteje, shfaqet dhe përcaktimi ynë si komb evropian e me vlera evropiane.
1.
Por përtej një deklarimi, ka, në thelb, diçka më të thellë. Ka diçka që qëndron përtej Bashkimit Politik, Bashkimit Monetar, Bankar a Bashkimit Financiar Evropian e që është BASHKIMI KULTUROR I EVROPËS. A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Gjeografia e përbashkët, historia e përbashkët, përkatësia në Familjen e Gjuhëve Indoevropiane, përbërës të identitetit evropian- hyjnë edhe si përbërës të identitetit evropian shqiptar.
Kosova është një shoqëri e hibridizuar me ideologji evropiane e orientale, një komb me disa besime e me prirje traditash e zakonesh sipas krahinave, me tradita të forta historike, folklorike e me prirje shpesh për t’i braktisë ato; me prirjen e theksuar INDIVIDUALISTE e me jetën konservatore në bashkësi të gjera familjare; me prirjen për ta organizuar jetën sipas KANUNIT në secilin sistem, regjim a shtet... e gjendur mes Azisë dhe Evropës, në mes botës antike greke e asaj romake dikur, në mes Bizantit e Romës më vonë, në mes krishterimit e islamizmit nën Perandorinë otomane, në mes komunizmit oriental rus dhe demokracisë europerëndimore gjatë shekullit XX... shqiptarët gjithnjë e gjithmonë kanë aspiruar Evropën.
Gjithnjë NË UDHËKRYQ, pa na lejuar të drejtohemi vetë. Pengesat na kanë ardhur nga pushtues sllavë e orientalë e jo nga Perëndimi. Nëse deri dje Perëndimi kishte paragjykimet e veta ndaj nesh (si "mbetje osmane", ashtu si na konsideron ende Turqia), këto po kjo Evropë i përmirësoi me ndërhyrjen e saj në Kosovë, gjatë vitit 1999, duke e sulmuar një Serbi "të krishterë". Porse, nuk është e habitshme, se edhe në jetën politike të pasluftës na shfaqen këto kundërthënie të së kaluarës...
2.
Ky UDHËKRYQ HISTORIK tashmë është pushtuar me Frymën e Lirisë.
Liria përbën qytetërim. Qytetërimi i Lirisë është qytetërim europerëndimor.
Vërtet, Evropa a mund të heqë dorë nga liria, nga CIVILIZIMI I LIRISË, për ta përqafuar një ideologji a besim fetar që nuk e pranon LIRINË, që nuk e pranon Kartën e Lirive dhe Të Drejtave Njerëzore, që e ka përqafuar REGRESIN HISTORIK!? Por e vërteta e ka dialektikën e vet historike: para IDESË SË LIRISË janë bërë dhe bëhen hi e pluhur idetë totalitare të ideologjive a religjioneve që i mohojnë këto vlera të CIVILIZIMIT MODERN.
Te QYTETËRIMI I LIRISË ka tolerancë ndaj besimeve, bindjeve politike a fetare, por ky QYTETËRIM nuk e mohon vetveten për ta vendosur një ideologji totalitare.
Këtë duhet ta kenë të qartë mendjet e ngjeshura me ideologji të tilla.
Liria mbjell në trupin e saj kritikën, kurse ideologjitë totalitare nuk e pranojnë kritikën.
Liria mbron individin, kurse ideologjia totalitare e sakrifikon atë (qoftë edhe fëmijët, duke u hedhur në erë me bomba)...
Liria (VETËDIJA MODERNE) i veçon FORMAT E DIFERENCUARA TË VETËDIJES SHOQËRORE siç janë: POLITIKA, SHKENCA, FILOZOFIA, RELIGJIONI, KULTURA, ARTI dhe ETIKA, kurse ideologjitë totalitare (dhe religjionet totalitare) ato nuk i ndajnë, sepse rolin e shkencës, filozofisë, politikës etj e merr përsipër kushtetuta totalitare që nuk njeh lirinë, ngjashëm siç vepruan ideologjitë totalitare të fashizmit e komunizmit.
Liria ecën e zhvillohet gjithnjë nëpërmes reformimeve, kurse ideologjitë totalitare nuk i pranojnë reformat, ndryshimet, zhvillimet e ndryshimeve...
Liria nuk vë asnjë formë të vetëdijes shoqërore mbi tjetrën (nuk e vë religjionin mbi politikën, shkencën, kulturën, etikën, artin a filozofinë), kurse ideologjitë totalitare religjioze e vënë religjionin mbi shkencën, politikën, kulturën, etikën, artin dhe filozofinë.
QYTETËRIMI I LIRISË është i papajtueshëm me QYTETËRIMIN TOTALITAR (POLITIK, USHTARAK, ABSOLUTIST, RELIGJIOZ etj.), që ka dështuar në arsim, përparim, dije, drejtësi e në fushat tjera të jetës njerëzore, shoqërore e historike.
Liria nuk është hyjnizim i vrasjes e i shfaqjeve të dhunës.
Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Liria dhe Njeriu i Lirë, çlirimi i njeriut nga shumë paragjykime ( dogma e kufizime tjera antinjerëzore) e Njeriu i Çliruar. Prandaj ndodhin dhe miliona e miliona zbulime jo vetëm shkencore...
3.
Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; gjithnjë sipas O. Paterson: ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Kur një kombi (a shteti) i mungon vetëdija (koncepti) për LIRINË, atëherë ajo përdhoset në të gjitha përmasat e saj: në fushën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Më kot hartohen kushtetuta moderne për këto liri, nëse ajo nuk bëhet pjesë e kësaj ndërgjegjeje. Nëse në ndonjë Libër të Shenjtë mungon koncepti LIRI (nënvizon Paterson,- e zëvendësuar me fjalën nënshtrim, rob ndaj Absolutit, Fuqisë Mbinatyrore), kjo nuk do të thotë se këtë mungesë pseudo-hyjnore ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme.
Shtrohet pyetja: meqenëse mund të ketë shtete, jashtë Evropës Perëndimore, që mund të jenë edhe më të pasura a më të zhvilluara (qoftë në Azi, qoftë në Amerikë), atëherë përse shqiptarët kanë dëshirë që më së shumti të zgjedhin (për azilim, për punë e për jetesë), pikërisht Botën Perëndimore?
Askush më shumë se sa Evropa Perëndimore nuk e respekton islamin (jo pse Evropa paska ndërmend t'i brakisë kishat), sepse edhe islami mbrohet me ligje, me ndihmë e përkujdesje, me azilin politik, ekonomik e me solidaritet njerëzor.
Respekti që është model botëror për besimet, është ai shqiptar, i vëllazërisë shqiptare ndërfetare... por kjo vëllazëri nuk nënkupton edhe mohimin e identitetit shqiptar... Ndryshe nga shumë regjime politike në Lindje (ku nuk janë të ndara feja dhe shteti), - në vendet demokratike me sistem demokratik shteti është i ndarë nga feja. Partia politike nuk është as xhami e as kishë, ashtu sikundër as xhamia e as kisha nuk mund t'i zëvendësojnë partinë apo shtetin.
Kjo do t thotë: që duhet të respektohet LIRIA E TJETRIT!
Porse po kjo Evropë duhet ta kapërcejë edhe një paragjykim tjetër: Evropa e vlerave të lirisë, duhet t'ia njohë Kosovës të DREJTËN E LËVIZJES SË LIRË, LIRISË SË LËVIZJES...
(Rishkrime, korrik 2015)

0 comments:

Post a Comment