Friday, May 24, 2019

Kujtim STOJKU: Cikli Poetik: Real Politika



Image may contain: Kujtim Stojku, sitting and indoor
 REAL POLITIKA

Nën pemë gjithnjë kam mësuar,
Nga një jetë tjetër stërgjyshi arrin,
Me mençuri magjike fjalën do ta flasë,
Midis dhimbjesh e vdekjesh që lëndojnë në shpirt,
Në rrjedhën e qenieve si pikë loti që u rrjedhin ngadalë.
Një rrugë është zhytur në llum e tëra,
Përmbytjet thithin me etje në këtë thatësirë,
Më në fund ajo zgjatet duke gjarpëruar,
Gurgëllimat e turbullta me një rrëzim.
Frikën e panjohur e mbretëron një hajmali,
Rrënjët, degët dhe shpresat e gjelbërta i mbërthen paniku,
Kapilarët presin rrjedhën e lëndëve ushqyese, punën ndalin,
Mbi gurët e vetvetes ulet këmbëkryq zonja errësirë
E vështrimin e ka të ngulur tek pragu.
Përmes shtresave depërton nga valëzimet e dritës,
Erërat e ndryshme fillojnë e fryjnë,
Me verë të kuqe përkrahen përkrahësit,
Duke mbajtur në dorë kupat e kristalta,
Me i rrëfyer mëkatet s’kishte asnjë prift,
Kush është përgjegjës për këtë jetë që e kërcënojnë,
Ata vrasës gjakftohtë që në dorë mbajnë nga një thikë...

TË GJITHA BRENGAT
Rivalët misteriozë,
Vuajnë për dorëheqjen,
Surrealizmin e jetës e lexojnë,
Përballë dëshirës dhe urrejtjes,
Shkulmat e erës me furi kalojnë.
E bardha ngrihet mbi të zezën,
E njëjta kurorë mbi rrënojat e së vërtetës,
Gënjeshtrat i kishin lëshuar shumë thellë tek rrënjët,
Qysh në kohët më të lashta djalli ishte shkërdhyer me të ëmën.
Poshtrimi për bukën e përditshme sjell një kulturë tjetër,
Ne s’i të ndërgjegjshëm shkelim mbi thëngjinj,
Hëna fillon e çmendet nga inati si një shtrigë e vjetër,
E me fytyrën krejt gjak fillon e ngrihet përsëri.
Lumenjtë dhe liqenet të gjithë janë kthyer në ngjyrë blu,
Reflektojnë shkulmat në bardhësinë tokësore,
Ftesa e ardhshme është largët e bën të tashmen,
Të këmbëngulë e të mos tërhiqet fort zvarrë.
VARGU
Vargu duhet gatuar si buka në magje,
Ashtu si dikur nëna tona prisnin që brumi të vinte me kujdes,
Si saçi i mbuluar me shpuzë do të vendosej mbi çerep,
Atëherë do të dëgjosh aromën e fjalëve që përhapet përreth.
Ndoshta kështu deri diku do të mundësh ta kapësh misterin,
Kur fjalët dhe tingujt në mes të tyre lidhen,
Shkrihen e shkëlqejnë si zinxhirë të florinjtë,
E shpirti i gjallë në mes tyre plot lumturi hidhet...

PËRSE SHKRUAJMË

Kjo është një pyetje që nuk mund ta ketë të saktë përgjigjen,
Shpirti ngandonjëherë çdo kujt i rëndon si shkrep,
Dërrasën e krahërorit fillojnë ta gëvishin,
Prej mendjes farkëtohen fjalët, kaliten me sukses.
Kur dëbora s’i një çarçaf i bardhë mbulon vendin,
Hatërmbetur errësira e natës i mban turinjtë varë,
Njeriu dallon s'i hije në mbrëmbjen e acartë,
Agimi i trëndafiltë fillon e kërcet gështrinjtë.
Natyrisht kjo peshë i reziston kuptimit më elementar,
Vështrimi imagjinarë zhytet brenda botës së padukshme,
Largon hijen e dyshimit aty ku nuk dallohet qartë,
Duke u nisur nga hiçi me hove të vrullshme.
Me krëhërin e akullt krehim flokët e dëborës,
Në natën e pabesë pritet murlani i tmerrshëm të fryj,
Ulërimën e ujrave e dëgjojmë të sillen rrotull,
Realja e hidhur nxit mendimet në shpirt për të hyrë.
Me këto mendime sflilitëse gjumi çaprazohet,
E padurueshme deri në ag bëhet nata për ta shtyrë,
Nga durimi i tyre pesha më shumë shtohet,
Derisa gjithëçka dallohet në oborrin e ngrirë.

