Thursday, May 2, 2019

Prend BUZHALA : MINATORI



(Fletëza për njerëz të thjeshtë), 30

Minatori Fadil Stojku para një jave humbi jetën në minierën e Tërnovës Dibër. Luani i minierave që nuk iu nda asnjë çast këtij profesioni të vështirë dhe burrëror derisa nga shpërthimi i gazit humbi jetën.
Poeti Prend BUZHALA po këto ditë skaliti me penën e tij përmes muzës poetike këto vargje për minatorin. Këto vargje t'i përkushtoj me dhimbje shok i dashtur i fëmijësrisë edhe atje ku prehesh në shtartin e butë të dheut që e deshe aq shumë. (K.Stojku)

Mitin e yjeve e zbret në tokë, 
dhe historitë e galerive i ngre në qiell,
ti minator qymyresh a diamantesh,
që rrëfen për varrosjet për së gjalli,
për histori të heqjes së mushkërive, për sfonde minierash
e për ngjyrën e zezë apo të bakrit që e merr fytyra jote.
Minerali i çmueshëm ruan dhe eshtrat njerëzorë
me tragjedi të pa rrëfyera.
Mandej vijnë historitë e grevave të urisë deri në vdekje
për mbrojtjen e minierës së Republikës
kundër sa e sa rrëmbyesve të lirisë dhe të djersës sate:
atje. në thellësi, duke përcjellë Lajmet e Botës.
Janë dhimbjet e fshehta që sëmbojnë
më shumë se ato të hapurat,
skena e jetës mbushet me therje e thyerje,
dhe ty të duhet ta mbash në këmbë një republikë të tërë,
ta mbash mbi supe peshën e rëndë sa të një planeti,
për ta nxjerrë nga brinja e tokës më të vlefshmen
për ekzistencën she zhvillimin e botës.
Mandej shkapërdarët e rruzullit nisin luftërat e gjakut,
me paratë e gjakut të nxirë ta spërkatin qiellin.
E vitet tona vazhdojnë t’i djegin gulçimat e ngarkesave.


Cili na qenka Mësimi i Parë që ti ia jep fëmijës:
si të shprehet në letër
apo si të shprehet në thëngjill e errësirë?
Letra lakmon shkrimin me thëngjill,
thëngjilli lakmon bardhësinë e mendimit të letrës
në thellësi galerish.
dhe Letra e Thëngjilli ligjërojnë: këtu zë fill bota.
E jeta shndërrohet në gur stralli përnjëherësh,
kur gjithçka përreth është errësirë.
Mbrëmja i ngjan galerisë,
nga çasti kur i vendos këpucët nën shtrat.
Gjumi pranë çizmeve qenka pakti i heshtur
Ndërsa në natën pirateske të demokracisë
përgatiten enët për ta shpërndarë djersën tënde.
Ata hartojnë çjerrje të reja të tokës
duke kërkuar qymyr, gaz, naftë, uranium
për t’i sjellë kancer që gërryen tokën dhe qiellin.
Ja, njeriu mund t'i shohë vetëm Dy Qenie
se si kërkojnë nëpër thellësi
minatorin dhe studiuesin kërkimtar që vijnë nëpër shekuj
që nga minatori i lashtë pirust e deri te ai Dijetari i Republikës;
diellin di ta vlerësosh vetëm kur gjendesh në thellësi të errëta,
thellësitë qenkan mësuesit më të mirë: e mësojnë botën
si ta çmosh ajrin, frymëmarrjen
a Matematikën e Çarjes së Shkëmbit,
Matematikën e Shpërthimit me sulmet e brendshme
deri te ato të jashtmet, shtjellë dheu e shtjellë shpirti,
e di çka duhet shembur e çka duhet hapur,
sa hapa ka deri te Kokrra e Mineralit ...
deri te Kokrra e Çmuar e Botës.
Ky Hap Miniere është si Hapi i një epoke.
Është mësimi më i mirë që na ligjëron
se ç'është kërkimi në jetë, në histori, në studim, në vetvete,
në galeri karakteresh e shpirtrash,
frymëmarrjesh e frymëzëniesh.
Eh, nuk dihet cila epokë qenka ajo që do të vijë
për t'u përkulur para Teje në shenjë nderimi.
Nëse nuk ndodh kjo,
atëherë krisjet e brinjëve nuk kanë të ndalur.
( 30 prill 2019)

0 comments:

Post a Comment