Wednesday, May 17, 2023

Prend BUZHALA: MOS U MERR ME POLITIKË


(Ripublikim: çast anti-lirik)

Ç't'u ka tekur të merresh me politikë,
Politika s'është për ty, është një thikë,
ti s'di si ta krijosh një fytyrë tjetër që e kënaq publikun,
që di ta shkrijë çelikun,
dhe i do gënjeshtrat e ëmbla, mashtrimin e bukur.
Kjo fytyrë që e ke, nuk bën për publikun,
sepse e thotë të vërtetën,
eh, të shkretën,
e nxjerrin në Pazar të zi
zi e më zi
dhe lozin me të si të ishte kukull.
Mos u merr me politikë,
do ta shohësh se si mediet gërmojnë nëpër zorrët tua,
nëpër të pëgërat tua ata marrin erë,
e njerëzit zënë në thua,
e askush nga era e keqe nuk di të ikë,
janë si qentë që nuk u marrin erë luleve në verë.
Gërmojnë e gërmojnë nëpër pleh,
pale a e gjejnë një kokërr grurë,
he ngrënçin gur,
dhe drita e diamanteve të shpirtit tënd i verbon
e nuk shohin, as ti nuk i sheh,
gërmojnë: ti si ecën e si frymon,
para njëzet vjetësh ku ke qëndruar,
cilën fjalë para lufte e ke thënë,
si ke ecur nëpër diell e nëpër hënë,
dhe cilat mendime në kokë të kanë vluar,
i sheh si pas të pëgërave tua vrapojnë
se nga to ata jetojnë.
Mos u merr me politikë,
Mos u bëj i ligë!
E ti prapë, as nga Beteja Përfundimtare nuk heq dorë,
e ajo s’është asgjë tjetër pos një metaforë
si stoli e lirisë dhe e robërisë.
Ti thua: ekziston kjo betejë,
ekziston Bota e Mrekullisë,
për të shembur gjithçka pa vrarë njeri.
Thua: ekziston Kjo Botë Harmonie,
për mua e për ty,
ku për njeriun nuk ka kafaze, kufizime e zinxhirë,
Botë e Pavdirë.
Ekziston,
ku Evropa do të heqë dorë
nga thurja e kafazeve për njerëz e kombe e lule,
e gjithçka frymon
si rruzullim drite me kurorë,
ku do të lindë një Londër e Re kundër përgjakjes nëpër kufi,
ku s'do të jenë nëpër botë shqipëritë
jo më për t’i copëtuar ujqër e lukuni,
mbasi më nuk kanë se çka të copëtojnë,
as të mohojnë,
ku një Paris i Ri me Versajë të Re
nën qiellin pa re,
do të heqë dorë nga politikat që përgjakin popuj,
pa të përgjakshmen rrëmujë,
ku një Uashington i Ri Ëndrrën Amerikane
do ta bëjë Ëndërr të Kombeve të jetojnë të lira
siç është më e mira.
Kështu ti thua.
e mua
si cytje,
më mbetet vetëm të shtroj pyetje:
e kujt ishte toka përpara që të lindte njerëzimi?
I kujt ishte gëzimi përpara që të lindte mjerimi?
Kush na i dhuroi kufijtë dhe luftërat dhe përleshjet?
E cila mendje i krijoi mosmarrëveshjet?
Na mbeten kujtimet për Atdheun: si e krijuam Pavarësinë,
kush punoi e kush nuk punoi për të,
na mbetet t'i kujtojmë Të Parët tanë,
çka lanë e çka thanë,
në heshtje, pa zë,
ta kujtojmë besimin e fortë që e patëm dje: për lirinë,
ku janë të vdekurit e panumërt dhe pa emra e ç'ëndrra patën,
e si në dilema u përplasën.
Dhe ende Toka e Lirisë na qëndron larg.
Nuk na lejojnë ta shohim.
Ende as nuk e njohim.
Ndoshta na mbetet ta shohim nëpër sytë e fëmijëve tanë.
(Prend Buzhala, 23 korrik 2019)

0 comments:

Post a Comment