KUJTIMET E MIA

N’kujtimet e mia më shfaqet përherë me imazhin e tij s'i kristali,
Që prej malesh buronte rridhte duke gurgulluar,
Aventurier i çartur që s’pushonte as ditë as natë,
Shelgjet të hijeshonin anash, peshq me luspa ari në të duke notuar.
Sa harë kam kundruar shkulmat e argjendtë i zhytur në meditim,
Bashkë me ty udhëtonte mendimi dhe në gjumë ëndrra duke shikuar,
E tash flokët që na janë zbardhë kujtojmë se fëmijëria na kaliste me guxim
Uji i qelibartë udhëtonte me oshëtimë, n’mes bjeshkësh ishte një bukuri e rrallë.
Brigjeve tua gjithë hijeshi rritej bari,
Në kujtimet e mia urat e kristalta ëmbël gugullojnë,
N’rrjedhën e shkulmave mendimi udhën kurrë s’e ndali,
Bashkë me të ecte jeta duke lëshuar jehonë.

GËZIMI I FLUTURËS

Me thënë të drejtën nuk e dija ç’po ndodhte me mua,
Zemrës nuk i përgjigjesha dot që më rrihte me aq zjarr,
Kishte një çmenduri vale që ishte duke më përvëluar,
Sipas zakonit copëtonte shkëmbinjtë në katërsh duke i çarë.
Ajo ishte forca ime dhe ajo më bënte të vuaj,
Çuditërisht nuk e di se pse këtu qëndron shqetësimi për ta treguar,
Linjat vezulluese të jetës ndrinin për një jetë të praruar,
E unë zhytesha në mendime për të nxjerrë një frazë të harruar.
Prej dritares së hapur ajo hyn, fluturon përreth llampës në tavan,
Më vështron mua para kompiuterit mbi tufën e letrave i zymtë,
Sillet rrotull, mundohet të lexojë shënimet e mia, kështu më duket mua,
Por e shoh se ngatërrohet, se ndihmoja dot ta lexonte atë frazë.
Kënd më kënd në muret e dhomës duke fluturuar,
Lexoja mendimet e saj se s’kishte forcë për ta kthyer mbrapsht,
Dhe prandaj sipër meje e shihja të zemëruar,
Gjithë natën sillej përreth dritës errësirën duke ngacmuar,
Për çudi s’e pashë të dridhej prej frikës asnjë çast.

Ç’NGJYROSJE

Bota një skenë teatri ku retë rrinë pezull,
Njerëzit janë aktorë dhe mbështillen nga retë,
Malet përkulin shpinën copëtohen shkëmbinjtë e sertë,
Bien në ujrat e kaltëra me rrapëllimë, i bëjnë të turbullt.
Stina ç’ngjyroset përdhunisht nga ngjyrat e saj,
Liqenet të kthyer në dritë zbehin veten e vet,
Prej dritës së verdhë ari ka marrë ngjyrën e vërtetë,
Qielli ngjyroset nga një penel i padukshëm, pikturë n’vaj.
Retë ecin ngadalë duke marrë forma të ndryshme,
Prezenca e tyre gjithësinë e hijeshon, i jep pamje madhështore,
Befasohesh nga ngjyrat e zjarrit, e bardha në formë shkume,
Komponentë madhorë të kësaj hapsire skicohen.
Rrezëllimi i përkohshëm kthehet në kandila të zbehtë,
Studiuesit me tituj të shumtë këtë e quajnë risi,
Kjo pikturë brenda kornizës së saj dridhet lehtë,
Retë e pambukta u vranën, koha mori ngjyrë gri...

SHPËRFYTËRIM

Ngritur dhe lartësuar përmes humnerave t’dhimbjes shpirtit,
Magjepsur si të marrë prej lavdisë së shkuar,
Duke shkelur mbi shpuzën e rrënojave plagët dhimbnin,
E tash sillesh andej këtej s’i dele e hutuar.
Egërsisht koha shpirtin ta vuri në provë,
E ti do të përkulje gjunjët arratisur greminave të ferrit,
Kur para ujit si kristali shuan etjen veten do të shohësh,
Dallon zgavrën e një hije shpërfytyruar, helm i bërë prej vrerit.
N’këtë pasqyrim ujor hijen e njeh, është vetvetja,
Befas sheh deformimin trupor që ka marrë,
Prej dhimbjes së madhe eshtrat i ndjen të coptuar,
Mohoi diellin, përqafoi hënën, hije e coptuar përkundesh ngadalë.

0 comments:

Post a Comment